LIVE UPDATES
Ekonomi

Reforma që nxisin zhvillim! Biznesi jep detyrat për mandatin e tretë

15 Maj 2021, 05:15 Nga DOSJA

Përfaqësues të biznesit në sektorët e industrisë, bujqësisë, fasonit dhe turizmit kërkojnë nga qeveria që gjatë këtij mandati të përqendrohet te reformat që nxisin inovacionin në proceset e prodhimit. Investimet duhet të nxisin eksportet me vlerë të lartë. Në bujqësi, kërkohen incentiva në prodhimin e ushqimeve për kafshët dhe plehrave kimike për fermerët. Fasoni kërkon një paketë rimëkëmbje që të mbështesë inovacionin, i cili ndihmon në ciklin e mbyllur. Prodhuesit kërkojnë reforma që nxisin investime në hallkën e procesimit, me qëllim që të rritet vlera eksportit të lëndës së parë. Bizneset në sektorin e turizmit kërkojnë paketë rimëkëmbje dhe mbajtjen e premtimeve për investime në infrastrukturë fizike, porte dhe aeroporte

Blerina Hoxha

Zgjedhjet e 25 prillit shënuan precedentin e parë në 30 vitet e demokratizimit të vendit, kur një parti politike do të qeverisë vendin në një mandat të tretë. Në aspektin ekonomik, qeveria ka konsumuar hapësirat fiskale për të stimuluar ekonominë.

Borxhi publik ka kaluar kufijtë e normalitetit (60% e PBB-së) duke arritur nivelin e 76.5% të PBB-së, i nxitur edhe nga pandemia dhe tërmeti, kurse taksat janë më të lartat në rajon. Konsumi i qeverisjes, “lodhja e administratës” dhe numri i deputetëve në Kuvend nuk janë në favor të reformave të mëdha, por bizneset në sektorët kryesorë të ekonomisë kërkojnë nga qeveria që në këtë mandat të përqendrohet në reforma dhe incentiva që nxisin prodhimin dhe eksportin, nëpërmjet inovacionit dhe rritjes së produktivitetit.

Burimi: Ministria e Financave

Arben Shkodra, i cili drejton Shoqatën e Prodhuesve tha se, vlera e fitimeve në ekonomi dhe sidomos në eksporte, do të rritet nëse sigurohet përpunimi i lëndëve të para që prodhohen në vend, para se të eksportohen. Hallka që do të rriste vlerën e eksporteve është procesimi – tha ai. Qeveria duhet të nxisë investimet nëpërmjet reformave në këtë hallkë të industrisë për të rritur përfitimet në ekonominë e brendshme. Një kërkesë e ngjashme u shtrua edhe për sektorin e bujqësisë.

Alban Zusi, nga Shoqata e Eksportuesve, shtroi nevojën e industrializimit të sektorit. Ai tha se vlera e fitimeve në këtë sektor do të rritet nëse qeveria stimulon dhe mbështet prodhimin e ushqimit për kafshët dhe prodhimin e plehrave kimike. Këto investime do të ulnin kostot për fermerët dhe bujqit dhe do të rrisnin fitimet për të gjithë zinxhirin e bizneseve në këtë sektor.

Sektori i turizmit kërkon këtë mandat zbatimin e një programi me tre plane veprimi, afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, në mënyrë që sektori të rritet. Besnik Vathi, nga Shoqata e Tur-Operatorëve këshilloi në afatshkurtër menaxhimin e pandemisë nëpërmjet vaksinimeve, bashkë më një plan rimëkëmbje për kthimin e sektorit në normalitet. Zoti Vathi kërkoi që brenda këtij mandati të realizohen premtimet në përmirësimin e infrastrukturës fizike, për rrugët, portet dhe aeroportet. Bashkë me këto investime, qeveria duhet të nxisë zhvillimin e strukturave hoteliere në zonat rreth aeroporteve.

Burimi: INSTAT, përpunime të Monitor për 2019 – 2020

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, tha se qeveria e re duhet t’i kthehet ekonomisë këtë mandat. Kjo është dhe duhet të jetë objektivi kryesor i kësaj qeverie, – tha zoti Jaka, i cili sugjeroi nxitjen e investimeve në inovacion në ciklet e prodhimit si mundësia e vetme për të rritur vlerën e eksporteve të prodhimit.

Përfaqësuesit e industrisë fason kërkojnë zbatimin e një pakete rimëkëmbje me vlerë 50 milionë euro, e cila do të mbështesë industrinë të rinovojë teknologjinë dhe të bëjë hapa para drejt mbylljes së ciklit.

Selami Xhepa, presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, tha se qeveria duhet të rishikojë, në planin afatshkurtër, mundësitë për gjenerimin e të ardhurave shtesë për buxhetin. Gjithashtu, reformat strukturore mbeten thelbësore për të krijuar një ambient nxitës, jo vetëm për investimet private, por dhe për rritjen e produktivitetit të punës përmes nxitjeve të shtuara për punë. Kjo do të thotë që politikat mbështetëse për investitorët duhet të riformatohen për arritjen jo thjesht të objektivave sasiorë, por të disa objektivave cilësorë që ndikojnë në mirëqenën e shoqërisë, tha zoti Xhepa.

Përfaqësuesit e biznesit në sektorët kryesorë të ekonomisë kërkojnë që qeveria këtë mandat të kalojë në një fazë tjetër të prodhimit, ku kërkohet realizimi i ciklit të mbyllur si mundësia e vetme për rritjen e fitimeve nga puna.

Burimi: Ministria e Financave

Duhet të industrializohet bujqësia

Bujqësia vijon të jetë sektori më i madh në ekonomi, si në drejtim të punësimit, peshës në PBB dhe së fundmi po përparon edhe në drejtim të eksporteve. Por që vlera e sektorit të rritet dhe produktiviteti të shtohet më tej, qeveria duhet që të industrializojë sektorin këtë mandat – tha Alban Zusi nga Shoqata e Eksportuese. Kjo do të arrihet duke e nxitur sektorin e përpunimit në bujqësi nëpërmjet dy ndërhyrjeve specifike. E para, stimulimi i prodhimit në vend të plehrave kimike dhe ushqimeve për kafshët.

Aktualisht, vendi ynë importon ushqime për kafshët (pulat, bagëtitë e imta, gjedhin dhe derrat) nga jashtë vendit. Vetëm transporti i rrit kostot e ushqimit me 30-50 dollarë për tonë. Duke e prodhuar në vend këtë produkt (një proces tërësisht i realizueshëm) ekonomia përfiton në shumë drejtime. Punësimi rritet, kostot për blegtorët ulen, mishi për fabrikat e përpunimit bëhet më i lirë dhe produktet e bulmetit bëhen gjithashtu më të lira. Ushqimi i kafshëve zë pjesën më të madhe të kostove në fermat blegtorale aktualisht, tha z. Zusi. Duke e prodhuar ushqimin për kafshët në vend, industrializohet blegtoria.

Shqipëria, për shkak të kostove të ulëta të fuqisë punëtore mund të kthehet në prodhues të ushqimit për kafshë edhe për vende të tjera të Europës. Sipas tij, prodhimi i ushqimeve të kafshëve është lehtësisht i realizueshëm, pasi lëndët e para si proteinat etj., importohen. Duke prodhuar këtë produkt do të rritet kërkesa për një gamë profesionistësh si kimistë, laborantë dhe zooteknikë. Gjithashtu prodhimi i ushqimeve të kafshëve do të nxisë prodhimin e mishit në vend që shërben si lëndë e parë.

E njëjta gjë vlen edhe për prodhimet e fushës. Zusi thotë se qeveria këtë mandat duhet të stimulojë prodhimin e plehrave kimike në vend. Plehrat kimike zënë një pjesë të madhe të kostove të prodhuesve dhe i ul normat e fitimit për fermerët në pikun e sezonit. Duke i prodhuar ato në vend, së paku shmangen kostot e transportit dhe nxitet zhvillimi i një industrie të re në bujqësi. Këto ndërhyrje nuk kanë kosto, por e rrisin produktivitetin në sektor, sugjeron z. Zusi.

Hapësira për të rritur sektorin privat është e madhe – tha Zusi, por qeveria duhet të tregojë vullnet për të zbatuar me korrektesë ligjet, të nxisë më tej shërbimet dixhitale dhe të nxisë prodhimin e lëndëve të para në vend. Ai tha se duhet të krijohet një ambient që stimulon ciklin e mbyllur në bujqësi, në mënyrë që të rriten fitimet për të gjithë zinxhirin e sektorit.

Sektori bujqësor, më i madhi në ekonominë e vendit, zë gati 19% të saj. Prodhimi i Brendshëm Bruto u shtua me vetëm 0.5% në vitin 2020, por eksportet e zarzavateve të freskëta që dominohen nga domatet dhe kastravecët, arritën në 8,8 miliardë lekë, ose 72 milionë euro, me rritje vjetore 13.3%.

Me gjithë zgjerimin e eksporteve, bujqësia vijon të jetë sektori më pak produktiv i ekonomisë, kurse rritja e të ardhurave nga shitjet po shkon më shumë te zinxhirët e furnizimit se sa te prodhuesit. Në tremujorin e fundit të vitit 2020, paga mesatare mujore bruto në bujqësi ishte rreth 32 mijë lekë, ose 40% më e ulët se paga mesatare në shkallë vendi. Sipas një studimi të Programit Botëror të Ushqimit (FAO), shumica e fermave në vend, ato me sipërfaqe 1 hektar, rezultojnë me humbje dhe prodhojnë vetëm për vetëkonsum. Operatorët kryesorë të tregut pohojnë se rritja erdhi, së pari, nga kërkesa e lartë për ushqime në tregjet e jashtme, e nxitur nga pandemia dhe së dyti, nga investimet në zinxhirët kyç të bujqësisë, magazinim dhe përpunim.

Burimi: Ministria e Financave

Turizmi, qeveria duhet të operojë me tre plane këtë mandat

Në këtë mandat qeverisës, Shqipëria duhet të operojë me tre plane për sektorin e turizmit, afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë – thotë Besnik Vathi, nga Shoqata e Tur-Operatorëve Shqiptarë. Në planin afatshkurtër, ai thotë se qeveria duhet të administrojë procesin e vaksinimit dhe të mos krijojë vonesa. Paralelisht me këtë proces duhet një diplomaci turistike, e cila duhet të synojë arritjen e marrëveshjeve dypalëshe për ardhjen e turistëve në vendin tonë.

Zoti Vathi tha se, Shqipëria prej kohësh është e hapur për turistët e huaj, por asnjë amerikan nuk e ka të qartë këtë fakt. P.sh., Kroacia arriti një marrëveshje dypalëshe me Departamentin e Shtetit për të pritur turistët amerikanë dhe kjo u bë mediatike. Të njëjtën gjë po bën edhe Greqia. Ministri grek i Turizmit ka nisur një fushatë kudo në Europë dhe më tej për të arritur marrëveshje për pritjen e turistëve. Diplomacia turistike është jetike për të shpëtuar këtë sezon turistik, thotë z. Vathi. Në planin afatmesëm (sezoni i vitit tjetër) qeveria duhet të bëjë një bilanc të dëmeve në sektorin e turizmit.

Ndërmarrjet e sektorit kanë pasur humbje të mëdha në punësim dhe të ardhura, ndaj kthimi në normalitet do të shoqërohet me vështirësi. Qeveria duhet të evidentojë humbjet dhe problematikën e sektorit të turizmit dhe në bazë të saj, duhet të ndërtojë një paketë mbështetëse financiare për sektorin. Z. Vathi vë në dukje se turizmi në Shqipëri është shumë sezonal dhe i përqendruar në pak muaj. Sezonaliteti përfshin të gjithë llojet e turizmit.

Edhe në kohë normale, bizneset e sektorit janë në vështirësi për të mirëmbajtur fuqinë punëtore, por pandemia e ka përkeqësuar këtë aspekt. Qeveria duhet të menaxhojë me një plan të posaçëm mbështetës industrinë e turizmit gjatë hapjes së plotë – tha z. Vathi. Plani duhet të përmbajë mbështetje financiare – u shpreh ai.

Ndërsa në afat të gjatë, në këtë mandat, qeveria duhet të investojë në infrastrukturën turistike, si porte, aeroporte dhe të stimulojë ngritjen e strukturave akomoduese. Z. Vathi e konsideron pozitive ndërtimin e aeroporteve dhe porteve për ndikimin pozitiv në turizëm. Ka një standard që hoteli nuk duhet të jetë më larg se një orë me automjet nga aeroporti më i afërt, shpjegoi ai. Ndërtimi i aeroporteve në Vlorë dhe Sarandë dhe në Shkodër janë të mirëpritura, shtoi ai. Paralelisht me ndërtimin e aeroporteve, qeveria duhet të stimulojë ndërtimin e strukturave të mëdha hoteliere me shërbime të dedikuara turizmit. Nëse këto dy investime nuk ecin paralelisht, nuk do të kishin vlerë, tha ai. Shqipëria, sipas tij, duhet të ketë një port të posaçëm për kroçera dhe jo vetëm jahte.

Sipas të dhënave të “World Travel & Tourism Council” (WTTC) shihet se turizmi ka pasur një kontribut direkt dhe indirekt prej 358.3 miliardë lekësh, apo 21.2%, në ekonominë e përgjithshme shqiptare në vitin 2019. Kjo tregon se rritja vjetore në PBB nga industria e turizmit është shumë më e lartë sesa rritja e përgjithshme ekonomike në Shqipëri. Sipas WTTC, sektori i turizmit punëson direkt dhe indirekt 22,2% të totalit të të punësuarve.

Pavarësisht rritjes së sektorit, vitet e fundit, Shqipëria ka ende hapësira për të maturuar sektorin drejt potencialit të tij. Përmirësimi i infrastrukturës dhe cilësisë së shërbimeve sigurojnë qëndrueshmërinë afatgjatë. Turizmi dhe bujqësia vlerësohen nga ekspertët me potenciale të mëdha për rritje të mëtejshme.

Xhepa: Ky mandat duhet të synojë mirëqenien e shoqërisë

“Mendoj se treguesit ekonomikë e socialë, nga njëra anë, dhe mundësitë buxhetore, nga ana tjetër, po përjetojnë një tension të pazakontë midis tyre”, thotë Selami Xhepa, president në Universitetin Europian të Tiranës. Goditjet negative të viteve të fundit, të cilat krijuan kufizime edhe më të forta mbi sektorin real të ekonomisë, nuk kanë arritur të vihen në kontroll.

Xhepa thotë se, sektori financiar mbetet shumë hezitues dhe për pasojë, kredia në ekonomi mbetet në nivele shumë të ulëta që nga piku i saj në shtator 2014. Nga ana tjetër, sistemi tatimor i vendit ka krijuar çarje serioze përmes përjashtimeve tatimore për grupe të gjera të agjentëve ekonomikë, dhe një barrë të lartë për pjesën e agjentëve të tatueshëm.

Rezultati këtyre politikave është se prej vitesh, vendi ka mbetur në një nivel të ardhurash që i afrohet shifrës së 28% të PBB-së, një nivel shumë i ulët të ardhurash për të shërbyer nevojat e mëdha për investime dhe për të zbutur problemet sociale të vendit, analizon ekonomisti i njohur. Sipas tij, zgjidhja që ndoqi qeveria në vitet e fundit nëpërmjet zgjerimit të fortë të portofolit të kontratave të Partneritetit Publik – Privat, vetëm se krijon rreziqe edhe më të forta për financiar publike, kur vetë gjendja e borxhit sot është në vijën e kuqe të rrezikut. “Shkurt: gjendja është serioze dhe mundësitë mjaft të kufizuara. Në një plan afatshkurtër, mendoj se është me rëndësi rishikimi mundësive për gjenerimin e të ardhurave shtesë për buxhetin” – tha Xhepa.

Gjithashtu, ai sugjeroi se, reformat strukturore mbeten thelbësore për të krijuar një ambient nxitës jo vetëm për investimet private, por dhe për rritjen e produktivitetit të punës, përmes nxitjeve të shtuara për punë. Kjo do të thotë që politikat mbështetëse për investitorët duhet të riformatohen për arritjen jo thjesht të objektivave sasiorë, por të disa objektivave cilësorë që ndikojnë në mirëqenien e shoqërisë, këshilloi Xhepa

Prodhuesit kërkojnë nxitjen e investimeve në procesim

Në këtë mandat të ri qeverisës, Partia Socialiste duhet krijojë një ambient stimulues për prodhuesit. Sektori i prodhimit duhet të kalojë në një nivel të ri me zgjerim të procesimit të lëndës së parë që prodhohet në vend. Arben Shkodra, i cili drejton Shoqatën e Prodhuesve tha se, vlera e fitimeve në ekonomi dhe sidomos, në eksporte, do të rritet nëse sigurohet përpunimi i lëndëve të para që prodhohen në vend para se të eksportohen.

Në këtë mandat, ekonomia duhet të bazohet në disa shtylla, por më kryesorja është prodhimi, tha zoti Shkodra. “Kur them prodhimi, nuk e kam fjalën te kultivimi dhe shitja, por te përpunimi dhe procesimi. Që të realizohet, qeveria duhet të marrë në konsideratë stimulimin e prodhimit vendas. Kjo kërkon strategji specifike” – tha ai.

Sipas z. Shkodra, qeveria duhet të krijojë kushtet që sipërmarrësit të mos dynden ndaj sektorëve të tjerë që nuk janë produktivw, por të fillojnë të qasen me prodhimin, përpunimin dhe eksportin. Qeveria ka në dorë të udhëheqë këtë proces me strategji, ligje dhe VKM të veçanta dhe të aplikojë një mekanizëm që nxit eksportin.

“Produktet nga përpunimi”, në periudhën 2015-2019, zënë pjesën më të madhe të produkteve të eksportuara dhe të importuara. Në vitin 2019, pesha e eksporteve të këtyre produkteve është 81%, duke u ulur me 2,7%, krahasuar me 2018-n. Produktet me peshën kryesore në “Produktet nga përpunimi” që përfaqësohen nga sektori fason, i cili realizon vetëm përpunimin e një pjese të ciklit në vend. Lënda e parë dhe modelet vijnë nga porositësit, kurse këtu kryhet vetëm qepja.

Ky stil pune bën që vlera e fitimeve në ekonominë tonë të jetë e ulët dhe bizneset e eksportit në sektorin fason bazohen kryesisht te krahu i lirë i punës dhe jo në teknologji dhe inovacion. Nga eksportet e produkteve të përpunuara, kanë peshë të konsiderueshme “Produktet ushqimore” (11%) dhe “Koks dhe nënprodukte të naftës të rafinuara” (9%). Për shumicën e eksporteve të përpunuara, realizohet vetëm një pjesë e ciklit në Shqipëri, duke lënë një pjesë mjaft të vogël të fitimit brenda vendit.

Burimi: Anketa Strukturore, INSTAT

Burimi: INSTAT, EUROSTAT, institutet rajonale, Shqipëria për vitin 2018, të tjerat 2016

Monitor.al

Rama është propozuar për president nga disa deputetë socialiste, mendoni se:

View Results

ekonomi ekonomi biznesi i vogel kerkesat e biznesit ministria e financave nikolin jaka biznesi i vogel kerkesat e biznesit ministria e financave nikolin jaka

Sondazh

Poll

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Gjesti i veçantë i protestuesit, u dhuron lule efektivëve në shenjë solidariteti për policin e vrarë

Pas tre orësh protestë, turma vijon qëndresën: Dorëheqje!

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

Thirrja e qytetarit të Rrjollit: Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Tentoi të futej në Kryeministri, protestuesja bën simbolin e shqiponjës

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje