Bota

Kosova miraton Projektligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike, merret vendim për tërheqjen e parave nga Trusti

22 Korrik 2020, 11:37 Nga DOSJA
Kosova miraton Projektligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike, merret vendim

KOSOVË- Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike COVID-19, i cili do të mundësojë ndryshimin e disa ligjeve. Ky projektligj do t’iu mundësojë qytetarëve të tërheqin 10 për qind të mjeteve nga llogaria e tyre në Trust.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe ministrja e Financave, Hykmete Bajrami pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë kanë mbajtur konferencë për medie. Kryeministri Hoti tha se miratimi i Projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike i mundëson Qeverisë të qojë përpara programin për rimëkëmbje ekonomike.

Ai me këtë rast ka bërë të ditur se Projektligji do të procedohet në Kuvend, për çka ka kërkuar shqyrtim të shpejt. “Një prej ligjeve që e kaluam sot neve na mundëso ta qojmë programin tonë përpara për rimëkëmbje ekonomike. Dhe menjëherë pas mbledhjes do t’i përcillet Kuvendit që ta qojë përpara këtë ligj dhe rishikimin e buxhetit”.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami tha se Qeveria e Kosovës e ka në vëmendje rimëkëmbjen ekonomike. Bajrami më tutje ka theksuar se menjëherë pasi të aprovohet ligjin qytetarët në periudhë 4 mujore mund t’i tërheqin 10% të trustit.

“Qeveria e Kosovës në programin e saj ka një vëmendje për rimëkëmbje ekonomik. Përpos prioritet që i kemi dhënë në rishikimin të buxhetit ne masat për rimëkëmbje i kemi pa edhe me këtë ligj dhe me këtë ligj janë ndryshuar dhe plotësuar disa ligje të tjera dhe këtë janë që do të kenë në fuqi deri me 31 dhjetor. Ligji ka paraparë ndryshimin e ligjit për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore. Po ashtu do të mundësohet edhe heqja prej 10% ë periudhën 4 mujore prej datës kur aprovohet ligji. Sa i përket rimbursimit, Qeveria e Kosovës ka vendosur që mos t’i tatojë dhe 10% do të merret bruto”, ka thënë Bajrami.

Projektligji është thënë se do të dërgohet menjëherë në Kuvendin e Kosovës për miratim. Vlera e përgjithshme që do të mund të tërhiqej nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, sipas projeksioneve të Ministrisë së Financave, është rreth 180 milionë euro, mjete këto të cilat do të stimulonin kërkesën agregate në treg.

Të gjithë të punësuarit (e regjistruar) në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre, përkatësisht 5 për qind paguan punëdhënësi, kurse 5 për qind paguhen nga paga e të punësuarit. Në anën tjetër, ky Projektligj parasheh zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike.

Përdorimi i një përqindjeje të mjeteve financiare të kursyera në Trust, rishikimi i buxhetit, lehtësimi i qasjes në financim dhe mbështetja për punësim janë disa nga nëntë masat e parapara të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike që janë prezantuar në Programin Qeverisës 2020-2023 të Qeverisë së Kosovës.

Sipas këtij programi, pritet të mobilizohen mbi 1 miliard euro për dy vite, duke themeluar Fondin për Rimëkëmbjen Ekonomike pas pandemisë COVID-19. Masa e pestë e kësaj pako parasheh stimulimin e kërkesës agregate që ka për qëllim rritjen e shpenzimeve të konsumatorëve, e cila nxit prodhimin dhe punësimin me efekte multiplikuese në ekonomi.

Në kuadër pakos për financimin e masave, pritet që të përdoren 170 milionë euro kthime të kursimeve pensionale për kontributpaguesit nga Fondi i Kursimeve Pensionale. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në takimin e fundit që kishte pasur me përfaqësuesit e shoqatave të biznesit, përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Kosovës dhe të Asociacionit të Komunave të Kosovës, kishte thënë se, këto masa do të krijojnë mundësi për ta vendosur ekonominë e Kosovës në një trajektore të zhvillimit ekonomik afatgjatë.

(Marrë nga Monitor.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

rajoni rajoni avdullah hoti programi i rimekembjes se kosoves qeveria e kosoves avdullah hoti programi i rimekembjes se kosoves qeveria e kosoves

Sondazh

Poll