Politike

Tensionet në Kuvend, reagon misioni i BE-së në Shqipëri: Duhet dialog politik konstruktiv

Në reagimin e tyre, BE thekson se një Parlament funksional që ushtron një rol efektiv mbikëqyrës dhe legjislativ është një shtyllë qendrore e procesit të anëtarësimit në Europë.

22 Nëntor 2023, 10:00 Nga r.ll
Tensionet në Kuvend, reagon misioni i BE-së në Shqipëri:
foto nga kuvendi

TIRANË-Misioni i Bashkimit Europian në vendin tonë ka reaguar lidhur me tensionet në seancën e fundit plenare ku u miratua projektligji për buxhetin e vitit 2024. 

Në reagimin e tyre, BE thekson se një Parlament funksional që ushtron një rol efektiv mbikëqyrës dhe legjislativ është një shtyllë qendrore e procesit të anëtarësimit në Europë. Gjithashtu thuhet se dialogu politik konstruktiv është i rëndësishëm dhe në interes të qytetarëve. 

REAGIMI I BE: 

Pas zhvillimeve të fundit në Parlamentin e Shqipërisë, Bashkimi Evropian rikujton se një Parlament funksional që ushtron një rol efektiv mbikëqyrës dhe legjislativ është një shtyllë qendrore e procesit të anëtarësimit në BE. Dialogu politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në parlament është shumë i rëndësishëm dhe në interes të qytetarëve shqiptarë.

Një ditë më parë, Ambasada e SHBA-së, Britanike dhe ajo gjermane kërkuan dialog konstruktiv mes përfaqësuesve të zgjedhur me qëllim që parlamenti të plotësojë rolin e tij thelbësor kushtetues.

Çfarë ndodhi në Kuvend?

Kujtojmë se të hënën e kaluar seanca plenare që zgjati vetëm 5 minuta, u shoqërua me tensione dhe kaos, pasi opozita tentoi bllokimin e miratimit të buxhetit 2024.

Deputetët e opozitës, pavarësisht kontrolleve të Gardës ndezën tymuese në Kuvend. Kjo solli përjashtimin e Flamur Nokës nga seanca, dhe mbylljen e menjëhershme të seancës parlamentare. Një situatë alarmante u krijua për pak çaste për shkak të zjarrit që nisi në Kuvend, pas tymueseve që u hodhën nga opozita. Garda ndërhyri në kohë duke e shuar atë.

be kuvend 20 nentor 2023

Sondazh

Poll