LIVE UPDATES
Aktualitet

“I vrava të gjithë pa folur”, si ndryshoi dëshmitë Luan Marra i Masakrës së Kozares

27 Tetor 2021, 21:01 Nga DOSJA
“I vrava të gjithë pa folur”, si ndryshoi

TIRANË– Luan Marra është personi i dënuar me burgim të përjetshëm për të ashtuquajtrën Masakra e Kozares, ngjarje e ndodhur në 9-10 Shkurt 2006. Në këtë masakër u ekzekutuan për vdekje me breshëri arme Shpëtim Marra, bashkëshortja e tij Florije Marra dhe djali i tyre 2 vjeç Artiol Marra. Luan Marra edhe sot nuk e pranon vrasjen e vëllait të tij dhe familjes, por thotë se autor është një person tjetër nga fisi i tyre.

Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus ka trajtuar të plotë përmes disa puntatave historinë e Masakrës së Kozares, ku për herë të parë për një televizion foli vetë Luan Marra, i dënuar me burgim të përjetshëm dhe që deri tani ka bërë 15 vite burg. Luan Marra është dënuar përmes disa provave të dyshimta. Uniko ka publikuar të plotë dosjen dhe 3 dëshmitë vendimtare të Luan Marrës gjatë marrjes në pyetje nga hetuesi i dosjes në atë kohë, Sokol Bizhga. Në këto 3 dëshmi, të datave 13 Tetor 2006, 29 Tetor 2006 dhe 30 Tetor 2006, Luan Marra ka dhënë dy versione të ndryshme. Çfarë ka ndryshuar gjatë marrjeve në pyetje? Ai dhe familja e tij kishin pretenduar në atë kohë se ndaj tyre ishte ushtruar dhunë nga policia, gjë që në fakt më vonë rezultoi se ishin dhunuar.

MARRJA NË PYETJE E LUAN MARRËS, DATË 13 TETOR 2006

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Ju kohët e fundit keni rënë shumë në peshë dhe jeni shumë i shqetësuar, qëndroni më i mbyllur në vetvete, përse ndodh kjo tek ty?

Luan Marra: Është e vërtetë që unë pas ndodhjes së ngjarjes kam qenë i mbyllur dhe i veçuar. Kjo për arsye se gjithmonë mendoj për atë që ka ndodhur. Kam vërejtur edhe shokët më janë larguar në njëfarë mënyre dhe veçanërisht më është larguar shoku më i mirë që kam pasur, Shkëlqim Marra. Arsyet se përse më është larguar unë nuk jam në gjendje t’i them, por mbaj mend që kur kemi pasur të dyzetat e ngjarjes, ai më ka thënë në lokal se edhe mua më ka pyetur policia dhe më ka thënë që t’i them Luanit se ku e ke fshehur automatikun. Dua të them tjetër që në ditën e ngjarjes, rreth orës 19:00 Shkëlqimi ka kaluar pranë shtëpisë tonë për të shkuar te shtëpia e Nazif Marrës për të çuar një kapele për gocën e Nazifit. Shkëlqimi ka qenë me motor, por motori i tij nuk kishte drita, prandaj shtetasi Klodian Marra së bashku me vëllanë e Shkëlqimit, Erionin, ecnin përpara me makinë për t’i bërë dritë rrugës motorit. Kjo ka ndodhur rreth orës 19:00. Meqënëse kjo kohë ndoshta mund të jetë e afërt me kohën e ngjarjes, është një arsye më shumë që Shkëlqimi qëndron larg meje.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: A mund të më thoni me saktësi gjithë lëvizjet tuaja në datën 9 Shkurt 2006, duke më thënë çdo hollësi të veprimeve tuaja?

Luan Marra: Rreth orës 08:00 ka ardhur Shpëtimi me motor te shtëpia ime dhe i tha babait se do të shkonte në Kuçovë dhe do të thyente 200 Euro. Ndërkohë u ngrita dhe unë nga gjumi dhe Shpëtimi më tha se a do të vish dhe ti në qendër për të pirë ndonjë kafe? Unë i thashë po dhe u nisëm së bashku për në qendër. Shkuam në lokal për të pirë kafe së bashku me Shkëlqim Marrën. Pasi pimë kafe, Shpëtimi na tha se unë do të shkoj në Kuçovë për të thyer 200 Eurot, kurse ju rrini këtu se do të kthehem shpejt. Këtë bisedë e dëgjoi edhe Shkëlqimi. Unë dhe Shkëlqimi pasi pimë kafen dolëm nga lokali dhe qëndruam te sheshi ku qëndrojnë furgonët. Kur po qëndronim aty, Shkëlqimi u shkëput nga unë dhe takoi Armando Marrën, diçka biseduan me njëri-tjetrin dhe Armandoja u largua duke hipur në furgon. Unë nuk u takova me Armando sepse nuk flasim me njëri-tjetrin për shkak të një debati që kishim bërë në muajin Janar. Rreth orës 10:00 është kthyer Shpëtimi nga Kuçova dhe unë i thashë që eja të pimë edhe një kafe sepse unë dua të takoj pak vjehrrin, por Shpëtimi më tha që unë nuk do të qëndroj se kam pak djalin pa qejf, por ti kur të mbarosh më bëj një zile dhe vij e të marr unë. Në kohën që Shpëtimi u largua, unë shkova e u futa në lokal së bashku me Shkëlqim Marrën, vëllain e tij Erionin me një kushëririn e tyre Altin Marrën, i cili nuk e di se e ka mbaruar shkollën e mesme ose jo, por di që është djalë i ri dhe që banon në Havaleas. Pasi qëndruam rreth 30 minuta në kafene, erdhi vjehrri im Sherif Xhelili, së bashku me burrin e hallës time Kujtim Skrapaliu dhe disa shokë të tyre. Unë u shkëputa nga shokët me të cilët isha ulur dhe shkova dhe u ula me vjehrrin dhe personat e lartëpërmendur. Rreth orës 11:00 Kujtim Skrapaliu më mori me motor dhe me çoi në shtëpi sepse edhe ai u kthye në shtëpinë tone. Pasi piu kafe Kujtimi u largua, kurse ne hëngrëm drekë së bashku në familje, unë, nëna, babai dhe Dhurata. Rreth orës 13:00, unë shkova tek shtëpia e Shpëtimit dhe i thashë që të shkonim të prisnim ca dru tek dhëndri i hallës, Mustafa Berberi. U nisëm së bashku me Shpëtimin, shkuam tek shtëpia e Mustafait dhe filluam e premë drutë deri në orën 15:00. Pastaj hëngrëm drekë tek shtëpia e Mustafait. Rreth orës 16:00-16:30 u larguam për në shtëpi, sepse binte shumë shi. Në shtëpinë tonë kemi mbërritur rreth orës 17:00, Shpëtimi la motorin aty dhe unë ndërkohe u futa më shpejt se Shpëtimi në shtëpi dhe shkova menjëherë pas sobës për t’u tharë sepse isha shumë i lagur. Shpëtimi i tha babait se unë do të iki në shtëpi sepse jam i lagur dhe po erdha përsëri mirë, në të kundërt mos u bëni merak po nuk erdha. Unë pasi u thava në sobë, rreth orës 17:30, shkova tek shtëpia e Shpëtimit për të parë se si e kishin djalin sepse më tha Shpëtimi se e kishin pa qejf. Kur mbërrita aty pashë që në shtëpi ishin Shpëtimi me të shoqen dhe djalin. Piva një kafe, luajta pak me djalin dhe rreth orës 18:15 minuta u largova për në shtëpinë time. Në shpjegimet që po jap nuk mund të them se jam shumë i saktë në orë fikse, por duke e matur kohën në mënyrë të përafërt shprehem edhe lidhur me lëvizjet e mia. Në shtëpinë time kam mbërritur rreth orës 18:20 minuta. Në shtëpi kam qëndruar së bashku me prindërit dhe me motrën deri rreth orës 21:00 dhe mbaj mend që pas kësaj ore, kemi rënë të giithë për gjumë. Pasi kam shkuar në dhomën time për të fjetur dhe deri ditën e nesërme në mëngjes, unë nuk kam bërë asnjë lëvizje natën. Në mëngjes jam ngritur rreth orës 07:30, se dëgjova të bertiturat e motrës sime dhe pastaj mora vesh për ngjarjen.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Ju kur gjatë kohës që Shpëtimi shkonte në Greqi, keni fjetur tek shtëpia e Shpëtimit, cilat kanë qenë sjelljet tuaja gjatë kohës kur flinit aty në kohën që Shpëtimi ishte në Greqi.

