Rajoni

Themelohet legjislatura e 7-të në Kosovë, Glauk Konjufca zgjidhet kryetar, votim konsensual dhe për 5 nënkryetarët

Me 75 vota pro është zgjedhur Glauk Konjufca kryetar i ri i Kuvendit dhe pas tij me një numër më të lartë votash që shkonin mbi 100 janë zgjedhur dhe 5 nënkryetarët: Arbërie Nagavçi, Kujtim Shala, Memli Krasniqi, Sllavko Simiç dhe Fikrim Damka.
Featured image of article: Themelohet legjislatura e 7-të në Kosovë, Glauk Konjufca zgjidhet kryetar, votim konsensual dhe për 5 nënkryetarët Glauk Konjufca dhe mbledhja e legjislaturës së 7 të Kuvendit të Kosovës
Përditësuar:

PRISHTINË- Në një seancë të shkurtër Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryetarin e ri dhe 5 nënkryetarët, por sërish qeveria nuk është tentuar të formohet. Në rend dite ishin vetëm dy pika, ajo e vlerësimit të mandateve të deputeve dhe zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve.

Me 75 vota pro është zgjedhur Glauk Konjufca kryetar i ri i Kuvendit dhe pas tij me një numër më të lartë votash që shkonin mbi 100 janë zgjedhur dhe 5 nënkryetarët: Arbërie Nagavçi, Kujtim Shala, Memli Krasniqi, Sllavko Simiç dhe Fikrim Damka.

Por para nisjes së senacës plenare dy partitë fituese të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë vijuar negociatat, por ende nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët.

Ajo që i ndan është posti i presidentit, nga i cili LDK nuk heq dorë ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje argumenton se nuk mundet të garantojë postin e presidentit, kur Hashim Thaçi është ende në detyrë. Sot, kreu i LDK-së, Isa Mustafa i ka bërë një ofertë të fundit Albin Kurtit ku kërkon 5 ministri nga kabineti dhe presidentin.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Vetëvendosje ka 29 deputetë në Kuvend, LDK 28, Partia Demokratike e Kosovës 24, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate kanë  13 vende dhe koalicioni NISMA-AKR-PD ka 6 vende. Lista Serbe ka fituar 10 vende aq sa i takojnë komunitetit serb. Negociatat deri më sot kanë dështuar, pasi LDK ka kërkuar që të marrë kreun e Kuvendit, Presidentin dhe 5 ministri, pra gjysmën e kabinetit. Por sot, LDK tha se heq dorë nga kreu i Kuvendit, duke ofruar një marrëveshje të palëkundur për 5 ministri dhe presidentin.

(A.m;f.g;f.m/dosja.al)

  • 20:49

    Konstituimi i Kuvendit/ Ambasada Amerikane uron kryeparlamentarin e ri të Kosovës: Menjëherë të formohet qeveria e re

    Ambasada Amerikane në Prishtinë ka mirëpritur konstituimin e legjislaturës së  7-të në Kuvendin e Kosovësm dhe zgjedhjet e kryeparlamentarit dhe 5 nënkryetarët.  Me anë të një postimi në rrjetet e sociale, pasi ka uruar kryeparlamentarin Glauk Konjufcës, ka kërkuar nga lideri i LVV-së, Albin Kurti dhe kreu i LDK-së, Isë Mustafa që të krijojnë sa më shpejtë qeverinë e re.

    “Ambasada e SHBA-së mirëpret konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe uron kryetarin Glauk Konjufca dhe anëtarët e tjerë të kryesisë së Kuvendit. Ne inkurajojmë liderët politikë që menjëherë të formojnë qeverinë e re, e cila duhet të angazhohet për të përmbushur premtimet e dhëna për votuesit. Ne mezi presim që të punojmë me qeverinë e re në çështjet e ngutshme që lidhen me paqen, drejtësinë dhe prosporitetin”, shkruhet në reagimin e ambasadës.

    Reagimi i Ambasadës amerikane
  • 20:47

    Mustafa: Ende ka hapësirë për marrëveshje me VV-në, s’lejojmë të nënçmohemi

    Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka reaguar sot pas konsituimit të legjislaturës së 7 në Kuvendit e Kosovës. I ftuar në emisionin “Rubikon” ka thënë se Vetëvendosje (VV) nuk e ka derën të mbyllur nga partia e tij dhe mund të ulen sërish në negociata.

    Isa Mustafa, Kreu i LDK

    Jo pse ne kemi ndonjë nevojë të veçantë apo të domosdoshme që të bashkëqeverisim, por sepse qytetarëve të Kosovës u duhet një qeveri. Mirëpo në asnjë rast nuk do të lejojmë që LDK-ja të nënçmohet.

