LIVE UPDATES
Art&Argëtim

Përgjimet në burgun e Burrelit: Xhaviti thotë se i ka shkruar udhëheqësit të Partisë

26 Dhjetor 2021, 07:00 Nga DOSJA
Përgjimet në burgun e Burrelit: Xhaviti thotë se i ka shkruar

Nga Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit.

Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Vehap Kuka, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Butrinti”, lidhur me bisedat e bëra nga disa të dënuar në burgun e Burrelit

Marrë nga kutia postare

Dhënë nga B.p. “Butrinti”

Burrel më 20/11/1981

Raport i datës 20.11.1981

Ai njofton se gjendja në mes tyre u ka hyrë frika në palcë. Parandiejnë që s’ka lëshime. Kërkojnë rrugë për t’i shpëtuar masave disiplinore. Kështu: Formalisht të gjithë përpiqen veprimet t’i kryejnë në kohë të mënjanojnë kundërvëniet me rojet e brendshme, të zbatojnë rregullat. Ka nga ata, si Gjin Marku etj., që nga një anë thonë mirë i’a bënë Vaskës e Todit. Ata unë i çova në birucë, se me ta kam qenë në luftë të hapur prej gati 20 vjet.

Për këtë hahen edhe me Hazbiun, se njëri thotë i çova unë e tjetri anasjelltas i çova unë. Kurse nga ana tjetër, Gjinit i vjen keq, kërkon t’ju çojë ndonjë gjë, por pa rënë në sy. Ky lloj solidariteti vërehet edhe tek të tjerët, duke përfshirë edhe Xhavit Qesen, që në mënyrë të heshtur kujdesohet e pyet për Maqon. Tipike i pa ndryshuar është kujdesi i Fadilit për Todin, ndërhyrjet tek kuzhinierin, për furnizim, për përgatitjen e gjellës, për çuarjen e mollëve etj.

Dënimi me birucë shërbeu si një vijë ndarje lidhur me qëndrimet. Gjergji i dha fund mirësisë me Todin, Gjini ndihmon Fadilin, e ky i fundit Todin. U vu re se pavarësisht nga kontradiktat, ka një solidaritet, një keqardhje, përkrahje e ndihmë, veç preokupacionit për ato që janë në birucë. Vask Gjino në birucë e kishte shtruar me Todin, pa folur për keqardhjen e B. Belishovës për Maqon e për Vaskën.

Nga ana tjetër kemi qëndrimin e Hazbiut (Lamçes) që formalisht shtiret sikur vjen keq, hedh ndonjë fjalë. “More ftohtë, nga sa batanije u kanë dhënë”? Ose sugjeron, “jepu ndonjë copë bukë me shumë, ndopak gjellë etj”. Kurse në fakt duket i gëzuar.

Fadil Paçrami e parandiente dënimin. Gjergji e kishte përgatitur. Vetë Fadili një dy ditë u hoq si i sëmurë, që ti shpëtonte valës. Sot kur ja komunikoi komisari, tha: “Vetë ma kishte marrë dje Gjergji, jashtë në oborr. Nuk tha gjë tjetër. Vonë kërkoj të vijoj përsëri punën krijuese.

“Butrinti”

Sqarim: M. Çomo, Gj. Titani, B. Belishova, V. Gjino, Gj. Marku, T. Lubonja dhe F. Paçrami, janë të dënuar antiparti, ndiqen nga ana jonë në përpunim aktiv 2/A.

Vlerësimi: Raporti ka vlerë operative, në të dalin reagimet e objekteve për masat disiplinore të marra nga komanda e repartit, interesimi për t’ju ardhur sado pak në ndihmë, një farë solidariteti ndërmjet tyre, pavarësisht se në pamje të jashtme duken sikur kanë kontradikta.

