Politike

Arrestimi i të rinjve shqiptarë në Beograd/ Berisha: Të lirohen urgjentisht, përndryshe do protestojmë para ambasadës serbe

Kryedemokrati thekson se arrestimi i të rinjve shqiptarë është një akt i shëmtuar dhe se e barazon presidentin serb me Kim Jong Un, ndërkohë që u bën thirrje që komuniteti ndërkombëtar të dënojë këtë akt.

25 Mars 2026, 12:45 Nga E. D
Arrestimi i të rinjve shqiptarë në Beograd/ Berisha: Të
Sali Berisha 

TIRANË- Kreu i partisë Demokratike, Sali Berisha ka dënuar arrestimin e katër të rinjve shqiptarë në Beograd. Duke folur në konferencë për mediat nga selia blu, Lideri i opozitës tha se shqiptarët janë arrestuar me urdhër të Aleksandër Vuçiç, duke iu referuar si kreu i organizatës kriminale të Beogradit.  

Kryedemokrati thekson se arrestimi i të rinjve shqiptarë është një akt i shëmtuar dhe se e barazon presidentin serb me Kim Jong Un, ndërkohë që u bën thirrje që komuniteti ndërkombëtar të dënojë këtë akt.

"Së pari, dua të dënoj me forcën më të madhe arrestimin e katër të rinjve shqiptarë në Beograd me urdhër të Aleksandër Vuçiç, kreut të organizatës kriminale të Beogradit. Të rinjtë shqiptarë janë arrestuar për fajin e vetëm se njëri prej tyre ka postuar në Facebook apo Instagram një flamur shqiptar me portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit.

Dhe sipas organeve të Beogradit, ka thënë edhe fjalë të papërshtatshme për Serbinë. Ky akt i shëmtuar e barazon Aleksandër Vuçiçin me Kim Jong Un-in, me Ajatollahët e Teheranit dhe tregon një racizëm të papërmbajtur dhe urrejtje ndaj shqiptarëve. Dënoj me forcën më të madhe këtë akt të shëmtuar, të pashembullt dhe kërkoj lirimin e menjëhershëm të të rinjve shqiptarë.

Sikundër, i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë me forcë këtë akt që tejkalon të gjitha limitet, që mund të ndodhë dhe njëherë vetëm në diktaturat më të zeza. Dënoj gjithashtu, heshtjen e argatit të Vuçiç-it në Tiranë, kreut të organizatës kriminale, Edi Ramës, ndaj aktit të padronit të tij.

Katër tifozët nuk kanë kryer asnjë akt përveçse kanë postuar në rrjetin e tyre social status me flamur dhe kanë thënë mendimet e tyre për Serbinë, të cilat sipas Vuçiçit qenkan të ndaluara në territorin e Serbisë të thuash një fjalë të keqe për Serbinë. Kjo është unike në botë. Ky është turp! Ndaj dhe, kërkoj lirimin urgjent, përndryshe opozita do marrë hapat e veta të protestave të fuqishme para përfaqësisë së Beogradit në TIranë. Ata duhet të lirohen, menjëherë!" tha Berisha./Dosja.al

sali berisha

Sondazh

Poll