    Ne kemi thënë që do të pranojmë se do të heqim dorë nga secila Ministri e jona mirëpo vota jonë pastaj lidhet me një program qeverisës, me sigurinë qeverisëse, që ajo qeveri të udhëhiqet mirë dhe mbi të gjitha duhet të komunikojmë”, ka thënë Mustafa.

  • 20:24

    Vetëvendosje sërish kundër LDK-së: Po këmbëngulin që ose të marrin më shumë se ç’u takon, ose asgjë

    Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka reaguar me anë të një deklaratë pas konstituimit të Kuvendit i ka uruar anëtarët e saj, Glauk Konjufcës dhe Arbërie Nagavci për pozitat e reja, a të të kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit.

    VV shkruan se pavarësisht dëshirës dhe përpjekjeve, në këtë seancë shkuan në Kuvend pa një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Më tej kjo parti shprehet kundër LDK-së duke thënë se  kërkojnë më shumë se ç’u takon ose mos të marrin asgjë.

    Foto ilustruese

    Të dyja këto mundësi janë zhgënjyese. Shumë më lehtë e shpejt janë lidhur në të shkuarën marrëveshje që i kanë sjellë dëm Kosovës, por e paskan shumë të vështirë të lidhin marrëveshje me subjektin e vetëm të pa korruptuar, që ka vullnet e plan të luftojë varfërinë e korrupsionin”, shkruhet më tej në deklaratë.

  • 19:20

    Kurti flet pas seancës në Kuvend: Treguam qytetërim demokratik, kemi kontakt me LDK-në

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është shprehur sot pas seancës së konstituimit të Kuvendit të ri, ka dhënë një deklaratë të shkurtër për mediat.

    Kurti është shprehur se sot kanë treguar një qytetërim demokratik, pasi kanë themeluar institucionet e reja dhe shpreson që të kalohen të gjitha pengesat.

    Albin Kurti

    Kuvendi është tempulli i demokracisë dhe ligjvënies. Prandaj, jam i bindur që me këtë hap kemi treguar një lloj qytetërimi demokratik sepse për dallim nga legjislatura e gjashtë, ne nuk kemi bllokuar konstituimin e institucioneve. Me dashamirësinë dhe me interesin e përgjithshëm para çfarëdo interesi tjetër besoj që do t’i tejkalojmë të gjitha pengesat dhe të kemi edhe qeveri të re ashtu siç patëm edhe Kuvend të ri.  Ne jemi në kontakt të rregullt. Me siguri që do të kemi komunikim, bashkëpunim dhe takime”, tha Kurti.

  • 18:24

    Deputeti i LDK: Presim akoma Vetëvendosjen, nëse nuk duan kalojmë në opozitë

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka folur para gazetarëve pas seancës konstituive ku u zgjodhën kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët.

    Lumir Abdixhiku, deputet i LDK

    Ai ka thënë se partia e tij do vazhdojë duke ndjekur rregullat kushtetuese. Më tej Abdixhiku se nëse Vetëvendosje vendos që të ndjekë e vetme rrugën për krijimin e institucioneve, do t’i qëndrojnë propozimit të sotëm të kryesisë.

    Do të vazhdojmë tutje sipas rregullave kushtetuese në vend, ne kemi thënë që të gjitha pozicionet kushtetuese në qoftë se partneri potencial vendos që të ndjekë këtë rrugë. I qëndrojmë propozimit të sotëm të kryesisë”, ka thënë ai.

  • 17:35

    Konstituimi i Kuvendit, Thaçi kërkon sa më shpejt qeverinë e re: Lijini anash interesat politike

    Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar 111 deputetët që u betuan sot në Kuvend pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Me anë të një statusi në Facebook, Thaçi u ka bërë me dije deputetëve të Legjislaturës së Shtatë se para i presin shumë sfida dhe se për këtë gjë duhet të lënë pas interesat politike dhe të krijojnë sa më shpejt qeverinë e re.

    Kuvendi i Kosovës dhe Hashim Thaçi

    “I uroj të gjithë deputetët e Legjislaturës së Shtatë për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke iu dëshiruar punë të mbarë në detyrat e tyre. Republika e Kosovës ka sfida të shumta përpara, që kërkojnë nivel të lartë të përgjegjësisë për t’i tejkaluar, prandaj të gjithë të zgjedhurit e popullit duhet t’i lënë anash interesat politike dhe të punojnë për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës,”-shkruan Thaçi. 

  • 17:38

    Gjesti që nuk u pa nga kamerat, PDK dhe AAK vendosin flamurin shqiptar para deputetëve të VV

    Në Kuvendin e Kosovës u mbajt sot seanca konstituive, ku u bëtuan deputetët e rinj dhe u zgjoh kryetari e 5 nënkryetarët.

    Flamuri tek deputetët e Kosovës

    Gjatë betimit, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovë dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kanë vendosur flamurin kombëtar para deputetëve të Vetëvendosjes, duke ja kujtuar gjestin që këta të fundit bënin gjithmonë në betimin në Kuvend.

    Ishte Ganimete Musliu nga PDK dhe Time Kadrijaj nga AAK, ato që i vendosën flamujt para deputetëve të VV-së.

  • 16:21

    Votim konsensual, zgjidhen 5 nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës (EMRAT)

    Pas votimit të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, që mori 75 vota pro, deputetët kanë zgjedhur dhe 5 nënkryetarët. Arbërie Nagavçi nga lëvizja Vetëvendosje, Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës janë zgjedhur nënkryetarë të Kuvendit.

    Ata kanë marrë 104 vota pro, 3 kundër dhe 1 abstenim, duke u zgjedhur në këtë mënyrë në mënyrë konsesuale. Po ashtu kanë zgjedhur dhe 2 nënkryetarët nga pakicat, Sllavko Simiç dhe Fikrim Damka të cilët kanë marrë një shumicë të cilësuar votash.

  • 16:07

    Kosova zgjedh kreun e ri të Kuvendit, Glauk Konjufca merr votëbesimin nga deputetët

    Glauk Konjufca

    Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur sot kryetarin e ri të Kuvendit. Pas propozimit të kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti, kreu i ri i Kuvendit është Glauk Konjufca.

    Deputetët kanë votuar në Kuvend duke ngritur dorën dhe 75 prej tyre kanë qenë pro që Glauk Konjufca është zgjedhur kreu i ri i Kuvendit.  Ndërkohë që ai ka marrë dhe 27 vota kundër.

  • 12:13

    VV kërkon reflektim nga LDK, Nagavci: Duhet ndryshim për vendim, të arrijmë marrëveshje

    Arbërie Nagavci,

     

    Deputetja e Vetevendosjes, Arbërie Nagavci, ka kërkuar nga LDK reflektim për një marrëveshje që do t’i japë zgjidhje vendit.  “Dua të besoj se në LDK ka të tillë që e duan ndryshimin e menjëhershëm që i nevojitet vendit. Dua të besoj se deklarimet elektorale s’kanë qenë farsë e fjalë koti. Dua të besoj se ka zëra e mendje racionale që marrin vendime në të mirë të vendit. Këta zëra duhet t’i dëgjojmë sot, tani. Pres që diskutimet të jenë të bazuara në interesin e vendit. E interesi i vendit është krijimi i menjëhershëm i institucioneve, hapja rrugë profesionistëve e vendosja e standardeve të reja në qeverisje, në udhëheqje, në drejtësi, gjithandej në shoqëri”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale.

  • 12:49

    Krijimi i qeverisë së re, Mustafa ofertë Kurtit: Nëse nuk biem dakort as me këtë, heq dorë

    Isa Mustafa, kreu i LDK dhe Albin Kurti, kreu i VV

    Kreu i LDK-së, Isa Mustafa i ka bërë një ofertë liderit të Vetëvendosjes Albin Kurtit në lidhje me krijimin e qeverisë së re në Kosovë. Mustafa ka propozuar pesë ministri dhe emrin e kandidatit për President. Ndër të tjera, mësohet se kreu i LDKsë është shprehur se nëse nuk bien dakort as me këtë gjë, do të heqin dorë nga përgjegjësitë.

    “Duam që ministritë t’i kemi, 5 për LDK dhe 5 për VV, nga një nënkryetar i kuvendit sipas kushtetutës i takojë secilit ngagrupet. LDK propozon kandidatin për President që plotëson të gjitha kushtet dhe ne mbesim pas asaj që pas zgjedhjes së Presidentit, LVV t’i ipet një ministri nga LDK dhe me këtë proporcioni në Qeveri do të mbetej 6:4, nga momenti që zgjedhjet presidenti. LVV do të ketë më shumë pozita sepse tani do të ketë 7 pozita qeveritare, ndërkaq më vonë kur do ta bënim zëvendësimin me President do të mbesim me shtatë kurse ata me 10. Nëse LVV nuk është gati për këtë marrëveshje dhe sheh LDK si pengesë se po deklarojë sot se LDK është e gatshme të heq dorë nga kërkesat për përgjegjësi duke ia lënë këto pozita VV.  LDK është e gatshme që të votojë me 28 deputetë për institucione të reja, kryetarin e kuvendit dhe Qeverinë pa LDK, nëse nuk janë të gatshëm që të bashkëqeverisin me ne. Nëse ne tërhiqemi nga përgjegjësitë qëndrojmë si parti opozitare, sepse parti ndërmjetëse në Kuvend nuk ka.  Për sot me Kushtetutë i takon që VV ta bëjë propozimin për kryetar të Kuvendit. Për propozimin e Kurtit të fundit, ne konsiderojmë që ata dëshirojnë ta zhbëjnë marrëveshjen që kemi pasë më parë.”-tha Kurti.

Shto Koment