Politike

Listat e hapura dhe koalicionet/ Meta-Basha: Ndryshimet Kushtetuese të diskutohen në Këshillin Politik (PROPOZIMI)

17 Korrik 2020, 08:20 Nga DOSJA
Listat e hapura dhe koalicionet/ Meta-Basha: Ndryshimet Kushtetuese të

TIRANË– Presidenti Ilir Meta do të ritakohet sërish me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në lidhje me paketën me ndryshime kushtetuese që pritet të kalojë në seancën e radhës në Kuvend, ku përfshihet heqja e koalicioneve tradicionale dhe hapja pjesore e listave. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Meta shkruan se ka marrë një mesazh nga Prof.Kristaq Kume, i cili i ka shprehur shqetësimin se duhej bërë çdo përpjekje për të shmangur ndryshime kushtetuese të njëanshme sepse do të ishte një kosto shumë e rëndë për vendin.  Meta thekson se sipas sugjerimeve të Kumes, ai është dakort që çdo ide për ndryshime nga Marrëveshja e 5 Qershorit duhet të shkonte përsëri në tryezën e Këshillit Politik. Presidenti ndan me publikun pjesë nga deklarata e Partisë Demokratike, ku sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, tha se opozita është e gatshme që edhe ndryshimet Kushtetuese t’i diskutojë në këtë Këshill. Kështu, opozita dhe presidenti i hapin lojën e dialogut kryeministrit duke i propozuar kështu, rimbledhjen e Këshillit Politik dhe diskutimin atje të çdo ndryshimi. 

REAGIMI I ILIR METËS: 

Dje në mesnatë mora një mesazh nga një intelektual i nderuar si Prof.Kristaq Kume. Shqetësimi i tij ishte se duhej bërë çdo përpjekje për të shmangur ndryshime kushtetuese të njëanshme sepse do të ishte një kosto shumë e rëndë për vendin. Ai sugjeronte se çdo ide për ndryshime nga Marrëveshja e 5 Qershorit duhet të shkonte përsëri në tryezën e Këshillit Politik. Sot në mëngjes, pa gdhirë mirë, i kërkova takim z.Basha për të parë a ishte i hapur për një ide të tillë. Ai më njohu me qëndrimin zyrtar të Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar që është bërë publik dhe u është njoftuar dhe të gjithë partnerëve të shqetësuar për të ardhmen europiane të vendit tonë. Jam i bindur se ka kaq shumë intelektualë dhe qytetarë që ndajnë këtë shqetësim si të Prof.Kumes. Për këtë arsye po e ndaj me të gjithë ju këtë qëndrim tepër të përgjegjshëm dhe bashkëpunues të Opozitës së Bashkuar.

PJESË NGA DEKLARATA E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PD, GAZMENT BARDHI

Nëse Partia Socialiste është vërtet e interesuar për të rihapur diskutimin për çështje të tjera në lidhje me reformën zgjedhore, ajo është e obliguar nga Marrëveshja e 14 Janarit dhe nga Marrëveshja e 5 Qershorit ti parashtrojë ato për diskutime dhe vendimmarrje konsensuale në Këshillin Politik. Çdo diskutim i tillë, sipas Marrëveshjes, NUK mund të vonojë apo pengojë kodifikimin e Marrëveshjes së 5 Qershorit.

Një ditë më parë, Presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama kanë replikuar në distancë në lidhje me ndryshimet kushtetuese. Sipas Metës, këto bëhen në referendum, ndërsa Rama iu përgjigj se çdo ndryshim do të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë, me ligj dhe me kartona. Ndryshimet Kushtetuese përfshijnë heqjen e koalicioneve parazgjedhore dhe hapjen pjesërisht të listave. Opozita kundërshton vendimin e socialistëve dhe opozitës së re parlamentare, por kryeministri Edi Rama foli dje për një “moderim” të koalicioneve dhe jo heqje të tyre.

(f.m;f.g/dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

politike politike ilir meta ndalimi i koalicioneve ilir meta ndalimi i koalicioneve

Sondazh

Poll