Luan Marra: Mua më ka thënë vetë Shpëtimi që të shkoja në shtëpinë e tij. Unë fillimisht nuk kam pranuar sepse i thashë që do thonë njerëzit se përse shkon e fle aty, por Shpëtimi bashkë me babanë më thanë që të shkosh dhe s’ke pse merresh me fjalët e njerëzve. Unë shkoja çdo natë në shtëpinë e tij, pasi kthehesha nga klubi rreth orës 19:00 ose 20:00. Kur shikoja që Florija me çunin flinin, unë shkoja e bija në dhomën e pritjes dhe kur i gjeja zgjuar shkoja luaja me çunin, bënim ndonjë muhabet me njëri-tjetrin dhe pastaj shkonim e flinim secili në dhomat e tyre, ajo me çunin flinte në dhomën e gjumit kurse unë në dhomën e pritjes. Kur Florija me çunin ishin zgjuar, unë bisedoja me të për gjëra të ndryshme sepse kishim shumë konfidenca me njëri-tjetrin. Në mëngjes ngrihesha rreth orës 07:00 ose 08:00 dhe ikja tek shtëpia e babait dhe merresha me aktivitet sipas mundësive që kisha. Për fjetjen time tek shtëpia e Shpëtimit ishte në dijeni edhe babai i Florijes. Dua të them se sa herë që shkoja për të fjetur në shtëpinë e Shpëtimit, dera e shtëpisë së tij qëndronte e mbyllur me çelës nga brenda. Unë sa herë që shkoja, trokisja ose i bija ziles. Florija, kur ishte zgjuar dhe ndodhej në kuzhinë, dilte dhe hapte derën. Por edhe kur flinte me djalin tek dhoma e vetë, pasi dëgjonte trokitjen time ose zilen e derës, ngrihej dhe hapte derën e jashtme. Mbaj mend se kur unë i bija ziles, Florija megjithëse ngrihej nga krevati e më hapte derën, ajo dilte me pizhame nga dhoma e saj. Mbaj mend që pizhamet i kishte me ngjyrë të bardhë dhe me topa të kuq.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Ju pak më lart keni thënë se një ndër mundësitë është se autori mund të jetë dhe njeri i afërt i familjes. Përse mendoni kështu dhe kush mund ta bënte nga njerëzit e afërt të familjes, çfarë arsyesh do të shërbenin për ta bërë një gjë të tillë. Çfarë dini për Shpëtimin, nëse ka pasur ndonjë problem serioz i cili mund ta sillte një pasojë të tillë, a do të na thoni çfarë dini rreth kësaj pyetje?

Luan Marra: Dua të them se personi që ka bërë vrasjen duhet të ketë qenë i afërm i familjes për faktin që pasi ai e ka ditur mirë që dera e jashtme qëndronte e mbyllur por e pa kyçur me çelës dhe vrasja e djalit të vogël është një arsye më shumë për të thënë se autori ka pasur frikë se fëmija, Artioli, mund ta ketë njohur, prandaj i ka ekzekutuar gjithë pjesëtarët e familjes.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Ju thoni se agresori e ka vrarë fëmijën, Artiolin, për faktin se e ka njohur atë. Kush janë personat që ju mendoni nga familja juaj por edhe nga të afërmit që Artioli mund t’i njihte?

Luan Marra: Gjithë personat që  kanë qenë në shtëpinë e Shpëtimit, Artioli i njihte, si nga shtëpia jonë edhe nga njerëzit e Florijes, duke filluar nga unë, prindërit e mi, vëllezërit, motrat, nipat, mbesat, nuset e xhaxhallarëve dhe prindërit e Florijes, vëllezërit dhe motrat e saj. Të afërm të cilët Artioli mund t’i njihte janë edhe Armando Marra, Shkëlqim Marra dhe vëllai i Shkëlqimit, Erioni. Këta i njihte sepse Shkëlqimi dhe Erioni kanë punuar në shtëpinë e Shpëtimit. Edhe Armandoja ka shkuar shpesh tek shtëpia e Shpëtimit si njeri i afërm i yni.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Meqënëse ju thoni se personi që e ka bërë krimin ka qenë njeri i afërm i familjes, a mund të na e thoni se përse mund ta ketë bërë një gjë të tillë dhe kush mund të ketë qenë ai?

Luan Marra: Unë nuk e di se kush mund të ketë qenë autor i kësaj ngjarje, megjithëse mendoj nga gjithë sa thashë më lart ai mund të ketë qenë njeri i afërt i familjes, por një ndër njerëzit që mund ta ketë bërë këtë është edhe Armando Marra, për shkakun e prishjes së një krushqie për një vajzë që ai donte të fejohej. Për persona të tjerë nuk kam ndonjë dyshim.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: A e dini se nga bisedat e njerëzve të ndryshëm, njëri nga personat e afërt që mund ta ketë bërë këtë ngjarje, jeni ju? Çfarë mund të na thoni lidhur për sa pyeteni?

Luan Marra: Kjo që po thoni është e pabesueshme dhe e pavërtetë, si për mua dhe për të afërmit e mi, sepse unë nuk kam pasur asnjë arsye për ta bërë një gjë të tillë. Këtë e them me bindje të plotë.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Qysh nga koha që ka ndodhur ngjarja, a jeni takuar me Armandon, çfarë keni biseduar me njëri-tjetrin?

