Politike

Pezullimi i Ballukut/ Rama: Kur drejtësia rrëshqet, cënon parimet kushtetuese

Me anë të një postimi në X, Rama ka sfiduar qytetarët dhe komentuesit që të gjejnë një rast të dytë të pezullimit të një zyrtari qeveritar nga Gjykata. 

2 Dhjetor 2025, 13:30 Nga I.A
Pezullimi i Ballukut/ Rama: Kur drejtësia rrëshqet, cënon parimet
Edi Rama

TIRANË- Kryeminstri Edi Rama ka deklaruar se rasti i pezullimit të Belinda Ballukut si zv.kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjitikës është unikal. Me anë të një postimi në X, Rama ka sfiduar qytetarët dhe komentuesit që të gjejnë një rast të dytë të pezullimit të një zyrtari qeveritar nga Gjykata. 

Në postimin e tij, Rama thekson se është mbështetës i mbështetësi më i paepur i Reformës dhe Pavarësisë së Drejtësisë. Por shton se kur drejtësia rrëshqet, cënon parimet kushtetuese si dhe prish balancën mes pushteteve të pavarura.

Postimi i Plotë:

Fjalët e shumta janë fukarallëk, gjeni një rast të dytë në botë ku një prokuror dhe një gjykatës - për më tepër edhe i shkallës së parë fare - pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie! Se të më thoni që kjo qenka kaq normale, paçka se s’është parë kurrë, askund, në botën demokratike, është njësoj si të më thoni se drejtësia qenka normale vetëm në Shqipëri!

E pra, pavarësisht se nga dita 1 kam qenë, jam e do të jem mbështetësi më i paepur i Reformës dhe Pavarësisë së Drejtësisë, këtë risi botërore të drejtësisë sonë të re, unë nuk e quaj dot asgjë tjetër përveçse një nga ato rrëzimet e fëmijës kur sapo ka mësuar të eci. Me ndryshimin që kur fëmija i vërtetë rrëzohet, lëndon vetëm vetveten, ndërsa kur drejtësia rrëshqet kështu si këtë herë, cënon parimet kushtetuese, prish balancën mes pushteteve të pavarura dhe ndërhyn brutalisht në procesin qeverisës.

Le të jemi të qartë: Qëllimi i lartë i luftës kundër korrupsionit nuk e justifikon përdorimin e asnjë mjeti të gabuar dhe historia e vendeve që kanë kaluar më parë nga kjo rrugë e domosdoshme, na mëson se justifikimi i mjeteve të gabuara për hir të qëllimit madhor, e kthen kurën me mjete të tilla, në një të keqe edhe më të madhe se sa vetë sëmundja që thuhet se këto mjete po kurojnë. Ky mësim nuk duhet harruar kurrësesi. Nga askush.

Belinda Balluku u pezullua nga detyra pasi u mor e pandehur për tenderin më vlerë 190 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, akuzë që i është komunikuar zyrtarisht dhe dyshohet edhe për tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.

Për të dy tenderët, me vlerë 210 milionë euro, sipas SPAK, Balluku ka paracaktuar fituesin përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës. Çështja për Ballukun ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese, ndërsa asaj i është hequr e drejta e firmës nga qeveria./Dosja.al

belinda balluku edi rama

Sondazh

Poll