Politike

Nën masa të rrepta sigurie, Veliaj "lë qelinë" sot pas disa muajsh paraburgim! Ish-kryebashkiaku paraqitet në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin e tij nga posti

Seanca ka në fokus shqyrtimin e ankimit të tij kundër vendimit për shkarkim nga detyra, si dhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme në kryeqytet.

31 Tetor 2025, 07:29 Nga M.L
Nën masa të rrepta sigurie, Veliaj "lë qelinë" sot
Erion Veliaj

TIRANA- Ish-Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, pritet që gjatë ditës së sotme të lërë për disa orë qelinë, për t’u paraqitur personalisht në Gjykatën Kushtetuese. Seanca ka në fokus shqyrtimin e ankimit të tij kundër vendimit për shkarkim nga detyra, si dhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme në kryeqytet.

Veliaj ka shprehur 'dëshirën' për të marrë pjesë vetë në seancë, ndërsa më 20 tetor gjykata ka vënë në dijeni edhe Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për zhvillimin e saj. Për këtë arsye, Gjykata kërkoi nga Drejtoria e Burgjeve marrjen e masave për shoqërimin e tij nga paraburgimi i Durrësit, ku ndodhet prej muajit shkurt, si edhe SPAK-un.

Sakaq ditën e djeshme avokati Jordan Daci ka njoftuar se është tërhequr nga mbrojtja ligjore e ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në një postim në rrjetet sociale, Daci bëri të ditur se është tërhequr nga rasti për shkak të një konflikti interesi, pa dhënë më shumë detaje.

Si u shkarkua Veliaj?

Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi pro shkarkimit të kryebashkiakut Erion Veliaj disa ditë, pas urdhërit nga Kryeministri Rama. Motivi që Këshilli Bashkiak Tiranë votoi për shkarkimin e Erion Veliajt është mosparaqitja në detyrë prej më shumë se 3 muaj. Ndërkohë që Veliaj ka sqaruar në kërkesën e tij se mungesa për më shumë se tre muaj, nuk është si pasojë e vullnetit të tij, por si rrjedhojë e një mase sigurie, të cilën do ta kundërshtojë në të gjitha instancat gjyqësore.

Veliaj ankimon shkarkimin

Erion Veliaj i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për anulimin e vendimit për shkarkimin e tij nga tij nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës. Në kërkesën e depozituar nga avokatët e tij mbrojtës më Gjykatë Kushtetuese, theksohet se shkarkimi i tij është i paligjshëm dhe antikushtetues. Në kërksën e Veliajt janë renditur 15 argumente të ndryshme që kundërshtojnë shkarkimin e tij nga detyra. Sipas Veliajt, neni 62 i ligjit për qeverisjen vendore nuk mund të zëvendësojë nenin 115 të Kushtetutës, por duhet interpretuar gjithmonë në përputhje me të. Në këtë nen thuhet se çdo shkarkim pa një shkelje të rëndë të provuar është i paligjshëm dhe bie ndesh me parimet kushtetuese.

Për çfarë akuzohet Veliaj?

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në dosjen e kopsitur nga SPAK 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të. Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak të funksionit që kryen Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.

Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar si edhe organizatat jofitimprurëse të lartpërmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryen i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal./Dosja.al

erion veliaj

Sondazh

Poll