Masat Operative: Raporti të shtypet sipas implikimeve, një kopje t’i dërgohet degës së veçantë në Ministri, një degës 8-të, të tjerat të vendosen në dosjet formulare sipas përkatësisë. Të bëhet një informacion përmbledhës për degën e veçantë, të shfrytëzohet për buletinin e parullave armiqësore.

Punëtori Operativ

Vehap Kuka

Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Vehap Kuka, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Butrinti”, lidhur me bisedat e bëra nga disa të dënuar në burgun e Burrelit

Marrë nga kutia postare

Dhënë nga B.p. “Butrinti”

Burrel me 20/11/1981

Raporti i datës 20/11/1981

Ai njofton se në biseda me të dënuarin Xhavit Qesja, ka mësuar:

Mbi rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, pasurimin dhe zëvendësimin e fjalëve të huaja.

“Fjalori i gjuhës shqipe është një vepër madhore, shkencore në kuptimin e vërtetë, autorëve të saja u heq kapelën siç i thonë, veçanërisht A. Kostallarit. Për mu ai ka qenë dhe mbetet një kërkues për t’u lavdëruar…!

Fjalorin e kam krahasuar edhe me fjalor të tjerë si Larusin, Nuovissimo Melzi, Oksfordin. Nuk u lë gjë mangët dhe pa rezerva sa i njoh unë, qëndron më lartë…! Jam tepër i gëzuar, i gëzuar tamam si fëmijë që e kam, me të punoj pa pushim. Kam nxjerr shënime…! Ka ndonjë fjalë apo folje, që sipas mendimit tim u ka shpëtuar, nuk është në saktësinë e duhur, në shumës ose njëjës, gjini, etj. Por këto s’kanë rëndësi…!

Fatkeqësisht rregullat e drejtshkrimit nuk njihen mirë dhe veçanërisht nga shkrimtarët, gazetarët etj. Është për të ardhur keq, por në organet e shtypit ka shumë gabime, fjalë, emra, fjalë të huaja etj. Me këmbëngulje vura re se vetëm në një shkrim të Dajlan Shapllos, kishte mbi 60 gabime. Për mua, nuk i jap as notën tresh e lë në klasë. Një kritiku letrar nuk i lejohet…!

Nga ana tjetër ka përdorim të gjerë fjalësh të huaja, si në shtyp, në fjalime e përshëndetje të udhëheqësve të Partisë e të Shtetit…! Përse të vazhdoj të përdoret fjala inagurim, kur kjo mund të zëvendësohet fare bukur me “Përurim”. Këto nuk falen. Se gjuhë letrare nuk kanë ata popuj e kombe që s’kanë organizma të forta shtetërore. Thotë diku Idriz Ajeti me të drejtë.

Kosova e kosovarët kanë bërë nga sa vërej një revolucion në njësimin e gjuhës, pastërtinë e saj, zëvendësimin e fjalëve të huaja. Doemos në bashkëpunim me organet tona Akademinë e Shkencave, U.T. etj. Po edhe më shumë mundet e duhet të bëjmë neve…! Problemi gjuhës ka qenë e mbetet edhe një problem politik. Tani është edhe e kohës dhe gjithë barra u bie Instituteve, U.T., shkollave, shtypit e botimeve tona”.

Nga anët e tjera është një armik i përbetuar, por edhe dinak e histerik. Kohët e fundit i ka prerë marrëdhëniet me Gjergjin, por është riafruar me B. Belishovën e M. Çomon, në dhomë bisedon me Fadilin, sado që shpesh e përçmon, por këto thotë të mbeten midis nesh. Zemërohet i bie të fikët ndaj çdo mos plotësimi të ndonjë kërkese. U gëzua kur i lejuan librat që u erdhën nga shtëpia, por u zemëruar deri sa i ra të fikët, kur komisari e paralajmëroi se në të ardhmen nuk e lejojnë.

“Butrinti”

Sqarim: Xhavit Qesja është dënuar disa herë për veprimtari armiqësore antiparti, kemi të dhëna në ngarkim të tij.

Vlerësimi: Raporti ka vlerë operative, në të dalin reagimet në lidhje me fjalorin e gjuhës shqipe dhe si reagon ai në lidhje me pranimin apo refuzimin e kërkesave që bën. Dalin lidhjet që ka ky i dënuar me të dënuarit e tjerë antiparti.

Masat Operative: Raporti të shtypet në një kopje dhe të vendoset në fashikull për Xhavitin, të dërgohet një informacion për Degën e Veçantë në Ministri, të shfrytëzohet për buletinin e komenteve armiqësore të muajit.

Xh. Qesja të rimerret në përpunim aktiv 2/A

Vehap Kuka

Shënim Kryetarit Degës

Dërgoja Degës Veçantë

Komentet për degën e 8 dhe për problemin e centralizuar

Firma më 21/11/1981

Dokumenti me vendimin e Punëtorit Operativ të burgut të Burrelit, Vehap Kuka, i miratuar nga kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Bajram Neli, për intensifikimi e përgjimeve ndaj të dënuarit Xhavit Qesja, duke e rimarrë në përpunim aktiv 2/A

MIRATOHET “SEKRET” KRYETARI DEGËS P. BRENDSHME Ekzemplarë i vetëm

BAJRAM NELI Burrel me 24.11.1981

V E N D I M

Unë Punëtori Operativ Vehap Kuka, efektiv i Degës P. Brendshme Mat, nga studimi që u bëra materialeve në ngarkim të dënuarit antiparti Xhavit Qesja, i dënuar në repartin 321 Burrel.

GJ E T A

Se Xhavit Qesja i biri i Hajdarit dhe i Sabrijes, lindur në Krujë më 1920, me arsim të lartë, me profesion nëpunës, shtres e pasur tregtare, i dënuar dy herë për veprimtari armiqësore antiparti.

Xhaviti është dënuar për krimin e agjitacionit e propagandës kundër Partisë dhe duke qenë në kushtet e vuajtjes së dënimit është ri dënuar përsëri në vitin 1967 dhe dënuar përfundimisht me 17 vjet heqje lirie.

Fillimisht Xhaviti ka qenë duke vuajtur dënimin në repartin 307 Tepelenë dhe në muajin Gusht 1972, është transformuar në repartin 321 Burrel. Gjatë kohës në këtë repart ka mbajtur qëndrim të keq, është shprehur kundër vendimeve të Partisë duke u shprehur se: “Marrëdhëniet Shqiptaro-Kineze nuk janë ato që reflektohen në shtyp, se midis dy kurseve ka divergjenca të mëdha……, përsa i përket politikës së brendshme Partia Komuniste e kinës nuk aprovon mënyrën e të konceptuarit dhe të vënies në jetë të nocionit të Diktaturës së Proletariatit në Shqipëri.

Po ashtu lidhur me masat e marra nga Partia kundër ndikimeve të huaja, është shprehur se masat e marra nga njëra anë të gëzojnë, sepse do të bëjnë që të rritet rezistenca në radhët e inteligjencës dhe rinisë dhe do të shpejtoj ditën kur ajo do të fillojë të reagojë në mënyrë aktive ndaj Diktaturës së Proletariatit.

Në drejtim të tij ka dhënë agjenti “Beni”, të dhëna këto që vërtetohen plotësisht nga të dhënat e dala nga T.O. Në vitin 1973 Xhaviti është rimarr në përpunim aktiv 2/A dhe me 25.9.1977 është ndërprerë përpunimin e tij, pasi ka realizuar që objekti të ketë ndërprerë bisedat me të dënuarit.

Gjatë vitit 1981 në drejtim të objektit kanë dhanë agjentët “Butrinti” dhe “I Penduari”, të cilët japin se megjithëse i përmbajtur, Xhaviti në kohë, vende e me persona të ndryshme zhvillon aktivitet armiqësor, duke përjashtuar që në dhomë nuk flet fare, por vetëm zhvillon ndonjë bisedë të zakonshme.

