Aktualitet

Shkatërroi varre dhe shiti bronzin e metalin e vjedhur në Skrapar! Policia vë në pranga “hajdutin e varrezave” në Berat

Në pranga ka rënë Romeo Këmbaci, i cili ishte shpallur më herët në kërkim për dhunimin e varreve dhe marrjen e sendeve me vlerë materiale.

20 Dhjetor 2025, 17:19 Nga M.L
Shkatërroi varre dhe shiti bronzin e metalin e vjedhur në Skrapar!
Foto ilustruese

BERAT- Policia e Beratit ka arrestuar një person të dyshuar si autor i dëmtimeve dhe vjedhjeve të përsëritura në varrezat e qytetit. Në pranga ka rënë Romeo Këmbaci, i cili ishte shpallur më herët në kërkim për dhunimin e varreve dhe marrjen e sendeve me vlerë materiale.

Varrezat e Suelasit kanë qenë vazhdimisht në qendër të denoncimeve, pasi gjatë orëve të natës janë sulmuar disa herë. Autorët hynin fshehurazi në territorin e tyre, ku shkatërronin varre, hiqnin elementë zbukurues prej bronzi e metali, si dhe kangjella rrethuese, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe në pllakat e mermerit.

Sipas hetimeve, materialet e grabitura përfundonin në pikat e grumbullimit të hekurishteve në zonën e Skraparit. Identifikimi i Këmbacit u bë falë pamjeve të kamerave të sigurisë dhe kontrolleve të zhvilluara nga policia në bashkëpunim me subjektet e riciklimit.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat kishte vendosur më herët masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë për të. Pas lokalizimit, ai u vu në pranga dhe tashmë do të përballet me drejtësinë për veprën penale të “Dhunimit të varreve”, të parashikuar nga neni 118 i Kodit Penal./ Dosja.al

romeo këmbaci

Sondazh

Poll