LIVE UPDATES
Art&Argëtim

Shërbimi Informativ Shqiptar, SHISH fotografonte fshehtas Rugovën në Romë

20 Mars 2019, 12:24 Nga DOSJA
Shërbimi Informativ Shqiptar, SHISH fotografonte fshehtas Rugovën

Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.

Në mëngjesin e 6 majit familja Rugova u gdhi në oazin e gjelbërimit të Villa Doria Pamphilit. Kishte fjetur dhe sadopak shplodhur jo në një banesë të zakonshme, por në Pallatin Algardi (Palazzina Algardi), e cila qe një ndërtesë magjike, shumë shplodhëse dhe madje posaçërisht gjumëndjellëse.

Kështu edhe thirrej, me këtë karakteristikë të dytë të saj: “Pallati i ajrit të pastër dhe i frymëmarrjes së thellë” (Casina del Bel Respiro).

Rehatimin sadopak të familjes Rugova e dëshmonte edhe ngarendja e ngazëllyer e Teutës nëntëvjeçare, mbesës së tyre bionde, e cila vraponte nëpër park me në krahë një arushë lodër plot pelush.

E shtonte këtë atmosferë të ëndërrt edhe njëri nga nipërit, i cili luante duke vrapuar pas një topi të vogël futbolli.
Të dyja, arusha me push dhe topi i lëkurtë, qenë dhurata të atij mëngjesi, por jo prej nëpunësve që administronin rezidencën e madhe qeveritare të Villa Doria Pamphilit dhe sipas urdhërit që kishin marrë nga eprorët, bënin gjithçka që të porsaardhurve specialë të mos u mungonte asgjë, përfshi edhe panolinat për nipin e vogël pak muajsh të Ibrahim Rugovës.

Dy dhuratat e bukura që po gëzonin fëmijtë në atë ditë të lirë Rome, qenë prej njërit nga rojet e Villa Doria Pamphilit.
Ky ishte një agjent i trupave speciale NOCS, një metër e nëntëdhjetë centimetra i lartë, një “dollap” i tërë i mbushur me muskuj, me syze të errta dhe një pistoletë nën xhaketë.

Ja pse ndryshe nga një ditë më parë me atë pasiguri të madhe kur qenë të mbyllur në vendin sekret të Beogradit, pastaj nëpër fluturimin e aeroplanit të Shërbimit të Fshehtë Civil Italian, i shoqëruar ky vazhdimisht nga avionë luftarakë të NATO-s, zbarkimi në Romë dhe takimet pothuaj të menjëhershme me kryeministrin Masimo D’Alema dhe ministrin e Jashtëm Lamberto Dini, atmosferë kjo mjaft e tensionuar, agimi i datës gjashtë maj 1999 qe pothuaj si të ishin gdhirë në një planet tjetër apo zgjuar në një përrallë.

Por doemos që për Rugovën kishte nisur një ditë e ngjeshur dhe e ngatërruar pune, e cila nevojiste ritëm, por edhe deklarata publike të qarta, aspak konfuze.

Duhej të ishin edhe të prera, të mos u binte përdhe asnjë germë.

Kështu në orën nëntë të 6 majit më në fund pati nisur beteja e presidentit të Kosovës me politikën e ndërlikuar të një bote pluraliste, të cilës nuk i shpëtonte gjë pa e vëzhguar dhe pa thënë në se qe apo jo dakord..

I pari person që “trokiti” në derën e tij ishte ambasadori amerikan në Maqedoni, Christopher Hill. Me të në mes të prillit, diçka më shumë se dy javë më parë nga ikja e Ibrahim Rugovës prej Jugosllavisë, qe takuar dhe pati biseduar në Shkup plot katër orë ndihmësi i tij Adnan Merovci.

Ky takim i drejtpërdrejtë në Villa Doria Pamphili me diplomatin e spikatur të Shtëpisë së Bardhë dhe emisar të Presidentit Bill Klinton, u cilësua nga të dy si “bisedë me përfitim të ndërsjellë”, por edhe me mospërputhje për çështjen e mesazhit që kishte fshehur Sllobodan Millosheviçi me lejimin e Rugovës për të ikur nga terreni ku zhvillohej konkretisht lufta me armë.

Pasi Hill u largua, presidenti i Kosovës u njoftua se dëshironte një takim me të një funksionar i rëndësishëm i qeverisë së Libisë. Por ai nuk e priti njeriun e Moamar Kadafit.

U mor me disa telefonata me të vetët e vendosur në Zvicër kryesisht, por edhe në disa vende të tjera evropiane. Ibrahim Rugova e kish shpallur që në mbrëmjen e ardhjes në Romë se i duhej patjetër në Perëndim të ngrinte një rrjet të gjerë politik.

Telefonatë pas telefonate më në fund u bë mesditë dhe siç e informuam lexuesin me shkrimin e herës së shkuar, këtë çast në ambasadën Shqiptare në Romë, në adresë të konsullit Drini Bello, punonjës i Shërbimit të Fshehtë Civil Shqiptar, prej qendrës së tij në Tiranë i erdhi një radiogram urgjent.

Ai thoshte përafërsisht se “Kemi informacion që Rugova është drejtuar për në Romë. Ta gjesh ku është akomoduar dhe mundësisht dhe këtë, po e bëre, do të na sjellësh shumë shërbim: na duhen foto të vendit ku po rri”.

Ndërsa pas orës 17.00 të një dite më parë, nëpërmjet televizioneve më të mëdha italiane, të cilat shiheshin masivisht në Shqipëri e sidomos në Tiranë, të dhënat për praninë reale të Ibrahim Rugovës në Romë qenë fare të qarta, po ashtu edhe vendosja e tij dhe e familjes në Villa Doria Pamphili, se në fund të fundit këto pamje u përsëritën në ekranet e RAI-it dhe të Mediaset edhe në mëngjesin e paraditen e 6 majit, përse vallë udhëheqja e SHISH, Shërbimit Informativ Shqiptar, këmbëngulte t’i konfirmoheshin dhe pamje fotografike t’i rivinin?
Dukej si paradoks.

Apo mbase nuk qe aspak sjellje e tillë?

Po bëjmë një hipotezë: në rrethe shumë të ngushta dhe të mirë informuara në Romë ato momente u përhapën fjalë që në mbrëmjen e vonë të 5 majit presidenti Rugova për arsye pune të ngutshme do të qëndronte edhe pak ditë në Villa Doria Pamphili, kurse familja e tij e madhe do të zhvendosej menjëherë në një vend tjetër, top sekret.
Ata që mendohej se dinin edhe prej të fshehtave të shtetit italian këmbëngulnin se ky vend top sekret ishte qyteza Artena, 30 kilometra larg Romës, vend i qetë buzë lumit Sacco.

Kjo e dhënë, e përthithur prej shërbimeve të fshehta perëndimore në Romë, fjalë pas fjale e gojë pas goje, mund të kish mbërritur në Tiranë, në zyrat e SHISH.

Këta donin të shihnin anën tjetër, po të kishte, të medaljes.

Drini Bello doemos që do të zbatonte porosinë e ardhur, prandaj mori dy djem të rinj sportivë të emigruar në kryeqytetin italian nga Burreli dhe shkuan bashkë tek Villa Doria Pamphili.

Aty u dha aparatin fotografik dhe ata njëri pas tjetrit hipën në një nga qipariset përreth saj.

Për një gjysmë ore fotografuan gjithçka prej ndërtesave dhe oborrit, përfshi edhe vetë Ibrahim Rugovën në një çast kur doli tek shkallët.

Nuk u pikasën nga rojet e shumta dhe as i shqetësoi ndonjë njeri, sepse edhe ndonjë kalimtar ishte aty rrotull.
Filmi me pamjet e porsa marra u zhvillua tek një laborator privat dhe pas kësaj fotot që të gjitha u mbyllën në zarf. Pa u vonuar konsulli, por edhe njëkohësisht agjenti Drini Bello, rendi për në aeroportin civil Fiumiçino.
Aty e gjeti një udhëtar shqiptar, i cili iu duk i besueshëm dhe ky, sapo zbriti në Rinas, u gjet përballë me të dërguarit nga SHISH.

Ua dorëzoi menjëherë zarfin.

Por kur ende nuk qe fotografuar për llogari të Shërbimit të Fshehtë Civil Shqiptar, në orën 13.00, Ibrahim Rugova dhe bashkëshortja e tij Fane, futur brenda një veture qeveritare blu dhe me xhama të errësuara, doli nga Villa Doria Pamphili.

Një kosovare, e cila prej kohësh ishte në pritje në hyrje të portës së madhe, e palejuar të hynte, u kish thënë rojeve të NOCS se qe mikeshë e ngushtë e familjes së presidentit të Kosovës. Kur vetura blu doli ajo me shumë shkathtësi iu turr makinës dhe trokiti fort në xhamin e saj.

Për shkak të xhamave të padepërtueshme për vështrimin njerëzot nga jashtë, ajo nuk dalloi dot reagimin e Ibrahim Rugovës.

Ky nga brenda e dalloi mirë dhe i buzëqeshi.

Atë pasdite presidenti i Kosovës do të kish mjaft takime dhe qe shumë i sigurt se do ta lodhnin.
I pari ishte me kryeministrin Masimo D’Alema. Në Pallatin Kixhi (Palazzo Chigi), pra në godinën e Kryeministrisë, me këtë rast i qe shtruar një drekë.

