Politike

Berisha: Opozita do kërkojë Shqipërinë si një zonë të vetme elektorale, por zgjedhje me Edi Ramën nuk ka

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Berisha tha se  zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të zhvillohen me Edi Ramën në pushtet.

14 Shkurt 2026, 13:12 Nga I.A
Berisha: Opozita do kërkojë Shqipërinë si një zonë
Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se opozita është angazhuar për ta bërë Shqipërinë një zonë të vetme elektorale, me qëllim barazimin e peshës së votës për çdo qytetar në të gjithë territorin. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Berisha tha se  zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të zhvillohen me Edi Ramën në pushtet.

Berisha ka akuzuar qeverinë për manipulim të procesit zgjedhor, përdorim të administratës dhe burimeve shtetërore për ndikim elektoral, si dhe për veprime që, sipas tij, e shndërrojnë votimin në farsë.

"Forumi i intelektualëve që mblodhi forcat politike dy ditë më parë, paraqiti një dokument, të cilin ne e firmosëm dhe të gjitha forcat politike opozitare u angazhuan për Shqipërinë një zonë elektorale, ku pesha e votës të qytetarit bëhet e barabartë në të gjithë territorin dhe për çdo qytetar. Por, thënë kjo, ju lutem edhe njëherë, të mos harrojmë se absolutisht përsëri, me Edi Ramën zgjedhjet do jenë farsë dhe vetëm farsë. Kërkoj mirëkuptimin tuaj pse më duhet të përsëris, vota, në rast se ti si qeveri organizon për të ndikuar tek zgjedhësit, në periudhën elektorale që nuk lejohet me ligji, 4530 aktivitete me salltanete dhe pompoze, ti ndikon në mënyrë të paligjshme mbi votën.

Në rast se ti arreston në vitin elektoral kryetarët e dy forcave kryesore opozitare dhe të forcës së tretë e çon në ndjekje penale, ti dekapiton udhëheqjen e opozitës dhe do me çdo kusht të plaçkitësh zgjedhjet. Në rast se ti, dy ditë para zgjedhjeve, fal gjoba dhe kamata të 10 viteve të fundit, të cilat në total arrinin 2 miliardë euro dhe u interesonin 210 mijë familjeve, nga të cilat 84 mijë biznese aktive, ti faktikisht shkatërron votën dhe zgjedhjet.

Në rast se ti si kryeministër, shpërndan në mes të fushatës 100 euro për çdo pensionist, duke shkelur ligje dhe parime ndërkombëtare, ti faktikisht blen vota. Në rast se ti organizon kartelet e drogës dhe deputetët e tyre si Arkend Balla, Sara Mila, Ami Dyrmishi, etj, dalin më të votuarit, anonimë që nuk i njeh askush, asgjë nuk i shpëton zgjedhjet pa degraduar në një farsë elektorale. Në rast se qeveria autorizon mbjelljen e 29 mijë hektarëve kanabis nga 200 hektarë që ka ligji, zgjedhjet, vota vdes pa hyrë në kuti. Ka edhe shumë faktorë.

Në rast se qeveria shndërron qindra mijëra punonjës të administratës në operatorë elektoralë, zgjedhje nuk ka, ka farsë elektorale. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që çdo qytetar ta kuptojë se zgjedhjet me Edi Ramën janë vetëm një iluzion. Cilido që të jetë sistemi, cilido që të jetë ndryshimi, shqiptarët me Edi Ramën nuk do votojnë kurrë të lirë. Dhe cilido që dëshiron të votojë dhe vota e tij të ketë peshën që meriton, duhet me guxim, me trimëri dhe vendosmëri, të angazhohet të largojmë Edi Ramën. Unë nuk them se zgjedhjet kanë qenë të përsosura, por zgjedhjet që Edi Rama i kundërshtoi më shumë, ato të vitit 2009, është e shkruar në raport se plotësuan standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve.

Është e shkruar se kryeministri i Shqipërisë, tre muaj para zgjedhjeve, miratoi një vendim ku përjashtohej përdorimi i çdo burimi shtetëror për të ndikuar në zgjedhje. Dhe thotë se kryeministri e zbatoi pikë për pikë këtë vendim. Pra, vërtet sistemi e ka një peshë, por e ka krahasimisht shumë më të vogël se të gjithë këta faktorë. Prandaj të bashkohemi, e kemi nisur mirë, jemi në rrugë të drejtë, të largojmë këtë kriminel të votës së lirë, këtë armik të qenies së shqiptarëve, të lirive të shqiptarëve, të votës së shqiptarëve. Ne, kauzën e mbrojtëm me vendosmëri. Por tani duhet t’i japim shtytjen e fundit, duhet të fitojmë," tha Berisha./Dosja.al

edi rama sali berisha

Sondazh

Poll