LIVE UPDATES
Art&Argëtim

“E morën në qafë vjershat”, studiuesi Butka rrëfen njohjen me Visar Zhitin, si u arrestua poeti dhe bisedat e së ëmës

9 Janar 2020, 12:34 Nga DOSJA
“E morën në qafë vjershat”, studiuesi Butka

TIRANË– Studiuesi dhe historian Uran Butka rrëfen njohjen me poetin Visar Zhiti, që kur ai ishte në moshë fare të re dhe punonte mësues në një fshat mes Kukësit e Peshkopisë. Si u bë i “rrezikshëm” për pushtetin djali ëndërrimtar që shkruante poezi. Reagimi i familjarëve, verbimi i të atit dhe përpjekjet e së ëmës për ta shpëtuar nga burgu, duke trokitur në dyert e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dritëro Agolli dhe shkrimtari Ismail Kadare. Ditët në burg dhe revolta e Qafë Barit. Përballja me shefin e policisë, Edmond Caja, që kërcënonte të burgosuritt, se nuk do ta shihnin më kurrë dritën e diellit dhe se nuk do t’u gjenin më as eshtrat.

URAN BUTKA RRËFIM PËR VISAR ZHITIN DHE EDMOND CAJËN, POETI

Ai trokiti me mollëzat e gishtërinjve mbi xhamin e repartit të pikturës ku punoja. Nëpërmjet qelqit paksa bojëqielli, si përmes një shtrese uji, dallova imazhin e përthyer të Visarit. Por buzëqeshja e tij e veçantë ishte e vërtetë dhe depërtuese. U ngrita menjëherë dhe dola jashtë, pak i habitur. Gjatë përqafimit, u përpoqa të kujtoja kur kishim ndenjur së bashku për herë të fundit. Gjithsesi, kishte mjaft kohë. Në pamje kish mbetur ashtu siç qe, adoleshent: flokët ngjyrëmjalti kaçurrela-kaçurrela, shkapërderdhur mbi ballë e mbi tëmtha. Fytyra nazike, sytë disi të papërcaktuar – midis ngjyrës së ullirit të papjekur dhe barit rrëzë pishave. Poshtë bebes së zezë, një dritëz e ngrohtë okër. Buzët e holla si vargjet. Po të mos kishte mjekrën burrërore, do të mendoje se shihje fytyrën e një Narcisi të brishtë e të përhumbur. Edhe sikur të kishte ndryshuar, do ta kisha njohur, siç e njoha menjëherë nga buzëqeshja e gjerë, gati fëminore, që i merrte gjithë fytyrën.

– Ju kërkova në shkollë, -tha Visari. – Kujtova se do të ishit arsimtar. Ndoshta, më mirë kështu. Kam respekt për punën e mësuesit, por nuk e dua.

– Bëjmë një shëtitje apo gjerbim një kafe?- e pyeta.

– Po më vë të zgjedh ndërmjet parajsës dhe ferrit,- qeshi ai.

Zgjodhëm parajsën. Ecëm në drejtim të Shkëlzenit.

Nisën pikat e para të një shiu të imtë e të ftohtë dhe ne shpejtuam. Shiu do t’i bëjë mirë, mendova.

– Nesër do të ngjitem nëpër Valbonë,- tha ai. – E kam taksur.

– Është e rrezikshme… Mund ta trajtojnë si tentativë arratisjeje…

– Po unë s’kam ndërmend të kaloj kufirin, edhe pse mendërisht e kam kapërcyer,- shtoi ai me humor.

– Edhe mendimi dënohet,- ia ktheva unë pa humor.

– Nuk mund të ndihem i lirë po të mos jem i lirë të shoh Dragobinë. Liria është e tillë vetëm kur gëzohet.

Fjalët e tij shungullonin.

– A njeh njeri tjetër këtu?- e pyeta.

– Një mësues letërsie. Kemi mbaruar bashkë fakultetin në Shkodër.

– Mirë do të ishte të shkoje bashkë me të.

