LIVE UPDATES
Ekonomi

Shtimi i kostove dhe rritja e importeve, birra shqiptare drejt falimentimit

4 Qershor 2022, 07:21 Nga DOSJA
Shtimi i kostove dhe rritja e importeve, birra shqiptare drejt falimentimit
Foto ilustruese

Nga Dorina Azo

Pas rimëkëmbjes së sektorit në vitin 2021, prodhuesit e birrës shqiptare po vuajnë edhe valën e shtrenjtimit të lëndëve të para. Çmimet e shitjes së birrës vendase janë rritur 7 deri në 10%.

Shtrenjtimi është ndikuar nga shtimi i kostove prodhuese 30 deri në 50% më shumë se vitin e kaluar. Kompanitë kryesore pohojnë se nga fillimi i këtij viti, po e paguajnë energjinë elektrike 50% më shumë se në 2021.

Qelqi është shtrenjtuar gjithashtu 70%, lëndët e tjera, si elbi dhe kartoni ambalazhues janë rritur 30% secila në tregjet e huaja. Sipas prodhuesve, për periudhën janar-prill, konsumi është tkurrur krahasuar me vjet, për shkak të rritjes të çmimeve. Birra vendase është zëvendësuar nga birra e importit, kryesisht birra italiane “Peroni”, e cila po fiton shumë terren për shkak të çmimit të ulët të shitjes.

Kompanitë thonë se për të amortizuar kostot e rritura të prodhimit janë të detyruara të rrisin sërish çmimet e birrës, duke rrezikuar konkurrueshmërinë. Në anën tjetër, jemi para sezonit turistik, ku gjithmonë dyfishohet kërkesa për produkte të gatshme, por parashikimet e kompanive vendase nuk janë optimiste për ecurinë e konsumit të birrës në muajt e verës.

 Prodhuesit, në vështirësi nga shtimi i kostove

Për periudhën janar-prill, prodhimi i birrës vendase është rritur 17% krahasuar me vjet, sipas të dhënave të Doganave. Ecuria e prodhimit në muajt janar (rritje 100%), shkurt (12,5% rritje) dhe mars (rritje 19,5%) ka vijuar të jetë më e lartë se në vitin 2021, ndërsa në muajin prill është shënuar tkurrje e prodhimit, rreth 15% më pak se vitin e kaluar.

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës Shqiptare dhe administratori i birrës “Stela”, Stefan Pinguli, pohoi për “Monitor” se në tërësi, sektori po vuan nga shtrenjtimi i lëndëve të para. Sipas tij, rritja e lëndëve të para ka shtuar koston e prodhimit vendas 30% më tepër se vjet. Pinguli nënvizoi se nëse kjo situatë do të vijojë, rendimenti i prodhimit vihet në rrezik real. Për të amortizuar shtimin e kostove, prodhuesit kanë rritur çmimet, ndërsa paralajmërojnë rritje tjetër të birrës vendase me 10%.

“Çmimet e lëndëve të para janë shtrenjtuar 50% më shumë, duke përfshirë dyfishimin e çmimit të energjisë, naftës mbi 30%, të materialeve të ambalazhimit.

Rritja e tyre ndodhi që në periudhën e pandemisë, por me fillimin e luftës Rusi-Ukrainë pati rritje tjetër të tyre, sidomos në produktet blegtorale. Kjo na ka detyruar ne si prodhues të rrisim çmimet e produkteve të birrës me 10%. Ndërsa parashikohet një tjetër rritje 5 deri në 10% në muajt në vijim, pasi kompanitë e kanë të pamundur të amortizojnë kostot”.

Kostot e larta prodhuese janë shqetësim edhe për prodhuesit e birrës “Elbar”. Prej nëntorit të 2020-s, birra “Elbar” nisi të prodhohet në Shqipëri. Më parë, produkti importohej nga Greqia, ndërsa nga “Agna Group” kryhej ambalazhimi. Drejtuesit e kompanisë “ALFA sha” thanë për “Monitor” se rritja e kostove nga shtrenjtimi i lëndëve të para është mbi 30%.

“Këtë vit ka një rritje të lartë të kostos prodhuese të birrës, për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të para. Konkretisht çmimi i energjisë nga 11 lekë për kW është rritur në 20 lekë për kW. Ndër lëndët e tjera të para, rritja më e lartë është shënuar te qelqi mbi 70%, tek elbi mbi 30%. Në tregjet e huaja është shënuar rritje edhe te materialet ambalazhuese për kanoçet.

