1 Qershor 2026, 09:40
Nga I.A
Volodymyr Zelenskyy
Historia ishte demantuar, por jo para se të bëhej virale vitin e kaluar: një video që hiqej si raport mediatik i vërtetë pretendonte se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte blerë për nënën e tij një apartament prej 3.2 milionë dollarësh, të dizajnuar nga Armani, në kullën Burj Khalifa në Dubai - ndërtesa më e lartë në botë.
Ndërsa ajo mori miliona shikime dhe u përhap në rrjete sociale, raporti u vërtetua se ishte i rremë. Por, pyetja se kush qëndronte pas tij ishte më e ndërlikuar.
Tani, dokumente të rrjedhura të shqyrtuara nga Skemat, njësia hulumtuese e shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, e lidhin këtë fushatë dezinformimi me Social Design Agency, një organizatë ruse e sanksionuar nga Perëndimi me lidhje të ngushta me Kremlinin.
Materiali i rrjedhur vjen nga një platformë komunikimi korporativ, e përdorur nga punonjës të Kremlinit dhe të Social Design Agency, të cilën Shtetet e Bashkuara e kanë përshkruar në vitin 2024 si një “aktor kyç” në një “fushatë të vazhdueshme ndikimi të huaj keqdashës”, të kryer me urdhër të administratës së presidentit rus, Vladimir Putin.
Dokumentet, të siguruara nga media Delfi Estonia dhe të ndara me Skemat dhe organizata të tjera mediatike, përfshijnë pamje të korrespondencës private dhe raporte të brendshme mbi projekte në faza të ndryshme planifikimi ose zbatimi.
Ato tregojnë shkallën e gjerë të veprimeve përçarëse dhe fushatave të ndikimit të Social Design Agency në Evropë dhe gjetkë, përfshirë vandalizëm në Gjermani dhe Francë, ndërhyrje në zgjedhje në Armeni dhe përhapjen e narrativave pro-ruse përmes figurave të opinionit në vendet perëndimore.
Materiali i rrjedhur përfshin një raport të brendshëm që dokumenton përpjekjen për të diskredituar Zelenskyn me pretendimin se ai kishte blerë pasuri të paluajtshme luksoze jashtë vendit, ndërsa ekonomia e Ukrainës po përballet me vështirësi si pasojë e pushtimit në shkallë të plotë nga Rusia, të nisur nga Putin në vitin 2022 dhe që përfshin sulme të pandërprera ndaj infrastrukturës.
Të dhënat e koduara në dokumente tregojnë se raporti është krijuar më 9 qershor 2025, disa ditë pasi mashtrimi për Burj Khalifa u shfaq për herë të parë në rrjetet sociale.
Qendra e fushatës ishte një video që paraqitej si një raport i rrjetit saudit Al Arabiya. Raporti i brendshëm vlerëson se materiali për Zelenskyn mund të ketë arritur 86 milionë shikime globalisht, përfshirë 21 milionë në audiencën anglishtfolëse - shifra që nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Ai gjithashtu përmend se Qendra për Kundër-Dezinformim, pjesë e Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës, e demantoi përfundimisht pretendimin.
Raporti i brendshëm, i titulluar REFERENCE.MEDIA CASE.BURJ KHALIFA, dokumenton gjithashtu përhapjen e pretendimit të rremë, duke thënë se 19 “kontraktorë projekti” e shpërndanë atë jashtë vendit, duke gjeneruar më shumë se 10 milionë shikime.
Ai nuk i përmend këta kontraktorë me emër, por përmban informacione për “blogerë të mëdhenj të huaj me audiencë prej miliona” që shpërndanë videon e rreme për Zelenskyn “pas fillimit të publikimit të materialeve të rastit”.
Raporti i rremë filloi të përhapej përmes kanaleve ruse në Telegram më 5 qershor 2025, ndërsa grupi kërkimor Vox Ukraine përcaktoi se ishte ngarkuar në internet më 4 qershor.
Llogaritë që e shpërndanë videon përfshijnë edhe atë të Jim Ferguson, një politikanit britanik i cili kandidoi pa sukses për një vend në Parlament me Partinë Brexit në vitin 2019.
