Politike

Shkarkimi i Veliajt, Qeveria- Kushtetueses: Nuk u paraqit në detyrë për 3 muaj, shkak arresti

Në dokumentet Këshilli i Ministrave thekson se Veliaj nuk mund t’i drejtohej GJK, pasi ai u shkarkua nga detyra bazuar në ligjin për qeverisjen vendore, për shkak të mosparaqitjes në detyrë për një periudhë më shumë se tre muaj.

16 Tetor 2025, 16:28 Nga E. D
Shkarkimi i Veliajt, Qeveria- Kushtetueses: Nuk u paraqit në detyrë
Këshilli i Ministrave

TIRANË- Këshilli i Ministrave ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese dokumentet për shkarkimin e Erion Veliaj nga posti i kryebashkiakut të Tiranës. Në dokumentet Këshilli i Ministrave thekson se Veliaj nuk mund t’i drejtohej GJK, pasi ai u shkarkua nga detyra bazuar në ligjin për qeverisjen vendore, për shkak të mosparaqitjes në detyrë për një periudhë më shumë se tre muaj.

Qeveria gjithashtu thotë se nuk mund të neglizhonte vullnetin politik dhe ligjore të anëtarëve të këshillit bashkiak dhe në këtë aspekt nuk kishte asnjë alternative tjetër veçse të finalizonte procedurën e shkarkimit të kryebashkiakut.

Në dokumentet e Qeverisë thuhet më tej se vendimi për shkarkimin e Veliajt është marrë mbi bazën e mungesës së tij fizike në detyrë për më shumë se 3 muaj, për shkak të masës së arrestit me burg.  Sakaq, Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë në datë 31 tetor nëse do të pranojë ose jo kërkesën e Veliajt për pezullimin e vendimit dhe të zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë. 

“Këshilli bashkiak ka marrë vendimin nr.69, datë 23.9.2025 në rrethanat kur Kryetari i Bashkisë Tiranë ndodhet në pamundësinë fizike për t'u paraqitur në detyrë prej datës 10 shkurt 2025, për shkak të vendosjes ndaj tij të masës shtrënguese të sigurimit personal.

Pavarësisht kërkesave të përsëritura procedurale, gjykata ka lënë në fuqi masën arrest me burg për kryetarin e Bashkisë Tiranë dhe nuk ka pranuar heqjen e masës, apo zëvendësimin me një masë tjetër shtrënguese që do të mundësonte paraqitjen në detyrë.

Këshilli Bashkiak Tiranë ka konstatuar se mosparaqitja në detyrë, në rrethanat e sipërcituara dhe për një periudhë më të gjatë se tre muaj, përbën shkak ligjor për të propozuar shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë, mbështetur në shkronjën “c”, të nenit 62, të ligjit nr. 139/2015, "Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar. Fakti juridik i pamundësisë së paraqitjes në detyrë është fakt publik dhe vërtetësia e tij nuk mund të vihet në dyshim.

Kundërshtimi i vendimit në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të pezullojë efektet e tij, sepse Gjykata Kushtetuese nuk është kompetente për shkarkimin për shkaqe të tjera, përveç atyre të përcaktuara nga pika 1, e nenit 115, të Kushtetutës dhe shkronja "a", nenit 62, të ligjit nr.139/2015 dhe paraqitja e ankimit në Gjykatën Kushtetuese, në organin e gabuar për shqyrtimin e mjeteve ligjore të ankimit, nuk sjell efekte juridike. Po kështu, paraqitja e ankimit në gjykatën administrative kompetente nuk pezullon automatikisht efektet juridike të aktit”, thuhet në pr.vendimin për shkarkimin e Veliajt që Qeveria ka depozituar në Kushtetuese," thuhet në parashtrimet e Këshillit të Ministrave.

Çfarë ka ndodhur me zgjedhjet në Tiranë?

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë. Vendimi i Kushtetueses ka ardhur pasi, Erion Veliaj ankimoi vendimin e shkarkimit të tij si kryebashkiak i Tiranës si dhe dekretin e Begajt për zgjedhjet. 

Begaj dekretoi datën 9 nëntor për zgjedhjet e pjesshme në 6 Bashki, përfshi dhe Tiranën. Dekretimi i Begajt për zgjedhjet në Tiranë erdhi një ditë pasi Kushtetuesja e quajti procesin të pezulluar. Ndërsa më 2 Tetor, avokatët e Veliajt depozituan në Kushtetuese një ankim ndaj dekretit të Presidentit të Republikës, që shpalli vakancën në Bashkinë e Tiranës dhe vendosi datën e zgjedhjeve të pjesshme.

Tashmë Bashkitë që do të hyjnë në zgjedhje të parakohshme janë Vlora, Berati, Mati, Cërriku dhe Tepelena. Në tre bashki Berat, Mat dhe Tepelenë, kryetarët dhanë dorëheqjen për tu bërë deputetë. Në Cërrik, kryetari i bashkisë Andis Hasalla u emërua në kabinetin qeveritar si Ministër i Bujqësisë. Në Vlorë kryetari i bashkisë Ermal Dredha dha dorëheqjen pas sulmeve të Ramës. Ndërsa në Tiranë Veliaj u shkarkua nga Këshilli Bashkiak me urdhër nga kryeministri Rama./Dosja.al

këshilli i ministrave erion veliaj

Sondazh

Poll