LIVE UPDATES
Politike

"Pas perdes së fushatës!" BIRN: Gratë kandidate u sulmuan me gjuhë seksiste dhe denigruese

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se kandidatet gra në zgjedhjet e fundit parlamentare u sulmuan sistematikisht me komente fyese, seksiste dhe gjuhë urrejtje për shkak të gjinisë në rrjetet sociale – një fenomen që dekurajon pjesëmarrjen e tyre në jetën politike.

6 Qershor 2025, 22:02 Nga Vladimir Karaj
"Pas perdes së fushatës!" BIRN: Gratë kandidate u
Foto ilustruese

TIRANA- Gjatë garës elektorale për një vend në Kuvendin e Shqipërisë, Ina Majko, përfaqësuesja e vetme nga komuniteti rom në listën e Partisë Socialiste, postoi në faqen e vet në Facebook një video satirike të mikut të saj, aktorit Alex Seitaj.

Në videon mbështetëse, Seitaj luan rolin e nënës së tij dhe në një moment i drejtohet Majkos: “Të tëra të mirat i ke të keqen nëna, që të gjesh një burrë”.

Pas një fushate derë më derë në qarkun e Vlorës, Majko i tha BIRN se ajo që aktori tha me humor ishte në fakt një prej klisheve më të shpeshta paragjykuese me të cilën u përball vazhdimisht në terren.

“Nuk besoj që ndonjë burrë kandidat e pyesin nëse është i martuar apo ka fëmijë, por kjo mua më ndodhte shpesh,” tha Majko. “M’u krijua përshtypja se nëse do isha e martuar dhe me fëmijë, do merrja ndonjë votë më shumë,” shtoi ajo.

Ballafaqimi me stereotipet gjinore ishte vetëm ana e dukshme. Në rrjetet sociale, Majko thotë se u sulmua me komente të dhunshme dhe gjuhë urrejtjeje fillimisht se ishte pjesë e komunitetit rom dhe më pas si grua.

“Dua të them që këta janë të njëjtët persona, një racist është seksist dhe homofob njëkohësisht. Nuk mund të presësh që dikush që është seksist, të mos jetë edhe racist apo të respektojë kategori të tjera,” i tha ajo BIRN, ndërsa shtoi se “gjuha e urrejtjes ishte ende aty”

Përvoja e Majkos nuk është e izoluar. Mes 787 grave që garuan në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, shumë prej tyre u targetuan në rrjetet sociale me gjuhë fyese, denigruese dhe urrejtjeje mbi bazë të gjinisë.

BIRN analizoi mbi 150 mijë komente të mbledhura nga faqet në Facebook të kandidateve gra nga i gjithë spektri politik në rrjetet sociale, me ndihmën e mjeteve teknologjike si Google Colab, SentiOne dhe Apify, dhe identifikoi gjerësisht përmbajtje seksiste, e cila varion deri në nëntë për qind të totalit të komenteve pa dallim force politike.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se ndaj grave në politikë pati sulme të organizuara nga profile false, të cilat synonin që t’i paraqisnin kandidatet si “kukulla”, “të përdala” apo zgjatime të burrave në garë.

Kandidatet u targetuan pothuajse njësoj nga komentet fyese, denigruese apo gjuha e urrejtjes, pavarësisht partisë politike të cilën ato përfaqësojnë. Një diferencë e vogël në përqindje u vu re ndaj disa kandidateve të mazhorancës, të cilat u sulmuan disi më fort se të tjerat.

Aktivistët e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se një klimë e tillë online, e shoqëruar edhe me qëndrimet seksiste të liderëve të partive politike, ndikon negativisht në përfaqësimin e grave në politikë, duke ulur vetëbesimin dhe gatishmërinë e tyre për të kandiduar në të ardhmen.

“Ndikon patjetër për disa arsye: krijon klimë frike apo dhune psikologjike, forcon stereotipet gjinore duke i cilësuar gratë apo vajzat si të paafta për të përballuar emocionalisht çështjet e politikës,” thotë Ines Leskaj, drejtuese e Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, AWEN.

“Shumë gra vendosin mos të kandidojnë apo përballen publikisht për shkak të sulmeve të mundshme apo përdorimit të figurës së tyre,” shtoi Leskaj.