Postimi i tij i 5 qershorit 2025, i cili ka grumbulluar rreth 2 milionë shikime dhe nuk është hequr, thotë: “Ndërsa ukrainasit vuajnë nga lufta dhe racionimi, Zelensky i ka dhuruar në heshtje nënës së tij një apartament prej 3.2 milionë dollarësh në Burj Khalifa — kati i 11-të, Armani Residences.”
Ferguson nuk iu përgjigj kërkesës për koment nga Skemat.
Një postim mbi raportin mbetet gjithashtu në profilin e llogarisë në X “Concerned Citizen”, ku ka grumbulluar rreth 1.5 milion shikime.
Në shtator 2024, Skemat raportoi për një rrjedhje dokumentesh që zbulonin detaje mbi përpjekjet e Social Design Agency për të diskredituar Ukrainën dhe qeveritë perëndimore.
Në një dokument gjyqësor të dorëzuar po atë muaj, Qeveria e SHBA-së akuzoi Social Design Agency dhe kompani të tjera ruse se përdorin “domene që imitojnë entitete legjitime mediatike” dhe metoda të tjera për të “përhapur fshehurazi propagandë të Qeverisë ruse”.
Ajo tha se kjo fushatë është kryer të paktën që nga viti 2022 “nën drejtimin dhe kontrollin” e administratës së Putinit dhe “në veçanti” Sergei Kiriyenkos, një zyrtar i lartë i Kremlinit dhe zëvendësshef i parë i administratës së tij për një dekadë.
Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj Social Design Agency në mars 2024, ndërsa edhe Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar kanë vepruar po ashtu.
Përtej pretendimit për Burj Khalifa, dokumentet e rrjedhura tregojnë përfshirjen e Social Design Agency në një sërë veprimesh që duket se përbëjnë krime urrejtjeje, përfshirë një incident ku koka derrash u vendosën përpara nëntë xhamive në Paris.
Një dokument i rrjedhur zbulon një plan të dukshëm të agjencisë për të ndikuar zgjedhjet parlamentare në Armeni më 7 qershor, në një periudhë kur Qeveria e kryeministrit në detyrë, Nikol Pashinian, po përpiqej ta largonte vendin e Kaukazit Jugor nga orbita e Moskës dhe të forconte lidhjet me Perëndimin./REL
volodymyr zelensky
Bota
1 Qershor 2026, 09:10
I.A
Dhuna sërish ka shpërthyer në Lindjen e Mesme, me ushtrinë amerikane që tha se ka kryer rundin e tretë të sulmeve “ve...
Bota
31 Maj 2026, 22:55
E.d
Foto ilustruse
Irani është dënuar gjerësisht për kërkesën e deri në 2 milionë dollarë për çdo...
Bota
31 Maj 2026, 22:40
E.d
Abbas Araghci
IRAN- Ministër i Punëve të Jashtme iraniane, Abbas Araghci ka deklaruar se bisedimet dhe shkëmbimet e mesazheve...
Bota
31 Maj 2026, 22:30
E.d
Folto ilustruse
ITALI- Autoritetet shëndetësore italiane po hetojnë një rast të dyshuar me virusin Ebola. Kjo...
Bota
31 Maj 2026, 22:20
E.d
Foto ilustruse
UKRAINA- Vitalii Syniakov dikur organizonte turne në kishat me kupola të arta të Kievit dhe në plazhet e Odesës. Po...
Bota
31 Maj 2026, 21:00
E.d
Donald Trump
SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Irani ka dhënë garanci se nuk do të zhvillojë armë bërtham...
Bota
31 Maj 2026, 19:31
E.d
Foto ilustruse
IRAN- Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian ka urdhëruar rivendosjen e aksesit ndërkombëtar në internet pas një nd&...
Bota
31 Maj 2026, 18:39
E.d
Pamje
AZIA- Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur këtë të dielë në një ndërtesë në Mianmarin...
Bota
31 Maj 2026, 16:20
E.d
Pamje nga sulmet
FRANCA- Franca ka bërë thirrje këtë të dielë për një takim urgjent të Këshillit të ...
Bota
31 Maj 2026, 15:40
E.d
Foto ilustruse
LIBAN- Izraeli ka sulmuar sërish Libanin, ndërsa janë plagosur 13 persona. Ministria e Shëndetësisë ...