Politike

“Të trokasim në çdo derë e në çdo lagje për të garantuar pjesëmarrjen masive”, Berisha njofton protestën e rradhës 

Lideri demokrat deklaroi se protesta e rradhës do të mbahet më 28 shkurt.

21 Shkurt 2026, 21:04 Nga E.d
“Të trokasim në çdo derë e në çdo lagje
Foto ilustruse

TIRANA- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka lajmëruar protestën e rradhës së opozitës. Përmes një mesazhi drejtuar të gjitha strukturave të PD-së, Berisha shprehet se duke filluar nga nesër, do të nisë me përkushtim betejën e ardhshme.

Lideri demokrat deklaroi se protesta e rradhës do të mbahet më 28 shkurt. Sipas tij, dje opozita shënoi për opinionin publik kombëtar dhe ndërkombëtar një fitore të re tejet të çmuar. Kredemokrati bëri thirrje për pjesmëmarrje masive, në protestën e rradhës.

Mesazh Drejtuar të Gjitha Strukturave të Partisë Demokratike

Drejtuar: Anëtarëve të Kryesisë së Partisë Demokratike, drejtuesve politikë të qarqeve, kryetarëve të degëve të PD-së, deputetëve të grupit parlamentar, kryetarëve dhe këshilltarëve të bashkive, anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe të gjithë anëtarëve e mbështetësve tanë!

Të dashur miq,
Me këtë mesazh dua t’ju përgëzoj përzemërsisht të gjithëve për suksesin e ri shumë të rëndësishëm që arritëm më 20 shkurt, falë angazhimit, përkushtimit, guximit dhe vendosmërisë suaj. Dje, në një datë historike, shënuam për opinionin publik kombëtar dhe ndërkombëtar një fitore të re tejet të çmuar për suksesin përfundimtar të kryengritjes sonë paqësore.

Jehona e këtij suksesi pushtoi dje, me shpejtësi të pashembullt, hapësirën e komunikimit si dhe mendjet e zemrat e shqiptarëve dhe të njerëzve të lirë në mbarë botën.
Ndaj, duke filluar nga nesër, me energjinë dhe frymëzimin e 20 shkurtit, të nisim me përkushtim betejën e ardhshme! Të trokasim në çdo derë, në çdo lagje, bllok, rrugë e rrugicë, në çdo fshat e qendër pune, për të garantuar pjesëmarrjen më masive të shqiptarëve në protestën e ditës së shtunë, më datë 28 shkurt. Kjo është përparësia jonë! Mobilizoni të gjitha forcat dhe energjitë për përmbushjen e këtij misioni!
Përshëndetje të përzemërta.
Fitore!
Miqësisht,
Sali Berisha
Ps, Ora, vendi do ju njoftohen te hënen./Dosja.al

 

 

 

 

sali berisha pd protesta

Sondazh

Poll