Aktualitet

“Gëzoj shëndet të plotë”, Edmond Budina: Rama duhet të tregojë ku e mori informacionin. Do e ndjek në rrugë ligjore

20 Qershor 2020, 08:16 Nga DOSJA
“Gëzoj shëndet të plotë”, Edmond Budina: Rama

TIRANË–  Regjisori i njohur shqiptar, Edmond Budina ka reaguar lidhur me lajmin se ai është prekur nga koronavirusi.

Në sqarimin e tij Budina ka thënë se nuk  ka asnjë shenjë tipike të këtij virusi vdekjprurës, por sipas tij ISHP ka këmbëngulur që ai të bënte testin, në një kohë që personave të tjerë me shenja të dukshme të Covid-19 u refuzohej kryerja e një testi.

Më tej aktori është shprehur për “Neës 24” se Kryeministri Edi Rama nuk duhet të kishte bërë publik emrat e tyre pa ditur saktë lajmin. E për këtë ai i kërkon Ramës burimin e informacionit, pasi sipas tij kjo është e rëndë sepse i janë shkelur të drejtat. Për këtë shkak ai thotë se këtë çështje do ta ndjekë në rrugë ligjore.

Budina thotë se infektimi edhe nëse është i vërtetë e ka zanafillën në QSUT, ku ai sqaron se ka qenë atje për hallën e tij që ka qenë e sëmurë dhe ishte e shtruar, prandaj aktori thotë se për këtë fajin e ka kjo qeveri me këtë kryeministër.

REAGIMI I EDMOND BUDINËS

Së pari dua të siguroj gjithë miqtë, shokët, të afërmit e simpatizantët, që më kanë bombarduar me mesazhe e telefonata, se gëzoj shëndet të plotë. Nuk kam as edhe një prej shenjave tipike të Covid-19, gjithsesi nuk kam të drejtë të paragjykoj rezultatin e testit, sepse mund të jem edhe bartës pa asnjë shenjë. Ajo që më bën të dyshoj, është fakti i këmbënguljes nga ana e Institutit të Shëndetit Publik, për të bërë testin edhe pse nuk kisha shenja të dukshme, ndërkohë, që të tjerë persona pranë nesh, edhe pse me shenja të dukshme (temperaturë të lartë) që kërkonin të bënin testin, ju refuzohej me justifikime nga më të ndryshmet.
Ata të gjithë, më pas, kanë dalë negativë. Përmes të afërmish të përbashkët i kam dërguar fjalë dr. Silva Binos, që pavarësisht prej rezultatit të testit, negativ ose pozitiv, emri im dhe i Bertit të mos bëhej publik. Më garantuan që jo. Testin e kam bërë dje rreth orës 18.40. Sot në orën 08:51 më telefonojnë për të më pohuar se unë e Berti jemi pozitivë. Pa kaluar as edhe një orë të gjitha mediat shpërndanë lajmin e infektimit tonë. Më e rënda është, që edhe Kryeministri Edi Rama, që duhet të jetë i pari në respektimin e Kushtetutës së vendit që drejton, bëri publikë emrat tanë. Ai ka detyrimin që publikisht të informojë opinionin se prej kujt e ka marrë lajmin. Prej institucioneve apo medias. Këtë çështje, unë do ta ndjek në rrugë ligjore, sepse ka të bëjë me shkeljen e të drejtave e lirive të njeriut.

Refuzoj në mënyrë kategorike hipokrizinë e atë keqardhje të shtirur, që gjoja i vjen keq e na uron shërim të shpejtë. Së pari, do ta besoja po të qe bërë privatisht. Së dyti, infektimi edhe nëse është i vërtetë e ka zanafillën në QSUT, ku halla jonë ishte e shtruar e për këtë fajin e ka kjo qeveri me këtë kryeministër. Së treti, dua të kujtoj 17 majin kur u dha urdhëri e filloi shembja e Teatrit Kombëtar, ndërkohë që njerëzit ishin ende brenda, mes tyre edhe im vëlla, Roberti. Ju tentuat t’i vrisnit e sot paturpësisht, thoni se Ju vjen keq e na uroni shërim të shpejtë! Pasi u përpoqët të na përçani me lloj-lloj intrigash e shpifjesh, tani kërkoni të na izoloni me histori sëmundjesh. Përpara se të kërkoni respektimin e rregullave dhe ligjeve nga qytetarët, zbatojini vetë i pari. E gjithë kjo ka vetëm një shpjegim; kjo qeveri, tashmë e ndërgjegjësuar dhe e frikësuar për krimin monstruoz, që ka kryer me shembjen e Teatrit Kombëtar, kërkon të frikësojë njerëzit dhe t’i ndalojë ata të protestojnë. Mbështetja për kauzën e teatrit sa vjen e rritet. Pakënaqësia ndaj kësaj qeverisjeje, ku interesat e një grushti njerëzish të lidhur me mafien, janë mbi interesat kombëtare, është në vlim. Prandaj të gjithë kundërshtarë e opozitarë të këtij sekti duhet të bëhemi bashkë. Ne nuk e ulim kokën. Është koha për të reaguar e protestuar.

Një ditë më parë u raportua se dy vëllezërit Edmond dhe Robert Budina janë të infektuar me koronavirus. Teksa në  shumë reagime gjatë ditës së djeshme aktori ka thënë se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë, dhe nuk kanë patur komplikime për shkak të virusit, në një prononcim të fundit ai ka thënë se edhe nëse është i infektuar gjithçka e ka zanafillën në QSUT, pasi aty ka shkuar për të parë hallën e tij.  Më tej i ka kërkuar llogari edhe kryeministrit Edi Rama,se ka shkelur të drejtat e tyre duke publikuar të dhënat personale.

A.C/Dosja.al

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

aktualitet aktualitet edmond budina robert budina me covid edmond budina robert budina me covid

Sondazh

Poll