Politike

Çështja 'Balluku'/ Përfundon seanca në Gjykatën Kushtetuese , juria tërhiqet për vendim

Në këtë seancë Presidenti i Republikës u përfaqësua nga këshilltari Ilir Rusmali, shefi i kabinetit Hemioni Braho dhe drejtorja e përgjithshme Eriola Shia.

22 Janar 2026, 14:39 Nga E.d

 

Çështja 'Balluku'/ Përfundon seanca në
Foto ilustruse

 

 

TIRANË- Seanca e hapur e cila u zhvillua ditën e sotme në Gjykatën Kushtetuese lidhur me masën e sigurisë pezullimi i ushtrimit të detyrës publike, të vendosur ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka përfunduar.

Kjo seancë u zhvillua pas kërkesës së paraqitur nga Kryeministria, ku kryeministri Edi Rama ka ankimuar vendimin e GJKKO-së. Kjo duke pretenduar se pezullimi saj përbën një shkelje të kompetencave kushtetuese të Kryeministrit.

Në këtë seancë Presidenti i Republikës u përfaqësua nga këshilltari Ilir Rusmali, shefi i kabinetit Hemioni Braho dhe drejtorja e përgjithshme Eriola Shia. Ndërsa Kuvendi u përfaqësua nga drejtoresha juridike Mimoza Arbi.

Më parë Gjykata e Posaçme kishte vendosur ndaj Ballukut, pezullimin nga detyra, ndalimin e daljes jashtë vendit dhe bllokimin e pasaportës. Këtu masa u morën pasi ajo u mor e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.

Jona Qosja, përfaqësuesja e qeverisë, argumentoi gjatë seancës se SPAK dhe GJKKO kanë vepruar në kundërshtim me Kushtetutën.  Kjo pasi sipas argumentimit të saj, deputetët dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitet dhe se çdo masë që cenon ushtrimin e detyrës kërkon autorizim nga Kuvendi. Qosja tha se imuniteti kushtetues synon mbrojtjen e funksionit publik dhe jo vetëm lirinë personale.

Përfaqësuesit e SPAK paraqitën qëndrimin e tyre zyrtar përmes parashtrimeve me shkrim. Kjo duke sqaruar se kërkesa e Kryeministrisë nuk plotëson kriteret ligjore për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese. Sipas Prokurorisë së Posaçme, pala kërkuese nuk ka legjitimitet për të vënë në lëvizje kontrollin kushtetues, pasi nuk është subjekt i drejtpërdrejtë dhe nuk ka provuar ekzistencën e një interesi personal dhe aktual, të shoqëruar me pasoja të pariparueshme.

Sipas SPAK pretendimet e Kryeministrisë bazohen në interpretime të ligjit dhe nuk provojnë cenimin e një raporti juridik konkret. Ajo bëri me dije se në lidhje me këtë rast nuk ekziston konflikt kompetencash mes institucioneve. 

Në fund, SPAK argumentoi se sistemi ligjor parashikon rrugë të qarta ankimi, duke përfshirë Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Lartë, duke garantuar të drejtat procedurale të palëve. Prokuroria e cilësoi  të pabazuar, pretendimin se pezullimi i zëvendëskryeministres ka ndikuar në funksionimin e Këshillit të Ministrave. Kjo duke theksuar se masa e sigurimit është individuale dhe nuk cenon funksionimin institucional të qeverisë./Dosja.al

gjykata kushtetuese belinda balluku gjkko

Sondazh

Poll