LIVE UPDATES
Ekonomi

Ish-kryeministri polak: Përfitimet dhe kosto nga integrimi

Në një intervistë që ai dha për “Monitor” gjatë qëndrimit në Tiranë, z. Belka flet për avantazhet, përfitimet, por edhe kostot e sfidat me të cilat do të përballet Shqipëria në rrugën e saj drejt integrimit në BE.

29 Qershor 2025, 07:51 Nga I.A

Ish-kryeministri polak: Përfitimet dhe kosto nga integrimi


Polonia vlerësohet gjerësisht si një nga shembujt më të suksesshëm të integrimit në Bashkimin Europian për një kombinim faktorësh, që lidhen me reformat institucionale, rritjen ekonomike të qëndrueshme, shfrytëzimin efektiv të fondeve të BE-së dhe angazhimin politik afatgjatë.

Dr. Marek Belka, i cili ka luajtur një rol kyç në konsolidimin fiskal dhe në përgatitjen e Polonisë për anëtarësimin në BE ishte së fundmi në Tiranë, duke qenë pjesë e tryezës së rrumbullakët të organizuar nga Ambasada e Polonisë në Shqipëri, me temë “Rrugëtimi i Shqipërisë në BE: mësime nga eksperienca polake – Menaxhimi i tranzicionit ekonomik përmes përdorimit efektiv të fondeve të BE-së”.

Në një intervistë që ai dha për “Monitor” gjatë qëndrimit në Tiranë, z. Belka flet për avantazhet, përfitimet, por edhe kostot e sfidat me të cilat do të përballet Shqipëria në rrugën e saj drejt integrimit në BE.

Dr. Marek Belka është një ekonomist dhe politikan polak, i cili drejtoi vendin në një periudhë kyçe menjëherë pas anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke qenë kryeministër i vendit në 2004-2005. Ai ka shërbyer si Guvernator i Bankës Qendrore të Polonisë (2010–2016) dhe ministër i Financave në 1997 dhe 2001–2002.

Z. Belka ka qenë anëtar i Parlamentit Europian (2019–2024) dhe sot është aktiv në çështjet e Eurozonës, ekonomisë dhe zgjerimit të BE-së.

Duke parë pas rrugëtimin e Polonisë drejt anëtarësimit në BE, cilat aspekte të procesit të reformave në vendin tuaj i konsideroni më të jashtëzakonshme ose të papritura?

Në Poloni, integrimi me BE-në ishte shumë i lidhur me tranzicionin nga ekonomia e komanduar — siç ishte në Shqipëri — në ekonomi tregu.

Ajo që shpesh neglizhohet nga vëzhguesit është fakti që ne e nisëm këtë tranzicion duke ndërtuar institucione — institucione solide të ekonomisë së tregut, si sistemi bankar, sistemi tatimor, mbledhja e taksave dhe një ligj i mirë për buxhetin.

Privatizimi ishte natyrisht i rëndësishëm. Hapja e ekonomisë ndaj konkurrencës së huaj ishte po aq thelbësore sa edhe vendosja e çmimeve të tregut.

Por ajo që ne shtuam — dhe që ishte ndoshta më e rëndësishmja — ishte ndërtimi i institucioneve të forta.

Kjo, për shembull, mungonte në Shqipëri në fillim të viteve ’90. Nuk kishte askënd që të kontrollonte nëse, për shembull, skemat piramidale ishin të sigurta apo nëse po destabilizonin gjithë shoqërinë. Kështu që ky është ndoshta aspekti më i rëndësishëm ku ne patëm sukses. Pa këtë, do të përfundonim në kaos, si në Rusinë apo Ukrainën e asaj kohe.

Sipas jush, a po i ndërmerr Shqipëria sot këta hapa? A po i ndërton këto institucione?

Ju nuk po nisni nga zero. Mendoj se shtatë-tetë vitet e tranzicionit tuaj pas komunizmit ju mësuan një mësim të ashpër, por të vlefshëm. Keni filluar ndërtimin e sistemit bankar, sistemit tatimor, bankës qendrore, politikës monetare.

Dhe tani situata ka ndryshuar ndjeshëm dhe në drejtimin e duhur. Kur u bëtë një vend kandidat për BE, standardet europiane nisën të zbatohen menjëherë në Shqipëri.

Kur nisët negociatat, faza e parë ishte “screening” — pra një ekzaminim i gjendjes ekzistuese. Pas kësaj erdhi hapja e “klasterëve”, që janë grupe kapitujsh tematikë. Në këtë proces, jeni të detyruar të bëni gjërat e duhura.

Bazuar në përvojën e Polonisë, cilat janë mësimet konkrete që Shqipëria duhet të ketë prioritet në procesin e saj të anëtarësimit në BE?

Do të veçoj më të rëndësishmet.

Së pari, trajtojini me seriozitet kërkesat e Komisionit Europian. Mos llogaritni në mirëkuptimin apo dashamirësinë e vendeve anëtare. Përkundrazi — nëse nuk i përmbushni reformat, gjithmonë do të ketë një vend që mund të bllokojë procesin tuaj. Vendimet për zgjerim merren njëzëri.

Së dyti, nevojitet vullnet politik. Qeveria duhet të jetë këmbëngulëse dhe e vendosur. Roli i kryeministrit është thelbësor.

Përmbushja e kritereve mund të jetë e dhimbshme për grupe të caktuara të shoqërisë, dhe ministritë mund të mbrojnë interesat e tyre. Kryeministri — dhe ndoshta edhe negociatori kryesor — duhet ta kapërcejnë këtë rezistencë. Kjo ndodhi në çdo vend që aplikoi për anëtarësim.

Si duhet të orientohen investimet dhe çfarë roli duhet të luajë sistemi financiar?

Njerëzit shpesh ngurrojnë të investojnë sepse nuk e dinë saktësisht ku të investojnë. Tani, shumica e investimeve shkon në infrastrukturën turistike, gjë që është në rregull, por ndoshta keni arritur tashmë kufirin e kapacitetit.

Pra, duhet ose ta kufizoni këtë ose të orientoheni drejt tregut më cilësor.

Ndërsa afron anëtarësimi, kapitali i huaj do të fillojë të rrjedhë jo vetëm në turizëm dhe pasuri të paluajtshme, por edhe në prodhim. Por prodhimi nuk duhet të jetë për tregun vendas, është shumë i vogël.

Duhet të orientohet nga rajoni, ndoshta i gjithë Ballkani Perëndimor, ose edhe Italia dhe pjesë të tjera të Europës.

Në këtë proces, bankat, sidomos ato shqiptare, do të duhet të ofrojnë financim ose bashkëfinancim.

Gjithashtu, kur të vijnë fondet e BE-së, institucionet vendore duhet të kontribuojnë financiarisht. Në shumë raste, nuk do të munden ta mbulojnë këtë me burime të tyre dhe do t’u duhet të kërkojnë kredi në banka.

Njerëzit kanë nevojë për udhëzime dhe stimuj për të investuar në sektorë përtej më të zakonshmëve. Infrastruktura dhe bujqësia e modernizuar mund të përfitojnë shumë. Bankat duhet të jenë pjesë e kësaj strategjie.

Si e vlerësoni trajektoren aktuale të ekonomisë shqiptare, sidomos në lidhje me reformat strukturore, investimet e huaja dhe stabilitetin fiskal?

Stabiliteti politik është shumë i rëndësishëm dhe Shqipëria duket se e ka. Për stabilitetin fiskal, deri tani nuk shoh ndonjë problem serioz.

Për sa u përket investimeve të huaja, mendoj se investitorët janë duke pritur për më shumë progres në negociata.

Ndër problemet strukturore është mungesa e fuqisë punëtore. Shumë njerëz janë ende në fshat, në ekonomi të vogla familjare. Shqipërisë i nevojitet që një pjesë e të rinjve të kalojnë në sektorë të tjerë — në qytete, ku produktiviteti i punës është më i lartë. Kjo mund të jetë një motor rritjeje për 10–15 vitet e ardhshme.

Sa kohë që nuk ka siguri të plotë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, investitorët e huaj do të hezitojnë. Ju mund ta besoni fort këtë anëtarësim, por ata ndoshta ende janë në pritje.

Pa këtë siguri, ata nuk do të investojnë në prodhim, sepse tregu lokal është shumë i vogël. Duhet të keni mundësinë të eksportoni përtej kufijve, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Itali, në Greqi dhe më gjerë.

Sipas jush, cilat kanë qenë përfitimet më të mëdha ekonomike dhe politike që integrimi në BE i ka sjellë Polonisë dhe që mund t’i sjellë edhe Shqipërisë?

Së pari, BE na detyroi të ndryshonim rregullat tona. Mund ta quani një investim civilizues. Duhej të zbatonim rregullat e përbashkëta europiane dhe kjo ishte thelbësore.

Së dyti, qasja në tregun e përbashkët. Kjo është shumë e rëndësishme.

Së treti, më e dukshmja, por më pak e rëndësishme ekonomikisht, janë fondet e BE-së, veçanërisht fondet e kohezionit.

Njerëzit i shohin këto fonde dhe ato ndihmojnë, por qasja në tregun e përbashkët është përfitimi më i madh.

Çdo proces anëtarësimi ka pengesa të papritura. A pati Polonia probleme të tilla që nuk ishin parë më herët dhe që Shqipëria duhet t’i ketë parasysh?

Në Poloni, ne i dinim problemet që kishim. Nuk pati ndonjë surprizë të pakëndshme. Për shembull, fermerët kishin frikë se tregu do të përmbytej nga ushqimet e Europës Perëndimore. Por ndodhi e kundërta, Polonia u bë një eksportues i madh ushqimor.

Sot eksportet tona bujqësore janë rreth 40 miliardë euro në vit. Pra, ishte një surprizë pozitive. Për Shqipërinë, mund të dalin probleme të papritura, por nuk mund të them cilat konkretisht tani.

Ju përmendët se BE ju detyroi të ndryshonit rregulla. A pati rezistencë?

E dinim që zbatimi i rregullave të BE-së do të shkaktonte pakënaqësi. Jo të gjithë do të ishin të lumtur. Por shpeshherë BE-ja e dinte këtë dhe ofronte financim për të zbutur pasojat.

Pasi vendos të zgjerohet, BE është mjaft e ndershme dhe e drejtë. Kjo mund të ndihmojë shumë edhe Shqipërinë.

Si i përballoi Polonia kostot afatshkurtra të anëtarësimit, si bashkëfinancimi i projekteve apo përshtatja me rregulloret?

Duhet të planifikohen në buxhet. E dinim që anëtarësimi do të ishte i kushtueshëm për buxhetin, por jo për ekonominë.

Për shembull, nëse BE financon 70% të një projekti infrastrukture, pjesa tjetër duhet të mbulohet nga qeveria shqiptare ose pushteti vendor. Kjo duhet të parashikohet në buxhet, me taksa ose kredi.

Por, kur projekti mbaron, gjeneron rritje, aktivitet ekonomik dhe efekti neto për buxhetin bëhet pozitiv.

Pas vizitave në Shqipëri, cilat aspekte të shoqërisë apo klimës së biznesit ju kanë bërë përshtypje?

Shqiptarët janë shumë ambiciozë dhe mësojnë shpejt, kjo është një forcë shtytëse për zhvillimin ekonomik.

Problemi është që shumë njerëz janë larguar dhe kemi mungesë të fuqisë punëtore. Një mundësi është të kaloni njerëz nga bujqësia në sektorë të tjerë.

Nevojitet reformë strukturore, ndryshim i strukturës së forcës së punës. Po ashtu, duhet të krijohen stimuj për diasporën shqiptare që të kthehet, në mënyrë ideale me kapital.

Kam dëgjuar që remitancat po rriten dhe kjo është pozitive. Tregon se shumë shqiptarë në Europën Perëndimore apo SHBA po investojnë në vend, ndoshta duke ndërtuar shtëpi. Ndoshta po planifikojnë të kthehen.

Shqipëria duhet ta bëjë më të lehtë dhe më tërheqëse për ta që të kthehen dhe të investojnë në ekonomi, përtej sektorit të ndërtimit.

 

Përfitimet

Së pari, BE na detyroi të ndryshonim rregullat tona. Mund ta quani një investim civilizues. Duhej të zbatonim rregullat e përbashkëta europiane dhe kjo ishte thelbësore.

Së dyti, qasja në tregun e përbashkët. Kjo është shumë e rëndësishme.

Së treti, më e dukshmja, por më pak e rëndësishme ekonomikisht, janë fondet e BE-së, veçanërisht fondet e kohezionit./Monitor.al

Sondazh

Poll

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës