Politike

Pezullimi i Ballukut/ Berisha: Çështja kaloi për gjykim pas presioneve të Ramës, Kushtetuesja të zhvillojë seancë publike

Gjatë një konference për mediat, Berisha i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese të parashikojë seancë publike në gjykimin e kësaj çështje, pasi sipas tij është çështja më e nxirë në historinë e jurisprudencës evropiane dhe botërore.

2 Dhjetor 2025, 12:52 Nga E.d
Pezullimi i Ballukut/ Berisha: Çështja kaloi për gjykim pas
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar ditën e sotme se gjykata Kushtetuese kaloj çështjen e Ballukut për gjykim pas presioneve të Edi Ramës. Gjatë një konference për mediat, Berisha i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese ta shqyrtojë në seancë publike gjykimin e kësaj çështje, pasi sipas tij është çështja më e nxirë në historinë e jurisprudencës evropiane dhe botërore.

Kryedemokrati tha se kurrë një kryetar qeverie, një kryeministër, shef ekzekutivi apo president, nuk ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese për të mbrojtur masat që gjykatat e tjera kanë marrë. Gjithashtu ai u bëri thirrje gjykatësve të denoncojnë në format që i gjykojnë të përshtatshme çdo lloj ndërhyrje në punën dhe veprimtarinë e tyre. Në fund, Berisha akuzoi Ramën se "rishkruan" dokumentet e Komisionit të Venecias dhe vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, për të mbrojtur veten e tij. 

"Ndërkohë që në Gjykatën Kushtetuese të vendit zhvillohet një betejë e pashembullt në historinë e një vendi, midis institucionit të dorëheqjes dhe institucionit të vjedhjes, të përfaqësuar nga qeveria, mësohet se gjykata në një presion të tmerrshëm vendosi të shqyrtojë çështjen e përfaqësuar nga avokati i vjedhjeve qeveritare, Edvin Kristaq Rama. Duke mos komentuar më tej, në këtë çështje, i bëj thirrje Gjykatës Kushtetuese të parashikojë seancë publike në gjykimin e kësaj çështje pasi është çështja më e nxirë në historinë e jurisprudencës evropiane dhe botërore. Kurrë ndonjëherë, një kryetar qeverie, një kryeministër, shef ekzekutivi, president qoftë ai, nuk ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese për të mbrojtur masat që gjykatat e tjera kanë marrë për vjedhje klamoroze të dokumentuara në të gjitha aspektet. Ky akt i Edi Ramës lidhet absolutisht vetëm me implikimin e tij gjer në veshë në këtë aferë dhe në afera të tjera që vijnë pas. Edi Rama kundërmon sot në Europë dhe në botë si kampion i vjedhjeve të popullit të vet dhe kundërmon si Ramaduro apo Noriega e Europës. Përpiqet i mbyturi të kapet në fije bari, të bëjë presione nga më absurdet ndaj sistemit gjyqësor në një kohë kur është absolutisht i pashpresë. Është një bashkëpunëtor i organizatave kriminale dhe karteleve të drogës dhe ky është kualifikimi botëror sot për Edvin Kristaq Ramën. 

Pa dyshim hyn në Gines. Është regjistruar në Gines si kryeministri i parë në histori që në vend të dorëheqjes ndaj ministres së tij, bëhet avokat në gjykata dhe kërkon ta mbrojë duke i dëshmuar popullit të vet se çfarë fatkeqësie dhe mjerimi u ka sjellë ai gjatë qeverisjes së tij. I kërkoj parlamentit të bëjë të gjitha demarshet që Gjykata Kushtetuese të zhvillojë seancë plenare të hapur për publikun, në të cilën shqiptarët të shohin me sytë e tyre, të dëgjojnë me veshët e tyre se si Edi Rama ka zëvendësuar institucionin e dorëheqjes dhe shkarkimit me institucionin e vjedhjes qeveritare. U bëj thirrje gjykatësve të denoncojnë në format që i gjykojnë të përshtatshme çdo lloj ndërhyrje në punën dhe veprimtarinë e tyre dhe të hedhin në kosh mashtrimet dyditore të Edi Ramës, duke cituar Komisionin e Venecias për gjëra që ai nuk i ka thënë kurrë, nuk i ka shkruar kurrë. Pra, Edi Rama rishkruan edhe dokumentet për të mbrojtur e vet. Rishkruan edhe dokumentet e Komisionit të Venecias dhe vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Rishkruan Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut për të mbrojtur veten e tij, se sa për Lubinë, e kishte hedhur 10 herë në Lanë deri tani." tha Berisha./Dosja.al

sali berisha opozita edi rama

Sondazh

Poll