B.p., “Butrinti”, Xhaviti i është shprehur: “Unë kam gjynahet e mija. Ato po i paguaj, po qëndrimi në këtë ambient më është bërë tepër i pa durueshëm…! Kohët e fundit është afruar e bisedon shumë me Gjergj Titanin…! Më patën akuzuar si anti-sovjetik. Kundërshtova se nuk është e vërtetë… çështja për të cilën jam dënuar është një çështje personale.

Në gjyq s’kam pranuar asgjë. I kam shkruar vetëm udhëheqësit të Partisë. Udhëheqësit i kam shkruar të mos krekoset si gjel. Janë bërë e do bëhen kongrese Partie, s’ka dyshim që ato do të shikojnë më pas, për ngjarje e njerëz.

Këtu kësaj nuk i shpëton as udhëheqësi i Partisë…

B.p. “I Penduari”, raporton për miqësinë që ka filluar të trashi Xhaviti me Gjergj Titanin, Maqo Çomon, Fadil Paçramin, Todi Lubonjën e Bardhyl Belishovën.

Të dënuarit Kiço Ngjela i shprehet: “Unë nuk jam bërë komunist duke lexuar romanin “Nëna”, por duke lexuar e studiuar “Kapitalin” e Marksit që kur isha student në gjimnaz, se unë ja kam thënë udhëheqësit kryesor të Partisë, se nuk puqemi ideologjikisht, politikisht dhe nga ana e kulturës.

Meqenëse Xhavit Qesja zhvillon agjitacion e propagandë armiqësore në vende e persona të ndryshme, për të minuar e dobësuar Pushtetin Popullor.

V E N D O S A

Që të tërheq nga arkivi dosjen formulare në ngarkim të Xhavit Qeses i dënuar antiparti për ta rimarr në 2/A për agjitacion e propagandë armiqësore. Të bëj ndryshimet në kartotekë. Memorie.al

Punëtori Operativ Punëtori Op. i Drejt.

Vehap Kuka Bekim Budo

DAKORD

Zv/KRYETARI DEGËS P. BRENDSHME

Gjergj Gjoni

Vijon numrin e ardhshëm….

Marrë nga Memorie.al

Cila mendoni se është alternativa më e mirë:

View Results

dikur dikur dashnor kaloci xhavit qesja dashnor kaloci xhavit qesja

Sondazh

Poll

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

"Injoranca nuk është argument" Nuk i pëlqeu pyetja, Rama prek në faqe gazetaren Ambrozia Meta

Del VIDEOJA, Elia godet Princ Lekën: Familja ime të ka mbajtur me bukë

VIDEO/ Noka i jep Spiropalit pankartën, Ministrja ofrohet ta mbaj para fytyrës

Publikohen pamjet nga brenda bazës ajrore të Kuçovës, Komandanti: E gatshme për stërvitjen e trupave

Tempulli 2/ Me kanabis gati për shitje dhe shuma parash, arrestohen 4 të rinj në Tiranë

Dalin pamjet nga kasollja ku u vra 50-vjeçari në Durrës

Kontrabandonin ilaçe dhe telefona, arrestohen dy persona në Tiranë, sekuestrohen 47 iPhone

I vunë flakën eskavatorit me vlerë 150 mijë euro, arrestohen 2 autorët e ngjarjes

Reshjet e shiut dhe borës në vend, policia: Moderoni shpejtësinë e mos kryeni parakalime të gabuara

Kampioni Alvin Karaqi mes lotësh: Për besë u ndjeva si Gjergj Kastrioti kur mora flamurin

'Dokumentar horror'/ Berisha publikon pamjet: Do ju paraqes terrorin që Bajrajt ushtruan më 14 maj

Krimi në Bulqizë/ Fqinji: Po hante bukë në banesë kur erdhën dy makina!

Dosja "Gjici"/ Zv.kryetari i bashkisë së Kukësit shkon në SPAK

Newsroom 11 |XAMA: LAJMI I FUNDIT FAKE QË PASHË, ISHTE PËR MUA

Newsroom 11 |XAMA: KËSHILLË QYTETARËVE- MOS LEXONI VETËM NJË BURIM

Newsroom 11 | XAMA: GAZETARËT NUK SHKRUAJNË ME EMËR, KJO S'ËSHTË ETIKE

Xama në Newsroom: Lajmet e rreme përhapin panik! Më akuzuan se kisha marrë para për një shkrim

Muka në Newsroom: Në Shqipëri ka portale gjobaxhie, u bëjnë shantazh njerëzve

Xama në Newsroom: Fake News shpërndahet më shumë në Facebook e Tik Tok! Gazetarët të shkruajnë emrin

Newsroom 11 |Kush prodhon lajme të rreme në Shqipëri

Newsroom 10 |SENJA: NE S'REAGOJMË NDAJ GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 |HAZIZAJ: 'ÇOHU ENVER', PJESË E GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ KEMI MARRËVESHJE PËR TË MBROJTUR 'VIKTIMAT'

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES KA SHKAKTUAR DHE KRIME

Newsroom 10 |GAZETARI: GJUHA E URREJTJES, PJESË E SHOQËRISË

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES, E FRIKSHME NË SHQIPËRI

Vidhnin në banesa duke përdorur çelësa të klonuar, vihet në pranga 1 person,nje tjeter në kërkim

Newsroom 10 |GJUHA E URREJTJES PËRDORET NGA POLITIKA, AMA TË KONTROLLOJË GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: STEREOTIPET NXISIN GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES LUFTOHET ME EDUKIM

Newsroom 10 | Gjuha e urrejtjes në media, si dhe kush e shpërndan?

Ndryshimet në PS/ Gjiknuri: S'është fundi, por fillimi i diçkaje të re.

Inceneratorët/ S’kam dhënë asnjë kontratë pa garë, ato janë publike!

Ndihet 'i shitur' nga Rama? Gjiknuri: Nuk ndjej braktisje, kam komunikim me të prej 20 vitesh

Klosi: Kemi primare reformimin e partisë, PS synon mandatin e katërt

U shkarkua si Sekretar i Përgjithshëm, Gjiknuri: PS edhe kur fiton, refekton!

Digjet shtëpia në Shkodër, në banesë ndodhej një i moshuar, përfundon në spital

Vazhdon përplasja në PD! Basha kërkon mbledhjen e Komisionit të Etikës për të, Bardhi: Shenjë humbje

Vrasja e Jetmirës/ Autori u dënua me 28 vite burg, nëna e viktimës: Duhet dënim përjetë!

Newsroom 9 | Kallanxhi: Threads? S`besoj se do zgjasë shumë

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Mos merrni për bazë asgjë thuhet në rrjet

Newsroom 9 | Gazetarja: po ndodhin vrasje nga tik tok

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Fake News dallohet vetëm po të jemi kritikë

Newsroom 9 | Kallanxhi: Shqiptarët besojnë gjithçka shohin në rrjet

Newsroom 9 | Eksperti i IT, Tomi Kallanxhi: Tik Tok ka "fake news" sepse s'ka censurë

Newsroom 9 | Gazetarja: Shqipëria do kohë të përshtatet me Tik Tok

Newsroom 9| Eksperti i IT: Çdo rrjet është i përkohshëm, duhet të kujdesemi për vlerat

A mund të mbyllet TikTok për Shqipërinë? Flet për Newsroom eksperi i IT

Fëmija mbyllet brenda në shtëpi, nëna e alarmuar njofton zjarrfikësit, NDËRHYRJA nga ballkoni