Aktualitet

Bashkia Tiranë tërhiqet nga metoda e Teatrit Kombëtar, nuk do ndërtohet nga Fusha SHPK, por me para publike

  • Budina: Jemi për restaurim, qëndresa jonë u ndryshoi mendjen
  • Veliaj: Do ta ndërtojmë vetë, më shpejt e me gjithë teknologjitë
  • Basha: Nuk u hidhni dot hi syve shqiptarëve me njoftime gjysmake
  • Kastriot Çipi: Ulërimat e idiotëve të padobishëm tani duhet të heshtin…
  • Në një njoftim për mediat bashkia bën me dije se TK do ndërtohet me fonde publike dhe godina e re do plotësojë të gjitha kërkesat teknike të artistëve për vënien në skenë të shfaqeve.
    Featured image of article: Bashkia Tiranë tërhiqet nga metoda e Teatrit Kombëtar, nuk do ndërtohet nga Fusha SHPK, por me para publike Projekti i Teatrit që nuk do realizohet

    TIRANË-  Teatri i ri Kombëtar nuk do ndërtohet nga Fusha SHPK. Ky është njoftimi që ka bërë sot Bashkia e Tiranës, e cila njofton se është tërhequr nga forma me të cilën do të ndërtohej,  godina e re me partneritet publik privat dhe tashmë ndërtimi do bëhet me buxhetin e bashkisë. Në një njoftim për mediat bashkia bën me dije se TK do të ndërtohet me fonde publike dhe godina e re do plotësojë të gjitha kërkesat teknike të artistëve për vënien në skenë të shfaqjeve.

    Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës njoftoi se arsyet e mos rënies dakord me palën private, që ishte ofruar për ndërtimin e teatrit të ri, lidhen me pamundësinë e kompanisë për ta realizuar projektin në një kohë të shpejtë dhe sipas të gjitha kërkesave teknike të kërkuara nga përfaqësia e artistëve në komisionin e negocimit. Teatri i ri do ndërtohej në bashkëpunim me Fusha SHPK dhe kompaninë daneze që drejtohen nga Bjarke Ingels, por marrëveshja mes tyre nuk është realizuar.

    DEKLARATA E PLOTË

    Në mbështetje të ligjit nr. 37/2018 dhe vendimit nr. 352, datë 04.04.2019 të Këshillit të Ministrave, pranë Bashkisë së Tiranës u ngrit komisioni për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, në përbërje të të cilit ishte edhe përfaqësia e artistëve. Komisioni i vlerësimit dhe negocimit nisi punën me hartimin e thirrjes së hapur për palët private të interesuara për të marrë pjesë në këtë procedurë konkurruese dhe paraqitjen e një oferte financiare për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe zhvillimin e zonës urbane. Thirrja e hapur u publikua në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës, si dhe u dërgua për botim në buletinin zyrtar të Agjencisë së Prokurimeve Publike.

    Pas përfundimit të afatit për dorëzimin e ofertave, komisioni i vlerësimit, në përputhje me parashikimet ligjore dhe nën ekspertizën konsulentit të përzgjedhur për të ndihmuar komisionin, nisi punën me negocimin e ofertës së palës private të interesuar. Komisioni i negocimit, në mbështetje të të gjitha kërkesave të komunitetit të artistëve për një teatër modern, i cili përmbush kriteret e nevojshme për realizimin profesional e me cilësi të shfaqjeve teatrale, nuk arriti të gjejë dakordësinë me palën private. Modeli financiar i propozuar nga pala private e interesuar për ndërtimin e godinës së Teatrit të ri Kombëtar dhe zhvillimit të zonës urbane, por edhe kompleksiteti i projektit, i cili duhet të përmbushte të gjitha kërkesat teknike të kërkuara nga përfaqësia e artistëve në komision, nuk mundësonte ndërtimin e godinës në një kohë të shpejtë dhe me infrastrukturë moderne për një teatër bashkëkohor.

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Nisur nga interesi për të ndërtuar një godinë bashkëkohore dhe moderne, që plotëson të gjitha kushtet teknike për realizimin e shfaqjeve, e cila t’i shërbejë komunitetit artistik teatror dhe publikut artdashës, Qeveria dhe Bashkia e Tiranës vendosën që godina e re e Teatrit Kombëtar të ndërtohet nga shteti si një investim publik. Për këto arsye, Bashkia e Tiranës do t’i kërkojë Qeverisë Shqiptare që ta mbështesë financiarisht për realizimin e kësaj vepre ikonike për qytetin dhe vendin tonë. Bashkia e Tiranës zotohet se do ta ndërtojë Teatrin e ri Kombëtar në një kohë më të shkurtër kalendarike dhe në përmbushje të të gjitha kërkesave teknike të shprehura nga komuniteti i artistëve në konsultimet publike. Puna për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar do të nisë brenda vitit të 100 vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet të Shqipërisë.

    DEBATI PËR TEATRIN KOMBËTAR

    Bashkia Tiranë dhe disa prej artistëve që luanin në Teatrin Kombëtar kanë 2 vjet që përplasen. Në shkurt të vitit 2018, kur po diskutohej ligji për artin dhe u hodh projekt ideja për shembjen e godinës ekzistuese të teatrit dhe zëvendësimit me të re, nisën dhe protestat e para. Në atë kohë shumica e artistëve ishin kundër bashkisë dhe qeverisë dhe u mblodhën në sallën e Teatrit Kombëtar ku kërkuan që godina të mos shembej. Në kryeministri u prezantua dhe projekti i ri i teatrit nga kompania daneze e Bjarke Ingels, e cila u kundërshtua. Artsitët shpreheshin se pas projektit me PPP, fshihej ndërtimi i disa kullave shumë katëshe, që do jepeshin si shpërblim nga autoritetet për nënkontraktorin që do ndërtonte godinën e teatrit. Për shumë muaj artistët organizuan protesta, por bashkia dhe qeveria shprehej e vendosur se teatri i ri do ishte ai që u prezantua nga Bjarke Ingels. Në verë, bashkia dhe Ministria e Kulturës nisën dhe zhvendosjen e materialeve nga Teatri Kombëtar dhe kërkuan nga artistët protestues që të ndalnin qëndresën e tyre dhe të pranonin se ky projekt ishte më i miri i mundshëm. Për disa muaj u vendos “paqe’ mes bashkisë dhe artistëve dhe sot Bashkia njofton se është tërhequr nga projekti dhe tashmë do ketë garë për ndërtimin e Teatrit të ri.

    (A.B;F.G/ Dosja.al)

    Shto Koment