Politike

BIRN: Opozita në bojkot, komisionet miratojnë projektbuxhetin

Komisioni i Ligjeve dhe Administratës Publike miratoi draftin e qeverisë, por kryetari i tij Ulsi Manja kërkoi disa sqarime nga ministri i Financave, Petrit Malaj për fondet e kompensimit të ish-pronarëve, fondin e dëshmpërblimit për ish të përndjekurit politikë dhe për mbështetjen me paga për stafin e këshilltarëve ligjore të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit tej afatit kushtetues të funksionimit të këtij organi.

10 Nëntor 2025, 20:09 Nga E. D
BIRN: Opozita në bojkot, komisionet miratojnë projektbuxhetin
foto ilustruese

TIRANË- Deputetët e Partisë Demokratike me porosi të kryetarit të grupit, Gazment Bardhi nuk morën pjesë në komisione si një shenjë proteste për mungesën e hapësirës së debatit në seancat plenare. Projektbuxheti është një prej ngjarjeve më të rëndësishme parlamentare ku komisionet shqyrtojnë dhe vendosin për buxhetin e vitit të ardhshëm për të gjithë institucionet publike.

Komisioni i Ligjeve dhe Administratës Publike miratoi draftin e qeverisë, por kryetari i tij Ulsi Manja kërkoi disa sqarime nga ministri i Financave, Petrit Malaj për fondet e kompensimit të ish-pronarëve, fondin e dëshmpërblimit për ish të përndjekurit politikë dhe për mbështetjen me paga për stafin e këshilltarëve ligjore të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit tej afatit kushtetues të funksionimit të këtij organi.

Ministri Malaj pranoi se fondi për kompensimin e ish-pronarëve nuk ishte realizuar në vitin 2025. “Veëm 30 përqind janë përdorur nga 3 miliardë lekë të planifikuara”- tha ai duke shtuar se shkak ishin bërë problematikat e dosjeve të dorëzuara në Agjencisë e Trajtimit të Pronave.

Për dëmshpërblimet po ashtu ministri pranoi se vetëm 42 për qind e fondit ishte ezauruar. Malaj pretendoi se ishin trajtuar plotësisht 3100 dosje të ish të dënuarve direktë, ndërsa mbeteshin pa trajtuar 10,400 dosje të trashëgimtarëve, ndërsa premtoi se me ministrinë e Drejtësisë po punohej për një zgjidhje që të rritej kësti i dëmshpërblimit.

Për mbështetjen me fonde përtej afatit kushtetues të funksionimit të KPA-së, Ministri i Financave tha se kjo varej nga vendimmarrja e Komisionit të Ligjeve, ndërsa ministria kishte parashikuar buxhet për këtë institucion deri në qershor 2026.

Ndërkohë, ai shtoi se për qeverinë ishte prioritet mbështetja e sistemit të drejtësisë, duke vënë në dukje se vetëm për Këshillin e Lartë Gjyqësor ishte parashikuar buxhet për 100 punonjës të rinj, këshilltarë ligjore.

Pas miratimit në parim, projektbuxheti 2026 do të shqyrtohet sipas institucioneve specifike në komisionet përgjegjëse parlamentare. Në vijim institucionet e drejtësisë do të raportojnë për menaxhimin e buxhetit 2025 dhe kërkesat për buxhetin e 2026-ës para Komisionit të Ligjeve./BIRN

opozita

Sondazh

Poll