Aktualitet

12 Mars 2020, 13:21 Nga DOSJA

TIRANË- Kreu i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreti Cukali i është përgjigjur zëvendës Kryeministrit, Erion Braçe, i cili e akuzoi për shpifje. Në një reagim Cukali, i kërkon Braçes që të mos e përgojë në rrjetet sociale duke i vënë epitete, pasi kjo tregon një nivel të ulët komunikimi.

Më tej kreu i KSHM shkruan se Braçe duhet ishte në krye të detyrës dhe jo duke rrthuar me laps gazetat, dhe duke e shkëputur nga pjesa tjetër e shkrimit. “Sa për atë fjalinë që keni rrethuar, po ju informoj që kështu ka nisur dhe në Itali, nga një spital ku u shkelën protokollet, në Lodi. Potencialisht ashtu mund të ketë ndodhur dhe në Durrës. Them potencialisht, sepse problemi qendron që qeveria që ju zv/kryesoni ka zakonin të fshehë informacionin dhe e ka transparencën zero. Në mungesë të transparencës nga ana juaj, ne jemi të detyruar të funksionojmë me logjikë krahasuese, dhe deduktimi logjik thotë se në një spital ku ishte një pacient i pazbuluar për ditë me rradhë, mund të jenë infektuar në zinxhir pacientë të tjerë, mjekë e infermiere”, shton më tej Cukali.

SHKRIM I PLOTË

Z.Braçe,

Së pari, unë nuk jam shoku juaj e as i njohuri juaj, as në rrjete sociale e as në jetën private ndaj, ju lutem mos më përgojoni në rrjete sociale duke më vënë epitete. Kjo, më së paku, tregon një nivel të ulët tuajin në komunikim. Si Erion ashtu mund të jeni edukuar; si deputet mbase ashtu jeni mësuar; por, si zv/Kryeministër i vendit, kjo gjuhë mënyrë komunikimi është vulgare dhe pozicioni që keni nuk jua lejon.

Së dyti, prisja që të ishit në zv/krye të situatës, duke u marrë me punë e jo duke rrethuar me laps gazetat. Më vjen mirë që keni rrethuar vetëm një fjali, sepse në të vërtetë shqetësimi i ngritur në atë shkrim qendron 100%.

Mendimi im është që qeveria që ju e zv/kryesoni, e cila kaloi brenda 2 ditësh nga pozicioni: “mos përhapni panik”, në pozicionin: “të mbyllen të tëra”, ka bërë gabime të rënda në menaxhimin e situatës që nga dita kur u mor vesh që ne jemi në kufi të rrezikut me Italinë.

Sa për atë fjalinë që keni rrethuar, po ju informoj që kështu ka nisur dhe në Itali, nga një spital ku u shkelën protokollet, në Lodi. Potencialisht ashtu mund të ketë ndodhur dhe në Durrës.

Them potencialisht, sepse problemi qendron që qeveria që ju zv/kryesoni ka zakonin të fshehë informacionin dhe e ka transparencën zero. Në mungesë të transparencës nga ana juaj, ne jemi të detyruar të funksionojmë me logjikë krahasuese, dhe deduktimi logjik thotë se në një spital ku ishte një pacient i pazbuluar për ditë me rradhë, mund të jenë infektuar në zinxhir pacientë të tjerë, mjekë e infermiere.

Për këtë arsye ajo fjali nuk është shpifje, për sa kohë JU NUK KENI FAKTE për të provuar të kundërtën.

Megjithatë, jam gati të kërkoj ndjesë publike për atë fjali VETËM kur ju të na prezantoni publikisht testet e GJITHË SPITALIT, me pacientë, infermierë e mjekë dhe të na tregoni që ata njerëz të vënë në rrezik atje, janë të painfektuar.

Dhe kur them FAKTE, nuk e kam fjalën për deklaratat për shtyp të Qeverisë apo të ISHP-së, që me shumë gjasa tregojnë atë që ju doni që të ketë ndodhur dhe jo atë që ka ndodhur.

Deri atëherë, ju lutem, kthehuni në punë!

Kthehuni në punë!

Bëni punën tuaj, e mos u merrni me përgojime në rrjete sociale.

Debati mes Braçes dhe Cukalit, nisi pas një shkrimi të këtij të fundit, që analizonte situatën dhe masat e marra nga qeveria për përhapjen e COVID-19. Cukali theksonte një fakt që pacientes në Durrës nuk i ishin bërë vizitat si duhet. Braçe nga ana tjetër e rrëzon këtë deklaratë dhe i bënte thirrje që të çohej nga kompjuteri dhe të verifikonte informacionin para se ta publikonte.

(A.B. Dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

aktualitet aktualitet erion brace koloreto cukali masat për koronavirusin ne shqiperi erion brace koloreto cukali masat për koronavirusin ne shqiperi

Sondazh

Poll