Ndryshimi për këtë lëndë nuk është reflektuar te kostot e kompanisë, për shkak të kontratës 2-vjeçare që kishim me furnizuesit. Pas përfundimit të saj pritet të shtohet edhe një tjetër kosto. Në këtë situatë, për të amortizuar shtrenjtimin e lartë të kostove, jemi detyruar të rrisim çmimet 6 deri 7%. Rritja e çmimeve ka ndikuar tek ulja e konsumit. Për periudhën janar-prill, konsumi ka qenë 7% më pak krahasuar me vjet”, pohuan për “Monitor” drejtues të kompanisë.

 Rënia e konsumit

Në këtë situatë, sipas kreut të Shoqatës së Prodhuesve të Birrës Shqiptare është e domosdoshme që qeveria të miratojë politika fiskale mbështetëse. “Fuqia blerëse është goditur fort nga rritja e çmimeve dhe kjo pritet të sjellë zvogëlim mesatar të konsumit 10 deri në 15%.

Por kjo situatë ndikon në rentabilitetin e prodhimit. Me kosto të shtuara 30% dhe rënie shitjesh 10%, pa asnjë kompensim nga shteti, këto janë thirrje të industrisë për falimentim. Shteti nuk duhet të bëjë vetëm indeksimin e interesave të tij, por edhe të interesave të prodhuesve, që kanë investuar ndër vite për konsolidimin e tyre”.

 Birra italiane fiton terren në treg

Administratori i birrës “Stela”, Stefan Pinguli, thekson se industria e birrës është në vështirësi dhe prodhimi vendas po zëvendësohet nga marka të lira të birrave italiane.

“Në vend po hyjnë birra të huaja, kryesisht italiane, me çmim më të lirë se birra e prodhuar në vend. Nuk mendoj se ulja e çmimit të importit është ndikuar nga hyrja e tyre kontrabandë, por këto kompani po shesin në Shqipëri produkte me çmim më të lirë të mallit stok të pandemisë. Situata po dëmton industrinë, pasi prodhimi vendas po zëvendësohet nga birra e lirë e importit”.

Prodhues të tjerë pohuan se në treg po rritet pesha e birrës italiane të importit “Peroni”, për shkak të çmimit të lirë. “Nëse një kanoçe birrë e madhe e kompanisë sonë shitet 78 lekë, një kanoçe ‘Peroni’ po shitet 48 lekë (30% më lirë). Birra italiane po fiton shumë terren në tregun shqiptar, për shkak të çmimit më të lirë. Kjo ndodh pasi në Itali, prodhuesit nuk janë prekur nga rritja e çmimit të energjisë elektrike”, pohoi një nga prodhuesit shqiptarë të birrës.

 Importet ia kalojnë prodhimit vendas

Sektori i prodhimit të birrës vendase vjet nuk arriti t’i rikthehet trendit të periudhës para krizës. Sipas të dhënave të Doganave, për vitin 2021, prodhimi ishte 7,5% më shumë se në 2020-n, por 7,6% më pak se në vitin 2019.

Operatorët e lidhën kthimin e konsumit në normalitet, pas 2020-s me karantinë dhe kufizime eventesh dhe dasmash me mosmbylljen e ekonomisë. Konsumi më i lartë në 4-mujorin e parë të 2021 ishte në shërbimin HoReCa (Hotele-Restorante-Kafene), krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sepse nuk pati mbyllje të këtyre strukturave. Duhet theksuar se edhe moslejimi i dasmave, festave apo edhe orari i bareve dhe restoranteve, pati ndikim vitin e kaluar te konsumi.

“2020 ishte viti më i vështirë për industrinë, pasi u mbivendosën dy ngjarje, të cilat e tronditën dhe e vunë në vështirësi të mëdha sektorin. Tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia Covid-19, që solli mbylljen e të gjitha njësive të shërbimit dhe një sezon turistik shumë të dobët, ishin pothuajse të papërballueshme.

Në vitin 2021 u shënua rritje krahasuar me 2020, por në krahasim me vitet para pandemisë, prodhimi është në nivelet 70-80%”, ka thënë pak kohë më parë, z. Luan Bregasi, kryetari i këshillit drejtues të birrës “Tirana”.

Që prej vitit 2017, importet ia kanë kaluar prodhimit, me përjashtim të vitit 2020, kur vendi vuajti pasojat e pandemisë. Në vitin 2021, importet arritën në 50 milionë litra, niveli më i lartë që nga viti 2018. Vitin e kaluar importet ishin 21% më të larta se prodhimi vendas.

Edhe prodhuesit e birrës, në vështirësi punësimi

Ashtu si në shumë sektorë të ekonomisë, edhe për industrinë e birrës po ndihet mungesa në gjetjen e fuqisë punëtore. Stefan Pinguli, nga birra “Stela”, theksoi se te kostot e shtuara të prodhimit përfshihet edhe rritja e pagave të ulëta për punonjësit e fabrikës nga 10 deri në 15%.

“Në këtë periudhë kemi rritur edhe pagat e punonjësve, jo vetëm nga rritja e pagës minimale, por edhe për shkak të mungesës së punonjësve në treg. Shumë punonjës kanë emigruar drejt Europës dhe ata që kanë mbetur, nuk pranojnë të punësohen me paga të ulëta”.

Importet e birrës

Importet e birrës për muajt janar-prill janë rritur 13% krahasuar me 2021.
Rritjen e kostove të prodhimit po e vuajnë edhe importuesit më të mëdhenj të birrës në Shqipëri. Administratorja e birrës “Peja”, znj. Valbona Begu, pohoi për “Monitor” se në total, kostot e prodhimit janë shtrenjtuar 15%.

Shqetësim për importuesit mbetet shtrenjtimi i materialit paketues të aluminit që përdoret për kanoçet e birrës, 30% më shumë, i qelqit 40%, kartonit 30% dhe lëndës djegëse të solarit dhe karburantit.

“Shtrenjtimi i lëndëve të para prodhuese për industrinë e birrës nisi që në pandemi, por me fillimin e luftës Rusi-Ukrainë, çmimet kanë shënuar rritje shumë të lartë. Pavarësisht përpjekjeve të kompanisë për të mos amortizuar kostot e shtuara te konsumatori, çmimet janë rritur 5% më shumë se vjet. Duhet të theksojnë se në këtë situatë, na ka ndihmuar edhe stoku i vitit të kaluar (në politikat e kompanisë çdo vit krijohet një stok i brendshëm për të balancuar ndryshimet nëse do të reflektohen në treg)”.

Për periudhën janar-mars 2021, konsumi i birrës, sipas administratores Valbona Begu, është tkurrur 8 deri në 10%, krahasuar me vjet. Për ecurinë e konsumit, pritshmëritë nuk janë pozitive edhe për muajt e verës.

“Për muajt e verës, parashikojmë që konsumi të tkurret 10 deri 15%. Kjo do të vijë për shkak të rritjes së produkteve ushqimore, por edhe të çmimeve për shërbimet e argëtimit. Tkurrje të shpenzimeve pritet të ketë edhe në buxhetet e turistëve të huaj. Me një buxhet të caktuar, për shkak të rritjeve të çmimeve, edhe turistët pritet të blejnë më pak produkte dhe reduktojnë shpenzimet për argëtim. Birra konsiderohet një mall luksi, dhe konsumi i produkteve të luksit është i pari që preket nga shtrenjtimi i çmimeve”.

Indeksimi i akcizës nga 1 janari 2022 ka rritur kostot

Për përfaqësuesit e industrisë së birrës është shqetësues edhe indeksimi i akcizës sipas inflacionit. Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës Shqiptare, Stefan Pinguli, thotë se nga indeksimi, akciza është rritur 10%, duke nxitur rritjen e kostove të prodhimit.

Ligji i ndryshuar nr.61/12 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, që nisi zbatimin nga 1 janari 2022, vendosi që akciza për karburantet, birrën, verën, kafenë të indeksohet çdo dy vjet, bazuar në normën e shpallur të inflacionit për dy vitet paraardhëse, me përjashtim të duhanit dhe nënprodukteve të tij. Në vitin 2022, akciza indeksohet me normën e shpallur të inflacionit të vitit 2020, plus normën e rezultuar të shpallur të inflacionit deri në fund të 9-mujorit të vitit 2021.

Ndryshimet e akcizës kanë rritur edhe kostot e importuesve. “Indeksimi i akcizës, sipas inflacionit, është një vendim absurd, pasi mbi normën e akcizës aplikohet indeksimi i rritjes së çmimeve. Në këtë periudhë kur shumë industri të ekonomisë po vuajnë nga shtrenjtimi i lëndëve të para, politikat fiskale të shtetit duhet të ishin subvencionuese dhe mbështetëse.

Përveçse rritet niveli i akcizës, duhet të shtojmë edhe numrin e të punësuarve që të kryejnë kalkulimet e duhura në doganë, pasi duhet të verifikohen importet e një viti më parë, sa kamionë kanë hyrë, me çfarë vlere dhe çmimi i tyre”, – thekson administratorja e birrës “Peja”.

Nga 1 janari 2022, me ndryshimet e miratuara, mbi tarifat specifike të akcizës për mallra të ndryshme, aplikohet çdo vit rritja në vlerë absolute, e cila merr në konsideratë rritjen e indeksit të çmimeve në përqindje të vitit paraardhës.

“Duke pasur parasysh se indeksi vjetor i çmimeve në 10 vitet e fundit është rritur mesatarisht 1.5 – 2.2%, me këtë përqindje parashikohet të rriten edhe nivelet e akcizave të mallrave të akcizueshme, me përjashtim të grupit të duhaneve për të cilat është parashikuar rritje specifike në pesë vitet e ardhshme.

Ky propozim vjen në kuadër të hartimit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, ku Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), ka rekomanduar që në ligjin e akcizës të përfshihet detyrimi për indeksimin automatik të tarifave specifike të akcizës së mallrave”, citohej në relacionin e draftit. Nga indeksimi automatik vjetor i tarifave specifike të akcizës së mallrave të akcizueshme, pritet që të ardhurat nga akciza të rriten 500 mln lekë në vit.

Shqetësim për sipërmarrësit, koncesioni i pullave fiskale

Kostot e larta nga tarifat e pullave fiskale, shërbim që ofrohet nga kompania koncesionare “Sicpa Security Solutions Albania” vijojnë të mbeten shqetësim për kompanitë prodhuese dhe të importit të birrës.

Tarifat e larta po dëmtojnë industrinë vendase, sipas kryetarit të
Shoqatës së Prodhuesve të Birrës Shqiptare, Stefan Pinguli, pasi paguajnë 22 euro për 1,000 pulla fiskale, ndërkohë që në vendet e rajonit, tarifa e pullave fiskale është 3 euro/1,000 copë.

Nga 6 gushti 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të nisë zbatimin e periudhës së daljes për koncesionin e pullave fiskale. Më herët për “Monitor”, drejtori i koncesioneve në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Edmond Ahmeti, sqaroi se pas konsultimeve me Avokaturën e Shtetit, grupi i punës i strukturave të ministrisë që mori në shqyrtim kontratën koncesionare, arriti në përfundimin se data e fillimit të kontratës është e përcaktuar në procesverbalin e përbashkët e mbajtur në atë kohë, ku autoriteti konfirmon, si datë efektive 6 shkurt 2013.

“Për sa më sipër, në analizën e vlerësimit ligjor të kontratës dhe të dokumentacionit të mbajtur në lidhje me zbatimin dhe ecurinë e saj dhe rekomandimeve të Avokaturës të Shtetit konkludojmë se data e përfundimit të afatit është 6 shkurt 2023. Duke marrë në konsideratë këtë datë, në zbatim të Nenit 51 të kontratës dhe Aneksit 22 është përcaktuar se periudha e daljes fillon 6 muaj më përpara, atëherë data e përcaktuar do të jetë 6.08.2022.

Shoqëria koncesionare, me përcaktimin e datës efektive me shkresë nga Autoriteti Kontraktues (AK) nuk mund të ketë asnjë pretendim tjetër në të ardhmen apo kërkesë për zbatim të ndonjë penaliteti në lidhje me kontratën”, pohoi z. Ahmeti, duke cituar komunikimin zyrtar mes Ministrisë së Financave dhe kompanisë koncesionare.

Para datës së mbylljes së kontratës që është 6 gushti 2022, sipas përcaktimeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, do të ngrihet grupi operacional që do të marrë në dorëzim objektin, pjesën verifikuese të asetit, me qëllim kalimin e tij në pronësi të shtetit. Më tej, Drejtoria e Doganave do të ngrejë një grup pune për kryerjen e analizës se si do të vijojë ky shërbim dhe tarifat që do të aplikohen./Monitor/

 

Sondazh

Poll

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Gjesti i veçantë i protestuesit, u dhuron lule efektivëve në shenjë solidariteti për policin e vrarë

Pas tre orësh protestë, turma vijon qëndresën: Dorëheqje!

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

Thirrja e qytetarit të Rrjollit: Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Tentoi të futej në Kryeministri, protestuesja bën simbolin e shqiponjës

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje