Politike

Kurti dhe Hamza takohen sërish, diskutojnë çështjen e presidentit

Ky është takimi i tyre i dytë brenda pak ditësh, teksa vendi ka afat vetëm deri në 4 mars që ta ketë emrin për mandatin e ri të presidentit të Kosovës.

28 Shkurt 2026, 16:45 Nga E. D

Kurti dhe Hamza takohen sërish, diskutojnë çështjen e

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka nisur të shtunën pasdite një takim me liderin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Bedri Hamza në ambientet e Kuvendit, për të diskutuar "situatën aktuale politike".

Ky është takimi i tyre i dytë brenda pak ditësh, teksa vendi ka afat vetëm deri në 4 mars që ta ketë emrin për mandatin e ri të presidentit të Kosovës.

Kurti, njëherësh lider i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë para takimit se po synohet maksimalizimi i përpjekjeve që javën e ardhshme gjithçka të “kurorëzohet me sukses”.

Kurti është takuar gjatë javës edhe me kryetarin e partisë tjetër opozitare, Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), mirëpo rezultate konkrete nuk ka pasur.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani e synon edhe një mandat të dytë. Ndonëse emrin e saj e pati propozuar LVV-ja më 2021, kjo parti tani nuk ka ndonjë emër konkret për kandidat.

Partitë opozitare gjithashtu nuk përmendin emra, por duket se votë për Osmanin nuk kanë, meqë me raste e kanë kritikuar si të njëanshme në të mirë të LVV-së.

Pozita e presidentit në Kosovë është kryesisht ceremoniale – për shkak se vendi është republikë parlamentare – dhe prej një presidenti kërkohet të jetë figurë unifikuese mes partive politike.

Më herët gjatë javës është përmendur mundësia që në krye të shtetit të jetë ndonjë pjesëtar i familjes së heroit Adem Jashari, përfshirë edhe nga vetë zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.

Megjithatë, anëtarë të kësaj familjeje e kanë bërë të qartë për media se nuk kanë ambicie për këtë pozitë.

Për dallim prej tyre, ish-ministri i Administratës Publike dhe i Arsimit, Arsim Bajrami, ka shprehur gatishmërinë për t'u bërë president.

Njëjtë, gatishmëri ka shprehur javë me parë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, mirëpo partitë tjera nuk i kanë dhënë mbështetje.

Për të propozuar një kandidat për president duhet siguruar 30 nënshkrime deputetësh, ndërsa LVV-ja, e vetme, i ka 57 sosh.

Për zgjedhjen e kandidatit nevojiten të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para, ose 61 në të tretin, prej 120 votave në total.

Nëse vendi dështon që të finalizojë këtë proces me kohë, atëherë përballet me zgjedhje të parakohshme parlamentare, pa i bërë ende një muaj prej kur u bë me Qeveri të re.

Organizata të shoqërisë civile kanë bërë thirrje që një proces i tillë të shmanget, duke kërkuar që interesi qytetar të vendoset para atij partiak./REL

kosove albin kurti

Sondazh

Poll