LIVE UPDATES
Ekonomi

Mbledhja Shqipëri - Kosovë, më shumë vepra në vend të retorikës patriotike

Së fundmi u zhvillua mbledhja e tetë e qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës. Ky proces, deri tani, ka sjellë qindra marrëveshje, shumë propagandë dhe patos, por pak rezultate të prekshme në drejtim të heqjes së barrierave ekonomike, tregtare dhe sociale mes dy vendeve.

1 Korrik 2022, 23:19 Nga I.A
Mbledhja Shqipëri - Kosovë, më shumë vepra në vend
Edi Rama dhe Albin Kurti

TIRANË- Qeveritë e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës zhvilluan mbledhjen e tyre të tetë të përbashkët së fundmi. Mbledhja u zhvillua në një moment kur marrëdhëniet mes dy qeverive nuk perceptohen nga më të ngrohtat.

Forca politike në pushtet në Kosovë, në vitet e fundit, nuk i ka fshehur pakënaqësitë ndaj kryeministrit shqiptar, të lidhura me projektin e Ballkanit të Hapur, marrëdhënien e vendosur me Serbinë, por edhe me qeverisjen e brendshme.

Dega e Vetëvendosjes së Shqipëri ka mbajtur vazhdimisht një qëndrim kritik ndaj qeverisjes së kryeministrit Rama.

Mbase të kushtëzuar edhe nga kompleksi i perceptimit që ekziston në opinionin publik për marrëdhëniet jo shumë miqësore mes tyre, dy kryeministrat, sidomos ai shqiptar, nuk e kursyen retorikën rreth vëllazërisë dhe nevojës për ta përkthyer këtë marrëdhënie në një bashkëpunim më të ngushtë.

Kryeministri Rama propozoi madje një tjetër aktivitet, me domethënie simbolike: mbledhjen e përbashkët të Kuvendeve të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në nëntor të këtij viti.

Të tilla ngjarje ngacmojnë emocionet patriotike dhe kanë qëllim të ngjallin te shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës iluzionin se jemi më të bashkuar se në realitet. Por, hapat konkretë drejt një bashkimi ekonomik dhe shoqëror mes dy vendeve janë ende të pakta dhe të ngadalta, larg frymës së shfaqjes, që vihet në skenë në mbledhjet e përbashkëta të qeverive.

Mbledhjet, shumë pompozitet, pak bilance dhe rezultate

Pas ardhjes në pushtet, Edi Rama nisi një seri të mbledhjeve të përbashkëta me qeverinë e Kosovës, me qëllimin për të dhënë mesazhin e vullnetit për të forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve.

Mbledhjet e përbashkëta mes dy qeverive karakterizohen më tepër nga pompoziteti dhe propagandimi i marrëdhënies vëllazërore, sesa nga një diskutim konkret i problemeve që kërkojnë zgjidhje dhe sidomos nga kryerja e analizave dhe bilanceve, lidhur me atë çka është rritur deri tani.

Deri më sot, as palët e interesit dhe as opinioni publik nuk kanë një informacion të qartë, lidhur me shkallën e zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese dhe rreth problemeve që mund të ekzistojnë për zbatimin e plotë të tyre.

Në mbledhjen e fundit, kryeministri Rama u shpreh se palët do të botojnë çdo vit një revistë zyrtare, ku të raportohet për marrëveshjet e lidhura dhe nivelin e zbatimit.

Të dhënat nga Sekretariati Koordinues Ndërqeveritar tregojnë se në tetë mbledhjet e përbashkëta janë nënshkruar rreth 166 marrëveshje, duke përfshirë edhe ato që u firmosën në mbledhjen e fundit.

Nga 147 marrëveshje të nënshkruara para mbledhjes së fundit, duke iu referuar të dhënave të raportuara në Sekretariat, 95 prej tyre ishin në zbatim pa probleme, ose në pritje të hyrjes në fuqi, 8 janë në proces zbatimi, 2 kanë shfaqur problematika në zbatim, 1 është konsideruar e pazbatueshme, 1 marrëveshje është zëvendësuar, për 7 të tjera ka përfunduar afati i zbatimit, ndërsa për 34 marrëveshje nuk ka asnjë raportim lidhur me shkallën e zbatimit.

Sidoqoftë, informacioni që raportohet në sekretariat nuk është shumë i detajuar në nivel të marrëveshjeve të veçanta dhe deri tani, performanca mbi baza konkrete e procesit të mbledhjeve të përbashkëta është e vështirë për t’u vlerësuar.

Në mungesë të një informacioni më të detajuar, mund të thuhet se, me gjithë numrin e konsiderueshëm të marrëveshjeve të nënshkruara, pak prej tyre kanë ndikim të rëndësishëm dhe të prekshëm ekonomik dhe social.

Një pjesë e mirë janë memorandume mirëkuptimi, apo marrëveshje bashkëpunimi, me natyrë të përgjithshme, që nuk ofrojnë indikatorë konkretë për të vlerësuar shkallën e ndikimit të tyre në fushat përkatëse. Një nga qëllimet më elementare të procesit, lehtësimi i lëvizjes së njerëzve në pikat kufitare, ende nuk ka arritur progres të dukshëm.

Në mbledhjen e nëntorit 2021 u ra dakord midis palëve lehtësimi i kalimit nëpërmjet kamerave në pikën kufitare Vërmicë – Morinë, por ky qëllim nuk është arritur, për “mungesë vullneti për bashkëpunim”. Në mbledhjen e javës së kaluar u njoftua nënshkrimi i marrëveshjes për Protokollin Teknik të Pikës kufitare Vërmicë – Morinë. Sipas kryeministrit Rama, kjo do të mundësojë lëvizjen pa kontrolle të shtetasve në periudhën qershor-shtator dhe për ditët e festave zyrtare.

Marrëveshje tjetër domethënëse është ajo për njohjen e sigurimeve shoqërore, e arritur në nëntor të vitit të kaluar. Në mbledhjen e fundit u nënshkrua një marrëveshje administrative shtesë, me qëllim mundësimin e zbatimit të marrëveshjes themelore të nëntorit.

Heqja e tarifave, Ballkan i Hapur paralel apo…

Në mbledhjen e zhvilluar më 20 qershor në Prishtinë, palët nënshkruan 19 marrëveshje të reja. Më të rëndësishmet ishin ato të lidhura me financimin e studimit për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë dhe ngritja e një grupi pune për bashkimin doganor mes dy vendeve. Pala e Kosovës ka kërkuar kohë për të kryer analizat e nevojshme mbi efektet e një mase të tillë.

Ndërkohë, kryeministri shqiptar njoftoi se, pavarësisht rënies dakord për heqje reciproke të tarifave doganore, Shqipëria do ta bëjë diçka të tillë në mënyrë të njëanshme, por pa saktësuar se kur do të ndodhë kjo.

Kryeministri Rama e paraqiti këtë vendim si vullnet për të zbatuar të gjitha angazhimet që Shqipëria ka marrë në kuadrin e nismës së Ballkanit të Hapur edhe me Kosovën; në njëfarë mënyre, një proces paralel dhe dypalësh të kësaj nisme, mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Disa analistë në Shqipëri dhe Kosovë e kanë lexuar vendimin për heqjen e tarifave si përpjekje për të joshur sipërmarrjen kosovare, (që përgjithësisht ka shprehur opinione të favorshme ndaj procesit të Ballkanit të Hapur) dhe për të sabotuar qeverisjen e Albin Kurtit.

Në fakt, Shqipëria dhe Kosova janë pjesë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë CEFTA. Marrëveshja e nënshkruar në vitin 2006 ka bërë të mundur heqjen graduale të detyrimeve doganore mes vendeve anëtare për shumicën e produkteve industriale.

Rrjedhimisht, efektet e heqjes së detyrimeve doganore do të shtriheshin kryesisht mbi produktet bujqësore, që edhe pas marrëveshjes CEFTA vazhdojnë të gëzojnë mbrojtje tarifore, përtej disa kuotave të kufizuara, që janë të detajuara në marrëveshje.

Po të analizojmë bilancin tregtar të produkteve ushqimore, në vitet e fundit, bilanci tregtar po lëviz në favor të Shqipërisë. Prej vitit 2019 e në vazhdim, Shqipëria ka bilanc pozitiv me Kosovën për produktet ushqimore.

Në fakt, deri para pak vitesh, produktet ushqimore shqiptare nuk kanë qenë shumë të suksesshme në tregun e Kosovës, që, edhe për shkak të arsyeve historike ka qenë më i orientuar drejt prodhimit të vendeve të tjera fqinje dhe, sidomos, të Serbisë.

Në vitet e fundit, ka një tendencë të qartë në rritje të eksporteve ushqimore drejt Kosovës. Një arsye mund të ketë qenë momenti kur Kosova vendosi parimin e reciprocitetit të tarifave kundrejt Serbisë, lëvizje që krijoi më shumë hapësira (mes të tjerash) edhe për produktet shqiptare. Ekspertët gjithashtu shprehen se në vitet e fundit ka një prani të shtuar të kompanive kosovare që importojnë produkte bujqësore nga Shqipëria.

Sidoqoftë, ata mendojnë se një hapje e njëanshme e tregut shqiptar për produktet kosovare do t’i vendoste fermerët shqiptarë në kushtet e konkurrencës së pandershme. Kjo është e lidhur shumë edhe me shkallën më të lartë të subvencionimit që Kosova zbaton për produkte të veçanta, sidomos për ato blegtorale.

Këmbimet tregtare janë rritur me gati tri herë në një dekadë

Vitin e kaluar, këmbimet tregtare të Shqipërisë dhe Kosovës shënuan nivelin më të lartë historik, me rreth 43 miliardë lekë, ose afërsisht 438 milionë euro. Eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës kishin vlerën e 37.7 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 43.6%.

Ndërsa importet nga Kosova kishin vlerën e 15.4 miliardë lekëve, në rritje me 85.9% krahasuar me një vit më parë.

Në vlerë absolute, këmbimet tregtare janë rritur me 2.8 herë në harkun e një dekade. Eksportet drejt Kosovës janë rritur me 2.6 herë, ndërsa importet nga Kosova me 3.4 herë krahasuar me vitin 2011. Tregtia me Kosovën është rritur edhe në terma relativë, kundrejt totalit të këmbimeve tregtare të vendit, por në një masë më të kufizuar.

Për vitin 2021, eksportet drejt Kosovës përbënin 10.2% të totalit, nga 7.4% që ishte pesha e tyre në vitin 2011. Ndërsa importet nga Kosova vitin e kaluar përbënin 1.9% të totalit, nga 0.8% që ishte pesha e tyre në vitin 2011.

Struktura e eksporteve shqiptare drejt Kosovës dominohet kryesisht nga materialet e ndërtimit. Statistikat tregojnë se për vitin 2021, çeliku dhe metalet e tjera përbënin 43% të totalit të eksporteve shqiptare drejt Kosovës, ndërsa çimentoja, rreth 9% të tyre.

Produkte të tjera me peshë të konsiderueshme janë karburantet dhe lëndët djegëse, me 11% të totalit, prodhimet bujqësore dhe blegtorale me 9% dhe ushqimet e përpunuara me 6% të vlerës totale të eksporteve.

Struktura e importeve nga Kosova është edhe më e përqendruar në disa grupe kryesore artikujsh. Produktet dominuese janë karburantet dhe nënproduktet e tjera të naftës, me 36% të totalit, të ndjekura nga metalet me 27% dhe pijet alkoolike dhe joalkoolike me 13% të totalit të importeve. Ushqimet e tjera të përpunuara (përjashto pijet) përbëjnë 3% të importeve, ndërsa produktet bujqësore dhe blegtorale përbëjnë 4% të tyre.

Hekurudha për të shfrytëzuar potencialet e Portit të ri në Durrës

Projekt tjetër i rëndësishëm që po studiohet mes Shqipërisë dhe Kosovës është ai i linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë. Kjo linjë parashikohet të lidhë portin e ri tregtar në Porto Romano me Portin e Thatë në Prishtinë, një terminal i përpunimit të mallrave që, sipas projektit, do t’i shërbejë jo vetëm Kosovës, por më gjerë edhe Rajonit.

Në mbledhjen e përbashkët të 20 qershorit, qeveritë nënshkruan marrëveshjen për bashkëfinancimin e studimit të fizibilitetit. Ndonëse jemi ende në një fazë shumë të hershme, ndërtimi i kësaj hekurudhe do të rriste potencialet e shkëmbimit të mallrave mes dy vendeve, por njëkohësisht do të rriste ndjeshëm rolin e Portit të Durrësit, duke i dhënë atij rol rajonal.

Porti i ri në Porto Romano do të ketë kapacitet më të madh se porti aktual i Durrësit (rreth 2 milionë kontejnerë në vit) dhe ngritja e një infrastrukture hekurudhore do të rriste ndjeshëm potencialet e shfrytëzimit të tij.

Pas rënies së regjimit komunist, sistemi hekurudhor në Shqipëri ka degraduar gradualisht, për shkak të mungesës së investimeve. Transporti kombëtar i mallrave me hekurudhë shfrytëzohet vetëm nga një numër i vogël i ndërmarrjeve të industrisë së rëndë.

Edhe shfrytëzimi i hekurudhës për tregtinë e jashtme të mallrave paraqet rënie të ndjeshme në vitet e fundit. Sipas INSTAT, volumi i transportit hekurudhor të mallrave në tregtinë e jashtme për vitin 2021 ra në 33 mijë tonë, 51% më pak krahasuar me një vit më parë.

Investimet e ndërsjella direkte, në rritje

Ecuria e investimeve direkte mes vendeve, në vitet e fundit, ka ndjekur një cikël pozitiv, të ngjashëm me tregtinë mes vendeve.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar, stoku i investimeve të Kosovës në Shqipëri arriti vlerën e 139 milionë eurove, në rritje vjetore me 39%. Prej vitit 2014, investimet direkte nga Kosova pothuajse janë 10-fishuar.

Mbështetur në të dhënat e INSTAT, numri i ndërmarrjeve me kapital të plotë, ose të përbashkët nga Kosova, në fund të vitit 2021, arriti në 469, në rritje me 21% krahasuar me një vit më parë.

Megjithatë, numri i bizneseve kosovare në vitet e fundit ka qenë i luhatshëm. Me gjithë rritjen e vitit të kaluar, numri i ndërmarrjeve kosovare aktive nuk e ka arritur nivelin më të lartë, që u shënua në vitin 2017, me 478 kompani gjithsej.

Ndërmarrjet me kapital kosovar përbëjnë rreth 7% të numrit të përgjithshëm të bizneseve të huaja në vend. Sipas shitjeve neto dhe numrit të të punësuarve, pesha e tyre në strukturën e ndërmarrjeve me kapital të huaj është edhe më e ulët, pranë nivelit të 3%.

Në krahun tjetër, Shqipëria ka një pozicion më të rëndësishëm si investitor i huaj direkt në Kosovë. Mbështetur në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, për vitin 2021, fluksi vjetor i investimeve shqiptare në Kosovë arriti vlerën e 51.2 milionë eurove, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.

Ndërkohë, të matura si stok total, vitin e kaluar, totali i investimeve direkte shqiptare në Kosovë arriti në 271.5 milionë euro. Me këtë shifër, Shqipëria renditet si investitori i pestë më i madh i huaj në Kosovë, pas Gjermanisë, Zvicrës, Turqisë, SHBA-së dhe Austrisë.

Investimet nga Shqipëria përbëjnë 5.8% të totalit të Investimeve të Huaja Direkte në Kosovë. Statistikat nuk ofrojnë informacion për shpërndarjen sektoriale të investimeve shqiptare.

Megjithatë, në Kosovë veprojnë disa investitorë të rëndësishëm shqiptarë, sidomos në tregun bankar, si BKT dhe Credins; atë të sigurimeve (Sigal, Sigma, Eurosig); në tregun shitjeve me pakicë (grupi Balfin me Neptun dhe Kid Zone/Jumbo); në distribucion (Kosmonte, Marketing & Distribution, Tobacco Holding Group), etj.

Lista e marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjen e 20 qershorit:

-Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës për pranimin e studentëve në institucionet e Arsimit të Lartë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës;

-Protokolli Teknik i Pikës Kufitare Vërmicë – Morinë;

-Protokolli Teknik i Trafikut Lokal Kufitar;

-Marrëveshje për bashkëpunim në fushën e Gjendjes Civile;

-Propozim për ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës për studimin, vlerësim dhe hartim të projektmarrëveshjes për Bashkimin Doganor;

-Marrëveshje administrative për zbatimin e marrëveshjes për sigurime shoqërore, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës se Kosovës;

-Memorandum Mirëkuptimi në sektorin e energjisë ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë;

-Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Ekonomisë të Republikës së Kosovës për bashkëpunim mbi zhvillimin e terminalit LNG të Vlorës;

-Marrëveshje për studimin e gjendjes dhe përmirësimin e rrugëve të fshatrave ndërkufitare që lidhin zonat kufitare Shqipëri-Kosovë;

-Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës për bashkëfinancimin e Studimit të Fizibilitetit për Ndërtimin e Lidhjes Hekurudhore Durrës – Prishtinë;

-Marrëveshje bashkëpunimi për shkëmbim përvojash në proceset teknike ndërmjet: Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR), të Republikës së Shqipërisë;

-Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e zbatimit të programeve të mbështetjes për bujqësinë dhe zhvillimin rural ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë;

-Marrëveshje për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë për shërbimin e ndërsjellë ndërkufitar ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës;

-Marrëveshje për bashkëpunim ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale së Republikës së Shqipërisë dhe Agjencioni i Kosovës për Produktet Medicinale/Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës;

-Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Republikës së Kosovës për krijimin e një platforme të përbashkët digjitale të informacionit dhe promovimit turistik;

-Marrëveshje ndërmjet ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës për bashkëpunim në fushën e rinisë;

-Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës në fushën e kërkim-shpëtimit malor dhe ujëra territoriale;

-Marrëveshje për bashkëfinancimin e projektit albanologjik “Enciklopedia shqiptare”

Marrë nga Monitor.al

edi rama albin kurti

Sondazh

Poll

Pse Bebe Rexha u komentua gjerësisht për performancën e saj në Los Angeles për Kupën e Botës?

Pse Bebe Rexha u komentua gjerësisht për performancën e saj në Los Angeles për Kupën e Botës?

Yjet që dhuruan spektakël në finalen e kupës së botës

Përplasje mes Bardhit dhe Peleshit: Ky precedent nuk i vlen askujt, si mund ta bllokosh Kuvendin

"Më shiko në sy Sali"/ Çaushi- Berishës: Dezinformove për reformën dhe për shtëpinë time

Bie zjarr në zonën e Ujit të Ftohtë, flakët favorizohen nga era dhe temperaturat e larta

Tensione në Kuvend, deputetët e PD bllokojnë foltoren, ndërpritet seanca plenare

Rama: Protestat për mjedisin janë arritje e madhe për shoqërinë

"Dyfishohet mbështetja për fëmijët me aftësi të kufizuara"/ Rama: Shteti do të paguajë sigurimet

‘O shoku kryetar! Alooo!’ Peleshi përplaset me Korreshit: S’është festivali folklorik!

"Më shiko në sy Sali"/ Zegjineja- Berishës: Dezinformove për reformën dhe për shtëpinë time

Balla- Muçit: Vazhdoj të të quaj sorrë... flamingot e vërteta e braktisën llumin e kënetës

"Edi Rama spak you"/ Erald Kapri shpërthen në Kuvend: Nuk e shmangni dot thirrjen e protestuesve

Çështja Partizani/ Ish-presidenti Bamir Topi thirret si dëshmitar në SPAK

Berisha- Peleshit: Vasal i Ramës dhe armik i integrimit! Peleshi i heq fjalën: Mu drejto me etikë

Policia largon me forcë ish-luftëtarët e UÇK-së, Dritan Goxhaj dhe Meçan Zotaj

Gjyqi për ‘Partizanin’/ Berisha: Procesi është ngritur mbi një piramidë të shembur mashtrimi!

Protesta para Kuvendit/ Qytetarët zhvendosen në hyrjen kryesore, presin të mbërrijnë deputetët

Berisha denoncon: Presidenti do të dekorojë Irena Gjokën me titullin ‘heroinë e Partisë Socialiste’

Berisha jashtë SPAK: Kushtetuesja është zotuar për të mos shqyrtuar çështjen time

Berisha tregon mesazhin: Dumani është avokati i narkoshtetit, drejtësia vonon, por nuk harron

Në zbatim të masës “detyrim paraqitje”, Berisha paraqitet në SPAK

Tensione në Komisionin e Jashtëm! Debatet e forta mbi deklaratën e ministres serbe për Kosovën

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez