LIVE UPDATES
Bota

A mund të bëjë Irani kompromis për shaminë?

Protestuesit thonë se nëse nuk veprojnë tani, mund të bëhen viktima të të njëjtit fat. Dhjetëra njerëz kanë vdekur tashmë në përleshjet me policinë, ndërkohë që protestat janë shtrirë në çdo cep të Iranit.

2 Tetor 2022, 19:01 Nga k.m.
A mund të bëjë Irani kompromis për shaminë?
Foto ilustruese

Irani ndodhet në kulmin e një revolte popullore, të shkaktuar nga vdekja e një vajze 22 vjeçe në paraburgimin policor në Teheran.

Mahsa Amini vdiq më 16 shtator, tri ditë pasi u arrestua nga policia e moralit për gjoja shkelje të rregullave të hixhabit, apo shamisë së kokës. Autoritetet thonë se Amini humbi jetën nga sulmi në zemër, por familja e saj dhe iranianë të tjerë besojnë se ajo vdiq si rezultat i rrahjes nga policia.

Protestuesit thonë se nëse nuk veprojnë tani, mund të bëhen viktima të të njëjtit fat. Dhjetëra njerëz kanë vdekur tashmë në përleshjet me policinë, ndërkohë që protestat janë shtrirë në çdo cep të Iranit. Gazetarja e Radios Evropa e Lirë, Golnaz Esfandiari, ka ndarë në Twitter një video, ku një protestuese duket duke prerë flokët, në shenjë mbështetjeje për Mahsa Aminin, derisa turma brohorit: “Vdekje diktatorit” - referencë kjo për udhëheqësin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei. Skena të paprecedente në Iran, ka shkruar Esfandiari. Këto nuk janë protestat e para masive në historinë e Republikës Islamike të Iranit. Më 2009 është protestuar për mashtrime në zgjedhje, më 2017 për keqmenaxhim ekonomik, më 2019 për rritjen e çmimit të karburanteve... Por, shumë vëzhgues besojnë se kësaj radhe është më ndryshe. Protestat, para së gjithash, bëhen nga gratë, por në to marrin pjesë edhe burra, të rinj, të moshuar, të klasave dhe grupeve të ndryshme etnike, që bashkërisht thërrasin sloganin: “Zhin, Zhiyan, Azadi”, apo “Grua, jetë, liri”.

Historiani iranian, Roham Alvandi, profesor në Shkollën Ekonomike në Londër, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se protestat - të papara në këtë shkallë dhe me këtë strukturë njerëzish - janë duke tundur themelet e Republikës Islamike.

“Kjo nuk është thjesht një lëvizje protestuese, që kërkon vota në zgjedhje ose drejtësi ekonomike. Ky është një refuzim i plotë i Republikës Islamike dhe thirrje për një shtet laik demokratik”, thotë Alvandi.

Ngjashëm shprehet për Exposenë edhe Alex Vatanka, drejtor i Programit për Iranin në Institutin për Lindjen e Mesme: “Ju shihni gjenerata të ndryshme në rrugë. Ju shihni gjyshe dhe gjyshër 70 vjeç, 80 vjeç. Është një pasqyrim i vërtetë i zemërimit të shoqërisë iraniane me një regjim të shurdhër, që nuk dëshiron të dëgjojë se njerëzit janë lodhur... Çfarë kanë për të humbur këta njerëz? Nëse keqtrajtoheni nga e ashtuquajtura polici e moralit vetëm pse keni treguar pak flokët, çfarë shoqërie është ajo”?

Gratë në Iran kanë qenë humbëset më të mëdha të shoqërisë që pas Revolucionit Islamik të vitit 1979. Klerikët udhëheqës i kanë detyruar ato të veshin hixhab dhe rroba të gjera që ua fshehin figurat, ua kanë marrë të drejtën për të udhëtuar pa shoqërues meshkuj, për të vizituar vende argëtuese, si dhe për të bërë çdo lloj pune.

Policia e moralit, mes tjerash, ka për detyrë të mbikëqyrë sjelljen e grave. Dënimet për shkelje të rregullave përfshijnë: gjobë, burgosje dhe rrahje me kamxhik.

Annabelle Sreberny, nga Qendra për Studime Iraniane në Universitetin Soas të Londrës, thotë për Exposenë se çështja e hixhabit i ka ndezur protestat në Iran, por se janë edhe një varg çështjesh të tjera që i kanë nxjerrë qytetarët në rrugë.

“Regjimi ka lejuar që inflacioni të arrijë në 40 apo 50 për qind. Edhe produktet bazike, si buka dhe orizi, janë tepër të shtrenjta për iranianët e zakonshëm. Këto janë probleme ekonomike, por Irani ka edhe probleme të tmerrshme mjedisore, ka probleme me ujin, me thatësinë... Ajri i ndotur në Teheran dhe në qytete të tjera, për shkak të benzinës me plumb dhe përdorimit të tepërt të makinave, nënkupton që shkollat duhet të mbyllen shpesh dhe njerëzit me vështirësi në frymëmarrje të qëndrojnë brenda. Çfarë po bën regjimi?”, pyet Sreberny.

Regjimi është zotuar se do të ndërmarrë “masa të forta” kundër protestuesve.

“Qeveria duhet të reagojë me vendosmëri” kundër tyre, ka thënë presidenti iranian, Ebrahim Raisi.

Në rrugë janë vendosur forca të shtuara të sigurisë, përfshirë Gardën Kombëtare. Raportet flasin për dhjetëra njerëz të vrarë nga përleshjet - në mesin e tyre edhe protestues, edhe policë. Sipas organizatës për të drejtat e njeriut, Amnesty International, disa protestues janë qëlluar për vdekje me fishekë metalikë.

Historiani iranian, Roham Alvandi, thotë se protestat janë sfida më serioze për regjimin në disa vite. Megjithatë, ai nuk beson se establishmenti iranian do të heqë detyrimin për veshjen e shamisë - së paku jo tash për tash.

“Nëse shamia bie, bie edhe Republika Islamike”, thotë Alvandi. Kjo, sipas tij, mund të ndodhë vetëm nëse presioni i protestave vazhdon për kohë më të gjatë.

“Ky është një aparat masiv shtetëror. Bëhet fjalë për qindra mijëra njerëz që udhëheqin këtë qeveri. Nuk mund të pajtohen të gjithë me atë që po ndodh. Jam i sigurt se protestat vrasin ndërgjegjen e shumë prej tyre. Dhe, sa më shumë që vazhdojnë ato, aq më shumë do të rriten gjasat që të dëgjojmë thirrje përbrenda regjimit për ndryshime thelbësore në Iran”, thotë Alvandi.

Alex Vatanka, nga Instituti i Lindjes së Mesme, thotë se regjimi iranian e ka përsosur “artin e represionit”. Sipas tij, udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, nuk e kupton fjalën kompromis.

“Ai është jashtëzakonisht kokëfortë. Ai vërtet nuk beson në kompromis. Ai mendon se kompromisi është fjalë e keqe, se është shenjë e dobësisë. Dhe, nëse tregoni dobësi, armiqtë do të kërkojnë më shumë prej jush. Kjo nuk është ajo që ai do. Si 83-vjeçar, ai nuk mendon se është koha për të treguar dobësi”, thotë Vatanka.

Vatanka shton se është vështirë të parashikohet fundi i këtij kapitulli që ka nisur. Për të kaluar në një shkallë tjetër, ai thotë se protestat duhet të kenë një udhëheqës të identifikueshëm, të cilin aktualisht nuk e kanë. Ai thotë se autoritetet edhe mund të kenë sukses në shtypjen e tyre, por se zemërimi do të mbetet.

“Një grua e pafajshme 22 vjeçe është vrarë pa ndonjë arsye të mirë. Një qytetare e një vendi që pretendon se ofron siguri, por shpeshherë është arsyeja kryesore përse qytetarët iranianë ndihen të pasigurt. Derisa Republika Islamike nuk i ndryshon politikat e saj, nuk i dëgjon njerëzit e saj dhe nuk e ndryshon qasjen si brenda, ashtu edhe jashtë, ky zemërim nuk do të zhduket. Regjimi mund t’i shtypë këto protesta që po shohim tani. Por, pas disa muajsh, pas disa vitesh, ato do të rikthehen”, thotë Vatanka.

Derisa regjimi iranian ka kufizuar edhe qasjen në internet, analistët thonë se është e rëndësishme të gjenden mënyra që protestat të mbeten edhe në fokusin ndërkombëtar, ndërsa presioni mbi regjimin të rritet. Alvandi kujton se protestat janë duke ndodhur në kohën kur Perëndimi dhe Irani po negociojnë për ringjalljen e një marrëveshjeje bërthamore.

“A është në rregull që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara t’i vazhdojnë negociatat me Iranin, ndërkohë që iranianët vriten në rrugët e qyteteve të Iranit? Unë nuk mendoj se është. Unë mendoj se negociatat, së paku, duhet të pezullohen”, thotë Alvandi.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione mbi policinë morale të Iranit, duke thënë se e konsiderojnë përgjegjëse për vdekjen e Mahsa Aminit në paraburgim. Nga Zyra për të Drejta të Njeriut e Kombeve të Bashkuara e kanë dënuar dhunën, duke thënë se forcat iraniane të sigurisë kanë përdorur në disa raste municion të gjallë.

Në mediat sociale, emri i 22-vjeçares që vdiq në paraburgim, është bërë simbol. Në gjuhë dhe forma të ndryshme, hashtagu Mahsa Amini është përdorur mbi 100 milionë herë në Twitter. Njerëz të famshëm, aktorë, atletë, kanë dalë publikisht në mbështetje të protestuesve iranianë, duke kërkuar që shteti të tërhiqet dhe t’i dëgjojë ata.

Protestat solidarizuese janë shtrirë në vende të ndryshime të botës, nga Berlini i Gjermanisë deri në Santiago të Kilit.

“Regjimi iranian u tregon grave se çfarë duhet të veshin. Ne, thjesht, duam lirinë për të vendosur vetë, se çfarë duam të bëjmë dhe çfarë duam të veshim. Vetëm liri”, ka thënë për agjencinë Reuters një protestuese në Berlin.

Nuk ka asnjë garanci se gratë iraniane do ta rikthejnë këtë liri që kanë gëzuar para Revolucionit Islamik të vitit 1979. Por, një gjë është më e sigurt: publiku i gjerë, për kohë të gjatë, do ta mbajë mend emrin e Mahsa Aminit dhe fotografinë e saj në spital, të lidhur me tuba dhe me fasha, duke luftuar pa sukses për jetën e saj./VOA

iran protestat ne iran

Sondazh

Poll

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet