LIVE UPDATES
Politike

"Projekti, i paqartë dhe e bën më të vështirë zbatimin e sistemit penal", Takimi për Kodin e ri Penal, Sadushi: Duhet transparencë, kemi rekomanduar 50 faqe vërejtje

Ndër të tjera, Sadushit nënvizoi se Gjykata e Lartë ka zhvilluar një analizë të detajuar 50-faqëshe mbi projektin, me komente dhe propozime konkrete, e cila i është përcjellë Ministrisë së Drejtësisë dhe grupit të punës. 

5 Nëntor 2025, 10:13 Nga E. D
"Projekti, i paqartë dhe e bën më të vështirë
Sokol Sadushi

TIRANË- Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, duke folur për draftin e Kodit Penal, ka deklaruar se drejtësia nuk matet me shpejtësinë e ligjeve, por me cilësinë e mendimit që mbron lirinë. Teksa po merr pjesë në takimin konsultues për këtë draft, Sadushit theksoi se procesi aktual i hartimit të Kodit Penal ka nevojë për një metodologji më të qartë dhe gjithëpërfshirëse, të mbështetur në transparencë dhe pjesëmarrje reale të institucioneve të drejtësisë, akademisë dhe shoqërisë civile.

Ndër të tjera, Sadushit nënvizoi se Gjykata e Lartë ka zhvilluar një analizë të detajuar 50-faqëshe mbi projektin, me komente dhe propozime konkrete, e cila i është përcjellë Ministrisë së Drejtësisë dhe grupit të punës. Sipas tij, dokumenti prej 50 faqësh evidenton çështjet themelore, që meritojnë reflektim dhe rishikim të kujdesshëm, me synimin që Kodi i ri Penal të jetë një instrument i drejtësisë moderne, i qartë në filozofi, i zbatueshëm në praktikë dhe në shërbim të besimit të qytetarëve tek ligji. 

FJALA E PLOTE

Jam sot këtu, në emër të Gjykatës së Lartë, për të paraqitur qëndrimin tonë institucional mbi projektin e ri të Kodit Penal, një akt që prek vetë themelin mbi të cilën ngrihet drejtësia. Ky qëndrim, sado kritik, nuk duhet të shihet si refuzim ndaj reformës penale, por si detyrim profesional dhe moral i gjithë trupës gjyqësore, si një thirrje për ta bërë atë më të drejtë, më të qartë dhe më të besueshme, sepse drejtësia nuk matet me shpejtësinë e miratimit të ligjeve, por me cilësinë e mendimit intelektual, që shoqëron çdo dispozitë që prek të drejtat dhe liritë e njeriut.

Kodi Penal, si akti më i rëndësishëm pas Kushtetutës, ndikon në jetën, dinjitetin dhe liritë e qytetarëve, në punën e gjyqtarëve e prokurorëve, në politikat e sigurisë dhe në kulturën juridike të vendit. Hartimi i tij nuk është një ushtrim teknik, por një provë e pjekurisë juridike dhe morale të shtetit.

Në praktikën më të mirë evropiane, hartimi i një Kodi të ri nuk fillon me shkrimin e neneve, por me ndërtimin e një metodologjie të qartë, që përcakton filozofinë e drejtësisë penale. Kjo fazë përgatitore, e ndërtuar mbi transparencë dhe gjithpërfshirje bashkon gjyqtarë, prokurorë, akademikë, avokatë, përfaqësues të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve, kriminologë, psikologë, sociologë, statisticienë, e përfaqësues të shoqërisë civile.

Ndryshe nga praktikat më të mira, procesi aktual i hartimit të projektit nuk duket se është mbështetur mbi një metodologji të tillë. Relacioni shpjegues përmend nevojën për reformë, por nuk shpjegon mënyrën e ndërtimit. Mungon dokumenti orientues që përcakton filozofinë e re të drejtësisë penale dhe analiza e ndikimit kriminologjik, ekonomik e social të ndryshimeve të propozuara. Konsultimi institucional ka qenë i kufizuar dhe i pjesshëm.

Si pasojë, projekti, ndonëse voluminoz dhe me risi, mbetet i paqartë në disa pjesë dhe i pabarazpeshuar në filozofi, duke rrezikuar që në vend të thjeshtojë sistemin penal, ta bëjë më të vështirë në zbatim.
Kur u prezantua projekti në korrik, ngrita disa pyetje që mbeten thelbësore edhe sot: A është ky Kod i qartë dhe funksional? A është human dhe proporcional? A i flet qytetarit apo profesionistëve? A ndihmon në konsolidimin e praktikës gjyqësore apo krijon më shumë dilema? Këto nuk janë pyetje retorike, por thelbi i reflektimit për një reformë, që do të përcaktojë fytyrën e drejtësisë sonë penale për dekadat e ardhshme.

Pas publikimit të projektit të Kodit Penal dhe hapjes së konsultimeve publike, Gjykata e Lartë është përfshirë aktivisht në proces, përmes një analize të hollësishme të zhvilluar nga gjyqtarët dhe këshilltarët ligjorë të Kolegjit Penal. Kjo analizë, e mbështetur në praktikën gjyqësore dhe në nevojën për një ligj penal të zbatueshëm dhe të drejtë, është përmbledhur në një dokument të plotë prej afro 50 faqesh, me vërejtje, komente dhe propozime konkrete. I hartuar me seriozitet profesional dhe miratuar nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, ai i është përcjellë zyrtarisht Ministrisë së Drejtësisë dhe Grupit të Punës, dhe sot paraqitet në këtë tryezë si shprehje e përgjegjësisë institucionale dhe e reflektimit profesional të Gjykatës së Lartë.

Nëpërmjet këtij materiali, por edhe të ngjashmëve të tij, të paraqitura me siguri edhe nga insitucionet e tjera, që marrin pjesë në këtë tryezë, procesi i reformës merr seriozitetin dhe besueshmërinë, që kërkon një ndërhyrje e kësaj rëndësie. Dokumenti evidenton çështjet themelore, që meritojnë reflektim dhe rishikim të kujdesshëm, me synimin që Kodi i ri Penal të jetë një instrument i drejtësisë moderne, i qartë në filozofi, i zbatueshëm në praktikë dhe në shërbim të besimit të qytetarëve tek ligji.

Të nderuar pjesëmarrës,

Duke vijuar me qëndrimin institucional të Gjykatës së Lartë, më lejoni të ndalem në disa çështje themelore, që ka evidentuar analiza e bërë mbi projektin e ri të Kodit Penal, çështje që prekin vetë filozofinë, strukturën dhe drejtimin e kësaj reforme. Kjo analizë është ndërtuar mbi pesë shtylla kryesore, të cilat përbëjnë bazën e një politike penale moderne, të drejtë dhe të qëndrueshme.


1. Qartësia dhe siguria juridike

Një Kod Penal që nuk flet qartë, nuk mund të garantojë drejtësi. Projekti aktual, me mbi 950 nene, shpesh të mbingarkuara e të paqarta, rrezikon të zhvendosë theksin nga mbrojtja e lirive, drejt forcimit të ndërhyrjes shtetërore. Edhe pse riafirmon ndalimin e dënimit pa ligj (neni 2), mungon një dispozitë që të përmbledhë filozofinë moderne të së drejtës penale: se ndëshkimi është mjeti i fundit, ndërsa liria është parimi themelor.

Vërehet se dispozita kyçe përmbajnë formulime të paqarta, që krijojnë hapësirë për interpretime të ndryshme nga gjykatat, duke cenuar parimin nullum crimen, nulla poena sine lege certa. Në disa dispozita thelbësore, si neni 18 që përkufizon “veprën penale”, ndërthuren në mënyrë të pasaktë elementë materialë me nocione procedurale, duke cenuar qartësinë dhe koherencën e normës; neni 20 e përcakton lidhjen shkakësore përmes shprehjes “probabilitet i lartë”, ndërsa në dispozitat që trajtojnë përgatitjen, tentativën, bashkëpunimin dhe format e fajësisë etj, gjuha e përdorur krijon paqartësi dhe hapësirë për interpretime subjektive.

Dispozitat që lidhen me ndërhyrjet në lirinë e shprehjes dhe të drejtën për informim, si për shembull nenet 235, 509, 517, 863, 865 të projektit, kërkojnë rishikim të kujdesshëm për të mos u kthyer në një ndërhyrje të panevojshme në një shoqëri demokratike. Normat e reja duhet të garantojnë ekuilibrin midis mbrojtjes së autoritetit të pushtetit gjyqësor, të drejtave të të tjerëve dhe lirisë së shprehjes, përfshirë të drejtën për informim.

Në projekt vërehen gjithashtu dispozita jashtëzakonisht të gjata me mbi dy faqe të formatit A4, si neni 175 për krimet e luftës dhe neni 224 për aktet terroriste, çka përbën një shmangie serioze nga standardet e teknikës legjislative dhe cenon qartësinë e ligjit penal.

Një gjuhë përshkruese, në vend të një gjuhe normative, e dobëson funksionin kufizues të ligjit penal dhe rrezikon ta zhvendosë gjykimin nga analiza juridike te perceptimi personal, duke e bërë ligjin më pak të parashikueshëm dhe zbatimin e tij potencialisht arbitrar. Në fushën penale, ku në lojë është liria e njeriut, çdo paqartësi është rrezik, sepse hap rrugë për interpretim ose zbatim me analogji, gjë që është e ndaluar. Prandaj kërkohet një rishikim i kujdesshëm i terminologjisë dhe strukturës së dispozitave, që Kodi të jetë i qartë, i kuptueshëm dhe i parashikueshëm, si një instrument që forcon besimin e qytetarëve te drejtësia.

2. Koherenca sistemike dhe përputhshmëria evropiane

Një Kod Penal i ri nuk mund të qëndrojë i shkëputur nga trupi i së drejtës. Koherenca sistemike dhe përputhshmëria evropiane nënkuptojnë që çdo dispozitë penale të jetë në harmoni me kodet dhe ligjet e tjera themelore dhe me standardet e së drejtës evropiane. Në disa pjesë të projektit vërehet një përzierje e paqartë midis dispozitave materiale dhe atyre procedurale, si dhe mospërputhje me Kodin Civil, Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet e tjera. D

isa nene që trajtojnë çështje të natyrës procedurale, si ato për masat mjekësore dhe edukuese ndaj të miturve (nenet 116–120), për lirimin me kusht (nenet 175–176) apo pezullimin e veprimtarisë së personave juridikë (neni 125), duhen rregulluar në Kodin e Procedurës Penale, jo në Kodin Penal.

Gjithashtu, neni 546 që parashikon veprën e vetëgjyqësisë përsërit rregullime që tashmë trajtohen nga Kodi Civil, ndërsa neni 539, për mosparaqitjen në seancë gjyqësore, trajton çështje që janë objekt i legjislacionit disiplinor për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët. Po ashtu, përfshirja e disa shkeljeve të Kodit Rrugor si vepra penale krijon dublim normativ dhe e ngarkon pa nevojë sistemin penal.

Këto raste tregojnë mungesë koherence ndërkodike, që cënon integritetin e sistemit dhe zbatimin e unifikuar të ligjit. Një Kod Penal modern duhet të jetë i lidhur organikisht me rendin juridik dhe në përputhje me standardet evropiane për proporcionalitetin dhe parashikueshmërinë. Vetëm një kod i tillë, i integruar dhe i harmonizuar me parimet evropiane, mund të garantojë siguri juridike dhe besueshmëri në procesin e integrimit.

3. Dekriminalizimi dhe kufijtë e ndërhyrjes penale – parimi i “ultima ratio”

Shteti ndëshkon vetëm kur nuk ka mjete të tjera për të parandaluar. Ky është themeli i çdo sistemi penal modern: ndëshkimi si mjet i fundit, jo si zgjidhje e parë. Ligji penal nuk duhet të ndërhyjë atje ku mjetet administrative, civile apo disiplinore janë të mjaftueshme për të korrigjuar sjelljen. Në projektkod, ky parim nuk del qartë si filozofi udhëheqëse. Përkundrazi, neni 3 zgjeron pa kriter fushën e ndërhyrjes penale, duke përfshirë sjellje që në sistemet evropiane trajtohen përmes përgjegjësisë administrative ose civile.

Disa dispozita, si nenet 599–604 për detyrimet tatimore e fiskale, parashikojnë ndëshkime penale për vonesa në pagesa mbi bazë vetëdeklarimi, mosparaqitje informacioni apo mosmbajtje dokumentacioni, sjellje që duhet të mbeten në sferën administrative, për sa kohë nuk përbëjnë mashtrim apo fshehje të qëllimshme. Neni 651, që sanksionon mbajtjen e padrejtë të dy cilësive në funksione publike, përbën çështje disiplinore, jo penale. Po kështu, neni 667 për shkeljen e rregullave të sigurisë në punë dublon norma ekzistuese për “vrasje apo plagosje nga pakujdesia” duke ngatërruar përgjegjësinë profesionale me atë penale.

Veçanërisht shqetësuese janë neni 301 që përfshin konfliktin e interesit si vepër penale, megjithëse kjo rregullohet nga ligji administrativ, dhe neni 522 “Dhënia e vendimit në keqbesim”, i cili, në mungesë kriteresh të qarta, rrezikon të cënojë pavarësinë e gjyqësorit dhe të shndërrohet në një mjet presioni ndaj gjykatës.
Një sistem penal i drejtë nuk matet me numrin e veprave të reja, por me racionalitetin e kufizimit të ndërhyrjes. Ligji penal duhet të veprojë vetëm kur çdo mjet tjetër dështon. Vetëm atëherë ai është shprehje e drejtësisë, jo e forcës së shtetit.

4. Filozofia humane e drejtësisë penale

Qëllimi i dënimit nuk është hakmarrja, por rikthimi i njeriut në shoqëri. Sistemet moderne penale ndërtohen mbi parimin e humanizmit dhe risocializimit, mbi idenë se shteti ndëshkon për të korrigjuar, jo për të shkatërruar. Suksesi i një sistemi penal nuk matet me ashpërsinë e dënimeve, por me aftësinë për të kthyer individin në pjesë të dobishme të shoqërisë. Në këtë kuptim, neni 64 i projektit përmend riintegrimin e të dënuarit, por e kufizon atë vetëm në fazën e vuajtjes së dënimit, duke e trajtuar si detaj teknik e jo si filozofi që duhet të përshkojë gjithë strukturën e Kodit.

Projekti, në vend që të ndërtohet mbi humanizëm, zgjeron logjikën ndëshkuese: neni 72 dhe neni 151 e çojnë burgimin maksimal deri në 45 vjet, duke devijuar nga standardet evropiane dhe duke e kthyer dënimin maksimal në koncept të pafund. Rritja e përgjithshme e dënimeve dhe mungesa e fleksibilitetit në caktimin e tyre rrezikon ta zhvendosë drejtësinë nga humanizmi drejt formësimit mekanik.

Dënimi nuk mund të jetë formulë aritmetike; ai kërkon gjykim njerëzor, ndjeshmëri dhe balancë. Tendenca për të paracaktuar numrin dhe llojin e dënimeve plotësuese e kufizon rolin e gjykatës në individualizimin e ndëshkimit. Po ashtu, konceptimi i dënimeve alternative mbetet i cunguar. Neni 155 ngushton nga pesë në tre vjet kufirin për zëvendësimin e dënimit me burgim, ndërsa nenet 160 dhe 163 që rregullojnë ‘lirinë e kontrolluar’ dhe ‘pezullimin me vendosje në provë’ mbivendosen në përmbajtje, duke treguar mungesë koherence.

Edhe pse projekti përfshin elemente pozitive për modernizim, mungon një vizion i qartë për humanizimin e drejtësisë penale. Risocializimi duhet të jetë parim themelor i Kodit, jo thjesht fazë e ekzekutimit. Një Kod Penal me filozofi humane duhet të ruajë ekuilibrin mes mbrojtjes së shoqërisë dhe dinjitetit njerëzor, duke e parë dënimin si mjet drejtësie, jo shenjë të forcës së shtetit. Përndryshe, drejtësia rrezikon të kthehet në një mjet frike, jo besimi. Një sistem që ndëshkon mekanikisht dhe pa hapësirë për arsyetim njerëzor, nuk edukon, por dëmton besimin qytetar. Qytetari duhet ta shohë ligjin si mbrojtje, jo si kërcënim.

5. Proporcionaliteti dhe diskrecioni gjyqësor

Drejtësia kërkon baraspeshë: dënimi duhet të jetë i drejtë, jo thjesht i rreptë. Një nga problematikat më të ndjeshme të projektit është tendenca drejt dënimeve fikse, që cenon parimin kushtetues të individualizimit të dënimit. Paracaktimi numerik i sanksioneve, pa hapësirë të mjaftueshme për vlerësim gjyqësor, e zhvendos drejtësinë nga analiza njerëzore te mekanizmi ndëshkues dhe e rrezikon proporcionalitetin midis fajit dhe dënimit.

Një sistem i tillë, në vend që të garantojë barazi, rrezikon të krijojë pabarazi të reja, sepse i trajton njësoj raste që janë të ndryshme në natyrë dhe rrethana. Kjo prirje e kufizon diskrecionin gjyqësor dhe e dobëson aftësinë e gjykatës për të dhënë një dënim të drejtë dhe të arsyetuar sipas rrethanave konkrete. Njëkohësisht, me rritjen e kufirit maksimal në 45 vjet dhe me shtimin e formulave fikse, projekti e bën sistemin më të ashpër dhe më pak fleksibël. Kjo prirje e zhvendos vëmendjen nga cilësia e drejtësisë te sasia e ndëshkimit.

Në disa dispozita, dënimi nuk është më rezultat i gjykimit individual, por i një formule të paracaktuar që e redukton gjyqtarin në zbatues mekanik të ligjit. Kështu, neni 139 parashikon ulje të fiksuara për rrethanat lehtësuese, dhe neni 141 përcakton shtesa të detyrueshme për rrethanat rënduese. Në këtë mënyrë, akti i gjykimit humbet dimensionin moral dhe njerëzor, duke u shndërruar në një procedurë aritmetike që zbeh vetë thelbin e drejtësisë. Edhe aty ku qëllimi është i drejtë, si në mbrojtjen e familjes, mungon ekuilibri. Dënimet për dhunën në familje, të trefishuara në projekt, nuk garantojnë mbrojtje më të mirë, nëse ligji mbetet i paqartë.

Po kështu, neni 68, që detyron vendosjen e “jo më pak se dy” dënimeve plotësuese, bie ndesh me logjikën penologjike. Një dënim i vetëm, i zgjedhur me kujdes, mund të jetë më efektiv dhe më edukues sesa një kombinim mekanik sanksionesh. Ndërkohë, mungesa e një tavani absolut të dënimit krijon pasiguri juridike dhe cenon parimin e proporcionalitetit. Në përfundim, drejtësia nuk matet me ashpërsinë e dënimeve, por me aftësinë për të ruajtur baraspeshën midis fuqisë së shtetit dhe mbrojtjes së njeriut. Vetëm duke garantuar diskrecion gjyqësor të arsyeshëm dhe duke shmangur formulat fikse, ligji penal mund të sigurojë drejtësi reale dhe humane.

Të nderuar pjesëmarrës,

Një reformë penale pa metodë dhe reflektim nuk është reformë, por rrezikon të kthehet në një ndryshim pa përmbajtje. Ajo duhet të ngrihet mbi tri shtylla themelore: metodë, transparencë dhe mirëbesim institucional. Vetëm mbi këto baza ajo fiton jo vetëm legjitimitet teknik, por edhe besueshmëri publike.
Drejtësia, në kuptimin më të lartë të saj, nuk është zbatim i verbër i ligjit, por ekuilibër mes forcës dhe urtësisë, mes rregullit dhe lirisë. Ajo është garancia më e fortë për dinjitetin, sigurinë dhe besimin e qytetarëve në shtetin e së drejtës.

Gjykata e Lartë vlerëson se procesi i reformës penale duhet të rifillohet mbi baza të qëndrueshme metodologjike dhe profesionale, jo si pengesë, por si garanci për cilësinë, integritetin dhe koherencën e sistemit penal. Kjo nuk është thirrje për ndalim, por ftesë për përmirësim e bashkëpunim, sepse vetëm një reformë e ndërtuar mbi mirëbesim mund të sjellë drejtësi që afron, jo që ndëshkon; që forcon besimin te ligji dhe te shteti, jo frikën ndaj tyre.

Gjykata e Lartë mbetet e angazhuar të kontribuojë me përvojën dhe ekspertizën e saj në këtë proces, si partner institucional në ndërtimin e një sistemi penal modern, të drejtë dhe të qëndrueshëm. Synimi ynë nuk është të ndalet reforma, por të forcohet; jo të kritikohet si qëllim në vetvete, por të përmirësohet, që nga ky proces të lindë një drejtësi më e qartë, më e besueshme dhe më njerëzore.

Vërejtjet dhe propozimet e paraqitura përfaqësojnë një punë të thellë e të përgjegjshme, që kërkon reflektim serioz nga grupi i punës dhe institucionet përkatëse. Ato nuk janë qëndrime për t’u pranuar verbërisht, por kontribut profesional që synon një reformë më të mirë, një ligj më të drejtë dhe një sistem që i shërben qytetarit. Vetëm kështu reforma fiton jo vetëm legjitimitet, por edhe besimin e shoqërisë, duke u bërë jo thjesht reformë e Kodit, por e vetë drejtësisë. Ju falëminderit për vëmendjen./Dosja.al

sokol sadushi

Sondazh

Poll

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet