Protestë masive kundër projektit në Zvërnec/ Qytetarët para Kryeministrisë thirrje kundër qeverisë: Rama të japë dorëheqjen (PAMJET)
Protesta vijon, qytetarët shpalosin flamurin masiv kuq e zi në bulevard: Rama ik 4 Qershor, 21:28 Betejë pa li...
Protesta vijon, qytetarët shpalosin flamurin masiv kuq e zi në bulevard: Rama ik 4 Qershor, 21:28 Betejë pa li...
"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS, por ti nuk je i ftuar! ...
Ish-ushtarak dhe njohës i armëve/ Kush është Violand Braçellari, 43-vjeçari që vrau një polic e...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
• Disa deputetë të Partisë Demokratike kanë dalë kundër vendimit të Kryedemokratit Sali Berisha për vendimmarrjen e bojkotit të Komisioneve. • Mësohet se deputetët Bledjon Nallbati, Xhelal Mziu, Oerd Bylykbashi, Ina Zhupa, Tritan Shehu dhe Arjan Ndoja, kanë deklaruar se duhet të merret pjesë në komisione për reformat zgjedhore e territoriale. • Ndërkohë, nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi ka deklaruar për mediat pas mbledhjes me dyer të mbyllura, se PD nuk do të bojkotojë Komisionet për Reformën Territoriale dhe Zgjedhore. • Boçi theksoi se PD nuk do bashkëpunojë me Edi Ramën në nivele të tilla që konsiderohen bashkëpunime politike, por bëhet fjalë për një komision të rëndësishëm e të posaçëm. • Boçi ndër të tjera shtoi se më i rëndësishëm se ky komision është Këshilli i Mandateve dhe Rregullores, i cili sipas tij, ka dështuar pikërisht për shkak të mosmbledhjes nga ana e mazhorancës. • Edhe Bujar Leskaj ka kundërshtuar vendimin për bojkot, duke theksuar se rishikimi i Reformës Territoriale është një domosdoshmëri. • Leskaj gjithashtu u shpreh se reforma Administrativo-Territoriale e vitit 2014, për 12 vite ka dëshmuar se nuk ka prodhuar asnjë rezultat pozitiv për qeverisjen vendore dhe qytetarët. • Ai theksoi se dështimi i reformës lidhet drejtpërdrejt me defekte të thella strukturore që ishin të pranishme që në fazën e hartimit. • Ndërkohë, deputetja Ina Zhupa u shpreh se nëse PD nuk bojkoton komisonet, mazhoranca do ta kenë më të vështirë ti kundërshtoj. • Zhupa tha se PD është një parti me kapacitete njerëzore dhe intelektuale, ndaj nuk ka pse të ndjek vetëm një rrugë dhe të braktisin të tjera. • Gjatë mbledhjes kundër vendimit ka dalë edhe Bledjon Nallbati, i cili tha se janë bërë si filmi ‘Dy herë mat’.
8 artikuj për këtë temë.
TIRANË- Nënkryetari i Partisë Demokratike, njëkohësisht dhe bashkëkryetar i komisionit parlamentar për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi, deklaroi pas mbledhjes së grupit parlamentar se PD nuk e bojkoton Komisionin e Reformës Territoriale dhe është e gatshme të marrë pjesë në mbledhjet e tij, për sa kohë ato thirren me dakordësi mes bashkëkryetarëve.
Boçi e cilësoi “nul” mbledhjen e zhvilluar sot, duke theksuar se është thirrur pa njoftim dhe pa forum ligjor. Ai paralajmëroi se çdo tentativë e mazhorancës për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme përbërjen e komisionit do të shoqërohet me reagim të fortë nga Partia Demokratike.
Prononcimi i plotë:
Elda Menga, Top Channel: Z.Boçi, sot kishit mbledhje komisioni të reformës territoriale, ndërkohë PD e bojkotoi edhe këtë mbledhje. Nesër PS ka vendosur që të avancojë, duke ndryshuar dhe formulën e këtij komisioni. Keni një vendimarrje nga grupi parlamentar demokrat se çfarë do të bëni nesër?
Luçiano Boçi: Përsa i takon mbledhjes së sotme, mbledhja është nul së pari, sepse u thirr në ultimatum. Ultimatum, ju e dini shumë mirë, i artikuluar nga z.Balla. E papranueshme në jetën politike, aq më tepër kur vijnë edhe nga zotërinj të tillë. Është nul nga ana tjetër, sepse mbledhja e komisionit thirret në bashkëpunim me me bashkëkryetarët. Unë jam bashkëkryetar i këtij komisioni, nuk jam njoftuar, nuk kemi biseduar. Kjo është e vërteta, jo vetëm për këtë mbledhje, por edhe mbledhje të tjera të paranjoftuara në ditët e tjera që i kanë përdorur si argumente të bojkotit të PD.
Sigurisht, nuk bashkëpunojmë me Edi Ramën, në nivele të tilla që konsiderohen si bashkëpunime politike. Kjo është mbledhje e një komisioni të rëndësishëm të posaçëm, por më i rëndësishëm se ky komision është Këshilli i Mandateve dhe i Rregullores. Mos të harrojmë që edhe aty anëtarësia është në paritet dhe ai komision është dështuar nga mosmbledhja e mazhorancës, nga ana e z.Peleshi, por edhe nga ana e z.Balla që bën ultimatume, me qëllim që të mbrojnë Ballukun që të mo i heqin imunitetin. Pra, mbledhja konsiderohet nul.
Ndërkohë qendrimi i shprehur i PD pas diskutimeve të grupit parlamentar, në kryesinë e vogël, është që PD do vijojë të jetë pjesë e komisionit të Reformës Zgjedhore, në një mbledhje sa më të afërt, të dakordësuar ndërmjet bashkëkryetarëve dhe do vazhdojë me agjendën e komisionit, që është lënë, për hir të së vërtetetës në momentin e zgjedhjes së sekretares së komisionit.
Elda Menga, Top Channel: Nëse nuk e kam kuptuar gabim, do të thotë që ju nuk e bojkotoni këtë komision?
Boçi: Jo, jo...
Elda Menga, Top Channel: A do e njoftoni bashkëkryetarin tuaj socialist për këtë zhvillim, për shkak se ata e kanë futur në rendin e ditës në seancës e së martës, ndryshimin e formulës së komisionit?
Boçi: Sigurisht, prononcimi im nuk mjafton, se është dhe mediatik dhe publik, ndryshe nga bashkëkryetari i cili nuk konsultohet për mbledhjet e thirrura. Unë jam i detyruar duke respektuar etikën parlamentare, por edhe atë politike ta njoftoj për gatishmërinë e grupit parlamentar të PD dhe anëtarëve të këtij komisioni, për të bashkëvijuar pikërisht, këtë reformë, që duhet thënë është e rëndësishme, nuk duhet paragjykuar, sepse kemi dëgjuar gjatë gjithë kësaj kohe variante që ata i kanë të gatshme në sirtar dhe duan thjesht të përshkruajnë rrugën dhe finalizimi është i parapregatitur. Ai finalizim të jetë një, sepse është konsensual në bazë të votimit të paritetit të votave dhe jo të dalë në fund pastaj me dy variante. Por këto janë gjëra që do diskutohen në vazhdimësi, të themi, të punës që do të bëjë komisioni në paritet të plotë.
Elda Menga, Top Channel: A duhet të besojë këtë radhë PS që ju nuk do ndryshoni mendje deri nesër?
Boçi: Nuk kemi ndryshuar mendje dhe nuk kemi shfaqur mendje të dnryshme në rast të pjesës së prononcimeve për këtë komision. Më keni dëgjuar, sepse unë jam bashkëkryetar? Kemi thënë që është bojkot? Keni ndonjë pasazh? Marrëveshja, duhet të ketë konsensus, jo marrëveshje, konsensus... mos e ngatërroni marërveshjen me konsensusin. Në grupin parlamentar ne e diskutojmë në mënyrë demokratike, ka debat, secili nga deputetët jep mendimin e tij, pati mendime që prevalonin në këtë drejtim, pati mendime që kishin si konsideratë pikërisht, këto që ju i parathatë, por edhe unë i thashë që komisioni më i rëndësishëm është Këshilli i Mandateve. Kjo tregon shkallën e demokracisë në fund fare, duhet ta trasnmetoni si një vlerë që paskemi ne debate, marrin vendime, a dëgjohet zëri i deputetit? Shumë mirë, në PD dëgjohet edhe zëri i deputetit dhe zëri i qytetarit.
Ndodh kjo në kampin mazhoritar? Jo nuk ndodh. Atëherë, problemi është tek ai që nuk ndodh, jo tek pjesa që ndodh. Ne nuk heqim dorë nga qendrimi ynë. Duhet të ketë një finalizim, një dalje të vetme, dhe kjo dalje duhet të jetë konsensuale. Përndryshe, pastaj nuk ka përfundim. Paska qenë një proces i paravendosur, të cilit i mungoka parada, rruga e përshkruar, sepse e paskan pas gati. Heqin dorë nga deklaratat që do zvogëlohet, do dali ky. Këto gjëra do dalin përgjatë funksionimit të komisionit. Si mund të thonë ata që do i bëjmë pa konsulta me kryetarë bashkish, me banorët pa referendume. Sepse ligji parashikon, kur bashkohen dy njesi vendore, patjetër duhet të ketë pranueshmëri nga banorët e të dyja palëve të atyrë bashkive.
Anesti Bajramemaj, A2 CNN: Sot në mbledhje është miratuar dhe një plan pune për të dalë në terren dhe për të miratuar, për të bërë pikërisht këto që thoni ju.
Boçi: Plani i punës është nul. Nuk mund të ketë komision kur nuk është forumi. Ai plan pune, po këtu në Shqipëri janë mësuar që t’i bëjnë gjërat mbi ligjin, pa ligjin ose kundërshti me ligjin. Përderisa ju thatë ka dështuar se nuk ishte forumi. Ishim ne, 7-8 të pranishëm? Jo, nuk ishim. Atëherë, si paska vendime ai komision. Sot, ishte i thirrur nën ultimatum pa njoftim nga bashkëkryetari. Kjo është e vërteta. Le të dalë z.Mazniku dhe të thojë të kundërtën, ose ta thojë në prezencën time.
Elda Menga, Top Channel: A propozoni një datë mbledhjeje?
Boçi: Patjetër, sa më të shpejtë. Sapo të komunikoj, do t’i kërkoj edhe një datë që të bien dakord që do të jetë shumë e shpejtë në ditët në vazhdim.
Anesti Bajramemaj, A2 CNN: Nëse nesër, ditën e nesërme në seancë plenare socialistët votojnë për vendimin e depozituar prej tyre për ndryshimin e përmbërjes së komisionit, çfarë do të bëjë PD?
Boçi: Po, atëherë, këtu nuk ka habi të madhe në qoftë se ata sillen në mënyrë arbitrare, atëherë edhe unë që nuk e kam qejf fjalën bojkot, nuk mund të marrim pjesë në një komision i cili ndërtohet ndryshe, ndërtohet ditën dhe prishet natën nga ata, se nuk i konveniojnë interesat politike të momentit, se duan të krijojnë ngjarje politike që tërheqin vëmendje tani te komisioni i Reformës, duke lënë dhe anashkaluar çështjet e rëndësishme që ka sot PS me drejtësinë, që kanë përfaqësuesit e saj, që ka Balluku, që kanë përfaqësuesëit e AKSHI-t, që ka vet Rama, që shfaqet në dosje më shumë se znj. Balluku.
Pra, do ketë reagim dhe reagimi do të jetë i fortë. Sot, njerëzit kërkojnë që PD të jetë pjesë e komisionit të Reformës. Ne po deklarojmë këtu, për publikun, për qytetarët që janë të interesuar që do jemi pjesë, nqs ato marrin vendimin, sigurisht që ne do kemi reagimin tonë në të drejtën tonë të plotë. Ja ku është deklarata. A thamë që tërhiqet, pastaj në mbledhjen e konferencës së kryetarëve, kryetari i grupit parlamentar ka deklaruar nqs ne jemi të gatshëm, ai vendim nuk vlen, është nul. Nqs nuk e tërheqin, pastaj duan të krijojnë ngjarje artificiale. Le ta bëjnë, është arbitrariteti i tyre, nuk është më gjë e çuditshme që ndodh për herë të parë, dhe ne do habitemi. Por do ketë reagim të fortë dhe më pas do të ftojmë dhe qytetarët që të reagojnë ndaj mënyrës se si ato posedojnë Reformën Territoriale. Pse jo? Sepse ko impakton edhe Reformën Zgjedhore.
Anesti Bajramemaj, A2 CNN: Të njëjtën gjë do të bëni edhe me reformën zgjedhore po të shkoni në atë komision?
Boçi: po janë të dyja komisionet, janë të ndërlidhura, sepse janë komisione të posaçme. Të mos i ngatërrojmë gjërat. Nuk janë marrëveshje, sepse dalim te marrëveshja. Ku ka marrëveshje me Ramën? Këto janë komisione parlamentare të posaçme për një gjë që është mbi partitë politike, mbi partitë parlamentare, është për të gjitha partitë dhe ato joparlamentare të dyja reformat, dhe impaktojnë jetën politike, por jo vetëm jetën politike, por mbi të gjitha jetën sociale dhe ekonomike të qytetarëve shqiptarë, se ka të bëjë me ndarjen e territorit, që qytetarët sot nuk e kanë dhe duan që nesër ta kenë në ato parametra që ekziston dhe në atë që i referohemi shpesh në BE./Dosja.al
TIRANË- Deputeti Bledjon Nallbati është shprehur kundër vendimit për të bojkotuar komisionet e posaçme, atë të Zgjedhores dhe Territoriales. Në mbledhjen e grupit parlamentar me dyer të mbyllura, Nallbati ka thënë se duhet të shkojnë në komisonë për qytetarët. Gjithashtu Nallbati ka theksuar se nëse bojkotohen komisionet, atëherë duhet që PD të mos shkojë as në parlament.
“Jemi bërë si filmi ‘Dy herë mat, edhe akullore edhe çokollatë’, shkojmë në parlament nuk shkojmë në dy komisionet më të rëndësishme. Nëse shkojmë me idenë që Edi Rama s’na jep asgjë, më mirë mos të shkojmë në parlament fare. Duhet shkojmë të shpalosim atje opsionin tonë për qytetarët, pastaj nëse zgjidhim variantin e bojkotit, të bojkotojmë çdo gjë, të shkojmë në grevë në përshkallëzime më të mëdha nuk shkon të shkojmë në komisione të tjera e jo te reformat, duhet të ndajmë mendjen”, ka deklaruar ai./Dosja.al
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka deklaruar ditën e sotme se askush nuk do bojkot, në kushtet kur mazhoranca ka mbyllur çdo derë. Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar të PD-së, Shehu u shpreh se në këto kushte të parlamentarizmit detyrohesh të marrësh qëndrime ekstreme.
“Asnjë prej nesh nuk do bojkot, në kushtet kur mazhoranca ka mbyllur çdo derë dhe në këto kushte të parlamentarizmit detyrohesh të marrësh qëndrime ekstreme”, mësohet të ketë thënë Tritan Shehu./Dosja.al
TIRANË- Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka deklaruar se PD do të marrë pjesë në mbledhjen e komisionit. Gjatë një prononcimi për mediat, pas mbledhjes me dyer të mbyllura, Boçi theksoi se PD do vijojë të jetë pjesë e Komisionit Zgjedhore dhe Territoriale dhe do vazhdojë me agjendën e komisioneve. Gjithashtu deputeti u shpreh se vendimet duhet të jetë me konsensus.
“Qëndrimi i shprehur i PD pas diskutimeve në kryesinë e vogël, është që PD do vijojë të jetë pjesë e Komisionit Zgjedhore dhe Territoriale dhe do vazhdojë me agjendën e komisioneve. Ne nuk e bojkotojmë komision, do njoftojmë për gatishmërinë e grupit të PD për të bashkëvijuar këtë reformë që është e rëndësishme.
Në grup parlamentar ne diskutojmë në mënyrë demokratike, pati mendime për braktisje, por Komisioni më i rëndësishëm Komisioni i Mandateve. Duhet të ketë një dalje dhe duhet të jetë konsensuale, përndryshe paska qenë proces i paravendosur”, tha Boçi./Dosja.al
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo është shprehur kundër bojkotit në Komisione. Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PD, Bozdo është shprehur se ajo reformë duhet 'grisur'. Ai ka deklaruar se opozita duhet të marrë pjesë me patjetër në komisione.
“Që ata do bëjnë çfarë duan ata, në këtë e kemi të qartë, por ne duhet të shfrytëzojmë pjesëmarrjen tonë për të “grisur” reformën që kanë bëre deri më sot. Kemi gjithë argumentet dhe ekspertizën më te mirë për ta hedhur poshtë çka ata kanë bërë. E dyta me rendësi është modeli që ne propozojmë. Kjo çështje ka vëmendjen e publikut dhe të ndërkombëtarëve. Pastaj në çast të caktuar nëse ata refuzojnë dhe ecin me kokëfortësi ne mund të tërhiqemi”, shprehet Bozdo./Dosja.al
TIRANË- Deputetja Ina Zhupa ka dalë kundër vendimit, për të bojkotuar komisionet e posaçme të Reformës zgjedhore dhe asaj Territoriale në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së. Zhupa thotë se duhet të jenë prezent për qytetarët dhe interesin publik.
Deputetja u shpreh se nëse PD nuk bojkoton komisonet, mazhoranca do ta kenë më të vështirë ti kundërshtoj. Në fund, ajo tha se PD është një parti me kapacitete njerëzore dhe intelektuale, ndaj nuk ka pse të ndjek vetëm një rrugë dhe të braktisin të tjera.
"Nuk duhet ta lëmë hapësirën bosh në Komisionin e Reformës Territoriale. Pavarësisht nëse na dëgjojnë apo nuk na dëgjojnë, ne shkojmë për qytetarët dhe interesin publik. Të jemi aty për dëgjesat me ekspertët, për të dhënë zgjidhjet tona, që qytetarët të na dëgjojnë se si e duam ne reformën territoriale t’u shërbejë atyre.
Ata do ta kenë më të vështirë të na kundërshtojnë, sepse nuk kanë argumente, por e kanë shumë të lehtë ta kalojnë pa ne, sepse thonë: “Ju nuk ishit”, dhe kështu janë rehat. Unë i kam pyetur qytetarët e zonave te mia dhe me thonë merrni pjese. Ju ftoj dhe te bëni një sondazh do ju dali qe thonë merrni pjese. Votat nuk i kemi, por e kemi zërin tonë aty dhe kjo do të ketë rezonancë si te qytetarët, ashtu edhe te ndërkombëtarët, duke bërë propozime konkrete.
Ne duhet të jemi shumёdimensionalë: edhe protestat t’i bëjmë, edhe në reforma të jemi prezentë, edhe analizën, edhe zgjedhjet. Jemi parti me kapacitete njerëzore dhe intelektuale; nuk kemi pse të ndjekim vetëm një rrugë dhe të braktisim të tjerat", tha Zhupa./Dosja.al
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj ka deklaruar se rishikimi i Reformës Territoriale është një domosdoshmëri. Leskaj u shpreh se reforma Administrativo-Territoriale e vitit 2014, për 12 vite ka dëshmuar se nuk ka prodhuar asnjë rezultat pozitiv për qeverisjen vendore dhe qytetarët.
Ai tha se dështimi i reformës lidhet drejtpërdrejt me defekte të thella strukturore që ishin të pranishme që në fazën e hartimit. Deputeti Leskaj tha se Reforma Territoriale-Administrative është njëkohësisht sfidë dhe mision. Ndaj sipas tij, për këtë arsye ajo kërkon vizion, qasje strategjike, profesionalizëm dhe gjykim jo të njëanshëm, në mënyrë të tillë që të jetë në favor të qytetarëve.
Reagimi i plotë i Bujar Leskaj:
Reforma Administrativo-Territoriale e vitit 2014, për 12 vite ka dëshmuar se nuk ka prodhuar asnjë rezultat pozitiv për qeverisjen vendore dhe qytetarët. Përkundrazi, ajo ka sjellë pasoja të rënda në të gjithë territorin, duke dobësuar funksionimin e njësive administrative për shkak të mungesës së menaxhimit efikas nga bashkitë e reja.
Dështimi i reformës lidhet drejtpërdrejt me defekte të thella strukturore që ishin të pranishme që në fazën e hartimit, si dhe me faktin se ndarja territoriale u konceptua mbi baza elektorale, me qëllim favorizimin elektoral të Partisë Socialiste, duke dëmtuar rëndë shërbimet për qytetarin, demokracinë vendore dhe përfaqësimin real të komuniteteve.
Rishikimi i Reformës Administrativo-Territoriale është sot një domosdoshmëri. Ky proces duhet të zhvillohet në përputhje me parimet e Kartës së Autonomisë Vendore, me konsensus politik dhe social, si dhe me planifikime realiste që garantojnë autonominë financiare dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarin.
Në praktikë, reforma ka dështuar në katër drejtime thelbësore: (1) nuk rriti eficiencën ekonomike të njësive vendore, (2) përqendroi pushtetin në mënyrë të tepruar te kryebashkiakët, duke cenuar decentralizimin, (3) dobësoi mekanizmat e demokracisë dhe llogaridhënies vendore, si dhe (4) nuk arriti të nxisë zhvillimin ekonomik e social apo të zbusë varfërinë. Këto pasoja e bëjnë të domosdoshëm një rishikim të thellë dhe gjithëpërfshirës të reformës, të ndërtuar mbi parimet e autonomisë vendore, konsensusin politik dhe social dhe planifikime realiste, në mënyrë që të korrigjohen gabimet e së shkuarës dhe të shmanget përsëritja e një reforme të njëanshme dhe të rrezikshme.
Tre janë pikat tona të forta, si Parti Demokratike, për të vazhduar punën në Komisionin e Reformës Administrativo-Territoriale: (1) pasojat negative të reformës 2014/15, (2) nuk duhet të lejojmë një komision të njëanshëm, ashtu siç i intereson sektit Rama, (3) Partia Demokratike sot ka një produkt të vetin, me propozime konkrete në lidhje me rikonfigurimin administrativo-territorial, ndaj të cilit është punuar gjithë këto vite.
Më poshtë po rendis modestisht disa arsye pse Partia Demokratike e ka domosdoshmëri vazhdimin e punës në Komisionin e Rishikimit të Reformës Administrativo-Territoriale:
1. Të gjithë e dimë, si teorikisht ashtu edhe praktikisht, se në të gjitha shtetet e botës reforma administrativo-territoriale kërkon një konsensus politik substancial, si dhe mirëkuptim mes pozitës dhe opozitës.
2. Ashtu siç është theksuar edhe nga Partia Demokratike që në procesin e realizimit të reformës, ndarja e njëanshme territoriale sjell deformim të nivelit të qeverisjes vendore dhe të vullnetit të zgjedhësve.
3. Siç kemi denoncuar, si Parti Demokratike, gjatë këtyre viteve, ligje të caktuara të miratuara nga sekti Rama dhe ndërhyrje të pa precedenta nga Edi Rama, kanë shkelur Kartën e Autonomisë Vendore dhe decentralizimin e pushtetit vendor, duke e kthyer në shumë raste pushtetin vendor të centralizuar në duart e Edi Ramës dhe duke e shndërruar në mjet të tij.
4. Në të gjitha analizat tona si opozitë, të mbështetura edhe në vlerësimet profesionale të ekspertëve dhe sekretariateve pranë Partisë Demokratike, të cilat kanë kryer një punë kolosale në drejtim të rishikimit dhe nevojës për ndryshime në këtë reformë, veçanërisht Sekretariati i Pushtetit Vendor pranë PD-së, i drejtuar nga eksperti dhe ish-kryetari i Bashkisë z.Ylli Asllani, kemi arritur në përfundimin se kjo reformë ka nevojë për një rishikim të thellë, për një analizë të detajuar dhe gjithëpërfshirëse, në mënyrë që të mos përsëriten gabimet e Reformës Administrativo-Territoriale të viteve 2014/15
5. Në qarkun e Vlorës, përpara 2 viteve, sëbashku me drejtues të Partisë Demokratike, kemi zhvilluar disa takime me qytetarët, ku jemi zotuar për rishikimin e reformës . Kjo reformë duhet të jetë e përgjegjshme dhe në shërbim të qytetarëve, sepse janë pikërisht ata që çdo ditë ndiejnë dhe përballen me mangësitë e kësaj reforme të dëmshme. Nga përvoja e katër takimeve me qytetarë në qarkun e Vlorës, të gjithë kanë miratuar, mbështetur dhe mirëpritur propozimin e Partisë Demokratike për krijimin e katër bashkive të reja: Orikumit, Amantisë (Lumi i Vlorës), Ksamilit dhe Novoselës (Topallti).
6. Reforma Territoriale-Administrative, e cila do të miratohet, është jo vetëm një sfidë, por edhe një mision. Për këtë arsye kërkon vizion, qasje strategjike, profesionalizëm dhe analizë të drejtë në favor të qytetarëve.
7. Reforma administrativo-territoriale ka qenë kryefjala e programit tonë në zgjedhjet e 25 prillit 2021, 14 majit 2023 dhe 11 majit 2025 dhe për të jemi zotuar publikisht. Prandaj, na lind detyrimi që kemi ndaj qytetarëve, që këtë reformë ta vazhdojmë, ta mbrojmë dhe ta rishikojmë me përgjegjësi, ekspertizë dhe profesionalizëm.
8. Partia Demokratike ka ndërtuar një draft gjatë viteve 2022–2023 lidhur me propozimet për reformën, për të cilin janë analizuar dhe diskutuar përparësitë e tij. Rikonfigurimi në 94 (ose 97) bashki, gjithashtu dhe në 5 rajone të mëdha sipas specifikave për cdo rajon ( 1. Rajoni Veriut (Rrethet Shkodër—Lezhe- Pukë – Mirditë- Tropojë- Kukës)2. Rajoni Arbrit ( Rrethet Tiranë- Durrës- Kavajë-Krujë- Kurbin- Mat- Dibër)3. Rajoni Muzakajve ( Rrethet Fier- Lushnjë- Berat -Skrapar)4. Rajoni Kaonëve ( Rrethet Vlorë- Sarandë-Gjirokastër-Tepelenë- Përmet)5.
Rajoni Elbasan-Korçë (Rrethet Elbasan- Librazhd – Korçë- Pogradec- Kolonjë) do të sillte respektimin e plotë të parimeve të decentralizimit dhe simetri demografike e ekonomike, jo vetëm brenda rajoneve, por edhe ndërmjet rajoneve të ndryshme të Shqipërisë.Krijimi i 33 (ose 36) bashkive të reja do të ndihmonte realisht zonat dhe njësitë administrative periferike, të cilat sot nuk marrin as fondet dhe as vëmendjen e duhur, si nga pushteti vendor ashtu edhe nga bashkitë ku ndodhen nën juridiksion. Të 94 (ose 97) bashkitë do të kishin mundësi reale për të rritur cilësinë e shërbimeve dhe për të ushtruar kompetenca në diskrecion të plotë, siç parashikohet në Kartën Europiane të Autonomisë Vendore.
9. Partia Demokratike e ka një produkt të vetin në lidhje me mënyrën se si duhet të organizohet reforma e re administrativo-territoriale, të cilën e kemi bërë publike dhe pjesë integrale të programit dhe alternativës sonë qeverisëse, dhe ndaj së cilës duhet të vazhdojmë mbrojtjen dhe argumentimin që ky produkt, drafti i Partisë Demokratike për këtë reformë, të jetë pikë kyçe e diskutimeve të Komisionit përkatës.
10. Propozimet tona si Parti Demokratike janë në përputhje të plotë me parimet e Kartës së Autonomisë Vendore dhe ofrojnë planifikime realiste për garantimin e autonomisë financiare dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarin. Për këtë arsye kemi detyrimin t’i mbrojmë dhe t’i çojmë deri në fund.
11. Reforma Territoriale-Administrative është njëkohësisht sfidë dhe mision; për këtë arsye kërkon vizion, qasje strategjike, profesionalizëm dhe gjykim jo të njëanshëm, në mënyrë të tillë që të jetë në favor të qytetarëve. Si e tillë, ne si Parti Demokratike duhet të tregojmë kthjelltësi dhe pjekuri, sepse Edi Rama e rikërkon dhe do një komision të njëanshëm për ta shndërruar reformën në mekanizmin elektoral të radhës, ashtu siç bëri me reformën e vitit 2014–2015. Një veprim i tillë, mosbërja pjesë e punës së këtij Komisioni, do të na përballte me të njëjtat pasoja negative si reforma aktuale e viteve 2014–2015.
12. Partia Demokratike nuk duhet të dekurajohet nga Komisioni fiktiv që u ngrit në vitin 2023, në lidhje me rishikimin e Reformës Administrativo-Territoriale, i cili ishte një komision fals. Përkundrazi, ne duhet t’i insistojmë qëndrimit në këtë Komision. Nuk duhet të biem pre e grackës së Edi Ramës dhe provokacioneve të tij, sepse atij i intereson një Komision pa opozitën, pa Partinë Demokratike, mundësi të cilën kurrsesi nuk duhet t’ja japim. Kemi detyrimin të mos largohemi nga ky Komision.
Nëse ne, si Parti Demokratike, nuk i shkojmë deri në fund rishikimit të Reformës Administrativo-Territoriale, i japim një mundësi të dytë qeverisë së sektit Rama për ta deformuar edhe më tej këtë reformë, me efekte tërësisht jashtë interesit të qytetarëve. Gabimi i dytë është gjithmonë më i madh se i pari. Kjo reformë nuk duhet të realizohet pa praninë dhe kontributin e anëtarëve të Partisë Demokratike, të cilët janë profesionistë të aftë dhe të respektuar. Rishikimi i saj duhet të korrigjojë gabimet e bëra në vitin 2014, në respekt të plotë të të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe për të cilën ne si Parti Demokratike e kemi detyrim dhe zotim për të vazhduar./Dosja.al
TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur nga mbledhja me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Bëhet me dije se disa deputetë i kanë dalë kundër Kryedemokratit Sali Berisha për vendimmarrjen e bojkotit të Komisioneve.
Deputetët Bledjon Nallbati, Xhelal Mziu, Oerd Bylykbashi, Ina Zhupa, Tritan Shehu dhe Arjan Ndoja, kanë deklaruar se duhet të merret pjesë në komisione për reformat zgjedhore e territoriale.
Pas kundërshtimit, Lideri i opozitës është shprehur se do jetë Kryesia që do marrë vendimin final lidhur me marrjen pjesë në mbledhje ose jo./Dosja.al