Rreth orës dy e dyzetë të asaj pasditeje shefi i qeverisë italiane e shoqëroi Rugovën për të parë ndonjë kuriozitet të Romës, por jo njëherë iu desh të ruhen nga turmat kurioze, të cilat mblidheshin sa hap e mbyll sytë.

D’Alema në këto orë me Ibrahim Rugovën dhe të shoqen e tij, e cila nuk e dinte frëngjishten, gjuhën me të cilën ata dy po merreshin vesh, e cila kryeministrit italian i dukej grua mjaft orientale, do të përballonte një pyetje të vazhdueshme të njerëzve: Kur do të mbarojë lufta?

Ia bënin këtë pyetje, herë pas here, edhe Rugovës, por ky mjaftohej t’u përgjigjej vetëm me buzëqeshjen e tij të ndrojtur.

Pasi mbaruan këtë vërtitje të shpejtë, Massimo D’Alema dhe Ibrahim Rugova shkuan drejt ndërtesës së Parlamentit (Montecitorio) dhe në sheshin para tij takuan aleatin e koalicionit qeverisës, zëdhënësin e Partisë së Gjelbër, senatorin Luixhi Mankoni (Luigi Manconi).

Ky iu bashkua grupit të tyre në lëvizje.

Takimi nuk qe rastëror, ishte i organizuar. Mankoni i tha Rugovës se 200 eksponentë dhe parlamentarë të të Gjelbërve, kishin nisur që prej disa ditësh një grevë urie për të ndikuar që kriza e Kosovës të zgjidhej në mënyrë paqësore, pa derdhur gjak. Rugova iu përgjigj: “Unë kam dhjetë vjet që punoj për paqen”.

Ai në të vërtetë njihej me Mankonin. E pati takuar një mot e gjysmë më parë, kur kishte ardhur për vizitë politike në kryeqytetin italian.

Madje këtë hollësi zëdhënësi i të Gjelbërve, i cili përveç se me politikë, merrej edhe me krijimtari dhe kritikë artistike, po ashtu me studime sociologjike, ia kujtoi, duke shtuar me këtë rast se kjo e kaluar ishte një kohë kur “pozicioni juaj ishte mënjanuar nga shumë persona” dhe se “një përgjegjësi të madhe për këtë e mbanin Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Hap pas hapi grupi shëtitës u gjend para Panteonit, pastaj në sheshin e Gurtë dhe pikërisht në Via del Corso, rrugën qëndrore historike të Romës. Nga që rreth tyre u grumbulluan sërish mjaft kuriozë, D’Alema e kapi përdore Ibrahim Rugovën dhe e tërhoqi mënjanë për t’i shpëtuar turmës dhe sidomos trafikut të madh të njerëzve.

Në Pallatin Kixhi, ku u rikthyen, i priste kryetari i bashkisë së Romës, Valter Veltroni, me të cilin Rugova në pasditen e vonë do të kishte një takim të planifikuar në Villa Doria Pamphili. Shumë shpejt erdhën kryetarët e dy partive Komuniste, Armando Kosuta dhe Fausto Bertinoti, republikani Xhorxho La Malfa dhe pasfashisti Xhankarlo Fini, socialisti Enriko Bozeli, demokristiani Pierferdinando Kazini dhe legisti Domeniko Komino.
Erdhi edhe nënkryeministri (sot President i Italisë) Serxho Matarela (Sergio Mattarella).
Biseda me ta qe prekëse.

Rugova u rrëfeu ditët e tij në Prishtinë, bombat që binin dhe shpërthimet e forta që dëgjoheshin, ndërsa ai ishte pothuaj i vetëm në banesën e vet. U tregoi se që nga shtëpia ngjarjet mundohej t’i ndiqte nëpërmjet televizionit serb si edhe ndonjëherë lajmeve të CNN.

U tha se për të mësuar sadopak çfarë ndodhte përreth tij përdorte edhe ndonjë radio.
Takimi i Ibrahim Rugovës me këta politikanë, drejtues partish, nuk zgjati më tepër se një çerek ore dhe u shoqërua me një dolli.

Ndërkohë presidentit të Kosovës i ra në sy lideri pasfashist Xhankarlo Fini, i cili nuk qe aspak për të përdorur mënyrën e paqes me një diktator si Sllobodan Millosheviçi. “Shpresoj që NATO të mos i dorëzohet presionit për të ndalur bombardimet”, mëshoi fjalët ai.

Në orën 18.00 qe caktuar konferenca e shtypit e Ibrahim Rugovës.

Ende pa mbërritur në këtë çast shumë të rëndësishëm dhe delikat të asaj dite presidenti i Kosovës kreu disa telefonata të kërkuara prej drejtuesve të NATO-s, po ashtu një me ministrin e Jashtëm anglez Robin Cook dhe tjetrën me sekretaren e Shtetit të SHBA, Madeleine Albright.

Pas bisedës me këtë të fundit, kjo e fundit shpërndau menjëherë për opinionin publik mesazhin se Rugova qe i një mendjeje me të gjitha veprimet dhe vendimet e Aleancës Atllantike.

Konferenca e shtypit filloi në 18.00 dhe unë isha atje, mes mbi treqind gazetarëve vendas dhe të huaj. Tani që e shkruaj, rindjej rrahjet e veçanta të zemrës së atij çasti të rrallë.

Isha, për shkak të funksionit që kryeja në Ambasadë (I Ngarkuar me Shtypin), person, edhe pse diplomat, i lejuar dhe i ftuar të merrja pjesë si çdo gazetar.

Kështu u bëra i pari punonjës i Shtetit Shqiptar që po shihja nga afër Ibrahim Rugovën e ardhur në Romë.
Siç ju kemi informuar në shkrimet paraardhëse, dy orë pas asaj konference, Ibrahim Rugova do të takohej dhe bisedonte me ministrin e Jashtëm Paskal Milo dhe ambasadorin Leontiev Çuçi.

Rugovën e shihja për herë të parë dhe prej profilit të tij isha shumë kontradiktor. E vlerësoja mjaft si studiues të diturisë shqiptare, letërsisë shqiptare, figurave kryesore të Rilindjes.

Pra, si albanolog. Jo vetëm atëherë, por edhe tani jam fort i bindur se një studiues albanolog është atdhetar i padiskutueshëm, madje krye patriot.
Si i tillë Ibrahim Rugova dhe Rexhep Qosja qenë për mua dy male të mëdhenj, shpatullat e të cilëve mbanin tërë fatin e kombit.
Por si politikan ruaja shumë rezerva ndaj sjelljes së tij, doktrinës që shpallte dhe veprimeve që kryente. Isha pro tij në zgjuarsinë për të mos e futur popullin e vet në përballjen fizike me serbët, çfarë u pëlqente edhe disa forcave të tjera në ish-Jugosllavi për t’i hequr qafe këta të fundit me duart e të tjerëve.
Ruajtja e gjakut shqiptar, kursimi i tij, mosderdhja e kotë, ishte një vepër e madhe mëmëdhetare.
Ajo ndryshonte jo pak prej të njëjtës kauzë të Mit’hat Frashërit dhe përgjithësisht Ballit Kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht periudhës së pushtimit nazigjerman.
Pra, për autorin e këtyre rradhëve Ibrahim Rugova ishte, por edhe nuk ishte ballist, siç dihej që nuk ishte aspak sllavo-komunist, një ide politike, e cila ishte shndërruar në fatkeqësi dhe rënim për shqiptarët.
Po ashtu edhe pacifizmi i tij nuk më bezdiste, sepse nuk më dukej i një individi që sheh rrokullisjen e ngjarjeve e megjithatë rri duarkryq. Rugova vepronte. E konsideroja të vyer dhe të dobishëm çfarë kish bërë për të ngritur shtetin e pavaruar paralel përballë atij që impononte Beogradi.
Ajo që më kish shqetësuar dhe nuk më ndihmonte ta simpatizoja dhe ta doja, ishte vijimi i mënyrës pacifiste kur Sllobodan Millosheviçi po e shtypte dhe poshtëronte Kosovën me anë të mjeteve të forcës, të dhunës ushtarake.
Ka një çast kur koka nuk ulet, madje kur dy duart janë për një kokë.
Rugova, më dukej dhe isha i bindur, kur nisi lufta masive për çlirim me armë të Kosovës qe një “duarkryqëzuar”, udhëheqës politik aspak nxitës, çfarë ishte shumë e domosdoshme në ato çaste për një progres të ngjarjeve në favor të zgjidhjes përfundimtare.
Në orën 18.00 të 6 majit 1999, i ulur në sallën e madhe të katit të gjashtë të Kompleksit San Mikele në Romë, pjesë e Ministrisë italiane të Kulturës, për Ibrahim Rugovën kisha mall si për çdo bashkëkombës të Kosovës, por nuk isha aspak gati ta duartrokitja.
Shqiptari dhe albanologu i ditur, mendoja, përditë e më shumë po shndërrohej në një pengesë.
Për njëzetë e katër orët e para të pranisë së tij në Romë dija gjithçka që pati deklaruar. Ishte mbi të pritshmen time, por ende fare pak. Do të kisha dëshiruar t’ja jepte vikamës, të sokëllinte më e pakta sa gjysma e Ismail Kadaresë, i cili po shungullonte si ortek mali nëpër faqet e gazetave të eurokontinentit dhe përtej tij.

Marrë nga Gazeta Tema

Autori: Ylli Polovina

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

kulture kulture ibrahim rugova shish fotografonte rugoven ne rome ibrahim rugova shish fotografonte rugoven ne rome

Sondazh

Poll

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet