Aktualitet

Goditja e grupit "Rraja"/ Iu komunikua masa e arrestit në burg, KUSH është Islam Sefa? Një vit më parë drejtonte kokainën në Gjermani duke pirë kafe para SPAK-ut

Islam Sefa u arrestua më 2 korrik 2024 në një lokal pranë godinës së SPAK, i akuzuar si drejtues dhe financues i një rrjeti trafiku droge që operonte midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, me vlerë të përafërt prej 3.3 milionë eurosh.

10 Dhjetor 2025, 10:38 Nga M.L
Goditja e grupit "Rraja"/ Iu komunikua masa e arrestit në burg,
Arrestimi para SPAK

TIRANA- Islam Sefa, një ndër të arrestuarit që nga operacioni ndaj grupit kriminal "Rraja", të cilit i është komunikuar masa e arrestit në burg, u arrestua në korrik të vitit 2024 në një lokal afër SPAK për trafik droge.

Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin ndaj Islam Sefës, i njohur edhe si Xaka, duke e dënuar me 17 vite burg për veprat penale të trafikimit të narkotikëve, kryer në bashkëpunim dhe në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, në 9 episode, si dhe për drejtimin e grupit kriminal. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul me një të tretën, duke e bërë atë 11 vite e 4 muaj burg.

Islam Sefa u arrestua më 2 korrik 2024 në një lokal pranë godinës së SPAK, i akuzuar si drejtues dhe financues i një rrjeti trafiku droge që operonte midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, me vlerë të përafërt prej 3.3 milionë eurosh. Arrestimi u realizua pas një hetimi të përbashkët me autoritetet gjermane, që dokumentoi aktivitetin kriminal të grupit shqiptaro-gjerman.

Sipas SPAK, grupi gjatë viteve 2020-2021 ka trafikuar sasi të konsiderueshme marijuane në Gjermani. Lënda narkotike sigurohej kryesisht nga Shqipëria dhe Spanja dhe, pasi futej në territorin gjerman, shpërndahej kryesisht në rajonet Wolfsburg dhe Magdeburg, si dhe në qytete të tjera të Bashkimit Evropian.

Hetimet zbuluan se Sefa kishte një rol kyç si drejtues dhe financues i grupit, ndërsa 12 anëtarë të identifikuar të rrjetit, 8 shqiptarë dhe 4 gjermanë, përfshiheshin në trafik dhe shpërndarje të drogës. Arrestimi dhe dënimi i tij konfirmojnë përpjekjet e SPAK për goditjen e grupeve kriminale të strukturuara që operojnë jashtë vendit.

Islam Sefa është vëllai i Bujar Sefës, i cili u dënua më 1 korrik 2024 me 10 vite burg për kultivim të narkotikëve dhe drejtim të grupeve kriminale në zona të Bashkisë Krujë, duke shtrirë aktivitetin e tyre në Njësinë Administrative Cudhi dhe fshatrat Noj, Shkretë, Rranxë, Bruz Mal dhe Bruz Zall./ Dosja.al

islam sefa

Sondazh

Poll