LIVE UPDATES
Art&Argëtim

12 Mars 2020, 17:17 Nga DOSJA

Nëse Ayn Rand shkruan “Ne, të gjallët” për karakteret dhe dashuritë që diktatura shkatërron në Shën Petërburg, në vitin 1961 në Tiranë, do të nisnin histori ndarjesh për së gjalli, që nuk do të shkruheshin askund. Janë drama familjare që nuk ngrihen në nivelin e ngjarjeve historike. Janë krime që nuk njihen si të tilla. Janë padrejtësi që humbasin në albume personale fotografish. Janë histori më fund të pakuptimtë. Skulptori Thanas Papa, ka treguar para 10 vitesh, në moshë të thyer, një nga këto histori. Një nga shumë histori të diktaturës, por që ishte historia e jetës së tij

Nga lufta, Leningradi i atëhershëm kishte humbur pjesën më të madhe të popullsisë, por kultura e banorëve të atij qyteti ishte aq rrezatuese sa, dhe pse përbënin pakicën, iu përcoll natyrshëm shumicës së banorëve të ardhur nga qytete të tjera. Pjesë e kësaj kulture ishte dhe përshëndetja e njerëzve të panjohur në qytet. Një përkulje koke, një shenjë respekti që, e shumëfishuar në rrugët, sheshet e urat e qytetit, krijonte atë tis qytetarie që mbështillte Leningradin që nga koha kur quhej Shën Petërburg. Ishte mësuar me këto modele sjelljeje edhe studenti shqiptar i skulpturës, Thanas Papa që prej vitesh jetonte në Leningrad. Prej shtatorit 1951, ai ishte student i Akademisë së Arteve të qytetit, ku njëkohësisht kishte nisur edhe Fakultetin e Arkitekturës.

Rruga për në universitet, pikërisht aty ku kalonte mbi urën Lietnant Schmidt, i kryqëzohej herë pas here me një vajzë simpatike ruse, e cila shkonte në një universitet tjetër, ku studionte gjuhën kineze. Këtë gjuhë do të fliste miqësia e tretë e Shqipërisë me vendet komuniste të Lindjes, por tani ishin vitet ’50 dhe aleati i Shqipërisë ishte Bashkimi Sovjetik, vendi në universitetet e të cilit niseshin çdo vit të rinj, të cilët këshilloheshin nga partia, jo vetëm të studionin e të miqësoheshin me vendasit, por edhe të martoheshin me ta për ta përforcuar këtë miqësi.

Sigurisht, Thanasit nuk i shkuan në mendje rekomandimet e partisë kur kryqëzoi shikimet duke shkuar në leksion me rusen simpatike, ditën kur përshëndeti për herë të parë mbi Negev, as herës tjetër kur ajo i ktheu përshëndetjen, as ditën kur ndaluan hapat dhe u prezantuan dhe as më vonë, kur fare natyrshëm u kthyen në shokë të ngushtë…Shën Petërburgu të bën të mendosh për dashuritë e mëdha ruse, por historia e tyre nisi si një miqësi e simpati nga ato që lindin në çdo qytet universitar: të vërteta, por të shkujdesura, të forta, por pa ngarkesën e një drame. Drama do të vinte më pas edhe pse nuk kishte të bënte as me dashurinë e as me ndjenjat e larta të romaneve. Ishte një dramë e shkruar me gjuhë zyrtare dhe e firmosur nga duart e diktaturës.

I ftuar në programin Histori me zhurmues të Pandi Laços, në TV Klan, në vitin 2010, skulptori Thanas Papa, tregoi që ngjitur me Akademinë ishte dhe universiteti ku studionte Valentina, që i ndante një park i madh. Rrugës për në universitet ata u njohën dhe u miqësuan. Mirëpo pas katër vitesh shkollë Valentina u diplomua dhe u emërua në Lindjen e Largët duke qenë që ishte specializuar për gjuhë kineze, ndërsa skulptorit të ri i duheshin edhe dy vite për t’u diplomuar sepse studimet e tij zgjasnin gjashtë vjet. Ajo shkoi ta takonte para se të nisej, po atij i erdhi shumë keq.

“Unë u preka në atë moment. Si ka mundësi?- i thashë.-Nuk duhet të ikësh”, ka kujtuar Shabani ngjarjet e vitit 1956 në studion e “Histori me zhurmues“.

Marrëdhënia e tyre e lehtë, kishte nisur të fitonte peshë në çastin që po vihej në diskutim, si ajri që nis të të duket i rëndë pikërisht në çastin kur nis të të mungojë.

“Do interesohem unë që të emërohesh në Leningrad”, kishte thënë papritur Thanasi ndoshta pa e ditur as vetë çfarë po thoshte. Më pas, kishte ndodhur diçka që nuk e kishin menduar. Duket se gjuha e romancave të mëdha kishte vendosur ta shkruante vetë këtë dashuri që studentët nuk po arrinin ta shprehnin. Sepse ndërkohë që ai kërkonte në zyrat shtetërore që “padrushka” e tij të emërohej në Leningrad, duke menduar që po interesohej për shoqen e tij, zyrtarët kishin kuptuar që po lutej për partneren dhe pranuan. I kërkuan vetëm një dokument, që nuk e kishte dëgjuar më parë dhe kur ia tha Valentinës ajo mbeti paksa e habitur. “Po ti e di çfarë do të thotë kjo?“, e pyeti Valentina.

“Kjo është martesë”. Atëherë, ai e humbi pak toruan, por përsëri nuk donte të dukej si i penduar, sepse nuk ishte. Vërtet që nuk kishte menduar të martohej me të, por nëse do martohej me një vajzë, ajo nuk kishte pse të mos ishte Valentina. “Pse ti nuk je dakord?”, i thashë pasi e mblodha veten”,-ka treguar skulptori i moshuar. “Nuk kam ndonjë kundërshtim”,– ia kishte kthyer ajo duke qeshur.

Jetuan bashkë dy vitet në vazhdim. Pastaj, në Leningrad do të vinte sekretari i Ambasadës Shqiptare në BS, Zeqi Agolli që do t’i kujtonte Thanasit që duhej të kthehej, ndërsa ai ishte duke pritur diplomimin nga fakulteti i dytë. I tha madje që i kishin prerë dhe biletën, gjë që më pas u kuptua që nuk ishte e vërtetë. Donin vetëm t’i bënin presion që të kthehej sa më parë, siç edhe ai bëri në nëntor të vitit 1958 kur erdhi në Tiranë me dy diploma universitare, por pa gruan e tij të re. Valentina do t’i bashkohej marsin e vitit 1959 dhe në dhjetor, ndërsa ishin duke pritur fëmijën e tyre të parë, morën edhe shtëpi në Rrugën e Durrësit. Gjithçka dukej se po shkonte mirë, por viti 1961 po afrohej. Ishte viti kur u prishën marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, një nga ato pak raste në histori kur prishja e marrëdhënieve diplomatike, më shumë sesa kudo përjetohet në zemrat e njerëzve.

“Prishja e marrëdhënieve bëri përshtypje të madhe. Edhe te familja ime pati një shokim. Unë nuk doja që të ikte, gruaja ime ishte ndër të fundit që u largua në të vërtetë, ajo qëndroi deri në dhjetor të vitit 1961, por gjendja ishte e padurueshme. Çdo javë duhet të paraqitesha në Degën e Brendshme, ajo duhej të paraqitej dy-tri herë në javë në Ambasadën Sovjetike. Ishte kusht për të vërtetuar që ishte në Shqipëri. Prindërit e gruas sime ishin punonjës partie dhe pas vdekjes së Stalinit kishte filluar të hakmerreshin ndaj tyre. Kur Valentina mori në telefon të ëmën dhe e pyeti: “Unë, si të bëj, të vij apo të rri?”, ajo i tha: “Ç’janë këto që dëgjoj? Ti ke burrë!”

Ne po mendonim ndarjen dhe unë mbeta i tronditur nga këto fjalë që dëgjoheshin nga receptori. Megjithatë bëra mënjanë dhe ajo mbaroi bisedën, por ne vendosëm që duhet të ikte. Mua më thirrën në Front dhe anëtarët e tij më pyetën:

“Gruaja juaj si do veprojë, do qëndrojë apo do ikë?” Nuk na detyruan të ndaheshim, por vetë thirrja ishte një e thënë qartë që duhej të largohej, me dhimbje qe, por duhej bërë ajo ndarje në atë moment. Ishte vajza në mes. Unë nuk doja ta jepja fëmijën, por kur e pashë që erdhi fundi i dhjetorit e vura firmën që isha dakord mbasi mendoja që është vajzë, nuk do kem mundësi ta mbaj vetë dhe kur iku, e përcollëm në aeroport. Erdhi dhe babai im. Qe një traumë e vërtetë, një traumë nga nuk e mora më veten për shumë vite dhe nuk më bëhej të martohesha. Vetëm pas 24 vitesh e kuptova që duhet të krijoja familje. Edhe pse ndonjëherë më shkonte mendja te rikthimi ynë, duke njohur gjendjen e asaj kohe dhe ashpërsinë e partisë, nuk kisha më shpresë. Ne vazhduam letërkëmbimin nga 21 dhjetori i 1961-shit deri në shtator të 1962-shit. Më pas nuk na i sollën as letrat. Kur u takuam pas 30 vitesh, ajo më tregoi që kishte vazhduar të shkruante, por letrat nuk vinin”.

Thanasin e lanë vetëm, por jo të qetë. Në vitin 1966 e thirrën në Gjykatën e Tiranës në rrugën e Durrësit ku i paraqitën një kërkesë divorci, gjoja të ardhur nga Moska. Pa një firmë që edhe ngjante me të sajën edhe nuk i dukej si e saja. “Në atë moment mendova që ose ajo është në vështirësi të mëdha politike, ose i ka dalë fati dhe s’ka pse ta pengoj. E firmosa“, ka treguar skulptori.

Ai tashmë kishte nisur ta ndiente presionin që e rrethonte, deri edhe nga kolegët dhe shokët me të cilët kishte studiuar në Leningrad. E kritikonin në diskutimet krijuese, i qëndronin ftohtë. Megjithatë ai nuk fliste.

“Një rol të madh në këtë çështje ka luajtur miku im, Guri Madhi. Nga fundi i marsit ,vjen Guri me një shishe verë në dorë dhe më jep të pi. I them: “Guri, ktheje ti, je më i madh”, por ai këmbëngul që të pi unë dhe filloi një bisedë të zakonshme dhe në bisedë e sipër, disa herë, ma zgjati shishen. Kur e pashë që po shkonte drejt gjysmës, i thashë: Po ktheje edhe ti. “Edhe unë do ta kthej, tha, por pi ti që të vish në vete”. Unë e ktheva dhe një herë dhe Guri më tha: “Vëre vëth në vesh këtë që po të them”. Unë Gurin e dëgjoja jo vetëm sepse e kisha mik, por sepse Guri ishte shumë i lartë, i zgjuar, talent i jashtëzakonshëm, mik i jashtëzakonshëm. “Kapi buzët dhe shtrëngoji”. “Po më dhembin”, i thashë. “Më mirë të të dhembin buzët, sesa koka. Ti që sot e tutje je i verbër, memec dhe i shurdhët”, më tha dhe ashtu bëra. Sado që kam pasur sulme të shumanshme unë gojën e kam pasur të qepur sepse mendova që të mund të mbijetoj”.

Do të mbijetonte me vështirësi. Në dhjetor të vitit 1965, e thirrën në Komitetin Qendror, në Drejtorinë e Arteve dhe i thanë që duhej të largohej nga Tirana, por meqë ishte artist i kategorisë së parë, mund të zgjidhte ai ku do të shkonte. Në janar të vitit 1966, doli thirrja: Të shkojmë atje, ku japim më shumë. Në mbledhjen e Lidhjes së Artistëve, Shabani u ngrit e tha që ishte i gatshëm të transferohej, mirëpo vendi ku kishin menduar ta çonin ishte një fshat, Lapardha në Berat, ku një artist si ai, që kishte bërë vepra të mëdha në Leningrad dhe i kishin propozuar të qëndronte atje, nuk mund të ishte më shumë sesa një bujk apo mësues vizatimi i një shkolle 7-vjeçare.

Kështu unë do t’i marr shtetit, nuk do t’i jap”, u mundua të kundërshtonte Thanasi. Arriti të qëndronte në Tiranë, por si punëtor fonditor në fonderinë artistike që u hap në uzinën Dinamo ku do derdheshin veprat artistike në bronz. Bashkë me bustet e statujat derdhi dhe bulona e pjesë turbinash, por të paktën vazhdoi të kishte shtëpinë dhe studion e tij në Tiranë. “Në fund të 69-ës, më thërrasin në Komitetin e Partisë dhe më thonë që do ngrinin një ndërmarrje për derdhjen e monumenteve në bronz, më thonë: Do shkosh ti! U thashë: M’u bënë 5 vjet në uzinë. Po nuk kisha si të veproja. Shkoj në ndërmarrjen e riprodhimit të veprave të artit. Isha kryetar i degës së prodhimit, por unë vishja kominoshet dhe punoja vetë me punëtorët.

Kështu vazhdoi jeta e tij, vazhdimisht në buzë të greminës, nga e cila e shpëtuan disa rastësi, si për shembull fakti që kishte komshi vëllanë e Kadri Hazbiut, apo që në vitin 1960, iu kërkua t’i bënte një bust Mehmet Shehut, për realizimin e të cilit pozoi për ditë me radhë, i biri, Vladimiri, meqë i ngjante shumë të atit në atë moshë. Këto njohje do e mbronin, kur anëtarë të tjerë të kupolës politike, vendosnin ta sulmonin. Dhe sakaq ende, brenda tij, nuk ishte fashitur tronditja e ndarjes nga Valentina dhe e bija. Shqipëria ishte miqësuar me Kinën, gjuhën e së cilës Valentina e fliste aq mirë. Në apartamentin e tij në Tiranë, ai kishte disa orendi që i kishte sjellë nga Bashkimi Sovjetik. Ishin disa gjëra të vogla që kishin mbetur nga diçka e madhe si familja, që kapnin kujtimet e tij, me të cilat ai zgjodhi të jetonte për 24 vjet.

“Mbas 24 vitesh, vendos të krijoj familje të re. Kishin rrjedhur shumë ujëra. Po ndieja që isha qyqar, i vetëm. Me vështirësi kisha mbajtur shtëpinë.Kisha pasur shumë sulme, për të më marrë shtëpinë dhe studion. Ishte vitit ’84 kur u martova dhe nuk u martova sepse u dashurova, por sepse përzgjodha nga të gjitha propozimet që më bëheshin dhe vendosa të martohesha. Sigurisht nuk jam penduar. Gruaja që kam sot është një grua e shkëlqyer që më ka ndihmuar shumë. Linda dy fëmijë të tjerë, djalin skulptor, vajzën, arkitekte urbaniste. Ka qenë gruaja ajo që në ’91-shin më thotë: “Shko të gjesh vajzën tënde, ku të jetë. Të shkosh ta takosh. Kanë kaluar 30 vjet”. Bëra dokumentet, mora biletën, u nisa për Moskë. Atje takova vajzën që ishte bërë 32 vjeçe dhe Valentinën që nuk ishte martuar. I ra si bombë kur i thashë që ajo më kishte kërkuar divorc me një shkresë. “Nuk është e vërtetë”, tha. As ato nuk e kishin pasur të lehtë. Valentina nuk kishte gjetur punë. Në përgjithësi me fëmijët me origjinë shqiptare ishin hakmarrë në kohën e Brezhnjevit, shumë ishin arratisur, por vajza shpëtoi nga një koincidencë, emri im që kthehet në mbiemër në Rusi, nuk binte shumë në sy dhe ajo kishte mbaruar studimet për elektronikë dhe e gjeta në një institut studimor ku punonte si konstruktore elektronike”.

Nuk është ky skenari më i dhimbshëm sesi mund të rridhnin jetët e tyre pas vitit 1961. Ky është skenari i vërtetë sesi rodhën jetët e dhjetëra çifteve që u deshën, por u ndanë për së gjalli.

Marre nga:kujto.al

(A.K.dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

dikur dikur thanas papa thanas papa

Sondazh

Poll

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet