Politike

"Ka pasur probleme..."/ Abuzimet me koncesionet, Kreu i KLSH: Janë bërë pagesa për shërbime që nuk janë kryer

Kreu i KLSH-së listoi një sërë shkeljesh të identifikuara gjatë 159 auditimeve të kryera gjatë vitit të kaluar.

29 Tetor 2025, 17:22 Nga E. D
"Ka pasur probleme..."/ Abuzimet me koncesionet, Kreu i KLSH:
Arben Shehu

TIRANË- Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, prezantoi sot raportin vjetor 2024 në mbledhjen e përbashkët të Komisionit për Nismat Qytetare dhe Komisionit të Ekonomisë. Kreu i KLSH-së listoi një sërë shkeljesh të identifikuara gjatë 159 auditimeve të kryera gjatë vitit të kaluar.

Ai gjithashtu tha se probleme janë evidentuar edhe në disa bashki të vendit sidomos me detyrimet e prapambetura. Shehu deklaroi se një sërë shkeljesh janë konstatuar edhe në fushën e koncesioneve, të tilla si mungesë monitorimi të plotë të tyre, si dhe është identifikuar vijim me pagesat në koncesionet e shëndetësisë edhe pse nuk është përmbushur niveli i shërbimit të kontraktuar.

“KLSH gjatë vitit 2024 ka kryer 159 auditime në të gjitha hallkat e qeverisjes. Janë dhënë 4378 rekomandime, ku ishin 993 masa disiplinore, 66 masa administrative, 697 masa për efekte financiare. Është konstatuar mos regjistrim i plotë i pasurive, mungesë dokumentacioni për pasuritë e paluajtshme. Ka pasur probleme në regjistrimin e aktiveve, duke rritur rrezikun e tjetërsimit të pasurive.

Në disa bashki është konstatuar mungesë evidencash mbi detyrimet e prapambetura, mosllogaritje e kamatëvonesave, si dhe mosregjistrim i detyrimeve të njohura me vendim gjykate. Kjo krijon jo vetëm pasaktësi në pasqyrat financiare, por edhe rrezik real për rritje të detyrimeve në të ardhmen dhe përballje me penalitete të pajustifikueshme, si kosto shtesë buxhetore. 

Në fushën koncesioneve, janë konstatuar shkelje të kritereve të financimit, mangësi në monitorim dhe në vlerësimin e efekteve buxhetore afatgjata. Në disa raste është vijuar me pagesa për shërbime që nuk janë kryer, ose që janë kryer në vëllime më të ulëta se projeksioni. Fenomene të tilla janë vërejtur në kontrata të rëndësishme në fushën e shëndetësisë, ku raportimi i shpenzimeve ka tejkaluar buxhetet e miratuara dhe detyrimet janë likuiduar në kundërshtim me përmbajtjen kontraktore, përfshirë edhe TVSH-në. 

Në sektorin e shëndetësisë, janë konstatuar problematika në menaxhimin dhe shpërndarjen e pajisjeve mjekësore, veçanërisht për shkak të mungesës se inxhinierëve bio mjekësorë, në spitalet si QSUNT dhe Spitali i Traumës, duke sjellë varësi nga shërbimet e jashtme dhe kosto të larta dhe menaxhim të pasigurt të burimeve. Po ashtu shpërndarja e pajisjeve nuk përputhet me nevojat reale të popullsisë. Përkujdesja për pacientët me probleme të shëndetit mendor mbetet e pamjaftueshme. Auditimi evidentoi mungesën e një qasjeje, ndërsa spitalet psikiatrike përballen me mungesa serioze në kapacitetet e akomodimeve dhe shërbimeve”, tha Shehu./Dosja.al

arben shehu

Sondazh

Poll