Ai pohoi me kokë. I ishim qasur qytetit. Shakullina ish topitur, ndërsa nga lart binin gjethëza dëbore. Në sheshin e qytetit u ndamë. Ai u var për në hotel. Atje e priste skulptori Hilmi Hoxha. Sa më tepër largohej, aq më shumë ndieja një boshllëk, një mall, një merak. Më erdhën në mendje fjalët e Visarit, por të ndryshuara nëpërmes shpirtit tim:

“O Zot, sa gjëra na presin dhe ne s’mundemi!” Visari ishte mësues në një fshat ndërmjet Kukësit dhe Peshkopisë. Katundi ishte i vogël dhe shkolla me pak nxënës. I donte malësorët vocërrakë, të shkathët, të zgjuar dhe të bukur, por i dhimbseshin ngaqë ishin të varfër, të veshur e të ushqyer keq, gati të uritur. Mësimin ua bënte aq tërheqës, saqë mezi e prisnin dhe, kur ai fliste, ata magjepseshin. Por magjia nuk mbaronte brenda orës së mësimit. Në pushim rrinte me ta, luante me top e shëtiste, bisedonte për librat. Nxënësit, që s’e kishin parë me sy librin jashtëshkollor, e lexonin atë duke ecur, në rrugë, me bagëtitë, në oborrin e shkollës e kudo. “Na i bëri fëmijët të marrë si veten”,- thoshin fshatarët, të cilët përmendnin fjalët e thukta dhe romuzet hidh e prit të tij.

-“Hë, mësues, a pikon shkolla?- Ka vende që edhe s’pikon.

– O mësues, a keni pas gja me hangër? – Besa, boll. Në mëngjes vezë të rrahura, në drekë vezë të skuqura, në darkë vezë të ziera. Shyqyr që s’ka vakt tjetër…” Por kishte çaste kur mësuesi shugatej dhe s’përzihej me njeri. Madje, as me kolegët, jo se i përçmonte, porse i pëlqente vetmia. Këto ishin çastet e krijimit. I përqendruar s’dihet se ku, të shihte e s’të shihte, të fliste e s’të fliste dhe, ç’ishte më e habitshme për ta, ai lëvizte buzët e bisedonte me vete.

“Ai flet me Zotin ose me dreqin”,- kish thënë një mësues i vjetër dhe, që prej asaj dite, disa e shihnin si të shenjtë e disa si të çmendur. Në mbrëmje mblidhej në dhomën-katua me një mësues tjetër jabanxhi. Visari lexonte pareshtur ose meditonte i përhumbur mbi shtratin e drunjtë. Llazari nuk e lodhte kokën as me libra, as me abstragime.

“Unë jam pragmatist”, thosh ai dhe merrej me gjithçka tjetër për të shtyrë kohën. Kështu që edhe biseda e tyre ishte ose e zvargur, ose e munguar. Visari përgjigjej sa për mirësjellje, pa ditur ç’thosh dhe shpesh me mendjen gjetiu. Shpesh, në gjysmerrësirën e dhomës, ku fekste turbullt një fener i nxirë nga tymi, Llazari i hapte muhabete politike. Atëherë, Visari i mbyllte instinktivisht qepenat e ngrehinës së vet, bëhej më i vranët dhe s’dihej pse i dilte vegimi i një gjahtari të pamëshirshëm.Një xhaxhanë e vet, Maksutin, mësues në Skrapar, e kishte pushkatuar partia. Babai, Hekurani, poet që i shfaqte mendimetkundër në formë humori e shakaje, nuk i shpëtoi burgut. Visari, i mbartur në Lushnjë me gjithë familje, donte të ndiqte në atë qafë si njërin, si tjetrin. Mirëpo, fatalisht, ishte njëherësh edhe mësues, edhe poet. Atëbotë, kur duhej folur apo kundërshtuar, edhe heshtja konsiderohej miratim ose moskallëzim. Gjithsesi, heshtja ishte më e mundshmja e gjithë pamundësive. Ose gjuha e Ezopit.

Ai përpiqet të kundërshtojë të keqen dhe të zbulojë kudo të mirën, të bukurën, poetiken, por shpesh, gjen të rëndomtën që mitizon Njëshin. Fatkeqësisht, edhe te këngët, rapsoditë. Kjo gjë e dëshpëron dhe ai s’gjen ngushëllim, prehje. Lëvizjet e tij shihen me dyshim. Edhe vetë ai.Një ditë, i vunë prangat. Armikut të popullit në emër të popullit, Në mesditë. Në mes të qytetit.. E hipën në Gazin 69. E çuan në qeli, ku njohu hetuesinë dhe torturat. Urdhri për arrestim kishte ardhur nga Tirana. Shkak për këtë ishin bërë poezitë e tij.Ato që kishte dërguar për botim. Autopsinë dhe shqyrtesën ua bënë ekspertët letrarë P.K.dhe R.V., inicialet e të cilëve i kujtonin Partinë Komuniste dhe Revolucionin Violent. Poezia ishte prostituta, që e kishte tradhtuar.

Ajo flirtoi dhe me ekspertët dhe mandej edhe me të tjerë, më të mëdhenj e më potentë. Ishte një valë e nxehtë arrestimesh dhe prerje kokash në fushëbetejën e artit, ishte kohë e çmendur. Nëna e Visarit, veshur me të zeza, mori rrugën për në Tiranë. Si një hije i shkoi në shtëpi Dritëroit, me të cilin binte kushëri.

– Dritëro, ma shpëto Visarin!

– S’kam ç’bëj. E morën në qafë vjershat.

– Po ti je kryetari i shkrimtarëve, si s’ke ti në dorë?! Fjala jote e ndan davanë. Duhet të ta marrin parasysh.

– E marrin dhe s’e marrin. Unë e bëra një përpjekje, por pa bereqet.

– A është fajtor Visari? Ma thuaj?

– Është dhe s’është…

– Nuk po të marr vesh, unë korba.

– Thuaj shyqyr, të tjerët po i pushkatojnë…

Në mes të sheshit “Skënderbeg”, ajo kishte ndaluar Kadarenë.- Jam nëna e Visarit. Ma shpëtoni djalin! Ju kini aq pushtet.

– Më vjen shumë keq, nënë. Po unë jam vetë në mjerim dhe nga dita në ditë pres të rrënohem si Visari.

– Edhe ju?

– Më beso.

Ajo kishte ikur e tmerruar nga sytë këmbët, prej sheshit, ku njerëzia bënte shëtitjen e mbrëmjes. E kishte besuar dhe s’kishte bërë përçapje tjetër. Visari u dënua me dhjetë vjet burg, me akuzën “Dekadent dhe armiqësor”. E dërguan menjëherë në Spaç e mandej në Qafë-Bar. Kampet e përqendrimit kishin nevojë të shtonin krahët e punës pa pagesë, për të nxjerrë bakrin nga nëntoka.

I ati, Hekurani, s’e duroi dot goditjen. Visarin e kishte pikë të dobët dhe e donte përtej vetes. Tek ai i kishte varur të gjitha shpresat. Vetë kishte mbetur pothuajse anonim. Në vitin tragjik 1944, kishte shkruar poemën dramatike “Përqafimi i dy kundërshtarëve, një ballisti dhe një partizani”, ndërsa krijimet e mëpasme i mbetën pa botuar. Vargjet e tij deklamoheshin dhe këndoheshin gojë më gojë si popullore. Të mos e kish edhe Visari fatin e tij! E pat rritur me bukë e pa bukë, por e kishte ushqyer me tharmin e librave. Kur, më në fund, u imponua në skenën e estradës të Lushnjës, të parën dhe të fundit punë që realizoi, ishte t’i siguronte të birit shkollimin.

Atë natë, që mori vesh arrestimin e Visarit, iu fik drita e syve. Kur e dëgjoi këtë, atje në burg, i biri bëri me mend një poezi: “Plak fatkeq, i verbër, më i verbër se nata. Dielli të perëndoi pas ballit. Nuk je i detyruar të shohësh… Sa herë i mbyll sytë, që të bëhem si ty. Ku ta gjej një shkreptimë që ta lëshoj nëpër natën tënde?”

Nëna i vinte me trasta ushqimesh dhe merrte fshehtas nga burgu qeset me vjersha të Visarit. I lexonin fshehtas në dhomën e vogël të Hekuranit. I dëgjonte i verbri dhe në ato çaste sytë i feksnin nga një dritë hënore. Dukej sikur i kishte ardhur shikimi. Po kur ai bënte lëvizjet e zakonshme të të verbrit, gjithçka kthehej në natë dhe poezitë merrnin udhën e varrit. Pasi i fusnin në një arkëz, si kockat, i mbulonin thellë në bahçen e motrës së martuar.Prej ditës që kishte arritur poezia e parë, nëna u bë e fortë, hipte e zbriste nëpër kamionë, shpesh ecte edhe në këmbë, në pikun e vapës apo të acarit, pa e lagur buzën dhe pa e ndalur hapin, për të arritur sërish tek i biri.

Dhoma e akullt e takimeve ishte e ndarë në mes nga hekura të dendur. Pas tyre qëndronte Visari, si një kaproll i ri i mbyllur në kafaz dhe, një çap më tutje, polici, si një gjahtar në përgjim të gjahut. Nëna, matanë katroreve metalike, si një murgeshë që falet për të dy. Por, përnjëherësh, ajo ngrihet dhe turret drejt të birit. Duart e tyre bashkohen nëpërmjet hekurave, si stalaktite shpellash. Biseda bëhet pa kuptim, pa lidhje, copa-copa, si në përçartje. Të dy, nënë e bir, duke pëshpëritur e ledhatuar duart e njëri tjetrit, hetojnë çastin. Duart e Visarit dridhen, shtrëngohen, zgjaten gjer brenda qafave të këpucëve ushtarake, tërhiqen me shpejtësi dhe përsëri bashkohen me ato të nënës, për të përcjellë vjershat gjer në gjirin e saj. Kur kryhet ky akt prestigjatorësh, duart e tij bien poshtë si degë të këputura. Atëkohë, ata kërkojnë fjalën, që s’e gjejnë dot më. Koha e lejuar ka mbaruar… Polici e largon Visarin, i cili ia dërgon nënës fjalët e pathëna nëpërmjet syve të ujshëm dhe gishtave të dorës që dridhen në ajër…

Kur ajo kthehet në shtëpi, i bashkon copëzat e poezive të nxjerra nga të çarat e burgut, për të ndërtuar shpirtin e të birit. Mandej ia lexonte me zë të ulët Hekuranit. Ai zgjaste duart, që dridheshin dhe prekte copëzat e letrave të rrudhura me poezi. Ai kërkonte nëpër letra shkrimin e Visarit, gjurmët e duarve të tij. -“Ku janë duart?”, kërkonte në ajër i verbri. – “Ikin duart e mia. Vijnë te ti si dy lejlekë të trembur”, i thotë Visari. -“Ku janë sytë, buzët?”,- plaku heton fragmente të fytyrës për t’i plotësuar portretin. Dhe Visari ia dërgon nga e çara e shpirtit: “I kam sytë. Po asnjë peizazh nuk fërgëllon aty, i përmbysur në atë pak kaltërsi që më ka mbetur… Në pjerrësinë e ballit tim rrjedhin ditët, si rrëke të ftohta shiu, kryqëzohen me vijat e rrudhave… Më dridhen buzët, të gjitha petalet e buzëqeshjeve u vyshkën. Memec puthjesh, gjithë vetmi, largohem edhe nga vetja…”

Në burgun e Spaçit, mes malesh, ku edhe dielli druhet të hyjë dhe në ferrin e Qafë-Barit, ku s’ka asnjë fije bari, po ka gurë të vdekjes, mbetet vetëm trupi i tij, kufoma. Shpirti i ka ikur dhe po i ikën çdo ditë. Trupi dergjet, gjysmën e kohës në qeli, gjysmën tjetër në punë për të nxjerrë mineral të helmët nga galerat e bakrit. Përjeton atje terrin e nëntokës, kësaj nate të llahtarshme. Shpirti i kërkon dritë. Galeria shembet dhe prej andej del ujë i zi. Nuk i lënë skeletet e gjallë sa të kalojnë ujërat dhe sa të davaritet tymi i hidhur i minave. I vënë në rresht për të ngarkuar vagonët si varre. Vazhdim i varreve, mendon Visari, teksa mbush me lopatë varrin e tij. “Leckat e trupit na dridhen, kurmi na shndërrohet në baltë, djersa në lot. Thyhen kazmat, por më parë thyhen kockat tona. Ngrihem, duke e ditur se do të bie prapë”.

Megjithatë, është ende i gjallë, megjithatë ecën verbërisht për të dalë mbi tokë. Një shok i ferrit i mbështetet dhe ai e mban. Pastaj i ikën nga duart dhe bie i vdekur. Visari e ngre në krahë me mundimin e Sizifit. Ku e gjeti fuqinë? Ecën me një të vdekur mbi supe nëpër galerinë e shembur e të përmbytur. Ndoshta mund të jetë gjallë- mendon Visari. Çizmet e shqyera shqyhen edhe më, por ai s’ia merr të vdekurit ato. Rrobat i qullen, mjaft që i vdekuri të mos laget, të mos ngrijë. Sytë i notojnë në ujërat e helmëta dhe në baltën që gjarpëron nëpër këmbë. Dhe ai mbart mbi shpinë të vdekurin, që është edhe vetja e tij. Del nga terri i llangosur, me çizmet e plumbta, me lopatën në dorë (çudi që s’e kishte lëshuar!) si një mallkim që e ndjek pas dhe me vdekjen përsipër. Shembet me gjithë atë, sa sheh dritë, sa sheh dritë dhe sapo merr ajër të kthjellët. Dhe nuk ndien më. Kur hap sytë, ndodhet në qelinë e burgut. Rri shtrirë si një mumie. Qetësia i pëlqen. Mbyll sytë dhe ëndërron. Ëndrrave pranga s’u vë dot. Jepet tërësisht pas ëndërrimeve dhe ripërtërihet, bëhet prapë i gjallë, i bukur, i paqetuar me botën. Atëherë i vijnë mendimet si bletët. Ndërton hojet dhe derdh mbi to pjalmin e mbledhur në lulet e ëndrrave. Nuk ekziston më as qelia pa dritë e pa ajër, as galeritë e vdekjes. Absurdi dhe boshi janë sfiduar. Ai harron gjithçka, edhe vdekjen, edhe krimin që s’e kishte kryer, edhe ata që e kishin realizuar krimin ndaj tij. Poezia, që i kish shkatërruar jetën, po endte një jetë tjetër, atë idealen, magjepsësen. Ajo i jep dehjen, kënaqësinë e krijimit. Ai nuk ndien as mungesën e lirisë. Qelia mbushet me dritë, me ajër, me njerëz. Ata dëgjojnë mërmëritje vargjesh Poeti s’i bën dot zap dhe ua thotë vargjet shokëve, jo për t’u dukur, por si nevojë e brendshme e thellë, e papërmbajtur, si një llavë zhuritëse, por ende jo shumë e qartë, e papërcaktuar. Ai nuk kërkon përjetësinë, as të zotërojë botën, siç ëndërrojnë poetët. Madje, as të pushtojë zemrat e bashkëvuajtësve, që ndoshta do të vdisnin aty si Përkthyesi dhe të tjerët. Një forcë e pashpjegueshme, e fshehtë dhe zjarrmuese si dashuria, e bën të komunikojë me shokët e burgut me fjalë poezie. Nxjerrja e tyre nga shpirti dhe ngashënjimi i të burgosurve të ndërgjegjes, lehtësimi i dhimbjeve të tyre, ngritja e moralit dhe e shpresës, e bëjnë atë të lumtur, ndonëse ai kishte frikë nga lumturia. Atëherë, mendimet e ndjenjat i shfaqen njëherësh, me një qartësi të ndritshme, të papërballueshme.

I vetmi në qeli që ishte i pandjeshëm ndaj poezive, qe veterineri. Gëzimi druhej edhe nga fakti që robi atje ridënohej për një fjalë, e jo mandej për vargje të tëra fjalësh të dyshimta. Nuk donte të ngatërrohej në këtë mesele me rrezik. Kur Visari i deklamonte vetë ato, kjo ishte gjysma e së keqes, se dëshmia ishte eterike, në ajër. Por kur i shkruante dhe ua jepte të tjerëve, si trakte, atëherë…

Visari përfitonte ngaqë letrat ishin të lejuara në burg. Madje, qenë varur përtej portës dy kuti postare, një për letrat zyrtare, ku hidheshin lutjet, ankesat, denoncimet, spiunimet drejtuar komandës, qeverisë dhe tjetra për ato private, dy herë në muaj veç dy faqe, të cilat u shkonin familjarëve, nëse nuk preknin jetën e burgut. Ato duhet të ishin të lumtura. Një herë, Visari hodhi një letër drejtuar motrës, ku shkruante: “Jam mirë…”

– Ç’janë këto tri pika?,- e pyeti të nesërmen operativi i Sigurimit.

