LIVE UPDATES
Ekonomi

Banka e Shqipërisë vendos në pauzë rritjen e interesave

Këto tendenca pritet të vazhdojnë edhe gjatë tremujorëve të ardhshëm. Përditësimi i parashikimeve sugjeron se inflacioni do të bjerë gradualisht gjatë vitit 2023 dhe do të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024.

13 Shkurt 2023, 07:23 Nga DOSJA
Banka e Shqipërisë vendos në pauzë rritjen e interesave
Banka e Shqipërisë

TIRANË- Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi javën e kaluar të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.75%, për të dytën mbledhje radhazi. Guvernatori, Gent Sejko, u shpreh pas mbledhjes se të dhënat e muajve të fundit dhe kryesisht ato të lidhura me inflacionin, kanë rezultuar më të mira se pritshmëritë.

“Informacioni i ri i marrë në analizë ka qenë, përgjithësisht, më i mirë se pritjet tona. Inflacioni shënoi rënie në muajt nëntor e dhjetor, aktiviteti ekonomik vijoi të rritet në gjysmën e dytë të vitit, ndërsa efekti i normalizimit të qëndrimit të politikës monetare po shfaqet më i plotë në tregjet financiare.

Këto tendenca pritet të vazhdojnë edhe gjatë tremujorëve të ardhshëm. Përditësimi i parashikimeve sugjeron se inflacioni do të bjerë gradualisht gjatë vitit 2023 dhe do të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024.

Rënia e inflacionit do të pasqyrojë reduktimin e mëtejshëm të inflacionit në tregjet ndërkombëtare dhe pasojat kumulative të normalizimit të qëndrimit të politikës monetare në vend. Këto pasoja shfaqen në formën e kontrollit të pritjeve të agjentëve të tregut për inflacionin, të mbështetjes së kursit të këmbimit, si dhe të balancimit më të mirë midis kërkesës dhe ofertës agregate në vend”, tha Sejko.

Megjithatë, Guvernatori theksoi edhe një herë se ulja e inflacionit pranë objektivit prej 3% do të kërkojë normalizim të mëtejshëm të politikës monetare, nëpërmjet rritjes së normave të interesit.

“Këshilli Mbikëqyrës rikonfirmon gjykimin e tij se presionet e larta inflacioniste mbeten rreziku kryesor mbi rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit. Gjithashtu, ai thekson se, bazuar në informacionin aktual, normalizimi i mëtejshëm i qëndrimit të politikës monetare mbetet një masë e nevojshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit të çmimeve.

Normalizimi bëhet edhe më i nevojshëm, në prani të një balance rreziku për inflacionin, e cila qëndron ende në kahun e sipërm. Këshilli Mbikëqyrës thekson se shpejtësia dhe intensiteti i këtij normalizimi ka qenë dhe do të mbetet një proces i udhëhequr nga të dhënat e reja”, tha ai.

Rreziku inflacionist ngelet i lartë

Vendimi i Bankës së Shqipërisë për të mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit u argumentua sidomos me rënien e inflacionit në dy muajt e fundit të vitit 2022. Të dhënat e INSTAT treguan se për muajin dhjetor, inflacioni mesatar në ekonomi ra për të dytin muaj radhazi, duke zbritur në 7.4%, përkundrejt një niveli maksimal prej 8.3% që kishte shënuar në tetor 2022.

Megjithatë, ka ekspertë që mendojnë se kjo rënie duhet marrë me shumë rezerva, jo vetëm për shkak të efektit të luhatjeve afatshkurtra të çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve, por edhe sepse nivelet e inflacionit në Shqipëri kanë qenë të “kamufluara” nga politikat subvencionuese mbi çmimet e energjisë elektrike.

Treguesi më i besueshëm për tendencat e çmimeve është inflacioni bazë, tregues që mat ndryshimin e çmimeve në ekonomi, duke përjashtuar ato produkte që për nga natyra e tyre kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike.

Qëllimi i inflacionit bazë është ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga efektet e goditjeve të ofertës, apo nga faktorë të tjerë me ndikim afatshkurtër.

Inflacioni bazë u rrit sërish në muajin dhjetor, duke dëshmuar se rreziqet nga çmimet e larta për ekonominë ende nuk janë në një rrugë të qëndrueshme rënëse. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për dhjetorin, inflacioni bazë arriti në 8.42%, nga 8.3% në muajin nëntor. Për muajin nëntor 2022, ky tregues kishte pësuar rënie për herë të parë në 10 muaj dhe pritej që sinjalet pozitive të gjenin konfirmim edhe në dhjetor.

Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe kjo tregon se “beteja” e Bankës së Shqipërisë për të zbutur inflacionin e lartë do të kërkojë përpjekje të mëtejshme.

Nëse inflacioni mesatar në Shqipëri ka qenë ndjeshëm poshtë niveleve të regjistruara në vendet e Eurozonës dhe BE-së, në fakt inflacioni bazë është në nivele ndjeshëm më të larta. Sipas shifrave më të fundit të Eurostat, inflacioni bazë në Eurozonë, ishte 5.2% në dhjetor 2022, ndërkohë që për të njëjtën periudhë në Shqipëri, ky tregues ishte më shumë se 8.4%.

Një nivel kaq i lartë i inflacionit bazë rrit shqetësimin se goditja inflacioniste e ofertës po përcillet te pagat dhe kostot e tjera të prodhimit dhe mund të gjenerojë presione të reja inflacioniste në vijimësi. Për Shqipërisë, vala inflacioniste që origjinoi nga tregjet e huaja po ndërthuret me një situatë delikate në tregun e punës, ku mungesa e fuqisë punëtore në shumë sektorë po rrit trysninë mbi bizneset për të rritur pagat.

Një rrezik i tillë evidentohet edhe nga Banka e Shqipërisë. Në deklaratën pas mbledhjes së fundit të Këshillit Mbikëqyrës, nënvizohet se punësimi u rrit me 4.2%, shkalla e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.6% dhe paga mesatare në sektorin privat u rrit me 12.3% në tremujorin e tretë 2022.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerëson se ecuria pozitive e tregut të punës krijon premisa për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në të ardhmen, por, nga ana tjetër, sinjalizon edhe për rritje të shpejtë të kostove të prodhimit dhe presione mbi çmimet e konsumit.

Yield-et në fazë korrektuese

Në mars të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë nisi procesin e normalizimit të politikës monetare, ose e thënë ndryshe, rritjen graduale të normave të interesit në afër nivelit ekuilibër. Që nga muaji mars, deri në muajin nëntor 2022, norma bazë e interesit u rrit pesë herë dhe arriti nga niveli më i ulët historik prej 0.5% në 2.75%.

Nëse në të shkuarën ka pasur shpesh dilema lidhur me masën e transmetimit të politikës monetare, këtë herë përcjellja ka qenë e shpejtë, madje në disa segmente, rritja e normave të interesit ka qenë edhe ndjeshëm më e lartë se rritja e normës bazë të interesit.

Tregu më i ndjeshëm ndaj lëvizjeve të politikës monetare rezultoi ai i instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare. Yield-et shënuan rritje të shpejtë në të gjitha maturitetet, sidomos në periudhën gusht-nëntor, kur rritja e normës bazë të interesit u bë më e shpejtë dhe me intervale më të larta.

Indikatori më i përshtatshëm për të treguar reflektimin e politikës monetare mund të jetë yield-i bonove 12-mujore, që janë instrumentet kryesore të huamarrjes së brendshme të qeverisë shqiptare dhe titujt me frekuencën më të shpeshtë të emetimit. Mes fundit të muajit shkurt, para fillimit të normalizimit monetar dhe fundit të muajit nëntor, yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12-mujore u rrit me 4.25 pikë përqindje, gati dy herë më shumë se rritja e normës bazë të interesit.

Pas muajit dhjetor, kjo rritje e tepruar, e shkaktuar kryesisht nga pritshmëritë dhe pasiguritë e investitorëve, nisi të korrigjohej në ulje. Në fund të muajit janar, yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 4.86%. Në raport me shkurtin 2022, rritja është ngushtuar disi në 3.86%, por ngelet dukshëm sipër rritjes së normës bazë të interesit.

Kjo tregon se mund të ketë ende hapësira për korrektim në ulje të yield-eve, por kjo do të varet edhe nga trajektorja e rritjeve të mëtejshme (të pritshme) të normës bazë të interesit.

Të dhënat e deritanishme për vitin 2022 tregojnë se deri në fund të 9-mujorit, buxheti i shtetit ka shpenzuar 21.1 miliardë lekë për interesa të borxhit të brendshëm, shumë kjo 7% më e lartë krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar.

Depozitat ndiejnë efektin e inflacionit dhe rritjes së yield-eve

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për muajin nëntor, norma mesatare e interesit të depozitave me afat në Lekë arriti në 1.72%, nga 0.7% që kishte qenë në muajin shkurt, kur nisi edhe rritja e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë.

Që nga marsi deri në nëntor, norma bazë e interesit u rrit me 2.25 pikë përqindje. Por, ndërkohë, norma mesatare e interesit të depozitave është rritur në përmasa më të vogla, rreth 1.02 pikë përqindje deri në fund të nëntorit.

Për ekspertët ishte, sidoqoftë e pritshme, që përcjellja e rritjes së normës bazë në interesat e depozitave të ishte më e ngadaltë. Kjo lidhet me faktin që sektori bankar është mjaft likuid, ndërsa mundësitë e konkurrencës nga instrumentet financiare alternative, kryesisht bonot dhe obligacionet qeveritare, janë të kufizuara, për një sërë arsyesh, që nga kultura ende e pamjaftueshme financiare e deri te mungesa e një tregu dytësor të zhvilluar.

Megjithatë, vlen të theksohet se depozitat në lekë (të paktën për pjesën që përfshihet në përkufizimin e parasë së gjerë) janë ndikuar ndjeshëm nga inflacioni i lartë dhe rritja e yield-eve. Në fund të muajit nëntor, totali i depozitave në Lek rezultonte në rënie me 0.9% krahasuar me muajin shkurt, para se të niste cikli normalizues i politikës monetare.

Nga ana tjetër, të dhënat e tërthorta tregojnë se rritja e yield-eve mund të ketë pasur ndikim të konsiderueshëm në stanjacionin e depozitave bankare.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se për vitin 2022, blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve arritën në 49.6 miliardë lekë, me rritje rekord prej 216% krahasuar me një vit më parë.

Rritja ishte në nivele të ngjashme edhe në numrin e transaksioneve, që arriti në 16,630, me një rritje vjetore prej 222%. Zgjerimi i shpejtë i investimit të individëve në bono dhe obligacione besohet se ka ardhur kryesisht për shkak të rritjes së fortë të yield-eve të këtyre instrumenteve gjatë vitit 2022.

Një pjesë e depozituesve parapëlqyen t’i tërheqin paratë e mbajtura në depozita bankare dhe t’i investojnë në bono dhe obligacione, në kërkim të kthimeve më të larta. Depozitat bankare në Lek shënuan rritje ndjeshëm më të ngadalësuar në vitin 2022.

Një pjesë tjetër vendosën të shisnin kuotat në fondet e investimeve, që vitin e kaluar pësuan goditje të fortë nga rritja e yield-eve. Kjo solli rënie të vlerës së aseteve neto të fondeve, me rreth 40% vitin e kaluar.

Rritja e interesave ngadalëson kreditimin

Përcjellja e normave të interesit ka qenë shumë më e fortë te kreditë dhe te yield-et e instrumenteve të borxhit të qeverisë, që përbëjnë edhe pjesën më të madhe të aktiveve të sektorit bankar. Në muajin nëntor 2022, norma mesatare e interesit të kredive të reja në Lek arriti në 7.59%, 2.12 pikë përqindje më shumë krahasuar me muajin mars.

Ndërkohë, te kreditë ekzistuese me norma të ndryshueshme, interesat janë rritur edhe më shumë, për shkak të përcjelljes së rritjes së treguesit të referencës, që zakonisht është yield-i i bonove 12-mujore.

Në fund të muajit janar, yield-i bonove 12-mujore ishte 3.27 pikë përqindje më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo diferencë i shtohet normës së interesit të kredisë për huamarrësit, që kanë rivlerësimin e këstit të kredisë të parashikuar në kontratë.

Por, për ata huamarrës që kanë pasur rivlerësimin e këstit në periudhën kur rritja e yield-eve arriti pikun, në periudhën tetor-nëntor, rritja e interesit të kredisë ka qenë edhe më e lartë. Në nëntor të vitit të kaluar, ndryshimi vjetor i yield-it të bonove 12-mujore arriti një nivel maksimal prej 4.12 pikësh përqindje.

Për shumë familje, kjo është përkthyer në një rritje me më shumë se 40% të shumës së këstit mujor të kredisë.

Ashtu siç pritej, rritja e normave të interesit ka nisur të reflektohet në një ngadalësim të kreditimit, sidomos duke filluar nga shtatori i vitit të kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, për muajin dhjetor 2022, kredia e re e dhënë nga sektori bankar ra me 25.8% me bazë vjetore.

Ky ishte i katërti muaj radhazi që kredia e re pësoi rënie me bazë vjetore. Ngadalësimi i kredisë së re është reflektuar edhe në tkurrjen e portofolit total të kredisë, që në fund të nëntorit, zbriti në vlerën e 719.9 miliardë lekëve, me një rënie prej 2.4 miliardë lekësh krahasuar me tetorin.

Tkurrja e portofolit ka ardhur në segmentin e biznesit, ndërsa portofoli i individëve ka vijuar të shënojë rritje të lehtë edhe këtë muaj.

Kjo ishte hera e parë që prej muajit janar të këtij viti që stoku i kredisë për ekonominë pëson rënie. Rënia e muajit nëntor e ka ngadalësuar ndjeshëm rritjen vjetore të portofolit, që zbriti në 9.5%, nga 10.9% në fund të muajit tetor.

Sipas Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues, kryer nga Banka e Shqipërisë, bankat shtrënguan më tej standardet e kreditimit në tremujorin e katërt të vitit 2022, si për individët, edhe për bizneset. Në kredinë për individë, shtrëngimi i standardeve u vërejt në të dyja kategoritë e qëllimit të përdorimit të kredisë, si në ato për blerjen e banesave, edhe në atë konsumatore.

Shtrëngimi i standardeve të kreditimit për individët ishte pasojë e perceptimit të rrezikut nga bankat lidhur me situatën makroekonomike në vend e perspektivën për të, zhvillimet aktuale e të pritura në tregun e banesave, aftësinë paguese të kredimarrësit, si dhe me kolateralin e kërkuar.

Po ashtu, faktor tjetër që ndikoi në shtrëngimin e standardeve të kreditimit ishte edhe toleranca më e ulët e bankave ndaj rrezikut. Shtrëngimi i standardeve të huadhënies bëri që shkalla e miratimit të kredive për individët të ulet në tremujorin e katërt 2022.

Edhe kërkesa e individëve për kredi u perceptua më e ulët në tremujorin e fundit 2022, si për kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe për ato konsumatore. Kjo tregon se rritja e normave të interesit ka filluar të ndikojë edhe kërkesën për kredi bankare. Në tremujorin e parë të vitit 2023, bankat presin që kërkesa për kredi të jetë sërish në rënie, si në blerjen e banesave, edhe në financimin e konsumit.

Një tendencë e ngjashme në tremujorin e katërt u vërejt edhe në standardet e kreditimit për bizneset, që vijuan të shtrëngohen më tej. Shtrëngimi i standardeve u krye si në kreditë akorduar biznesit të vogël e të mesëm, ashtu edhe në ato për biznesin e madh, si në kreditë për financimin e investimeve, edhe në ato për mbulimin e nevojave për likuiditet.

Faktorët që ndikuan në shtrëngimin e standardeve të kreditimit për bizneset lidheshin kryesisht me perceptimin e rrezikut nga ana e bankave.

Më konkretisht, rreziku i perceptuar nga aftësia paguese e kredimarrësit, nga situata aktuale ekonomike në vend dhe perspektiva për të, si dhe rreziku mbi kolateralin e kërkuar sollën shtrëngimin e standardeve të kreditimit për bizneset, ndaj bankat treguan një tolerancë më të ulët kundrejt rrezikut. Shtrëngimi i kushteve e termave të kreditimit u arrit nëpërmjet elementeve çmim dhe joçmim.

Bankat raportuan marzhe më të larta, kryesisht mbi kreditë me rrezik, reduktuan madhësinë e kredisë akorduar bizneseve, si dhe shtuan numrin e kushtëzimeve në marrëveshjet e kredisë, të nënshkruara me bizneset. Edhe shkalla e miratimit të kredive për bizneset u raportua më e ulët në tremujorin e katërt.

Rënia e kredive me probleme u ngadalësua në vitin 2022

Raporti i kredive me probleme të sektorit bankar shënoi rritje të lehtë në muajin nëntor, por ka vijuar tendencën afatgjatë rënëse edhe për vitin 2022. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, ky raport shënoi nivelin 5.05%, nga 5% që kishte qenë në muajin tetor.

Megjithatë, tendenca vjetore ngelet pozitive dhe raporti i kredive me probleme rezulton në rënie me 1.05 pikë përqindje krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar.

Mbështetur në tendencat historike të viteve të fundit, është e pritshme që muaji dhjetor të sjellë zhvendosje më të ndjeshme në rënie të kredive me probleme, kryesisht për shkak të efektit të fshirjeve të kredive të humbura.

Rregulloret e Bankës së Shqipërisë i detyrojnë bankat të nxjerrin jashtë bilancit kreditë që klasifikohen si të humbura, për më shumë se dy vjet. Zakonisht, ky proces kryhet në muajin dhjetor, para mbylljes së bilancit vjetor.

Për këtë arsye, pritet që viti 2022 të mbyllet në nivele më të ulëta, por sidoqoftë tashmë duket qartë se gjatë vitit të kaluar, rënia e raportit të kredive me probleme u ngadalësua krahasuar me ritmet e vitit 2021, kur kreditë me probleme patën rënë me më shumë se dy pikë e gjysmë përqindje.

Tendenca mund të shpjegohet me inflacionin e lartë dhe ngadalësimin e rritjes ekonomike, që kanë dhënë efektet e para, të shprehura në një përmirësim më të ngadaltë të kredive të këqija krahasuar me ritmin e viteve të fundit.

Megjithatë, efektet e përkeqësimit të situatës makroekonomike në cilësinë e portofolit të kredisë pritet të jenë më të prekshme gjatë vitit 2023. Inflacioni i lartë ka tkurrur fuqinë blerëse të konsumatorëve dhe kjo vlerësohet të ketë sjellë frenim të konsumit të brendshëm, megjithëse ky efekt është amortizuar pjesërisht nga ecuria e kënaqshme e turizmit.

Ulja e konsumit dhe rritja e normave të interesit pritet të ndikojë negativisht të ardhurat e bizneseve dhe të ulë stimulin për kryerjen e investimeve të reja. Një tablo e tillë makroekonomike pritet të sjellë rritje më të ngadaltë të prodhimit kombëtar këtë vit, me rreth një pikë përqindje më pak krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas modeleve të parashikimit të sektorit bankar, gjasat janë që këto zhvillime të sjellin ngadalësim të kreditimit të ekonomisë dhe rritje të raportit të kredive me probleme për vitin 2023.

Deri tani, projeksionet rezultojnë me një rritje mjaft të kufizuar të kredive me probleme, por sidoqoftë, pasiguritë e lidhura sidomos me inflacionin dhe rritjen e normave të interesit ngelen të konsiderueshme. Menaxhimi i cilësisë së portofolit të kredisë do të jetë një nga sfidat kryesore të sektorit bankar për këtë vit.

Bankat, të fituara në fazën e parë

Në afatin e shkurtër, më të fituara nga kjo dinamikë e përcjelljes së politikës monetare janë bankat tregtare, sepse rritja e normave të interesit në krahun e aktiveve (kredi dhe yield-e) është më e lartë se në krahun e detyrimeve (depozitat).

Marzhi i ndërmjetësimit, i shprehur si diferenca mes normës së interesit të kredive dhe depozitave të reja në Lek për muajin nëntor 2022 arriti në 5.87%, nga 4.77% në muajin mars.

Një efekt edhe më të lartë vlerësohet të ketë sjellë rritja e fortë e yield-eve, që ka rritur si të ardhurat direkte nga investimi në tituj, ashtu edhe të ardhurat nga interesat e kredive me norma të ndryshueshme interesi.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 9-mujorin 2022, të ardhurat neto nga interesi të sektorit bankar arritën në 38.5 miliardë lekë, në rritje me 13.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është njëkohësisht vlera më e lartë historike e të ardhurave neto nga interesat deri në fund të 9-mujorit.

Rritja e të ardhura neto nga interesi ka ardhur sepse në vlerë, rritja e të ardhurave nga interesat (5.4 miliardë lekë) ka qenë më e madhe se rritja e shpenzimeve për interesa (0.9 miliard lekë).

Një faktor tjetër me ndikim është se në vitet e fundit, kursimet e shqiptarëve janë vendosur gjithnjë e më shumë në llogari rrjedhëse dhe depozita pa afat, ndërsa pesha e depozitave me afat ka ardhur në rënie, për shkak të normave të ulëta të interesit.

Deri tani, bankat po fitojnë nga normalizimi i normave të interesit. Për ekspertët, një zhvillim i tillë ishte i pritshëm, edhe duke pasur parasysh faktin që sektori bankar, në terma mesatarë, është mjaft likuid, me një raport mes kredive dhe depozitave pranë nivelit 47%.

Rritja e yield-eve të bonove dhe obligacioneve i bëri ato më joshëse për individët dhe shtoi disi presionin konkurrues për bankat, por megjithatë, depozitat kanë vijuar të rriten. Kjo lidhet edhe me faktin se pjesa më e madhe e depozitave janë në valutë huaj, kryesisht në euro.

Rritja ka ardhur kryesisht prej tyre, sepse për Euron, tregu i brendshëm nuk ofron alternativa të tjera të investimit financiar.

Banka Qendrore Europiane rrit normën bazë në nivelin më të lartë në 15 vjet

Nëse Banka e Shqipërisë e ka frenuar përkohësisht procesin e normalizimit monetar, Banka Qendrore Europiane (ECB) vazhdon të “marshojë” me hapa të njëpasnjëshëm në rrugën e rritjes së normave të interesit.

Në mbledhjen e muajit shkurt, Bordi i ECB-së vendosi të rrisë përsëri normën bazë të interesit (norma e operacioneve kryesore të rifinancimit, MRO) me 0.5 pikë përqindje, duke e çuar këtë tregues në nivelin 3%, më i larti që prej nëntorit të vitit 2008.

Jo vetëm kaq, por ECB paralajmëroi rritje të mëtejshme të normave në muajin mars, sërish me 0.5 pikë përqindje, që pritet ta çojë normën bazë të interesit në 3.5%. ECB e argumenton rritjen agresive të normave të interesit me inflacionin ende të lartë në Eurozonë.

Në muajin janar, inflacioni në Eurozonë ishte në nivelin 8.5%, në rënie të ndjeshme nga niveli prej 9.2% i muajit dhjetor 2022, por sërish shumë më i lartë se objektivi prej 2% i ECB-së.

ECB duket e vendosur të vijojë luftën ndaj inflacionit të lartë, pavarësisht efekteve negative që rritja e shpejtë e normave të interesit po jep në rritjen ekonomike.

Ekonomia e Eurozonës u rrit me vetëm 0.1% në tremujorin e katërt 2022, ndërsa Presidentja e ECB-së, Christine Lagarde, tha se në afatin e shkurtër, aktiviteti ekonomik pritet të shfaqet i ngadalësuar.

Pavarësisht vetëdijes se rritja e shpejtë e normave të interesit do të ndikojë negativisht ekonominë dhe ndoshta do ta çojë atë në recesion, ECB mbetet e bindur se inflacioni i lartë është një problem më i madh, ndaj do të vijojë shtrëngimin monetar, për ta ulur atë pranë objektivit të saj.

Një rrugë të ngjashme me ECB-në po ndjek edhe Rezerva Federale Amerikane, që në fillim të shkurtit rriti normën bazë me 0.25 pikë përqindje, ndërsa paralajmëroi një rritje tjetër, në të njëjtën masë, në mars.

Banka Qendrore e Anglisë vendosi gjithashtu në fillim të shkurtit të rriste normën bazë të interesit me 0.5 pikë përqindje, duke e çuar atë në nivelin 4%.

Marrë nga Monitor,al

banka e shqiperise

Sondazh

Poll

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

"Injoranca nuk është argument" Nuk i pëlqeu pyetja, Rama prek në faqe gazetaren Ambrozia Meta

Del VIDEOJA, Elia godet Princ Lekën: Familja ime të ka mbajtur me bukë

VIDEO/ Noka i jep Spiropalit pankartën, Ministrja ofrohet ta mbaj para fytyrës

Publikohen pamjet nga brenda bazës ajrore të Kuçovës, Komandanti: E gatshme për stërvitjen e trupave

Tempulli 2/ Me kanabis gati për shitje dhe shuma parash, arrestohen 4 të rinj në Tiranë

Dalin pamjet nga kasollja ku u vra 50-vjeçari në Durrës

Kontrabandonin ilaçe dhe telefona, arrestohen dy persona në Tiranë, sekuestrohen 47 iPhone

I vunë flakën eskavatorit me vlerë 150 mijë euro, arrestohen 2 autorët e ngjarjes

Reshjet e shiut dhe borës në vend, policia: Moderoni shpejtësinë e mos kryeni parakalime të gabuara

Kampioni Alvin Karaqi mes lotësh: Për besë u ndjeva si Gjergj Kastrioti kur mora flamurin

'Dokumentar horror'/ Berisha publikon pamjet: Do ju paraqes terrorin që Bajrajt ushtruan më 14 maj

Krimi në Bulqizë/ Fqinji: Po hante bukë në banesë kur erdhën dy makina!

Dosja "Gjici"/ Zv.kryetari i bashkisë së Kukësit shkon në SPAK

Newsroom 11 |XAMA: LAJMI I FUNDIT FAKE QË PASHË, ISHTE PËR MUA

Newsroom 11 |XAMA: KËSHILLË QYTETARËVE- MOS LEXONI VETËM NJË BURIM

Newsroom 11 | XAMA: GAZETARËT NUK SHKRUAJNË ME EMËR, KJO S'ËSHTË ETIKE

Xama në Newsroom: Lajmet e rreme përhapin panik! Më akuzuan se kisha marrë para për një shkrim

Muka në Newsroom: Në Shqipëri ka portale gjobaxhie, u bëjnë shantazh njerëzve

Xama në Newsroom: Fake News shpërndahet më shumë në Facebook e Tik Tok! Gazetarët të shkruajnë emrin

Newsroom 11 |Kush prodhon lajme të rreme në Shqipëri

Newsroom 10 |SENJA: NE S'REAGOJMË NDAJ GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 |HAZIZAJ: 'ÇOHU ENVER', PJESË E GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ KEMI MARRËVESHJE PËR TË MBROJTUR 'VIKTIMAT'

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES KA SHKAKTUAR DHE KRIME

Newsroom 10 |GAZETARI: GJUHA E URREJTJES, PJESË E SHOQËRISË

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES, E FRIKSHME NË SHQIPËRI

Vidhnin në banesa duke përdorur çelësa të klonuar, vihet në pranga 1 person,nje tjeter në kërkim

Newsroom 10 |GJUHA E URREJTJES PËRDORET NGA POLITIKA, AMA TË KONTROLLOJË GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: STEREOTIPET NXISIN GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES LUFTOHET ME EDUKIM

Newsroom 10 | Gjuha e urrejtjes në media, si dhe kush e shpërndan?

Ndryshimet në PS/ Gjiknuri: S'është fundi, por fillimi i diçkaje të re.

Inceneratorët/ S’kam dhënë asnjë kontratë pa garë, ato janë publike!

Ndihet 'i shitur' nga Rama? Gjiknuri: Nuk ndjej braktisje, kam komunikim me të prej 20 vitesh

Klosi: Kemi primare reformimin e partisë, PS synon mandatin e katërt

U shkarkua si Sekretar i Përgjithshëm, Gjiknuri: PS edhe kur fiton, refekton!

Digjet shtëpia në Shkodër, në banesë ndodhej një i moshuar, përfundon në spital

Vazhdon përplasja në PD! Basha kërkon mbledhjen e Komisionit të Etikës për të, Bardhi: Shenjë humbje

Vrasja e Jetmirës/ Autori u dënua me 28 vite burg, nëna e viktimës: Duhet dënim përjetë!

Newsroom 9 | Kallanxhi: Threads? S`besoj se do zgjasë shumë

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Mos merrni për bazë asgjë thuhet në rrjet

Newsroom 9 | Gazetarja: po ndodhin vrasje nga tik tok

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Fake News dallohet vetëm po të jemi kritikë

Newsroom 9 | Kallanxhi: Shqiptarët besojnë gjithçka shohin në rrjet

Newsroom 9 | Eksperti i IT, Tomi Kallanxhi: Tik Tok ka "fake news" sepse s'ka censurë

Newsroom 9 | Gazetarja: Shqipëria do kohë të përshtatet me Tik Tok

Newsroom 9| Eksperti i IT: Çdo rrjet është i përkohshëm, duhet të kujdesemi për vlerat

A mund të mbyllet TikTok për Shqipërinë? Flet për Newsroom eksperi i IT

Fëmija mbyllet brenda në shtëpi, nëna e alarmuar njofton zjarrfikësit, NDËRHYRJA nga ballkoni