Politike

Presidenti/ Digjet raundi 1, Alibeaj: Propozimi na takon ne. Rama: Në të 4-in e zgjedhim vetë

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili tha se e gjithë seanca ishte një abort total. Sipas Vasilit, ky proces është farsë e kryeministrit Edi Rama që ka si qëllim të rrëmbejë institucionin e Presidentit. Pas tij, Enkelejd Alibeaj tha se propozimi i takon Opozitës.

16 Maj 2022, 17:11 Nga DOSJA
Presidenti/ Digjet raundi 1, Alibeaj: Propozimi na takon ne. Rama: Në
Enkelejd Alibeaj, Petrit Vasili, Edi Rama dhe Klotilda Bushka

TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur dhe seanca për Presidentin e ri është ezauruar brenda pak minutave pasi nuk kishte asnjë kandidat. Klotilda Bushka, kryetarja e Komisionit të Ligjeve lexoi raportin dhe tha se seanca e e sotme është formale, por pavarësisht se nuk ka një kandidat, votimi konsiderohet i kryer.

 “Komisioni i Ligjeve mblidhet për të shqyrtuar kriteret kushtetuese pas paraqitjes së emrave. Sipas njoftimit nga drejtoria përkatëse Kuvendit deri dje nuk i është paraqitur asnjë kandidaturë për president të Republikës. Raundi i parë konsiderohet i kryer pa votim. Për efekt të rregullores ne do të na duhet që ta konstatojmë këtë fakt, për t’ja paraqitur më par Kuvendit,”- tha Bushka, kryetare e Komisionit.

Pas Bushkës, fjalën e mori Lindita Nikolla, kryetarja e Kuvendit e cila e konsideroi seancën të ezauruar.  Tashmë pritet që Konferenca e Kryetarëve të përcaktojë datën për raundin e dytë, i cili nuk mund të mbahet përtej afatit 7 ditor nga dita e sotme. Mbledhja e Konferencës së Kyetarëve pritet të mbahet nesër.

Jashtë Kuvendit folën përfaqësuesit e Opozitës dhe kryeministri Edi Rama. Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili tha se e gjithë seanca ishte një abort total. Sipas Vasilit, ky proces është farsë e kryeministrit Edi Rama që ka si qëllim të rrëmbejë institucionin e Presidentit. Pas tij, Enkelejd Alibeaj tha se propozimi i takon Opozitës. Ai tha se duhet të pranohet drafti i tij në mënyrë që Opozita të nisë me propozimin e emrave si kandidatë për President. Pas tyre, para mediave doli kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë tha se maxhoranca nuk ka asnjë arsye që t’i dorëzpjë Presidentin Opozitës, duke e konsideruar të përçarë këtë të fundit. Ai tha se do të presin tre raundet e para dhe në të katërtin do të vendosnin vetë, pasi votat i kishin.

PS ka zgjedhur datën 20 maj për zhvillimin e raundit të dytë, ndërsa PD kërkon datën 23 për të respektur diferencën prej 7 ditësh mes raundeve.

Si zgjidhet Presidenti?

Kushtetuta parashikon 5 raunde votimi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Në tre raundet e para, Presidenti duhet të zgjidhet me 3/5 e votave, pra 84 vota. Sipas ndryshimeve të bëra së fundmi në Kushtetutë, në rast se në fund të tre raundeve nuk është zgjedhur ende një person, atëherë kalohet në raundin e katërt, ku Presidenti duhet të zgjidhet me 71 vota. Nëse në raundin e katërt njëri prej kandidatëve të mbetur në garë nuk siguron 71 vota, kalohet për votim në raundin e pestë, ku sërish duhen 71 vota. Nëse dështohet edhe në raundin e pestë, atëherë shpërndahet Parlamenti dhe shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe do të jetë maxhoranca e re që do të zgjedhë Presidentin.

(F.m/dosja.al)

Sondazh

Poll