Politike

"Kjo është beteja vendimtare", Berisha: Me Edi Ramën nuk shkojmë më kurrë në zgjedhje, të hënën tjetër, përsëri këtu!

Gjatë fjalës së tij në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë, Berisha tha se Edi Rama kërkon t’i diktojë vendime Gjykatës Kushtetuese.

1 Dhjetor 2025, 19:43 Nga E.d
"Kjo është beteja vendimtare", Berisha: Me Edi Ramën
Sali Berisha

TIRANË- Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se me Edi Ramën nuk do të shkoj më kurrë në zgjedhje, ndërsa lajmëroi se protesta do të zhvillohet përsëri të hënën tjetër. Gjatë fjalës së tij në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë, Berisha tha se Edi Rama kërkon t’i diktojë vendime Gjykatës Kushtetuese.

Ai tha se PD nuk do të heqë dorë nga protestat deri në largimin e Edi Ramës nga qeveria. Kryedemokrati tha Edi Rama nuk ka më të ardhme dhe se ai do jetë e shkuara e zezë e vendit. 

"Edi Rama kërkon t’i diktojë Gjykatës Kushtetuese, por unë i garantoj se vendimet e diktuara të gjykatës që po bën ti, do t’i paguash shumë shtrenjtë. Nuk pret Shqipëria. Nuk jemi ne ata që do presim nga një prokuror apo një gjykatës shpëtimin. Jo, shpëtimin do ta presin shqiptarët nga ne. Ne jemi shumë. Do të jemi edhe më shumë dhe nuk heqim dorë gjer në largimin e Edi Ramës nga qeveria. Pse shemben rrugët? A e dini ju qytetarë se çdo tullë e pallatit në pajë të Linda Ramës është vjedhur ju, sepse ai pronari i firmës që ndërtoi pallatin, ka ndërtuar rrugën që shembet Korçë-Qafë Plloçë. Dhe sa e ka ndërtuar ai? Me çmim të pesëfishtë, të gjashtëfishtë. A e mshihini pra ju sa keni paguar pallatin. 10 herë më shtrenjtë keni paguar sarajet e Surrelit. 36 mijë euro paguani shishen e verës të sulltanit këtu.

Çfarë duhet të bëjë më shumë se kaq për t’i treguar vendin? E ka mbushur dhe po derdhet kupa. Ndaj dhe ne sheshin nuk e lëshojmë dhe ne kemi hyrë në betejën vendimtare. Demokrate e demokratë, kjo është beteja vendimtare. Me Edi Ramën nuk shkojmë më kurrë në zgjedhje. Zgjedhjet dhe votën nuk ia falim kurrë. Iu garantoj se fitorja është e jona. Se Rama të ardhme nuk ka. Se do jetë e shkuara e zezë e këtij vendi. Ligji, Kushtetuta, liritë tuaja, të drejtat do triumfojnë përsëri. Të hënën tjetër, përsëri këtu. Dhe çdo të hënë do ta nisim javën me betejë, dhe nisja e javës me një betejë kundër kryehajdutit të kombit të të gjitha kohërave, është fati i javës, është rruga drejt fitores. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria." tha Berisha./Dosja.al

sali berisha edi rama pd

Sondazh

Poll