– Pika janë,- iu gjegj Visari.

– Ç’do të thuash me to?

– Asgjënë.

– Prishi, nëse do që letra të shkojë.

– Le të mos shkojë edhe ajo.

– Vazhdimisht tregon mosbindje, kjo do të të hajë kokën.

Gëzimi e dinte që Visari shkruante vjersha, sepse e ndiente nga afër sesi i ndryshonte ritmi i frymëmarrjes dhe i mërmëritjes. Ai ishte nga Martaneshi, një krahinë e thellë blegtorale, ku punonte si veteriner. Ishte burgosur për sabotim ekonomik, meqenëse kishte ngordhur në kooperativë një tufë dhish nga një epidemi. Kishte lënë në shtëpi një djalë shtatëvjeçar dhe gruan. Ajo, për fatin e tij të keq, ishte e bukur. Brigadieri, që e kishte akuzuar për sabotim, ishte një imoral i pështirë, por njëherësh edhe sekretar partie. Me pushtet. Ndërsa ajo ishte e pambrojtur. Gëzimi e mbante mendjen atje dhe e brente gjithnjë e më tepër meraku. Rrinte mënjanë dhe s’përzihej me njeri. Por çfarë e dëshpëronte më shumë, ishte se ajo nuk i kishte shkruar asnjë letër. Ç’kishte ndodhur? Ai punonte si kalë për të shuar dyshimin dhe mërinë. Kur kthehej në qeli, binte si i vdekur. Por i delte gjumi natën dhe ngrihej i dalldisur. Visari, aty ngjitur me të, e qetësonte. Në fillim, ai i dukej i leshtë, ngaqë merrej me bejte. I kishte zët poezitë dhe ato s’bënin vend brenda tij. Madje, kishte frikë prej tyre si djalli nga temjani. Vdekja e Përkthyesit, për të cilin ai shkroi një elegji, e bëri të mendonte ndryshe për Visarin: “Nuk paska fjalë, po rrëke”. Pas kësaj zuri t’ua vinte veshin vargjeve të tij dhe disa prej tyre edhe t’i pëlqenin, por s’e bënte veten. Ato sikur ia hiqnin dhimbjen me dorë dhe i jepnin forcë. Një natë, kur çalltisi nga një ëndërr e keqe për të shoqen, Visarin e gjeti duke shkruar. Dritat nuk fikeshin në burg, ishin pjesë e mbikëqyrjes. Gëzimi mbylli sytë, po gjumi s’e merrte më. Zgjati dorën, kapi një letër të posashkruar dhe lexoi: “Që të zgjohesh nga gjumi i madh, i zi, bëj një vepër ti, kushdo qofsh. S’ka rëndësi madhësia e saj. Le të jetë e thjeshtë si mbjellja e një peme. Mos ki frikë, le të jetë dhe vdekje, por e tillë që e kundërshton vdekjen”.U ngashënjye nga fjalët me peshë. “Sikur janë qëndisur enkas për mua”,- murmuriti. Vargu i fundit iu ngjiz në tru dhe ai e përsëriste me vete i tronditur. Flaka e mekur e kundërshtimit iu rrit si pa kuptuar brenda vetes.

Në revoltën e Qafë-Barit (ajo e Spaçit kish shpërthyer më parë), Gëzimi u bashkua me grupin kryesor dhe u rreshtua në ballë të protestës, duke habitur edhe Visarin, edhe politikanët e burgosur, të cilët drejtonin revoltën.

– Edhe guri pëlcet nga nxehtësia, – i tha Visari.

– Por edhe nga ngrica, – ia ktheu tjetri. Miniera e Qafë-Barit ishte po aq primitive si ajo e Spaçit, por e akullt.

Gjeologët sovjetikë kishin thënë që ajo mund të shfrytëzohej vetëm me mjete, por kurrsesi me njerëz, për shkak të ujërave nëntokësore, rrezikut të shembjeve dhe helmimit. Autoritetet shqiptare dërguan atje të burgosur politikë, që konsideroheshin vegla pune.Çdo ditë me dhjetëra të gjymtuar dhe të vdekur. Kur ndërrohej turni, ata që dilnin nga galeritë, u uronin atyre që hynin: “Dalshi gjallë!”. Të vdekurit i nxirrnin nga nëntoka, sepse u ngatërroheshin nëpër këmbë të gjallëve që punonin dhe i flaknin në humbëtirë, pa varr e pa nishan.Protesta e të burgosurve të Qafë-Barit u bë pikërisht për këto, për shkak të rritjes së dhunës dhe të terrorit. Por edhe ndëshkimi ndaj tyre qe i pamëshirshëm.

Gjyqi i komandës dënoi me pushkatim organizatorët.

Gëzimin e kursyen. E dënuan me njëzet e pesë vjet burg, bashkë me pjesëmarrësit e tjerë të revoltës. Poetin e veçuan në kaush dhe e dënuan me tharje. Gëzimin e kishin torturuar aq shumë në hetuesinë e burgut, sa nuk njihej. Mezi qëndronte në këmbë. E kishte ndarë mendjen të fliste fort dhe ta kthente gjyqin në gjyq kundër tyre. Donte ta zbrazte shpirtin e mbushur plot. Mirëpo, komanda, që luante rolin e trupit gjykues, nuk mori asnjë të pandehur në pyetje.. Gëzimi u zhgënjye. Ky s’është gjyq, mendoi. I erdhi të pështirë nga ata që kishte përballë dhe iu dukën më skllevër e më mjeranë se të dënuarit. Papritur, perifrazoi me zë disa vargje të Visarit, që i dolën nga shtresimet e nënndërgjegjes: “Ju jeni më të burgosur se ne. Na morët lirinë duke humbur edhe tuajën. Ne, të dënuar përkohësisht, ju të dënuar për jetë!”.

– Si the, si the?!- ulëriti shefi i Policisë, Edmond Caja, ose “kockëthyesi” siç e quanin të burgosurit. – Përkohësisht, the? Ta falëm jetën, jo se na dhimbsesh, por se na duhesh. Kush do ta nxjerrë bakrin për njëzet e pesë vjet? Na bën edhe moral, pale! Cili t’i ka ngulur në tru këto mendime, Visari? Paske shpresë të dalësh, ëë? Këtu do të ngordhësh si qen, pa njeri pranë. Vulëhumbur. As eshtrat s’kanë për të t’i gjetur. Ta dish mirë që letrat e sat shoqeje i kemi këtu stivë. Kemi bërë mirë që s’t’i kemi dhënë. S’ke për t’i parë kurrë as letrat, as atë…

Ndërsa Caja shkumëzonte, Gëzimit i qeshi nuri. Ajo s’më paska harruar!- mendoi. Zemra i gufoi nga një gëzim i përmallshëm, i munguar…

Marrë nga Panorama

(a.m/dosja.al)

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

kulture kulture dritero agolli ismail kadare uran butka visar zhiti dritero agolli ismail kadare uran butka visar zhiti

Sondazh

Poll

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

"Injoranca nuk është argument" Nuk i pëlqeu pyetja, Rama prek në faqe gazetaren Ambrozia Meta

Del VIDEOJA, Elia godet Princ Lekën: Familja ime të ka mbajtur me bukë

VIDEO/ Noka i jep Spiropalit pankartën, Ministrja ofrohet ta mbaj para fytyrës

Publikohen pamjet nga brenda bazës ajrore të Kuçovës, Komandanti: E gatshme për stërvitjen e trupave

Tempulli 2/ Me kanabis gati për shitje dhe shuma parash, arrestohen 4 të rinj në Tiranë

Dalin pamjet nga kasollja ku u vra 50-vjeçari në Durrës

Kontrabandonin ilaçe dhe telefona, arrestohen dy persona në Tiranë, sekuestrohen 47 iPhone

I vunë flakën eskavatorit me vlerë 150 mijë euro, arrestohen 2 autorët e ngjarjes

Reshjet e shiut dhe borës në vend, policia: Moderoni shpejtësinë e mos kryeni parakalime të gabuara

Kampioni Alvin Karaqi mes lotësh: Për besë u ndjeva si Gjergj Kastrioti kur mora flamurin

'Dokumentar horror'/ Berisha publikon pamjet: Do ju paraqes terrorin që Bajrajt ushtruan më 14 maj

Krimi në Bulqizë/ Fqinji: Po hante bukë në banesë kur erdhën dy makina!

Dosja "Gjici"/ Zv.kryetari i bashkisë së Kukësit shkon në SPAK

Newsroom 11 |XAMA: LAJMI I FUNDIT FAKE QË PASHË, ISHTE PËR MUA

Newsroom 11 |XAMA: KËSHILLË QYTETARËVE- MOS LEXONI VETËM NJË BURIM

Newsroom 11 | XAMA: GAZETARËT NUK SHKRUAJNË ME EMËR, KJO S'ËSHTË ETIKE

Xama në Newsroom: Lajmet e rreme përhapin panik! Më akuzuan se kisha marrë para për një shkrim

Muka në Newsroom: Në Shqipëri ka portale gjobaxhie, u bëjnë shantazh njerëzve

Xama në Newsroom: Fake News shpërndahet më shumë në Facebook e Tik Tok! Gazetarët të shkruajnë emrin

Newsroom 11 |Kush prodhon lajme të rreme në Shqipëri

Newsroom 10 |SENJA: NE S'REAGOJMË NDAJ GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 |HAZIZAJ: 'ÇOHU ENVER', PJESË E GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ KEMI MARRËVESHJE PËR TË MBROJTUR 'VIKTIMAT'

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES KA SHKAKTUAR DHE KRIME

Newsroom 10 |GAZETARI: GJUHA E URREJTJES, PJESË E SHOQËRISË

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES, E FRIKSHME NË SHQIPËRI

Vidhnin në banesa duke përdorur çelësa të klonuar, vihet në pranga 1 person,nje tjeter në kërkim

Newsroom 10 |GJUHA E URREJTJES PËRDORET NGA POLITIKA, AMA TË KONTROLLOJË GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: STEREOTIPET NXISIN GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES LUFTOHET ME EDUKIM

Newsroom 10 | Gjuha e urrejtjes në media, si dhe kush e shpërndan?

Ndryshimet në PS/ Gjiknuri: S'është fundi, por fillimi i diçkaje të re.

Inceneratorët/ S’kam dhënë asnjë kontratë pa garë, ato janë publike!

Ndihet 'i shitur' nga Rama? Gjiknuri: Nuk ndjej braktisje, kam komunikim me të prej 20 vitesh

Klosi: Kemi primare reformimin e partisë, PS synon mandatin e katërt

U shkarkua si Sekretar i Përgjithshëm, Gjiknuri: PS edhe kur fiton, refekton!

Digjet shtëpia në Shkodër, në banesë ndodhej një i moshuar, përfundon në spital

Vazhdon përplasja në PD! Basha kërkon mbledhjen e Komisionit të Etikës për të, Bardhi: Shenjë humbje

Vrasja e Jetmirës/ Autori u dënua me 28 vite burg, nëna e viktimës: Duhet dënim përjetë!

Newsroom 9 | Kallanxhi: Threads? S`besoj se do zgjasë shumë

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Mos merrni për bazë asgjë thuhet në rrjet

Newsroom 9 | Gazetarja: po ndodhin vrasje nga tik tok

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Fake News dallohet vetëm po të jemi kritikë

Newsroom 9 | Kallanxhi: Shqiptarët besojnë gjithçka shohin në rrjet

Newsroom 9 | Eksperti i IT, Tomi Kallanxhi: Tik Tok ka "fake news" sepse s'ka censurë

Newsroom 9 | Gazetarja: Shqipëria do kohë të përshtatet me Tik Tok

Newsroom 9| Eksperti i IT: Çdo rrjet është i përkohshëm, duhet të kujdesemi për vlerat

A mund të mbyllet TikTok për Shqipërinë? Flet për Newsroom eksperi i IT

Fëmija mbyllet brenda në shtëpi, nëna e alarmuar njofton zjarrfikësit, NDËRHYRJA nga ballkoni