Luan Marra: Qysh kur ka ndodhur ngjarja unë nuk jam takuar asnjëherë me Armandon. Pas ngjarjes e kam parë, jemi shkëmbyer, fillimisht e kam përshëndetur, por më mbrapa as nuk e kam përshëndetur dhe as nuk i kam folur. Unë e kam takuar vetëm pas ditës së pestë të ndodhjes së ngjarjes në dhomat e shoqërimit në Komisariatin e Policisë Kuçovë dhe pas ditës së dyzetë të ndodhjes së ngjarjes në dhomat e paraburgimit në Komisariatin e Policisë Berat. Në të dy rastet që jemi takuar në këto ambiente, ai më ka pyetur se kush mund të ketë qenë autori i kësaj ngjarje, por unë i kam thënë se nuk di gjë. Ndërsa kur kemi qenë në ambiente të jashtme, unë nuk kam komunikuar me Armandon.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Kur Armandoja iu ka pyetur se kush mund ta ketë bërë këtë ngjarje, ju përse nuk i thatë që e kë bërë ti Armando, sepse më lart na ke thënë që autor i kësaj ngjarje mund të ketë qenë edhe Armandoja?

Luan Marra: Unë nuk  e kam parë Armandon që ta ketë bërë këtë krim, por kam dyshimet e mia për të.

MARRJA NË PYETJE E LUAN MARRËS, DATË 29 TETOR 2006

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Çfarë mund të na thoni lidhur me debatin që është bërë në shtëpinë e Shpëtimit kur ai është kthyer për herë të fundit nga Greqia dhe në këtë debat sa persona keni qenë dhe në çfarë date dhe ore është bërë debati?

Luan Marra: Nuk mbaj mend që kur është kthyer Shpëtimi nga Greqia për herën e fundit unë të kem bërë ndonjë debat me të për çështje lekësh në shtëpinë e tij. Unë nuk i kam pasur lekë borxh Shpëtimit dhe nuk kisha përse të bëja debat me të, kështu që edhe për datën dhe orën se kur mund të jetë zhvilluar ky debat unë nuk kam se çfarë të the.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: A të ka thënë Shpëtimi se unë të kam marrë në Greqi edhe në vitin 2004 edhe në vitin 2005 për të punuar dhe lekët që m’i ke borxh duhet të m’i kthesh?

Luan Marra: Unë dua të them se është e vërtetë që Shpëtimi më ka marrë në Greqi në vitin 2004 dhe 2005, por kur ika herën e dytë në Greqi, lekët që i kisha borxh unë ia lava Shpëtimit. Lekë të tjera nuk di që t’i kem borxh.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: A të ka thënë Shpëtimi kur është kthyer nga Greqia për herë të fundit në shtëpinë e tij në debatin që keni bërë, se lekët që më ke borxh duhet të m’i kthesh sepse edhe unë jam në borxh?

Luan Marra: Siç e thashë edhe më lart, unë nuk i kam pasur lekë borxh Shpëtimit dhe nuk më kujtohet që ai të ketë kërkuar një gjë të tillë.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: A të ka rënë në sy se Shpëtimi kishte filluar të dyshonte në marrëdhëniet e tua me Florijen?

Luan Marra: Shpëtimi asnjëherë nuk ka dyshuar për marrëdhëniet e mia me Florijen dhe nuk kishte asnjë arsye se përse duhet të dyshonte. Unë dua të them se marrëdhëniet e mia me Florijen kanë qenë të mira si kunata me kunatin. Shpëtimi nuk kishte përse të dyshonte se unë kisha marrëdhënie intime me Florijen.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Pavarësisht se Shpëtimi dyshonte ose jo, ti a ke pasur marrëdhënie intime me Florijen dhe a keni bërë seks bashkë?

Luan Marra: Jo kjo nuk është e vërtetë. Unë nuk kam pasur marrëdhënie intime me Florijen dhe nuk kemi bërë seks bashkë.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: A i ka mbetur hatri nga Florijes kur nuk i ke kthyer lekër që i kishe borxh Shpëtimit dhe a e ka shprehur ajo një gjë të tillë me ty?

Luan Marra: Unë nuk i kam pasur lekë borxh Shpëtimit, kështu që edhe Florijes nuk kishte se përse t’i mbetej hatri për një gjë që nuk ekzistonte.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: A mund të na thoni diçka për faktin kur një herë në mbrëmje siç shkoje zakonisht në shtëpinë e Shpëtimit kur ai ka qenë në Greqi, derën ta ka hapur Florija dhe ti je hedhur dhe e ke kapur nga gjoksi e pastaj ke mbyllur derën e jashtme?

Luan Marra: Jo nuk është e vërtetë! Unë nuk di që ta kem bërë një gjë të tillë.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: A ka pasur dyshime Iliri (vëllai tjetër) se kishte marrëdhënie të fshehta me Florijen?

Luan Marra: Unë nuk di që Iliri të më ketë shprehur një gjë të tillë. Ai edhe mund të ketë pasur dyshime, por mua nuk m’i ka thënë kurrë. Ndoshta dyshimet e tij mund të kenë qenë pasi mund t’i ketë thënë ndonjë fjalë Majlinda.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Cila janë dyshimet që sipas teje ka pasur Majlinda për ty dhe Florijen?

