Politike

Hapja pjesore e listave dhe heqja e koalicioneve pa konsensus, Wadephul kërcënon: Tërhiquni ose bllokojmë hapjen e negociata

14 Korrik 2020, 14:26 Nga DOSJA
Hapja pjesore e listave dhe heqja e koalicioneve pa konsensus, Wadephul

TIRANË- Nënkryetari i i grupit të CDU/CSU në Bundestagun gjerman, Johan Wadephul, ka bërë një koment të ashpër pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese në Komisionin e Ligjeve, që parashikojnë hapjen pjesore të listave dhe heqjen e koalicioneve. Në një deklaratë për mediat, Wadephul shprehet kundër qeverisë dhe Kuvendit dhe bën thirrje që të tërhiqen nga kjo nismë pasi në të kundërt do të bllokohen negociatat për në Bashkimin Evropian.

Ai shprehet se ndryshimet në Kushtetutë minojnë të gjithë Reformën Zgjedhore dhe po e asgjësojnë atë. Numri dy i grupit të CDU/CSU shton se këto ndryshime të miratuara sot do të thonë se Parlamenti shqiptar do të bënte të pavlefshme Reformën Zgjedhore të arritur me marrëveshjen e 5 qershorit.

DEKLARATA E PLOTË

Me marrëveshjen e 5 qershorit dhe marrëveshjet e tjera të bazuara mbi të, qeveria dhe opozita kanë hartuar një reformë të mirë zgjedhore. Kjo reformë zgjedhore tani duhet të miratohet nga Parlamenti pa ndryshime, ashtu siç përcaktohet në marrëveshjen e 14 janarit 2020. Atëherë do të përmbushej kërkesa e bërë nga BE dhe Bundestagu gjerman për të kryer një reformë zgjedhore në një proces gjithëpërfshirës midis qeverisë dhe opozitës – përfshirë opozitën ekstra-parlamentare. Por tani po dëgjojmë për vendime në Parlament, për të ndryshuar marrëveshjet e 5 qershorit dhe kushtetutën, duke ndaluar formimin e koalicioneve zgjedhore nga partitë përpara zgjedhjeve. Të dyja këto ndryshime, nëse do të miratohen nga Parlamenti, do të ishin një shkelje serioze e marrëveshjeve të 5 qershorit dhe 14 janarit.

Ndryshimi kushtetues për më tepër do të minonte tërë reformën zgjedhore dhe kështu do ta asgjësonte atë. Në praktikë, kjo do të thoshte, se Parlamenti shqiptar do të bënte të pavlefshme reformën zgjedhore të arritur me marrëveshjen e 5 qershorit. Kjo do të vendoste parlamentin shqiptar dhe shumicën qeverisëse, përfshirë Kryeministrin, kundër vendimit të të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian, të marrë në mars të këtij viti, dhe do të vinte në veçanti në pikëpyetje perspektivën e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për më tepër, një qasje e tillë do të ishte një shkelje e jashtëzakonshme e besimit ndaj BE-së, OSBE-së dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për arritjen e një reforme të mirë zgjedhore. Bundestagu gjerman nuk do të aprovojë konferencën e parë ndërqeveritare dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit, për aq kohë sa nuk miratohet marrëveshja e 5 qershorit nga Parlamenti pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që minojnë këtë marrëveshje.

Prandaj u bëj thirrje kolegëve në Parlamentin shqiptar: Bëni një hap të madh drejt forcimit të demokracisë në vendin tuaj dhe miratoni reformën zgjedhore siç përcaktohet në marrëveshjen e 5 qershorit. Dhe hiqni dorë nga ndryshimet e planifikuara kushtetuese që do ta shkatërronin reformën zgjedhore. Vetëm atëherë ju do të keni akoma mbështetjen e fortë të Bundestagut gjerman. Prandaj: mos vini në pikëpyetje perspektivën e BE-së për vendin tuaj! Populli shqiptar nuk e meriton këtë!

Maxhoranca dhe opozita e re kanë miratuar sot ndryshimet e Kushtetutës. Komisioni i Ligjeve me 100% të votave miratoi sot heqjen e koalicioneve, gjë që do të sanksionohet në Kushtetutë. Po ashtu është vendosur dhe hapja e listave, por nuk do të ketë një hapje të tërësore, por vetëm 1/3 e të gjithë listës shumëemërore. Po ashtu sot është vendosur dhe vendosja e pragut elektoral, që në qarqe do të jetë prag natyral, por shpërndarja e mandateve do të bëhet vetëm për partitë që do marrin 5% të votave në rang kombëtar.

(A.B. Dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

politike politike gjermania kercenon bllokimin e negociatave hapja e listave dhe heqja e koalicioneve johan wadephul gjermania kercenon bllokimin e negociatave hapja e listave dhe heqja e koalicioneve johan wadephul

Sondazh

Poll