2 Prill 2024, 07:32
Nga M.B
Foto nga vendi i ngjarjes
PËRMET- Mjeti me të cilin dyshohet se udhëtonin 7 emigrantë klandestinë dhe shoferi nga Shkodra është dëmtuar plotësisht nga aksidenti i rëndë që i mori jetën 8 personave. Makina doli nga rruga në aksin Këlcyrë- Përmet dhe ra në anë të lumit Vjosë. Përplasja e mjetit tip Benz ka ndodhur rreth orës 04:00 dhe dyshohet se ngjarja erdhi si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga drejtuesi.
Njoftimi i policisë:
Këlcyrë/Informacion paraprak
Rreth orës 04:00, në aksin rrugor Këlcyrë- Përmet, në afërsi të fshatit Kuqar, dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga drejtuesi, automjeti tip Benz ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosë.
Si pasojë e daljes nga rruga kanë humbur jetën 8 shtetas.( 7 shtetas dyshohet se janë nga vendet e treta dhe drejtuesi i automjetit nga Shkodra). Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor i cili nën drejtimin e Prokurorit punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Gjithashtu në vendngjarje ndodhen Drejtori Vendor i Policisë, Drejtori i Departamentit për Kufirin, Drejtori i Policisë Rrugore dhe Drejtori i Rendit Publik. Po në vendngjarje ndodhen dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë. Në përfundim të veprimeve të para do ketë njoftim më të detajuar.