Protesta për Zvërnecin/ Protestuesit çajnë kordonin metalik, policia i sulmon me ujë. Tubimi shpërndahet në gjithë Tiranën
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
Tragjedia me dy viktima në Shëngjin, policia jep detaje: Të gjithë shtetas nga Kosova, tre persona në spital 3 Qersho...
“Ka forca në Shqipëri dhe jashtë që janë kundër”/ Rama: Të rreshtohesh me PS, do të thot&eum...
"Shqipëria është e shqiptarëve"/ Qytetarët mbushin rrugët e Tiranës, kërkojnë anulimin e pr...
E nderuara redaksi e gazetës “Panorama”!
Në gazetën tuaj të dt. 19 prill keni botuar një shkrim të shkurtër, titulluar “Vukaj: Tufa spiun i rusëve”. Që në fillim dua t’ju them se kjo është krejtësisht e pavërtetë dhe pa asnjë bazë. Kurrë, në asnjë vend dhe në asnjë rast nuk e kam quajtur Agron Tufën spiun, ashtu siç nuk kam quajtur askënd në jetën time me një emër të tillë.
Sipas shkrimit tuaj, të botuar pa asnjë përgjegjësi, më keni vënë edhe në pozicionin e nënkryetarit të Organizatës Kombëtare të Veteranëve, çka nuk jam dhe nuk do të jem asnjëherë.
Letra, së cilës ju i referoheni i është dërguar kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, dhe kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, nga Kryesia e Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut, ku unë jam nënkryetar. (Kryesia ka afro 20 anëtarë, ndërmjet të cilëve profesorë, shkrimtarë, doktorë shkencash, pedagogë, inxhinierë etj.).
Për dijeninë tuaj, kur është diskutuar kjo letër në Kryesi, kanë folur disa prej anëtarëve. Dhe ajo që bënte përshtypje ishte se shumë prej tyre folën ashpër kundër Agron Tufës dhe qëndrimeve të tij ndaj Luftës Nacional-Çlirimtare dhe Dëshmorëve të Atdheut. Unë nuk kam folur, jo se nuk isha dakord me përmbajtjen e kësaj letre, madje doja të ishte më e ashpër, jo kundër tij, por kundër atyre që u drejtohej letra dhe atyre që paguajnë atë Institut për libra e shpifje kundër Luftës Nacional-Çlirimtare e Dëshmorëve të Atdheut.
*****
Nuk kam ndërmend të hyj në polemikë me Agron Tufën, nuk e ul veten në nivelin e tij. Atë tashmë e njeh e gjithë Shqipëria se ç’përfaqëson, si shpif e gënjen për këdo. Por gjithsesi, do sqaroj dy probleme për të cilat ai shpif, gënjen e akuzon për punën e ambasadës shqiptare në Moskë dhe për familjen time.
Kam shkuar në Moskë në detyrën e ambasadorit në korrik të vitit 1998. Emrin e Agron Tufës e kam dëgjuar për herë të parë nga këshilltari i ambasadës, Jorgo Bllaci, si poet që kishte përfunduar Institutin e Letërsisë në Moskë, por që kishte krijuar shumë probleme me tre shokët e tij shqiptarë të këtij Instituti dhe madje siç thoshin, ai kishte shkruar në shtypin rus kundër tyre me emrin e një rusi….
Megjithëse më kishin thënë për sjelljen e tij ndaj shokëve, Agronin e kam pritur dhe e kam trajtuar mirë, pa u marrë fare me problemet që kishte ai me shokët e tij….Na bënte përshtypje se, siç thoshin, megjithëse Agroni kishte qëndruar në Moskë, nuk vinte në ambasadë, madje as në pritjet që organizonim e ku i ftonim të gjithë shqiptarët.
Në kulmin e luftës në Kosovë, kanali kryesor televiziv rus më kërkoi të zgjidhja një shqiptar dinjitoz, i cili, në një emision-debat për luftën në Kosovë, do të ballafaqohej me një serb. Unë zgjodha Agronin, me mendimin e mirë se e zotëron rusishten shumë mirë dhe si intelektual do të dijë të mbrojë denjësisht çështjen e Kosovës. E thirrëm bashkë me këshilltarin e ambasadës, Jorgo Bllacin. Mbasi i thashë përse e kisha thirrur, për çudinë time ai nuk pranoi të shkonte në debat e të ballafaqohej me serbin e rusët që mund të merrnin pjesë në debat, madje na tha se “nuk i njihni ju rusët, ata të vrasin natën….”
M’u duk e pabesueshme ajo që dëgjoja prej gojës së tij, në atë kohë kur vëllezërit kosovarë përballeshin me pushkë e vriteshin me serbët dhe ky far trimi pati frikë të ballafaqohej me një serb në një debat televiziv. Agronit duhet t’i kujtohet mirë se çfarë i tha Jorgo në të dalë…. Këtë rast e mbajnë mend mirë sekretari i shoferi i ambasadës, sepse u diskutua gjatë qëndrimi i këtij “patrioti”, që na bëri përshtypje të gjithëve. Dua të kujtoj me këtë rast Sejfulla Malukën, i cili pranoi të shkonte dhe u ballafaqua denjësisht me serbin dhe rusët që drejtonin emisionin, ku foli me maturi, guxim e burrëri…. megjithëse kishte lidhje fisnore me rusët dhe jetonte me familje në Moskë. Kanë kaluar 20 vjet, por dua ta falënderoj publikisht për qëndrimin e tij burrëror.
Mbas kësaj ngjarjeje na humbi filli i Agronit dhe nuk erdhi më asnjëherë në ambasadë, sa isha unë në Moskë. Një ditë më vjen Jorgo në zyrë dhe tepër i nevrikosur më thotë se një gazetë e Tiranës kishte botuar një shkrim me titull “Shkrimi që tronditi shtypin rus” (Fjala ishte për një artikull që kishte shkruar Agron Tufa në shtypin rus). Jorgoja me atë pasionin e njohur të tij, tepër i revoltuar, kishte përgatitur një telegram të gjatë për Ministrinë e Jashtme, ku shpjegonte gjatë se ç’përfaqësonte ky Agron Tufa, ç’ishte ajo gazetë që e kishte botuar etj.. Mbasi e qetësova dhe lexova telegramin që kishte përgatitur, i hoqa ato fjalë për Agronin dhe e firmosa për ta nisur në Tiranë. Mbaj mend se ndërmjet të tjerave Jorgo shkruante se: “Ky artikull është botuar në një gazetë ruse që qepet me tel….” (Telegrami ndodhet në Ministri të Jashtme).
Rasti i fundit që e kam parë Agron Tufën ka qenë në Universitetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës, kur erdhi një delegacion i Ministrisë Punëve të Jashtme. Më ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme qëndrimi i tij në atë rast. Sa na pa ne që hymë në sallën ku do të zhvillohej takimi, iku me vrap dhe u fsheh tamam si ata lepurushët ndër lakra. Nuk e kuptova asnjëherë përse u fsheh prej nesh.
Kaq di unë për të dhe kaq njohje kam pas me të.
Para pak vitesh e kam dëgjuar emrin e tij nga mediat, kur ai ndërmori atë fushatë antikombëtare për të zhdukur të gjithë filmat shqiptarë të xhiruar para viteve ‘90….
Lidhur me broçkullat e gënjeshtrat në shkrimin e tij për punën e ambasadës sonë në Moskë, ku shkruante se “Mu ato momente kur ra bomba e parë në Beograd, jo vetëm që Shaqir Bejto Faslija nuk u pa (siç nuk kishte dalë asnjëherë në asnjë emision), në asnjë gazetë, por mbylli me tutius edhe dyert e ambasadës dhe u zhduk……Shkurt, ja mbathi. Vuri drynin”
Më kishin thënë shokët e tij të shkollës se ai është gënjeshtar i pacipë, por nuk e kuptoj si mund të arrijë të shpifë, kurdisë, gënjejë e mashtrojë në këtë mënyrë siç bën lepurushi Agron edhe për punën e qëndrimin e kolektivit të ambasadës shqiptare. Është e pabesueshme se si një njeri me shkollë e për më tepër që e quan veten shkrimtar, merr guximin të shpifë e të gënjejë në këtë mënyrë për gjëra që i kanë parë nëpër kanale televizive e i kanë lexuar nëpër gazeta e revista miliona rusë….
Vetëm për dijeni të lexuesit, po jap një kronikë shumë të shkurtër të aktiviteteve të ambasadës sonë para dhe gjatë luftës në Kosovë.
Më datë 20 janar 1999, në kanalin televiziv më të shikuar në Rusi, kemi organizuar një emision të posaçëm për Kosovën me gazetarin e njohur rus L.Mlecin, një emision tepër i ndjekur javor i titulluar “Dosje e veçantë”, ku kemi folur unë dhe historiania e shquar ruse dhe mbrojtësja e flaktë e Kosovës, pr.dr. Nina Smirnova.
Më datë 29 janar kemi organizuar konferencë shtypi në Hotel “Zollotoe Kalco” ( i sapopërfunduar nga firma Mabeteks e z.Bexhet Pacolli), ku kanë marrë pjesë gazetarë nga të gjitha kanalet televizive të Moskës, gazetarë vendës e të huaj etj., etj.. Aty kam deklaruar se me dy Rezolutat e aprovuara nga Këshilli i Sigurimit (pra edhe nga Rusia) në vjeshtën e vitit 1998, i është lenë shteg i hapur NATO-s të ndërmarrë sulme ushtarake kundër Jugosllavisë….çka shkaktoi reaksion në sallë dhe në disa shkrime e komente të disa gazetave për këtë “Deklaratë të ambasadorit shqiptar”. Dua të përmend një fakt tepër interesant. Vite më vonë, Cernomerdin, i dërguari i posaçëm i Presidentit Jelcin për bisedime me Millosheviçin, në kujtimet e tij shkruante për ato dy rezoluta ( të cilave unë i isha referuar në janar 1999) se “Perëndimorët na kishin hedhur …sepse juristët me përvojë perëndimorë kishin punuar me skrupulozitet, në mënyrë të tillë që të justifikojnë veprimet e tyre, duke u mbështetur në dokumente juridike”.
Më datë 1 shkurt, gazeta “Vremja” ka botuar intervistën time dhe të ambasadorit jugosllav Miloshovic. Aty ndërmjet tjerave kam thënë se “Armët në Kosovë futen nga shumë vende, madje edhe nga Rusia….”, çka ka shkaktuar reaksion e kundërshtime të ashpra nga Ministria e Jashtme e Rusisë dhe nga mediat ruse.
Në datë 5 shkurt, “Rossijskaja gazeta” ka botuar pjesë nga intervista ime në mbrojtje të Kosovës.
Më datë 14 shkurt i kam dhënë një intervistë të gjatë radios “Eho Moskvi” (radio që dëgjohej në të gjithë botën), ku kishin dhënë intervista Presidenti i SHBA-ve, Klinton, Presidenti i Francës, Zh. Shirak, Presidenti i Rusisë, B.Jelcin etj.. Madje, aty kam thënë përsëri që Rusia dërgon armë në Kosovë, çka shkaktoi reagime të jashtëzakonshme në mediat ruse. Atë natë, kanali televiziv rus RTR tha se: “Si e lejon Ministria e Punëve të Jashtme ambasadorin shqiptar të akuzojë Rusinë për dërgim armësh në Kosovë”, ç’ka u përsërit edhe nga kanale të tjera televizive e media të tjera. Shumë ashpër reagoi edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë pranë Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme….
Më datë 12 mars i kam dhënë intervistë gazetës “Parllamentarnaja Gazeta”.
Më datë 31 mars kemi organizuar dhe pritur në ambasadë një përfaqësi të “Komiteteve të Nënave të Ushtarëve Rusë të Vrarë në Afganistan”, takim që pati jehonë të veçantë në shtypin rus. Ky takim ishte tepër i rëndësishëm dhe shumë domethënës, sepse e zhvilluam kur në Rusi ishin regjistruar rreth 70 mijë vullnetarë për të shkuar në ndihmë të serbëve në Kosovë e që nënat ruse, të cilave u ishin vrarë bijtë, protestonin kundër dërgimit të vullnetarëve rusë në Kosovë…..
Më datë 2 prill organizuam konferencë shtypi në Institutin Ndërkombëtar të Shtypit të Rusisë, ku morën pjesë përfaqësues të shtypit, radiove, të gjitha kanaleve televizive vendëse e të huaja, që kishin përfaqësi në Moskë. Meqenëse ishin ditët e para mbas fillimit të bombardimeve, fola gjatë, me fakte, shifra etj.. Mbas konferencës, drejtoresha e Institutit më tha se pjesëmarrësve u kishin bërë përshtypje faktet dhe shifrat e përmendura, sepse siç tha ajo, “këto gjëra nuk dihen në Rusi”.
Më 5 prill kam marrë pjesë në debatin televiziv organizuar nga kanali televiziv ORT, që drejtohej nga kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Rusisë, Ljubimov, ku jam ballafaquar me ambasadorin rus në Beograd, deputetin e Parlamentit rus Semaga etj.. Nëse ndokush ka interes, mund ta gjejë të filmuar të plotë në adresën: Google.ru, tc-mp4/fs74128.mp4
Më 13 prill kemi organizuar konferencë shtypi në kompaninë mediatike “Argumenti i fakti”, kompania më e madhe mediatike në Rusi, ku morën pjesë të gjitha kanalet televizive ruse dhe të huaja, që kishin përfaqësues në Moskë, radiot, gazetat etj..
Më datë 21 korrik i kam dhënë intervistë Radios “Eho Moskvi”.
Më datë 16 gusht i kam dhënë intervistë të gjatë në kanalin televiziv TVC, gazetarit të njohur rus Bovin.
Më 17 gusht i kam dhënë intervistë agjencisë ITAR-TASS.
Më 21 gusht, intervistë gazetës “Rossijskaja Gazeta”.
Mund të vazhdoj edhe me dhjetëra intervista, takime, ballafaqime, shkrime nëpër gazeta etj., etj.. Dhe të gjitha këto janë të dokumentuara, të botuara, të filmuara etj., një pjesë prej të cilave i kam shkruar edhe në librin “Rusia dhe Kosova”, botuar para disa vitesh. Por janë të ruajtura edhe në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Një pjesë e tyre gjenden në adresat: Google.ru Iz.ru/250142, polit.ru/neës/1999/04/02/529709/komersant.ru/doc/296257, komersant.ru/doc/296257, goths.ru/old-neës.php?id=8678, aif.ru/arshive/1639000, d1.net-film.ru/ëeb etj.
Dua të theksoj se gjatë gjithë atyre muajve, kolektivi i ambasadës shqiptare në Moskë ka qëndruar ditë e natë në punë.
Po ashtu, dua të theksoj se ajo periudhë ka qenë një ndër më bukurat e jetës sime dhe sot mbas 20 vitesh, u shpreh mirënjohje të posaçme kolegëve të ambasadës për gjithçka çka kemi bërë në atë periudhë tepër të vështirë për Kosovën, sepse të gjitha aktivitetet e punën e jashtëzakonshme të asaj periudhe e kemi bërë bashkë me të ndjerin, këshilltarin Jorgo Bllaci, sekretarin e parë Ligor Cullufe dhe shoferin Arben Shahu.
Sa për ato që shkruante lepurushi Tufa, se ne gjoja paskemi pas frikë, dua t’i kujtoj atij e ndonjë shoku tij, se me gjithë kërcënimet, letrat anonime nëpërmjet të cilave na kërcënonin “se do na vrasin”, “do na linçojnë” etj.,etj. (që i kam të ruajtura me shumicë edhe sot e kësaj dite), madje edhe rrethimi që iu bë ambasadës dhe sulmet me gurë ( çka detyroi autoritetet ruse të vinin roje të armatosura në hyrje të ambasadës) gjatë gjithë atyre muajve, të gjithë kemi qëndruar ditë e natë në ambasadë pa iu trembur syri asnjërit….
Tani për neofashistin Agron Tufa
Mbasi gënjen e shpif për punën e Ambasadës Shqiptare në Moskë, ai fillon e merret me biografinë time, me babain tim, Bejto Faslia. Po, megjithëse kam mbiemrin e fisit Vukaj, jam i biri i Bejto Faslisë, për çka jam tepër krenar dhe gjithë jetën time jam munduar të ruaj emrin e mirë që ai ka lënë në Malësi të Madhe dhe në krejt Qarkun e Shkodrës….
Kur lexova emrat e 265 “kriminelëve” të Luftës Antifashiste Nacionaçlirimtare, të botuar nga Tufa dhe tufa që i shkon mbrapa, kërkova edhe emrin e babait tim, dhe më erdhi shumë keq që nuk e gjeta. I justifikova neofashistët që kanë botuar atë listë, sepse ai ka qenë një partizan i thjeshtë. Por, megjithëse një malësor i zakonshëm, me të janë marrë shumë herë, ministra e nënministra fashistë, Mark Gjon Markaj e Jup Kazazi, prefektët Tef Jakova e Daut Carcani, Kuestori Idris Ruka, Gjenerali italian Silvio Robino, madje edhe pushtuesit gjermanë etj.
Pak e çuditshme se përse janë marrë kaq shumë me të. Fare thjesht. Ai që në fillim të vitit 1942 u lidh dhe strehoi ata që i kishin dalë zot atdheut dhe kishin dalë malit për liri. Në tetor të vitit 1942, fashistët shqiptarë bashkë me ata italianë rrethojnë shtëpinë e Bejto Faslisë ku strehoheshin dy partizanë. Ai nuk pranon t’i dorëzojë dhe mbas 4-5 orë luftimi, Bejto Faslia, me dy partizanët Gjovalin Luka dhe Abdyl Bekteshi, arrijnë të çajnë rrethimin dhe të largohen. Gjatë luftimit, fashistët vrasin vajzën e Bejtos, Gjylie Vukaj, dëshmorja e parë e Veriut të Shqipërisë. Mbas kësaj, pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre (ata që u thur lavdi e i bën heronj neofashisti Tufa e shokët e tij) i djegin shtëpinë, grabisin gjithë pasurinë dhe fusin në burg dhe internojnë nënë time me tre fëmijë të vegjël, ndërmjet të cilëve edhe mua, vetëm dy muajsh….
Kur i djegin shtëpinë, ka një moment tepër interesant. Mbasi kishin lyer shtëpinë me benzinë, oficeri fashist që drejtonte operacionin, i thotë një bashkëfshatari: “Hip lart e vëri flakën”. Ai, i frikësuar fillon të ngjitet shkallëve, dhe në atë moment një milic nga Dukagjini i drejtohet fshatarit: “Ulu se të vrava”, dhe i drejton pushkën dhe mandej i drejtohet oficerit me fjalët: “Ti nuk i din zakonet tona. Parmbrambë kam dashtë me e hangër gjallë Bejto Faslinë, por me atë që bani, e nuk preu miqtë në besë, ai na ka nderue ne të gjithëve, ka nderue malet tona”.
Nuk do të zgjatem me letrat e telegramet e shumta që kanë shkëmbyer fashistët italianë e shqiptarë me njëri-tjetrin për kapjen tij, për djegien e shtëpisë, për burgosjen e internimin e familjes etj., por do të përmend vetëm telegramin e ministrit Gjon Marka Gjoni, i cili shkruante:
“Tel.Shifër
Prefekturës Shkodër
Nuk kuptohet për ç’arsye nuk keni pushkatua me njëherë në vend të zotin e shtëpisë, Bejto Faslia (.). Ndër këso rastesh duhet të ju urdhënoni kategorikisht organeve vepruese që të zbatohet pa tjetër ç’ka urdhënon qarkorja e Kryeministrisë Nr. 068, datë 31 gusht kundër t’arratisunve dhe kundër kryetarit të familjes që përbunë t’arratisunit (.) Na njoftoni përfundimin (.)
Nen Ministri
Firma Mark Gjon Markaj”.
Në të gjitha këto letra e telegrame, ai quhej terrorist e kriminel, njëlloj siç i quan Agron Tufa e tufa e tij atë dhe të gjithë ata 70 mijë partizanë që luftuan për Atdhe dhe ata mijëra që dhanë jetën në luftë kundër pushtuesve nazifashistë e bashkëpunëtorëve të tyre….
Më erdhi mirë që Agron Tufa, krahas hartimit të tij pa këmbë e pa kokë, kishte botuar dhe një dokument të marsit të vitit 1945, ku Bejto Faslia, në cilësinë e komandantit të qytetit të Koplikut, së bashku me komisarin Cun Jonuzi, në përgjigje të kërkesës së Komandës së Qarkut Shkodër, kishin hartuar një listë të bashkëpunëtorëve të pushtuesve nazifashistë, që megjithëse fshiheshin maleve, vrisnin si cuba mbas shpine ata që sapo kishin çliruar Shqipërinë….
Ishte krejt normale një kërkesë të tillë për personat që fshiheshin dhe kryesorja përse fshiheshin dhe kush ishin ata. Dihet që një pjesë e bashkëpunëtorëve të pushtuesve nuk kishin arritur të arratiseshin me gjermanët dhe ashtu si në të gjithë Europën e çliruar, edhe në Shqipëri kërkoheshin bashkëpunëtorët e pushtuesve.
Kjo ndodhte në Francë, në Norvegji, në Poloni, në Danimarkë, në Itali, në Çekosllovaki, Luksemburg etj. etj. Sigurisht që e njëjta gjë do ndodhte edhe në Shqipëri, sepse kolaboracionistët duhej të dilnin para gjyqit dhe të merrnin dënimin e merituar. Për dijeni të lexuesit po sjell disa shembuj si është vepruar me bashkëpunëtorët e pushtuesve në Europë. Në Francë janë zhvilluar 170 mijë procese gjyqësore, ku janë dënuar 120 mijë vetë, nga të cilët 6763 me vdekje dhe 4500 të tjerë janë pushkatuar me vendime të dala nga procese të shpejtuara gjyqësore. Studiuesit shkruajnë se në Francë janë pushkatuar për kolaboracionizëm 20-30 mijë vetë….
Në Holandë janë dënuar rreth 100 mijë vetë, në Norvegji (me popullsi 3.3 milionë banorë) janë dënuar 37150 vetë, në Danimarkë 15742 vetë e kështu me radhë…..
Përmenda vende ku në pushtet erdhën qeveri që nuk kishin të bënin fare me komunizmin. Në Çekosllovaki, arrestimet dhe dënimet janë bërë mbi bazën e “Dekretit të Ndëshkimit të Madh” të nxjerrë nga Presidenti Benesh në fillim e gjatë vitit 1945, pikërisht në atë periudhë kur kjo kategori kolaboracionistësh kërkoheshin edhe në Shqipëri. Duhet të kemi parasysh se Lufta e Dytë Botërore nuk kishte përfunduar, madje në dy anët e kufirit me Shqipërinë vazhdonin luftimet.
Po kush ishte në këtë listë? Bashkëpunëtorë të fashizmit, ndonjë prej tyre që kishte lyer duart me gjak, ose edhe ndonjë i gënjyer, që për burrëri kishte shkuar mbas tyre. Po përmend disa prej tyre:
Llesh Marashi-ish-Qarkkomandant i Shkodrës gjatë pushtimit nazist. Mjafton vetëm fakti se me urdhër të tij janë arrestuar dhe me firmën e tij janë internuar në Prishtinë rreth 200 të rinj, një pjesë e të cilëve janë pushkatuar nga nazistët gjermanë. Ditët e para të çlirimit, ai, së bashku me 15-20 vetë, bëri një “aksion” kundër postës së sapokrijuar të Bajzës, ku vranë pabesisht dy partizanë, njëri bashkëfshatar i tij dhe mbasi “pushtoi” Koplikun, u nis drejt Shkodrës dhe mbas një përplasjeje të armatosur me partizanët në afërsi të Koplikut, iku me bisht ndër shalë dhe u fsheh maleve deri sa u kap dhe u dënua…
Nik Gjeloshi- ish-toger i Milicë Fashiste. I njohur për angazhimin e tij në luftë kundër atyre që kishin dalë malit për liri….
Dom Nikoll Gazulli- Bashkëpunëtor i zellshëm i pushtuesve që kishte luftuar me pushkë në dorë kundër partizanëve (çka nuk e lejonin rregullat më elementare të Kishës Katolike). Vatikani nuk e vuri në listën e kanunizimit, vetëm për faktin se kishte bashkëpunuar me pushtuesit (ashtu si nuk përfshiu as Patër Anton Harapin e disa priftërinj të tjerë….)
Nikoll Preka- toger i Milicisë Fashiste etj.
Meqë Agroni përmend Kelmendin (që më siguri nuk di asgjë për të e çfarë ka ndodhur atje) po i kujtoj se ekziston një dokument kuptimplotë, për rolin paqësor e pajtues të Bejto Faslisë. Ndërmjet tjerave, aty thuhet: “Bejto Faslia ka thanë se në Kelmend do të shkojmë si miq dhe ka biseduar me përfaqësues të Kelmendit… dhe kelmendasit janë përgatitë me pritë partizanët si miq, madje kanë ba planet për ti nda neper shtëpia”. Ajo çka ndodhi më vonë, për faj të dy palëve e që unë, në dy-troi shkrime e kam quajtur ‘Vëllavrasja e Kelmendit’, është një problem sa i dhimbshëm, aq edhe tragjik….
Nuk do të zgjatem shumë me “kriminelin” Bejto Faslia, por do të përmend një fakt tepër interesant që më ka ndodhur mua. Në zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1991 unë kam qenë kandidat, por edhe deputet krahas tjerave në një zonë që përfshinte disa fshatra të persekutuar mbas çlirimit të vendit, e konkretisht në Katund të Kastratit, Vrithë, Goraj Budishtë, Zagorë etj. Në atë fushatë, unë kam qarkulluar i vetëm dhe jam pritur kudo si djali i Bejto Faslisë, sepse për shumë arsye ata nuk më njihnin (unë kisha punuar në Shkodër ose jashtë Atdheut) dhe kudo më kanë pritur në mënyrën më burrnore. Gjatë një takimi në Katund të Kastratit, Q.Gurraj, i cili ishte persekutuar sepse kishte vëllanë të arratisur, më ka thënë në prani të disa bashkëfshatarëve: “Unë do të votoj jo për ty, por për djalin e Bejto Faslisë, që na ka shpëtuar jetën në ato kohë të vështira”. Dhe në atë fushatë kam pas disa raste të tilla. Mjafton fakti tepër kuptimplotë që në ato zgjedhje kam marrë rreth 65 për qind të votave…..
Dua të përmend edhe një fakt tjetër. Shkrimtari Lulash N.Palushaj, shqiptar nga Mali iZi, në librin “Nusja me duvak të bardhë”, botuar në vitin 2014, përshkruan një moment ku, sipas tregimit të një malësori, që kishte djalin të arratisur dhe i ishin ngrirë këmbët, kërkon ndihmën e Bejto Faslisë për ta sjellë në shtëpi. Dhe autori, duke perifrazuar fjalët e babait të tij, thotë: “Bejto Faslia është treguar burrë dhe besnik….”.
Nuk do të zgjatem më, por do të përmend një paragraf nga libri “Malësia e Madhe siç e njoha unë” të shkrimtarit dhe studiuesit Nikolla Spathari, botuar në Shkodër në vitin 2001. Dua të vë në dukje se Nikolla nuk ka qenë as komunist, as kuadër në atë periudhë, madje nga një fis me “cene” biografike….
“Lidhja e Bejto Faslisë pazgjidhshmërisht me Luftën pati rendësi të pazëvendësueshme. Ai njihej si burrë i nderuar e i respektuar në Malësi, si një patriot i vërtetë, ndaj propaganda që bënte armiku, se gjoja në luftë kundër armikut ishin çuar vetëm ca çilimi, binte poshtë automatikisht.
Bejto Faslia la një emër të mirë në Malësi të Madhe. Ai luftoi si burrë, drejtoi si burrë, dhe, së fundi vdiq si burrë. Pavarësisht nga detyrat që iu ngarkuan, ai qe një njeri gjithmonë pozitiv, i prirur nga e mira, ndaj ka mbetur i paharruar në Malësi të Madhe”.
Edhe sot e kësaj dite, kur shkoj në Malësi të Madhe, shkoj me krenari të veçantë për emrin e mirë që më ka lënë babai im dhe ashtu si deri më sot, jam përpjekur e do të përpiqem të ruaj gjithmonë emrin e mirë që ka më ka lënë e do të përpiqem me të gjitha mënyrat që këtë emër ta trashëgojnë edhe pasardhësit e mijë….. .
Neofashistët e sojit Agron Tufa e kompani që nuk dinë se ç’është Atdheu, patriotizmi, marrëdhëniet njerëzore, burrëria, besa, tradita, zakonet, respekti, mirësia, humanizmi e që vetëm shajnë e mallkojnë Luftën Nacionalçlirimtare, ata që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë, ata që i mbrojnë këto vlera të jashtëzakonshme të popullit tonë, e këdo që ka jetuar e punuar në atë kohë, pavarësisht nëse ka qenë i mirë, i ndershëm, i drejtë etj., por që me shpifjet, gënjeshtrat e mallkimet e tyre bëjnë vetëm punën e armiqve të Shqipërisë….
Marrë nga Panorama
Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:
Vendet e Ballkanit si Maqedonia Veriore dhe Shqipëria mund të shpresojnë për hapjen e negociatave për integrimin në BE pas zgjedhjeve evropiane.“Unë jam i...
TIRANË– Ambientalisti Lavdosh Ferruni i është drejtuar me tone të ashpra kryebashkiakut Erion Veliaj, duke u shprehur se nuk është në planin urbanistik, të...
Një përgjim ambiental i ka krijuar dyshime të forta te prokurorët e Krimeve të Rënda për ekzistencën e një organizimi mes të arrestuarve të deritanishëm për gra...
SHKODËR– Kryeministri Edi Rama është larguar nga qyteti i Shkodrës me një helikopter nga reparti ushtarak i Gjadrit.Një qytetar i ka dërguar një vide...
Në fshatin Gjorm të Vlorës, familja e skifterit që terrorizoi Londrën me plaçkitje për 10 vite më radhë nuk dinte asgjë për jetën e tij të dyfishtë.Në sh...
SHKODËR– Gjatë takimit që zhvilloi kryeministri-Edi Rama ditën e sotme në Shkodër, një qytetar ka tentuar t’i afrohet Ramës, pasi sipas tij, kishte një pro...
SHBA- Shkrimtari Shawn Levy zbulon detaje tronditëse nga çastet e fundit të jetës të aktorit me origjinë shqiptare John Belushi në vitin 1982 në shtëpinë...
Masat e sigurisë në takimin e kryeministrit Edi Rama në Shkodër këtë herë kanë qenë të shtuar. Veç forcave të shumëta të policisë, truprojat e kryeminist...
TIRANË– Gazetari Elton Qyno i ftuar në “Repolitix” ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me arrestimin e dy prej tre autorëve të dyshuar për vrasjen ...
ELBASAN- Humb jetën 42-vjeçari, i cili u aksidentua mesditën e sotme në qytetin e Elbasanit. Edhe pse u dërgua në spital, Altin Bahja nuk mundi dot t’u m...