Politike

U legjitimua dje nga GJKKO si avokat i Veliajt, Ndreca: SPAK nuk më ka marrë kurrë në pyetje, nuk jam në konflikt interesi me çështjen

Ai tha se nuk është në një konflikt interesi me çështjen dhe se procesi duhet të garantojë mbrojtje efektive.

25 Mars 2026, 15:15 Nga E.d
U legjitimua dje nga GJKKO si avokat i Veliajt, Ndreca: SPAK nuk më ka
Foto ilustruse

TIRANË-  Ish-deputet i PS-së, Plarent Ndreca u legjitimua ditën e djeshme nga GJKKO si avokat i Erion Veliajt. Gjatë një interviste televizive, Ndreca ka deklaruar se nuk është marrë kurrë në pyetje nga SPAK gjatë hetimit në lidhje me dosjen e Veliajt. Ai tha se nuk është në një konflikt interesi me çështjen dhe se procesi duhet të garantojë mbrojtje efektive.

Avokati tha se vendimi për të përfaqësuar Veliajn në gjykatë, ishte vendim i duhur ligjor pasi  njihen me të si bashkëpunëtor politik. Sipas tij, vendimi për të mbuluar procesin e çështjes  së Veliajt ishte marrë dy javë më parë, ndërsa shpjegoi se dje nuk u zhvillua procesi, për shkak të mosprezencës së të dy palëve të tjera.

Në fund, ish-deputeti socialist foli edhe për gjendjen e Veliajt. Në lidhje me këtë, Ndreca tha se Veliaj është në gjendje të mirë, i qartë dhe i vendosur për t’u përballur me këtë betejë.

“Ishte vendim i duhur ligjor, pasi kërkesa e prokurorëve ishte e pabazuar, pasi nuk kisha dështuar për këtë çështje. Nuk kishte konflikt interesi. Jo nuk ishte lajm sekret, por as për t’u bërë publike. Ne njihemi si bashkëpunëtor politik, ishte vendimmarrje e natyrshme. U kërkua nga zoti Veliaj. Ka qenë një proces i vijueshëm, por nuk di të them se kur u kërkua. Kam qenë dhe më herët avokat i zotit Veliaj.

Vendimmarrja ishte para 2 javësh që unë të mbuloj procesin e çështjes në themel. Dje nuk u zhvillua procesi, për shkak të mosprezencës së të dy palëve të tjera. Unë jam ende i panjohur me aktet. Dhe zoti Veliaj nuk është njohur mirë me aktet. Nuk duhet të ngelet një proces formal, ku nuk garantohet ashtu siç e përcakton kushtetuta, që personi nën akuzë duhet të ketë kohë për t’u mbrojtur në mënyrë efektive.

Gjendja e zotit Veliaj është shumë e mirë. Është i qartë, i kthjellët. Nuk është situatë normale, është situatë që kushdo e përjeton jo mirë. Për më tepër një politikan dhe kryeqytetari i qytetit tonë. Por zoti Veliaj është i qartë me situatat dhe është i bindur dhe i vendosur për t’u përballur me këtë betejë.”, tha ai./Dosja.al

plarent ndreca gjkko erion veliajt

Sondazh

Poll