Sulme seksiste të organizuara  

Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, të cilat i dhanë një mandat të katërt pothuajse të cilësuar kryeministrit Edi Rama, numri i grave në garë si në listat e mbyllura ashtu edhe në ato preferenciale ishte i konsiderueshëm, 787 në total.

Mes tyre u zgjodhën deputete 50 gra nga katër forca politike; 34 prej të cilave nga Partia Socialiste në mazhorancë, 13 nga Partia Demokratike, 2 nga Partia Socialdemokrate dhe një mandat i diskutueshëm nga koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet.

Numerikisht, gratë përbëjnë sot rreth 35 për qind të parlamentit të ardhshëm në Shqipëri ose 5 pikë më lart se kuotat e detyrueshme gjinore për promovimin e barazisë gjinore në politikë. Megjithatë, nën koracën e numrave fshihen sulme individuale apo të orkestruara vetëm për shkak të gjinisë.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se një pjesë e komenteve me gjuhë seksiste dhe denigruese për kandidatet e të dyja forcave kryesore vinin nga profile false. Një grup profilesh, që kishin në URL një pseudonim apo emër e mbiemër të supozuar, të ndarë me pikë dhe përfundonin me “.2025”, u përdorën për të sulmuar me gjuhë seksiste kandidate të të dyja forcave kryesore politike. Profile të ngjashme po ashtu bënin komente pozitive, të cilat në mjaft raste ishin të njëjta.

Një pjesë e këtyre profileve ishin lehtësisht të identifikueshme si të rreme, pasi ishin krijuar pothuajse në të njëjtën kohë, kishin numër të kufizuar ndjekësish, nuk kishin postime reale dhe fotografitë e profilit i kishin të marra nga interneti. Një pjesë e profileve që përfundonin me “.2025” ndanin të njëjtët miq dhe rezultuan të fshira pas përfundimit të fushatës elektorale.

Anita Doçi punoi gjatë fushatës si menaxhere e rrjeteve sociale për kandidaten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, dhe një ndër punët e saj ditore ishte fshirja e dhjetra mesazheve fyese dhe denigruese. Doçi thotë se kishte hasur shumë raste ku në postimet nga terreni, Tabakut i shkruanin mesazhe të llojit “rri gjithë ditën rrugëve” apo “s’mendon fare për familjen, fëmijët”.

“Komente që nuk i gjen te kandidatët meshkuj,” tha ajo.

Vetë Tabaku i tha BIRN se gjatë fushatës ishin aktivizuar grupe të organizuara me qëllimin e vetëm për të sulmuar. Sulmet, sipas saj, ishin masive në ato video që u përzgjodhën prej fushatës për të prezantuar një kandidate më normale – si për shembull një video ku ajo kishte ndaluar të vishte atletet.

“Ajo video u bë nga më të ndjekurat, nuk e di me 1 milion shikime, dhe duke u futur njerëzit atje, nuk e ke idenë lloj-lloj komentesh për një atlete që vesh,” tha Tabaku.

Ajo tha se gratë shiheshin si target më i lehtë për komentuesit edhe kur nuk ishin të organizuar nga forca politike rivale.

“Ndoshta e kanë më të lehtë ta bëjnë këtë ndaj grave. U duket më e thjeshtë për të sulmuar një grua se mendojnë që ndoshta nuk ka përgjigje,” shtoi ajo.

BIRN vuri re se numri më i lartë i komenteve seksiste ishte në ato postime në rrjetet sociale që i vendosnin kandidatet në mjedise të cilat përkojnë me paragjykimet gjinore. Videot në fshat, vizitat në fasoneri si dhe takimet me fëmijë dhe të moshuar përmbanin shpesh komente seksiste dhe gjuhë të tillë. Po ashtu, postimet e grave kandidate lidhur me drejtuesit e forcave politike apo prania në të njëjtin mjedis tërhoqi më shumë gjuhë seksiste.

Në kampin e mazhorancës, kandidatet Klodiana Spahiu dhe Blerina Gjylameti thonë se u përballën me gjuhë fyese në rrjetet sociale.

“Kuptohet që nuk kanë qenë komente që të merrnin shkak nga diçka konkrete apo në lidhje me takimin, thjesht gjuhë fyese kundrejt personit tim dhe përkatësisë time partiake,” tha Spahiu.

Gjylameti, e cila nuk arriti të futej në Kuvend për një grusht votash, tha se kishte vënë re një rritje të komenteve fyese apo seksiste në javët e fundit të fushatës. Ajo theksoi gjithashtu se komente të tilla përpiqeshin që t’i fshinin për të mos nxitur më tej gjuhën e urrejtjes.

“Nga eksperienca ime personale, postimet e fushatës elektorale, sidomos në javët e fundit, u shoqëruan me vrull komentesh urrejtje politike dhe kryesisht të bazuara në të qenit grua,” tha Gjylameti.

“Çfarë përmban një gjuhë jo etike, me terminologji seksiste apo denigruese, vullnetarët që janë pjesë e stafit tim i fshijnë dhe kjo si një mënyrë që të mos nxitet më shumë gjuha e urrejtjes,” theksoi ajo.

Tolerancë institucionale dhe shoqërore

Gjuha denigruese dhe seksiste në hapësirën online konsiderohet si zgjatim i së njëjtës gjuhë të përdorur rëndom nga drejtuesit e partive politike dhe media tradicionale në Shqipëri.  Për ekspertët dhe studiueset e këtij fenomeni, fushata e fundit zgjedhore vazhdoi në të njëjtin trend, duke krijuar një klimë jo të mirë për gratë që përfshihen në politikë.

Izela Tahsini, psikoterapiste dhe Profesore e Asociuar në punë sociale i tha BIRN se gjuha seksiste dhe denigruese në rrjetet sociale përforconte stereotipet e dëmshshme dhe minonte besueshmërinë e kandidateve në garë.

“Sensacionalizmi dhe gjuha seksiste, për fat të keq, nuk u eliminuan, veçanërisht në seksionet e komenteve online, duke krijuar një mjedis armiqësor për gratë në politikë,” tha Tahsini.

“Rrjedhimisht, ashtu si në zgjedhjet e mëparshme, jam e bindur se vazhdon të mbajë jashtë politikës një sërë grash”, shtoi ajo.

Edlira Gjoni, eksperte e komunikimit politik, mendon se komentet e personave anonimë në rrjetet sociale frymëzohen nga liderët e tyre politikë.

“Komentet tallëse të nisura nga politikanët apo mediat shtjelloheshin më tej në komente pa fre online, edhe në faqet e disa prej mediave të mëdha”, tha Gjoni. “Çdo person anonim ndjen se ka të drejtë të reduktojë kandidatet gra në stereotipe gjinore, duke minimizuar kështu zyrtarisht rolin e tyre si kontribuuese politike,” shtoi ajo.

Edhe Marsela Dauti, autore e studimeve mbi përfaqësimin e grave në politikë, i tha BIRN se seksizmi dhe gjuha denigruese ndaj grave ishin të ngulitura thellë në politikën shqiptare.

“Kjo është shumë e vështirë, pasi gjuha denigruese shpesh konsiderohet si pjesë normale e politikës — madje edhe nga vetë gratë politikane,” tha ajo duke theksuar se këtë e kishte vënë re gjatë një studimi për dhunën ndaj grave në politikë.

“Gjuha ofenduese apo dhuna në përgjithësi perceptohen si një kosto që duhet paguar për të qenë pjesë e jetës politike,” shtoi Dauti.

Gjatë fushatës së fundit elektorale, kryeministri Edi Rama u apeloi grave dhe i lavdëroi ato, shpeshherë përmes shprehjeve të tipit “Partia Socialiste është grua” apo “Ngjyra rozë është ngjyra e grave dhe vajzave si dhe ngjyra e Partisë Socialiste”.

Por kjo narrativë konsiderohet si “seksizëm i sheqerosur” nga Dauti, e cila theksoi se shprehje të tilla ishin përdorur për të pastruar imazhin e PS gjatë fushatës elektorale për mëkatet e veta të korrupsionit.

Ines Leskaj nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, AWEN, kujton një tjetër episod seksist të fushatës së Ramës, ku ai këshilloi gratë që “të përdorin aftësitë e tyre joshëse”. Në anën tjetër të spektrit politik, edhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka u denoncua po ashtu për përdorim të gjesteve fyese dhe vulgare.

Leskaj tha se kjo gjuhë e drejtuesve politikë tolerohet. “Toleranca institucionale dhe shoqërore është e pranishme, për shkak të mendësisë se gratë në politikë nuk janë të “fuqishme”,” tha Leskaj.

Edhe UN Women vuri re tolerancë ndaj gjuhës denigruese gjatë monitorimit të fushatës së fundit.

“Në Shqipëri ka një tolerancë institucionale dhe shoqërore ndaj gjuhës denigruese, si ndaj grave ashtu edhe burrave në politikë. Kjo ndodh për disa arsye, përfshirë mungesën e mekanizmave efektivë për të adresuar dhe ndëshkuar sjellje të tilla, si dhe normat kulturore dhe stereotipet gjinore të rrënjosura thellë në shoqëri,” tha organizata në përgjigje me shkrim.

Pabarazia në garë

Dhurata Çupi (Tyli), deputete e Partisë Demokratike prej vitit 2017, e humbi garën në Tiranë në zgjedhjet e fundit. Ajo thotë se fakti që ishte grua u përdor taktikisht për t’ia “trembur” votuesit.

“Ka shumë raste që takoja votues dhe pas meje takonin burra kandidatë të listës së hapur dhe influenconin votën kundër meje me argumentin që është grua”, tha Çupi. Sipas saj, diskriminimi pozitiv në ligj u përdor në krah të kundërt, për t’i bindur votuesit se gratë kishin vetëm një në tre vende dhe se një grua nuk do të dilte dot deputete.

Çupi thotë se ajo u diskriminua edhe nga forca e vet politike dhe u braktis gjatë fushatës në favor të burrave që ishin pjesë e garës. “Nga partia kam marrë zero mbështetje. Asnjë mbështetje. Përkundrazi ka patur raste kur lidershipi ka influencuar votën për kandidatët preferencialë,” tha ajo.

Kandidate të tjera ndërkohë vunë në dukje se gara ishte e pabarabartë. Sidomos në zonat rurale dhe qyteza ku gratë përfshihen pak në politikë dhe të takon të shohësh shpesh takime kandidatesh në prani vetëm të burrave.

“Në përgjithësi, shoqëria shqiptare është maskiliste dhe vëmendjen më të madhe e zënë burrat”, tha kandidatja Lindita Metaliaj, e cila garoi në listën e hapur të Partisë Demokratike në Lezhë.

Kandidatet e intervistuara vunë në dukje gjithashtu disbalancën financiare dhe vështirësitë për të ngritur fonde.

“[Kishte] Burra biznesmenë në garë, që shpenzimet i kishin të pakrahasueshme me buxhetin tim”, tha Çupi.

“Ngritja e fondeve për fushata elektorale është një nga vështirësitë më të mëdha që gratë kanë në krahasim me burrat, aq më tepër në kontekstin kulturor shqiptar,” tha Gjylameti nga Partia Socialiste, e cila kërkoi të kishte ndryshime ligjore në këtë pikë.

Sulmet seksiste dhe denigruese në rrjetet sociale apo gjuha e përdorur në media janë pengesa shtesë mbi këto pabarazi, të cilat në thelb duan t’i trembin dhe largojnë gratë nga politika. Për kandidate si Ina Majko, vështirësi të tilla të bëjnë të humbësh edhe besimin.

“Vajzat e gratë kur përfshihen në politikë nuk i besojnë dot më asnjë burri,” tha Majko, ndërsa shtoi se edhe një foto e pafajshme mund të kthehet në një mundësi për të të targetuar. “Kjo është e frikshme!”./ BIRN

Sondazh

Poll

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje

"Studentët të ndërrojnë qeverinë"/ I riu thirrje të forta nga protesta: Mos u largoni nga Shqipëria

Protestuesit nuk i tremb as shiu, thirrje të forta nga Kryeministria: Revolucion!

“I preve në besë banorët e Rrjollit dhe Thethit”/ Protestuesi thirrje Ramës: Malet i nxore në shitje

PAMJE PREKËSE/ Vogëlushja mes lotësh mesazh Ramës: Pelikanin kaçurrel do ta sjellim në Surrel

Qytetarët njëzëri para Kryeministrisë: Rama në burg, Berisha në Burg

Banorja e Rrjollit: Mos bini pre e provokimeve! Këtu do rrimë deri sa Rama të japë dorëheqjen

Protesta kundër projektit të Zvërnecit/ Protestesit mesazh Ivanka Trump: Mbaj duart larg Nartës

Tensionohet situata në protestë, policia nuk kursen qytetarët hedh ujë me piper me presion