Dita e 48-të e protestës/ Qytetarët mblidhen në sheshin “Skënderbej”, kërkojnë dorëheqj...
Politike
Miratimi i IBAR për Shqipërinë/ BE rrjeshton kritikat për qeverinë: Korrupsioni ‘shqetësim thelbësor’! Mos ndërhyni në punën e drejtësisë
Raporti përmend për herë të parë edhe rrjetet patronazhiste si problem që cenon standardet zgjedhore. Po ashtu përmenden edhe ndërhyrjet parlamentare në hetimet në vijim të SPAK-ut.
21 Maj 2026, 17:01Nga E. D
BRUKSEL- Grupi i punës për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, COELA miratoi sot raportin e Vlerësimit të Pikave të Ndërmjetme për progresin e deritanishëm të Shqipërisë. Në raportin final të IBAR të miratuar nga COELA, i cili nesër u kalon ambasadorëve të vendeve të BE, është përmendur drejtpërdrejt SPAK dhe presionet politike ndaj tij. Duke rrjeshtuar kritikat për qeverinë, BE ka theksuar se korrupsioni është një shqetësim “serioz” dhe “thelbësor”.
Raporti përmend për herë të parë edhe rrjetet patronazhiste si problem që cenon standardet zgjedhore. Në raport shtohen edhe kritika e kushte të reja për pronat, zonat bregdetare dhe të drejtat e minoriteteve.
Po ashtu përmenden edhe ndërhyrjet parlamentare në hetimet në vijim të SPAK-ut. Dokumenti shton gjithashtu kërkesa konkrete për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe respektimin e standardeve të Komisionit të Venecias për imunitetin, reformën në polici dhe mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve.
Ndryshimet kryesore politike në tekstin e majit 2026 përfshijnë:
(1) SPAK-u përmendet dhe mbrohet në mënyrë eksplicite — sulmet politike cilësohen si “në rritje dhe shqetësuese, përfshirë në nivele të larta”;
(2) Korrupsioni ngrihet nga një shqetësim “serioz” në një shqetësim “thelbësor” — një gjuhë pranë vijës së kuqe;
(3) Rrjetet patronazhiste përmenden për herë të parë si problem i qeverisjes zgjedhore;
(4) Ndërhyrja parlamentare në hetimet në vijim të SPAK-ut trajtohet specifikisht;
(5) Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe standardet e Komisionit të Venecias për imunitetin ngrihen në nivel kushti për mbylljen e benchmark-ut;
(6) Abuzimet me pronat lidhen me zonat e pakicave dhe zonat bregdetare; përmenden shpronësimet pa kompensim të drejtë;
(7) Integriteti i policisë, autonomia e pushtetit vendor dhe transparenca e ndërmarrjeve shtetërore kthehen në kërkesa specifike dhe të matshme;
(8) Benchmark-u për kriteret ekonomike zgjerohet nga një fjali e vetme në një kërkesë me shumë kushte./Dosja.al