LIVE UPDATES
Bota

Fotografi, emra dhe gjurmë deri te Xhandarmëria/ Kush lidhet me sigurimin e Vesellinoviç dhe Radoiçiç?

Ndërsa autoritetet serbe mohojnë se njësia speciale e policisë i ofron siguri dyshes, televizioni N1, duke u thirrur në burimet e veta, publikoi emrat e dy personave: Nikolla Millutinoviq dhe Damjan Vukiçeviq.

3 Korrik 2026, 13:57 Nga D.S

Fotografi, emra dhe gjurmë deri te Xhandarmëria/ Kush lidhet me

SERBI- Çfarë dihet për dy burra, që dyshohet se janë pjesëtarë të Xhandarmërisë së Serbisë, por që në publik janë përmendur si pjesë e sigurimit të Millan Radoiçiqit dhe Zvonko Vesellinoviqit - të dy në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara?

Ndërsa autoritetet serbe mohojnë se njësia speciale e policisë i ofron siguri dyshes, televizioni N1, duke u thirrur në burimet e veta, publikoi emrat e dy personave: Nikolla Millutinoviq dhe Damjan Vukiçeviq.

Radio Evropa e Lirë e identifikoi Millutinoviqin në shoqërinë e Vesellinoviqit gjatë një tubimi të vitit të kaluar të Partisë Përparimtare Serbe në pushtet.

Analiza e një fotografie publike në portalin Nova S, me ndihmën e teknologjisë për njohjen e fytyrës, e vendos atë pranë Vesellinoviqit.

Meqenëse është me rroba civile, Radio Evropa e Lirë nuk mundi të konfirmonte nëse ai ishte pjesëtar aktiv i policisë speciale në atë kohë. Por, një fotografi e mëhershme, nga viti 2023, tregon se ai ishte pjesë e Xhandarmërisë në kohën e bërjes së saj.

Personi i dytë, Damjan Vukiçeviq, përshkruhet si pjesë e sigurimit të Millan Radoiçiqit.

Radio Evropa e Lirë e identifikoi një person me atë emër dhe mbiemër, bazuar në informacionet e disponueshme publikisht nga mediat dhe rrjetet sociale, si anëtar të njësisë së Xhandarmërisë në Kralevë.

Sipas hulumtimit të Radios Evropa e Lirë, të dy janë me origjinë nga Kosova, ashtu si edhe Vesellinoviq dhe Radoiçiq.

Vesellinoviq dhe Radoiçiq janë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara për akuza që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Radoiçiq kërkohet edhe me urdhërarrest ndërkombëtar të Interpol-it, nën dyshimet për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë të Kosovës, në shtator të vitit 2023.

Autoritetet në Beograd i hedhin poshtë këto akuza, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se nuk i konsideron ata “kriminelë” dhe se ata nuk ruhen nga pjesëtarë të Xhandarmërisë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse Nikolla Millutinoviq dhe Damjan Vukiçeviq janë pjesëtarë të policisë speciale, si dhe nëse Millutinoviq ka qenë ende i punësuar në polici në vitin 2025, kur është fotografuar në shoqërinë e Zvonko Vesellinoviqit.

Radio Evropa e Lirë e gjeti fillimisht emrin e Nikolla Millutinoviqit në një njoftim të vitit 2021 të Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.

Sipas këtij njoftimi, ai fitoi garën tradicionale të notit për “Kryqin e Shenjtë”, të organizuar me rastin e festës ortodokse të Ujit të Bekuar në liqenin e Ujmanit, në komunën e Zubin Potokut në Kosovë.

Në fotografitë e publikuara, ai identifikohej si banor i Leposaviqit. Duke përdorur fotografinë nga ai aktivitet dhe mjete për njohjen e fytyrës, Radio Evropa e Lirë e identifikoi Millutinoviqin si pjesëtar të Xhandarmërisë serbe.

Kjo mbështetet edhe nga një fotografi e publikuar nga mediat lokale të Serbisë në vitin 2022, ku ai shihet si anëtar i ekipit të Xhandarmërisë në një turne futbolli në Zrenjanin.

Një vit më vonë, ai u fotografua me uniformën zyrtare të Xhandarmërisë, me stemën e njësisë dhe mbiemrin e dukshëm në uniformë, gjatë shënimit të festës së Ujit të Bekuar në Beograd.

Në një nga fotografitë e rralla publike të Zvonko Vesellinoviqit, të realizuar në prill të vitit 2025 gjatë një tubimi të Partisë Përparimtare Serbe pranë Kuvendit të Serbisë, Radio Evropa e Lirë e identifikoi sërish Millutinoviqin. I veshur me bluzë të zezë, xhaketë ngjyrë ulliri dhe kapelë të zezë, ai qëndron përpara Vesellinoviqit.

Radio Evropa e Lirë nuk arriti të kontaktonte me Millutinoviqin, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me angazhimin e tij. MPB-ja serbe nuk u përgjigj as për Damjan Vukiçeviqin, i cili lidhet me sigurimin e Millan Radoiçiqit.

Sipas hulumtimit të Radios Evropa e Lirë, një person me këtë emër, me origjinë nga Kosova, është pjesëtar i njësisë së Xhandarmërisë në Kralevë, në Serbinë qendrore.

Megjithatë, nuk ka konfirmim zyrtar se ai ka shërbyer si pjesë e sigurimit të Radoiçiqit. Xhandarmëria e Serbisë nuk publikon listën e pjesëtarëve aktivë, pasi identiteti i zyrtarëve policorë konsiderohet informacion i mbrojtur zyrtar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 29 qershor se nuk ka informacione që pjesëtarë aktivë të Xhandarmërisë ofrojnë siguri për Zvonko Vesellinoviqin dhe Millan Radoiçiqin.

Ai u përgjigj kështu pas pyetjes së gazetarëve nëse këtë rol e kanë Nikolla Millutinoviq dhe Damjan Vukiçeviq.

Një ditë më vonë, gjatë një vizite në një stërvitje të Xhandarmërisë pranë Beogradit, Vuçiq tha se ishte “interesuar” për këtë çështje dhe përsëriti se Radoiçiq dhe Vesellinoviq nuk ruhen nga pjesëtarë të kësaj njësie.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai gjithashtu tha se nuk e dinte se disa i konsideronin “kriminelë” personat që “ndiqen penalisht nga vende të tjera, apo nga entitete që nuk janë shtete”, duke iu referuar Kosovës, pavarësinë e së cilës Serbia nuk e njeh.

Në të njëjtën ngjarje ishte i pranishëm edhe komandanti i Xhandarmërisë, Radosllav Repac, i cili po ashtu mohoi se pjesëtarët e njësisë së tij ofrojnë siguri për Radoiçiqin dhe Vesellinoviqin. Vesellinoviq në Serbi paraqitet si “biznesmen” nga veriu i Kosovës.

Që nga viti 2021, ai është nën sanksionet e Departamentit amerikan të Thesarit, i cili e akuzon për korrupsion dhe krim të organizuar. Autoritetet në Prishtinë e kanë lidhur atë me organizimin e barrikadave dhe trazirave në veri të Kosovës, si dhe me kontrabandën e naftës, drogës dhe armëve.

Megjithatë, autoritetet në Beograd nuk i kanë hetuar këto akuza. Në Serbi, Vesellinoviq është gjykuar dy herë për keqpërdorim të detyrës dhe parregullsi të tjera, por në të dyja rastet është shpallur i pafajshëm.

Ai ka qenë partner afatgjatë biznesi i Millan Radoiçiqit. Ndaj Radoiçiqit është lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar nga Interpol-i, me kërkesë të Kosovës, nën dyshimet se ka organizuar sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Edhe pse Radoiçiq e ka marrë publikisht përgjegjësinë për sulmin - në të cilin është vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku - në Serbi nuk është ngritur aktakuzë kundër tij.

Ndërsa Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Beogradi që t’i ndjekë penalisht përgjegjësit për sulmin në Banjskë, Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë në Serbi, me vendbanim të regjistruar në Beograd. Xhandarmëria e Serbisë angazhohet vetëm me miratimin e drejtorit të policisë.

Detyrat e saj kryesore janë: luftimi i terrorizmit, arrestimi i personave të rrezikshëm të kërkuar dhe rivendosja e rendit publik në situata krize. Po ashtu, ajo mund të angazhohet për mbrojtjen e objekteve dhe personave me rëndësi jetike për sigurinë e Serbisë.

Sipas Ligjit për Policinë dhe Kodit të Etikës Policore, zyrtarët policorë nuk lejohen të kryejnë aktivitete që krijojnë konflikt interesi ose cenojnë paanshmërinë dhe integritetin e shërbimit. Shkelje të tilla konsiderohen shkelje të rënda disiplinore dhe mund të çojnë deri te largimi nga puna.

Për mbikëqyrjen e punës së policëve është përgjegjës Sektori i Kontrollit të Brendshëm të Serbisë. Policët mund të ushtrojnë veprimtari shtesë vetëm me miratimin e eprorëve të tyre. Ligji për Sigurimin Privat përcakton se shërbimet e sigurimit privat nuk bëjnë pjesë në kompetencat e policisë.

Pavarësisht kësaj kornize ligjore, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi në muajin maj një ligj të ri, sipas të cilit çdo pjesëtar i policisë që “njollos stemën”, do të pushohet nga puna dhe do të arrestohet.

Ky paralajmërim erdhi pasi u arrestua ish-shefi i Policisë së Beogradit, Vesellin Milliq, nën dyshimet se kishte fshehur prova lidhur me vrasjen e një personi që lidhej me një nga grupet kriminale në Beograd./REL

vesellinoviq radoiçiqit

Sondazh

Poll

Dalin pamjet nga arrestimi i ‘bosit’ të call center-ave, Granit Pepnika teksa fshihej në Dhërmi

Dalin pamjet nga arrestimi i ‘bosit’ të call center-ave, Granit Pepnika teksa fshihej në Dhërmi

Stuhi shiu e breshëri në Elbasan, dëme në bujqësi dhe probleme në qarkullim

"140 nëpunës të administratës kanë hyrë në një program të IA"/ Rama: Do të shtrihet edhe...

Rama: Shqipëria po punon për modelin e parë të IA për prokurimet publike

Rama: Sistemi për herë të parë në Shqipëri, po lufton me korrupsionin

Rama tregon rastin e të moshuarës: Njerëzit nuk dalin në protestë vetëm për halle...

Rama për protestat: Janë mbledhur të gjithë dështakët dhe zemërakët

Aksion i IKMT në Jalë, shembet beach bar-i i ndërtuar pa leje

Dita e 33-të e protestës, protestuesi: U bëj thirrje pensionistëve të vijnë në protestë

Reagon protestuesi që u shoqërua në komisariat: Prangat na bënë ta duam më shumë lirinë

"Policia të mos ushtrojë dhunë"/ Ish-oficeri Ahmeti thirrje Hitës: Mbroje popullin tënd me ligj

Aktivisti nga kryeministria: Ata që janë sot në qeli do zëvendësohen me ministrat e qeverisë Rama

Gazetari lexon deklaratën në emër të protestuesve: Agresionit do i përgjigjemi me rezistencë

Protesta e 33-të, protestuesit para kryeministrisë: Edi Rama, o tradhtar, liro çunat sa më parë

Protesta para Parlamentit/ Aktivistja: Policët provokuan dhunë dhe ishte tërësisht joprofesionale

Dita e 33-të e protestës/ Qytetarët mblidhen në sheshin 'Skënderbej'

Urbani po kalonte në zonën ku ata po protestonin, protestuesit gjuajnë me vezë autobusin e Tufinës

Aktivisti: Taulant Balla është një bandit, i ka bërë thirrje policisë të ushtrojë dhunë

Protestuesja i gjen deputetët brenda qendrës tregtare: Idiot je vetë, palaço! I fshiheni popullit

Përshkallëzohet situata, protestuesit thyejnë xhamat e makinave të policisë

Përplasje fizike mes protestuesve dhe efektivëve të policisë, nisin arrestimet masive

Momenti kur një protestues godet me gur në kokë efektivin e policisë

Tensione te Kuvendi, protestuesit pengojnë largimin e Peleshit dhe qëllojnë me vezë automjetin e tij

Vijojnë tensionet, protestuesit heqin pjesë të gardhit metalik te Ministria e Brendshme

Adriatik Lapaj i bashkohet revoltës, protestuesit i kërkojnë të largohet

Tensione para parlamentit/ Protestuesit qëllojnë me miell e vezë makinën e Niko Peleshit

Protesta para Parlamentit/ Lëndohen tre efektivë, tre protestues shoqërohen me ambulancë

Spraj lotsjellës ndaj protestuesve, qytetarët pësojnë komplikacione shëndetësore

Protesta para Kuvendit/ Qytetari: Nisi shumë paqësisht, por më pas nisën provokime

Protestuesit heqin kordonin e policisë, efektivët përplasen me qytetarët

Protesta para Kuvendit/ Spiropali: Nuk duhet të merremi me protestuesit por me veten

Protestuesja qëllon me vezë deputetin e PS, Ramion Kurti

Deputeti i PS tenton të shkojë drejt Kuvendit nga qendra tregtare, por gjen dyert e mbyllura

Përshkallëzohet protesta para parlamentit, policia shoqëron pesë qytetarë

Protesta para Kuvendit/ Protestuesit presin deputetët e opozitës me thirrjet: Opozitë e shitur!

Aktivistët mobilizohen sërish: Do ndalojmë deputetët të futen në seancë, s’na përfaqësojnë

Dita e 32-të e protestës, qytetarët- Ramës: Do të të rrëzojmë si Enver Hoxha

Dita e 32-të e protestës, studentët: Kemi pafund arsye për të protestuar!

Studentët në ditën e 32-të të protestës: Nuk jemi financuar nga asnjë organizatë

Berisha:Është tradhti ndaj idealeve të lirisë po të mos mbështesësh këtë lëvizje të gjeneratës së re

Berisha: Këshilli Kombëtar do të drejtohet nga një zonjë, ja dy kandidaturat

Dita e 32-të e protestës/ Pensionisti: Duhet t’i kontrollojmë pasurinë politikanëve

Berisha: Mbështesim lëvizjen e gjeneratës së re, e cila nuk ndalet pa e rrëzuar këtë qeveri

Shpërndanin lëndë narkotike në plazhin e Durrësit, kapen në flagrancë dy të rinjtë

Salla shpërthen në të qeshura nga deklarata e Ramës: Ëndrra ime, të luftoj korrupsionin në Gjermani

Rama pranon se protestat janë kundër qeverisë: Mesazh i rëndësishëm për mua...

Rama nga Gjermania: Askund ky transformim nuk është me kaq ndikim

Rama: Shqipëria ka më shumë se 1000 shërbime publike digjitale

Plas te Zgjedhorja/ Manja lëshon gojën ndaj Ivi Kasos: O legen, qepe gojën

Protestuesit mblidhen para SPAK: Hetoni kryeministrin Rama, 'Albanian File' është provë krimi