Luan Marra: Them që ajo ka dyshuar vetëm për faktin që unë flija tek shtëpia e Shpëtimit por ajo nuk më ka parë kurrë që unë të kryeja marrëdhënie seksuale me Florijen.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: A të ka thënë Shpëtimi ty që të mos flesh më në shtëpinë time sepse nga tani e mbrapa do të flejë Dhurata? Kur ta ka thënë këtë fjalë dhe në çfarë vendi keni qenë ti me Shpëtimin?

Luan Marra: Këtë fjalë Shpëtimi ma ka thënë përpara se të shkonte në Greqi për herë të fundit. Dua të saktësoj që për herë të fundit Shpëtimi shkoi në Greqi në datën 15 Nëntor 2005. Bisedën e lartëpërmendur me sa më kujtohet e kemi bërë tek shtëpia e babait ku kemi qenë gjithë pjesëtarët e familjes, si unë, Shefqeti, Bajamja, Dhurata dhe Shpëtimi. Gruaja ime dhe e Shpëtimit nuk kanë qenë. Me sa kujtoj, Shpëtimi më ka thënë se ti Luan nuk do të shkosh më të flesh në shtëpinë time sepse nga koha që unë do të shkoj në Greqi e mbrapa, aty do të flejë Dhurata dhe jo ti Luan. Unë i thashë se nuk kam se si të fle në shtëpinë tënde tani sepse jam martuar.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Çfarë dini tjetër ju lidhur me ngjarjen që ka ndodhur në shtëpinë e Shpëtimit?

Luan Marra: Unë deri tani kam thënë shumë gjëra e hollësi të cilat i kam thënë me përgjegjësi, por tani do të kërkoja nga ju që të shkruani për gjithë ato që tregova, të deklaroj:

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Çfarë do të deklaroni?

Luan Marra: Unë do të deklaroj se autor i ngjarjes së datës 9 Shkurt 2006 jam unë.

MARRJA NË PYETJE E LUAN MARRËS, DATË 30 TETOR 2006

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: A dëshironi të flisni në praninë e avokatit dhe me vullnet të lirë të deklaroni për gjithë sa ka ndodhur në datën 9 Shkurt 2006?

Luan Marra: Po, unë dëshiroj të flas për gjithë çfarë ka ndodhur në datën 9 Shkurt 2006 edhe me praninë e avokatit.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Çfarë mund të na thoni lidhur me ngjarjen e datës 9 Shkurt 2006 dhe çfarë lehtësish ligjore do të kërkonit përpara dhënies së shpjegimeve?

Luan Marra: Paraprakisht do të kërkoja gjithë mbrojtjen time sipas ligjeve dhe Kodit Penal dhe gjithë lehtësitë që më jep ligji sepse jam penduar rëndë për ngjarjen që kam kryer.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: A mund të na shpjegoni për gjithë rrethanat e vrasjes së familjes së Shpëtim Marrës duke na sqaruar ngjarjen si ka ndodhur?

Luan Marra: Po, unë do të shpjegoj se unë e kam bërë këtë vrasje. Rreth orës 17:30 të datës 9 Shkurt 2006 unë kam shkuar në shtëpinë e Shpëtimit, kam hyrë brenda, kam pirë një kafe dhe me Shpëtimin kam debatuar sepse ai më tha se më ke kapur gruan. Unë i revoltuar dola nga shtëpia e Shpëtimit dhe shkova në shtëpinë time. Në shtëpi kam qëndruar deri rreth orës 19:00 dhe kam dëgjuar përjashta në rrugë që kërcitën dyert e një makine. Unë dola përjashta për ta parë se çfarë makine ishte dhe vura re se ishte një Benz i bardhë i cili u largua. Meqënëse isha jashtë, unë menjëherë u nisa në drejtim të shtëpisë së Shpëtimit. Kur shkova pranë shtëpisë së tij vajta dhe mora një armë automatike e cila ishte e fshehur jashtë shtëpisë së Shpëtimit dhe u futa menjëherë brenda dhe qëllova në drejtim të pjesëtarëve të familjes. Pastaj dola përjashta dhe u largova në drejtim të shtëpisë time. Koha nga momenti kur u nisa nga shtëpia ime derisa u riktheva përsëri ishte rreth 15 minuta. Pastaj u futa në shtëpi së bashku me njerëzit e tjerë dhe hëngrëm darkë. Unë nuk u futa me gjithë automatik në shtëpi por atë e hodha në lumë e pastaj shkova në shtëpi.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Sa larg është lumi nga shtëpia juaj?

Luan Marra: Lumin e kemi shumë afër me shtëpinë, rreth 200 metra. Kur u ktheva në shtëpi nuk i thashë asnjë njeriu se çfarë bëra, por edhe njerëzit e familjes nuk më pyetën se ku isha, pasi unë dola nga shtëpia jashtë sepse dëgjova zhurmën e makinës.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Përse e ke bërë këtë ngjarje, kush ishte motivi që të shtyu që të ndërmerrje këtë veprim?

Luan Marra: Unë u revoltova shumë nga fjalët që më tha Shpëtimi se përse ke shkuar me gruan time. Unë këto fjalë nuk mund t’i duroja dot, prandaj ika i revoltuar nga shtëpia e tij. Unë edhe kur shkova në shtëpinë time pasi u largova nga shtëpia e Shpëtimit, përsëri isha shumë i revoltuar për fjalët që ai më tha. Në këto kushte tronditëse, unë bëra atë që shkova dhe hapa zjarr në shtëpinë e Shpëtimit, duke i vrarë të gjithë pjesëtarët e familjes. Përsëri duke qenë i tronditur, kam dalë me shpejtësi nga shtëpia e tij, u nisa në drejtim të lumit që e kemi rreth 200 metër larg nga shtëpia, hodha automatikun në lumë dhe shkova përsëri në shtëpinë time. Megjithëse pjesëtarëve të familjes unë nuk iu thashë se çfarë kisha bërë, përsëri isha i shqetësuar për veprimin që kisha kryer. Rreth orës 21:00 ramë për gjumë dhe unë fjeta në dhomën time, Dhurata fjeti në dhomën e pritjes dhe Shefqeti e Bajamja fjetën në dhomën e tyre.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: A të zuri shpejt gjumi atë natë apo vazhdonit të ishit i shqetësuar për veprimin që kishit bërë?

Luan Marra: Gjumi nuk e di se kur më ka zënë sepse isha shumë i emocionuar për atë që kisha bërë, por di që në mëngjes jam ngritur nga gjumi rreth orës 07:30 kur dëgjova se të gjithë njerëzit e shtëpisë po bërtisnin pasi kishin marrë vesh për ngjarjen e ndodhur.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Kush e dinte tjetër vendin se ku ishte e fshehur arma automatike?

Luan Marra: Vendin kur ishte fshehur arma automatike e dija vetëm unë dhe Shpëtimi. Armën nuk e di se kujt ia kishte marrë Shpëtimi, por di që arma ishte e fshehur pranë shtëpisë së tij, nga prapa shtëpisë në një qymez të vogël dhe ishte e mbështjellë me një plastmas. Unë e dija se ku ishte arma dhe prandaj shkova dhe e mora pikërisht aty ku ajo qëndronte. Automatiku ishte me një krehër dhe kur unë u futa në shtëpinë e Shpëtimit hapa zjarr me breshëri dhe gjatë zjarrit arma nuk m’u bllokua. Pasi qëllova me automatik në dhomën e ndenjies, unë dola menjëherë përjashta, tërhoqa derën kryesore dhe u largova në drejtim të lumit për të hedhur automatikun.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: A e mbani mend me lehtësi vendin ku keni hedhur automatikun?

Luan Marra: Nuk e mbaj mend sepse ishte natë, por di që e kam hedhur në lumë rreth 10 metër në thellësi të lumit.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Kur u futët në shtëpinë e Shpëtimit për të qëlluar me armë, çfarë rruge keni përshkuar?

Luan Marra: Unë u nisa nga shtëpia ime, zbrita në rrugën kryesore, u afrova tek shtëpia e Shpëtimit, shkova te qymezi ku ishte e fshehur arma, vendin e së cilës e dija edhe unë edhe Shpëtimi, e nxorra armën nga qymezi dhe u drejtova për në hyrjen kryesore të shtëpisë. Hapa derën kryesore dhe kur u futa në korridor vërejta që dera e dhomës së ndenjies ishte pak e hapur dhe qëllova në drejtim të gjithë pjesëtarëve të familjes pa ju folur.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Kur u fute në dhomën e ndenjies me automatik në dorë, a i ke parë të tre njerëzit e familjes me saktësi se si po qëndronin?

Luan Marra: Unë kam qenë shumë i shqetësuar dhe i çoroditur, por i kam parë që të tre ishin së bashku shumë afër njëri-tjetrit.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: A jeni penduar për këtë veprim kaq të rëndë që keni kryer?

Luan Marra: Po, unë jam penduar shumë dhe e ndjej me shumë shqetësim veprimin që kam kryer.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Përse nuk keni dhënë më parë shpjegime në polici kur jeni pyetur menjëherë pas ndodhjes së ngjarjes?

Luan Marra: Unë kam qenë shumë i tronditur dhe nuk merrja guximin për të dëshmuar. Ndërsa tani po dëshmoj me vullnetin tim i penduar për veprimin që kam kryer. Nuk do të dëshiroja që ta bëja kurrë këtë veprim që kam kryer.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: A keni pasur dyshime se Shpëtimi mund ta dinte se ti kishe shkuar me Florijen?

Luan Marra: Nuk kam kuptuar gjë tek Shpëtimi, por atë darkë kur unë i shkova në shtëpi dhe ai më tha se ke shkuar me gruan time, unë u revoltova shumë.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Kur Florija kishte mbetur shtatzënë, a ishte e shqetësuar dhe përse?

Luan Marra: Në kohën që ka mbetur Florija shtatzënë, unë di që në shtëpi ka qenë edhe Shpëtimi dhe nuk ka ndonjë arsye se përse njerëzit të dyshojnë për mua.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Po ti a kishe dëgjuar fjalë nga njerëz të ndryshëm që thonin se shkoje me Florijen?

Luan Marra: Përpara se të ndodhte ngjarja unë nuk kisha dëgjuar një gjë të tillë, kurse pas ngjarjes filluan dhe u hapën fjalë. E para që ma ka thënë këtë gjë ka qenë gruaja ime, e cila më tha se i kishte thënë motra e saj që Florija ka mbetur shtatzënë me Luanin. Natyrisht unë këtë fakt nuk e pranova dhe i thashë bashkëshortes time se kjo nuk është e vërtetë.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: A mund të na thoni edhe njëherë me sinqeritet se ku e keni gjetur armën dhe ku ndodhet ajo tani?

Luan Marra: Unë siç kam shpjeguar edhe më lart, dua të them se armën e ka gjetur Shpëtimi, por se ku nuk e di. Por unë dhe Shpëtimi e dinim vendin ku e kishte fshehur, sepse ma kishte treguar vetë. Por them gjithashtu se armën unë e kam hedhur në lumin që kalon në lumin Devoll, i cili kalon në anë të rrugës. Unë mbaj mend që automatikun e kam hedhur në lumë në vendin e quajtur Brinja e Odës. Gjë tjetër për të sqaruar lidhur me armën nuk kam se çfarë të them.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Po gjatë kohës që u nise për në shtëpinë e Shpëtimit dhe u ktheve përsëri në shtëpi a je lagur rrugës?

Luan Marra: Po unë jam lagur rrugës për në shtëpi sepse e mbaj mend që binte shi, por edhe kur u ktheva në shtëpi unë përsëri nuk jam ndërruar.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Qysh nga koha kur ka ndodhur ngjarja e deri tani, cili nga familjarët tuaj ka dijeni se vrasjen e familjes së Shpëtimit e ke bërë ti. A i ke thënë ndonjë njeriu për këtë?

Luan Marra: Jo. Nuk i kam thënë asnjë shoku apo të afërmi tim se vrasjen e kam bërë unë. E vetmja ditë kur për ngjarjen kam dhënë shpjegime është pikërisht dita e sotme në polici dhe theksoj edhe njëherë se jam penduar jashtëzakonisht shumë për gjithë sa ka ndodhur.

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Po Shefqeti me Bajamen a kanë kuptuar ndonjë gjë në sjelljen tënde se ti mund të jesh autor i kësaj ngjarje dhe a të kanë kërkuar që ta pohoje një gjë të tillë?

Luan Marra: Dua të them se Shefqeti me Bajamen nuk di të kenë kuptuar një gjë të tillë tek unë dhe them se nuk kanë pasur ndonjë dyshim, por as nuk më kanë kërkuar që unë të pohoj se e kam bërë vrasjen. 

Marrë nga tvklan.al

Cila mendoni se është alternativa më e mirë:

View Results

aktualitet aktualitet luan marra masakra e kozares luan marra masakra e kozares

Sondazh

Poll

Privatizimi i ish-klubit ‘Partizani’, dëshmon Qirjazi: MM më kërkoi firmën, bëra ç’ishte e ligjshme

Privatizimi i ish-klubit ‘Partizani’, dëshmon Qirjazi: MM më kërkoi firmën, bëra ç’ishte e ligjshme

Tiranë, bënin kontrabandë me veshje, pije, cigare dhe rroba, 3 të arrestuar në 2 operacione

Me 14 emigrantë në Morinë, arrestohet 19-vjeçari, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij

Rrumbullaku ngre strukturë për emërimet në polici: Riformatim ekipeve që hetojnë krimin

Me dy kallashnikovë në shtëpi e municion luftarak, arrestohet 31-vjeçari në Dibër

"Porsche", "Maseratti" e 'Mercedes Benz", arrestohet 52-vjeçari që shiste mjetet e vjedhura në BE

Pellusha, rripa e çanta markash kontrabandë, arrestohet pronari i 5 dyqaneve në Tiranë e Durrës

Mandati i Xhaçkës, Bushka: Duam kohë për raportin. Alibeaj: Mos nxirrni sebepe

Dashnor Sula shpërndan "paund" në Kuvend, i lë ca para edhe Ramës tek vendi

Autor i 4 vjedhjeve në banesa dhe biznese, vihet në pranga 35-vjeçari në Tiranë

Aksident me vdekje në Korçë, zetori përplas motorin, dy persona të vdekur

PD kërkon përballje me Nanon:Trego ç’bisedove me Lamin për Martinajn. Naço:S’e lejon sekreti hetimor

“Ekstradoni kriminelët nga Dubai”, Noka shtron kërkesën. Naço: Na jep informacione nëse ke

Noka kërkon llogari për Martinajn, Kuko: Jam këtu për tjetër gjë, Deputeti:Po thërrasim Kulturën pra

Salianji: Ekstradoni kriminelët nga Dubai, këtu kërcet pushka, atje hapet shmapanja. Kuko:I takon MD

Salianji: Në Shqipëri kërcet pushka, në Dubai hapet shampanjë! Krerët e grupeve kriminale të lirë

Ka shkuar mirë? Rama del i qeshur nga "Vila 30", i hedh dorën në qafë Kurtit

E PAPRITUR! Rama zhvillon takim 'kokë më kokë' me Kurtin në Tiranë

'RING'/ Kontrabandë nga Libia në Durrës, sekuestrohen 2275 ton naftë, arrestohen 4 persona

Marrëveshja Shqipëri-Emirate të Bashkuara, Alibeaj: Kush kryen krime është në Dubai

Shqiptarët me gomone drejt Anglisë, Ministria e Brendshme: Nuk është fenomen i panjohur

Noka kërkon 'llogari' për zhdukjen e Martinajn: A ka informacion Qeveria? Thonë e gjeti hasmi

Bushka- Alibeajt: Ti je anatemuar në publik. Deputeti: Po e di, merr masë nëse shkela etikën

Çantën e mbushur me detonatorë e C4, arrestohet sa zbret nga urbani 44-vjeçari në Shijak

'Po u thonë diçka politikës shqiptare'/ Alibeaj: Çunat e Londrës vijnë në Bllok me makina angleze

Shqiptarët drejt Britanisë, Alibeaj: Largohen për të qëndruar në shtëpi bari, sa të rinj janë atje?

'Ligjet'/ Memorandumi Shqipëri-Britani e Madhe për emigracionin, Sula: Pse u miratua me urgjencë?

'Territorialja'/ PS kundërshton propozimin e PD, Balla: I qëndrojmë ndarjes aktuale me 61 Bashki

Balla: Bashkëpuntorët e sigurimit të shtetit sillen sikur nuk u ka hyrë asgjë në këmbë

'Të hetohet Berisha', Balla: Dua përgjigje nga SPAK, PS qëndron ndarjes aktuale të Bashkive

Xhixho përplaset me kryebashkiakun Suli për shkollën "Ibrahim Basha": Pse s'është ndërtuar?

Transportonte 17 emigrantë të paligjshëm, arrestohet 35-vjeçari në Qafë-Botë

Hajdari: Të dalim në protesta, një grup njerëzish me në krye Ramën po uzurpojnë pushtetet

Përkujtimohet Azem Hajdari,djemtë i shkojnë me nuset për dore,Rudina merr të bijën, s'mungon Berisha

Veliaj s'përmbahet përballë gjimnazistëve/ Tregon idenë e tij për një shkollë të mirë: Si hotel

24 vite nga vrasja e Hajdarit/ Berisha: Hyri në histori, për 3 ditë rrëzoi regjimin

Shqiptarët dynden drejt Britanisë, ambasadori: Pasurimi i shpejtë ju çon drejt drogës

Deputetja i kthehet keq ish-zv.kryeministrit: Ahmetaj po deshe ta liroj vendin ta drejtosh

Sulmi ndaj sistemeve/ Salianji dhe Noka kërkesë AKSHI-t: Pse nuk u garantua siguria?

Arsimimi në Shqipëri, Yuri Kim: Faktor kyç, ndikon në përparimin tuaj

'Fëmijët kanë mundësi të punësohen'/ Rama: 11-vjeçarja në Shenavlash mbante shtëpinë me para

Abetarja e unifikuar/ Rama: Maqedonia parimisht dakord, diskutuam me Malin e Zi dhe Serbinë

Dëgjohet muzikë në Kongres, Rama: Jetojnë me ‘radio’ në xhep, njëri më tha është zilja e gruas

Kongresi, Rama: Kërcënimi ndaj gjuhës është i madh, do diskutojmë futjen e saj në çdo nivel arsimi

Rama mbledh Kongresin e Arsimit, Yuri Kim ende përgjumshëm

Dita e parë e shkollës, Rama këshillon të vegjëlit: Bëni qef dhe punë

Shtëpinë e kishte kthyer në “dyqan”, arrestohet i riu në Fier, e spiunuan për "Zastava"

Hakerat e Iranit futen në sistemin e kamerave të kufijve shqiptarë! Publikojnë videon

Sulmi kibernetik, radhë të gjata në doganën e Bllatës

Probleme me sistemin TIMS në Kapshticë, po punohet me regjistra