LIVE UPDATES
Politike

Nga Vullin deri te Bërnabiç, fyerjet ndër vite ndaj shqiptarëve nga zyrtarët serbë

Nga kabineti i kryetares së Kuvendit dhe i Partisë Progresive Serbe në pushtet, nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it në lidhje me fyerjet e bëra. Nuk është hera e parë që Ana Bërnabiç fyen popullin shqiptar dhe nuk është as e vetmja zyrtare serbe që i ka quajtur ata me emërtim fyes.

6 Mars 2025, 16:01 Nga N.F
Nga Vullin deri te Bërnabiç, fyerjet ndër vite ndaj
Bërnabiç

SERBI- "Yjet dhe heronjtë e mediave shiptare". Kështu i quajti disa herë deputetët e opozitës kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, nga foltorja e Kuvendit gjatë seancës së 4 marsit.

"Deklaratat e saj janë pasqyrim i kulturës politike të institucionalizuar. Me këtë propagandojnë urrejtje etnike që rrezikon drejtpërdrejt sigurinë e shqiptarëve në Serbi", tha për Radion Evropa e Lirë (REL) ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi.

Nga kabineti i kryetares së Kuvendit dhe i Partisë Progresive Serbe në pushtet, nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it në lidhje me fyerjet e bëra. Nuk është hera e parë që Ana Bërnabiç fyen popullin shqiptar dhe nuk është as e vetmja zyrtare serbe që i ka quajtur ata me emërtim fyes.

Fyerjet nga nivelet më të larta të pushtetit kanë vazhduar pavarësisht vendimit të një gjykate në Serbi, e cila e ka cilësuar termin "shiptari" si politikisht të pasaktë dhe fyes. Po ashtu, edhe Komisionarja për Mbrojtjen e Barazisë ka vlerësuar më parë se përdorimi i tij shkel Ligjin për ndalimin e diskriminimit. Pasi deputetët e opozitës hodhën bomba tymuese në sallën e Kuvendit, kryetarja e tij i quajti ata "bandë terroriste".

"Dua t’i informoj deputetët se ata të opozitës janë yjet e të gjitha mediave të Albin Kurtit (kryeministrit të Kosovës), mediave shiptare. U bëtë yje, jeni ndjekësit e tij, ju lumtë (...)".

Ajo e akuzoi kryeministrin e Kosovës për "metoda terroriste", duke aluduar në gazin lotsjellës që deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kishin hedhur në të kaluarën në Kuvendin e Kosovës. Gjuha fyese dhe denigruese u përsërit edhe disa orë më vonë.

"Kjo është vetëm një pjesë e vogël e asaj se si ju lavdërojnë mediat shiptare (...)", u tha Bërnabiq opozitës, duke treguar faqet e internetit të mediave Koha dhe Reporteri nga Prishtina, të cilat kishin raportuar për bombat tymuese dhe përleshjen mes deputetëve në Kuvendin serb.

Fjala "shiptar" konsiderohet fyerje nga gjykatat serbe dhe nga pakica kombëtare shqiptare në Serbi, kujton Katarina Golluboviq nga Komiteti i Juristëve për të Drejtat e Njeriut (YUCOM). Megjithatë, ajo u përdor disa herë në Kuvend për të paraqitur në një dritë negative deputetët e opozitës.

"Dikush që ka detyrën të kujdeset për mënyrën e të shprehurit në Kuvendin Popullor tregoi se nuk respekton as Rregulloren, as standardet, por mbi të gjitha, as qytetarët që jetojnë në Republikën e Serbisë", tha Golluboviq për REL-in.

Shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë në jug të Serbisë, në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

"Një deklaratë e tillë për shqiptarët nuk është vetëm fyerje, por edhe një sinjal shqetësues në lidhje me të drejtat dhe sigurinë e tyre në Serbi", tha për REL-in kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani.

Ana Bërnabiq i ka fyer shqiptarët edhe kur ishte kryeministre e Serbisë. Për shkak të një deklarate ku tha se Beogradi në negociatat me Prishtinën po merrej me "njerëz që kanë dalë nga mali", asaj iu ndalua hyrja në Kosovë në vitin 2019. Ata që jetojnë në Serbi "janë ekspozuar ndaj një diskriminimi të tillë për vite me radhë saqë jemi bërë rezistentë", thotë ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi:

"Por, kjo është diçka kundër së cilës jemi të gatshëm të luftojmë deri në fund, sepse nuk kërkojmë asgjë më shumë se ajo që është rregulluar me ligj dhe institucione të vetë Serbisë".

Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me deklaratat e kryetares së Kuvendit të Serbisë. Sociologu dhe analisti politik nga Prishtina, Artan Muhaxhiri, vlerëson se përdorimi i gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve në Kuvendin serb nuk kontribuon në normalizimin dhe përparimin e marrëdhënieve mes dy palëve.

"Kjo është një mënyrë e vjetruar e të menduarit dhe të bërit politikë, e cila i ka sjellë kaq shumë të këqija rajonit tonë në të kaluarën e afërt", thotë Muhaxhiri për REL-in.

Ai, gjithashtu, vlerëson se Ana Bërnabiq "nuk është vendimmarrëse", por shpreh qëndrimet e "një kulture të përgjithshme politike të udhëhequr nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Partia Progresive Serbe".

Muhaxhiri shton se përdorimi i emërtimit fyes për shqiptarët nga zyrtarë të lartë serbë "vetëm sa zbulon mungesën e tyre të vizionit minimal politik".

"Meqenëse përparimi ndërkombëtar i Serbisë është i lidhur pandashëm me pranimin e realitetit se Kosova është shtet i pavarur, kjo gjuhë urrejtjeje nuk ka ndikim në politikën bashkëkohore normale. Ajo mund të mobilizojë vetëm një kategori të caktuar të votuesve të Partisë Progresive Serbe që ende jetojnë në të kaluarën", thotë Muhaxhiri.

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, thotë se fjalët e kryetares së Kuvendit janë "vetëm një hallkë tjetër në një zinxhir të gjatë, të formësuar dhe promovuar nga njerëz si Aleksandar Vullin".

Zëvendëskryeministri aktual i Serbisë ka quajtur shqiptarët me emra fyes nga të gjitha pozitat shtetërore që ka mbajtur deri tani. Kështu, në deklaratat zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilën ai e drejtonte, në vitin 2020, shqiptarët u quajtën me emër fyes gjashtë herë brenda një muaji.

Para formimit të Qeverisë së re të Serbisë në tetor të atij viti, organizata joqeveritare YUCOM i bëri thirrje publike mandatares së atëhershme, Ana Bërnabiq, që të mos e përfshinte Vullinin në listën e ministrave për shkak të qëndrimit të tij ndaj shqiptarëve.

Megjithatë, Vullin u emërua në qeverinë e re si ministër i Punëve të Brendshme, nga ku vazhdoi të fyente popullin shqiptar. Në vitin 2021, ministria e tij lëshoi më shumë se dhjetë deklarata që përmbanin termin fyes për shqiptarët.

Edhe ministri aktual i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq, kur ishte drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, në një deklaratë zyrtare në prill të vitit 2019, i quajti shqiptarët e Kosovës me të njëjtin term fyes.

Ky term është përdorur edhe nga deputetët e koalicionit qeverisës në Kuvendin e Serbisë kur kanë dashur të fyejnë dikë. Pavarësisht vendimit të gjykatës, ky term ende shfaqet shpesh në faqet e para të tabloideve proqeveritare.

Gjykata e Apelit në vitin 2018 konfirmoi vendimin gjyqësor pas padisë së ish-aktivistes së Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Anita Mitiq, kundër tabloidit Informer dhe sanksionoi përdorimin e termit "shiptar".

"Ky term konsiderohet politikisht i pasaktë dhe me përmbajtje fyese në gjuhën serbe për anëtarët e kombësisë shqiptare që jetojnë në Kosovë", thuhej në vendimin e gjykatës.

Gjithashtu, sipas qëndrimit të gjykatës, të quash një serb me këtë emër është e barasvlershme me etiketimin e dikujt që lufton kundër interesit kombëtar.

Komisionarja për Mbrojtjen e Barazisë, Brankica Jankoviq, në vitin 2015, arriti në përfundimin se dy tabloide kishin shkelur Ligjin për ndalimin e diskriminimit, pasi kishin përdorur këtë term për shqiptarët.

REL-i nuk arriti të marrë një koment nga komisionarja për deklaratat e kryetares së Kuvendit serb deri në publikimin e këtij teksti. Më herët, Jankoviq kishte deklaruar se përdorimi i fjalës "shiptar" përbën shkelje të nenit të Ligjit për ndalimin e diskriminimit, i cili ndalon trajtimin poshtërues dhe fyes.

Aleksandar Vullin u padit në vitin 2019 nga Këshilli Kombëtar i Pakicës Shqiptare për fyerjen e shqiptarëve. Gjykata e hodhi poshtë padinë dhe Ragmi Mustafi, i cili atëherë ishte kryetar i Këshillit, tha për REL-in se ata kanë apeluar në Gjykatën Kushtetuese.

"Rasti kundër Vullinit për gjuhë të urrejtjes dhe përhapje të intolerancës racore dhe kombëtare është ende aktiv. Po presim për gjashtë vjet dhe nëse refuzohet, do të shkojmë edhe në Gjykatën Evropiane në Strasburg", tha Mustafi.

Një tjetër padi kundër Vullinit për ndalimin e gjuhës së urrejtjes ndaj pakicës kombëtare shqiptare është ngritur edhe nga organizata joqeveritare YUCOM.

"Qëllimi i padisë ishte ndalimi i një gjuhe të tillë nga të gjithë politikanët, pasi ajo nxit armiqësi ndaj një komuniteti etnik që jeton në Serbi. Fatkeqësisht, në vendimet e fundit ligjore, është vendosur se nuk ka gjuhë urrejtjeje dhe se përdorimi i termit 'shiptar' është thjesht fyes", thotë Katarina Goluboviq.

Ajo shton se me këto vendime, gjyqësori serb i ka dhënë dritën jeshile përhapjes së fyerjeve ndaj një populli të tërë, dhe se individët mund të mbrohen vetëm nëse guxojnë të thonë se ndihen të fyer.

Shqiptarët e quajnë veten "shqiptarë", që është sinonim i identitetit etnik të shqiptarëve, por në gjuhën serbe, termi "shiptar" është fyes, pasi ka një term tjetër në këtë gjuhë: "allbanci". Ky term ka një konotacion negativ në Serbi, pasi lidhet me njerëz primitivë dhe të pacivilizuar, njerëz që kanë zbritur nga malet, punëtorë manualë.

Shqiptarët e Kosovës thonë se termi "shiptari" u bë për herë të parë fyes në vitet '60, pasi filloi të keqpërdorej. Në Kosovë ekziston një term fyes për serbët – "shkije" – por as zyrtarët kosovarë dhe as mediat nuk e përdorin atë./REL

bërnabiç

Sondazh

Poll

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet