Politike

Berisha: Mesazhi i zgjedhjeve të lira në Kosovë është kushtrim për ne! Qeverisja e Kosovës është tre herë më afër BE-së se qeverisja shqiptare

Kryedemokrati bëri një krahasim mes zgjedhjeve në Kosovë dhe atyre në Shqipëri, duke thënë se qytetarët e Kosovës votuan të lirë.

15 Tetor 2025, 13:44 Nga E.d
Berisha: Mesazhi i zgjedhjeve të lira në Kosovë është
Sali Berisha

TIRANË - Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka thënë se qeverisja e Kosovës është tre herë më afër me BE-në se qeverisja shqiptare. Përmes një dekarate zyrtare Berisha uroi Kosovën për zgjedhjet e lira dhe "model" siç ai i quan. Kryedemokrati bëri një krahasim mes zgjedhjeve në Kosovë dhe atyre në Shqipëri, duke thënë se qytetarët e Kosovës votuan të lirë.

Sipas Berishës, ndryshe nga Shqipëria zgjedhjet në Kosovë u zhvilluan në standart me ligjin. Berisha u shpreh se Kosova ndonëse ka vetëm 18 vite pavarësi dha një model më të mirë se Shqipëria, e cila ka mbi 100 vite pavarësi. Në fund Kreu i demokratëve uroj Kosovën dhe tha se këto zgjedhje duhen të jenë një shembull për Shqipërinë.

"Edhe njëherë, dhe shumë herë, duhet të urojmë Kosovën për zgjedhjet model që ka zhvilluar. Ndaj dhe në vlerësimin që bënte një institut shumë prestigjioz, qeverisja e Kosovës dilte 3 herë më afër qeverisjes demokratike evropiane se sa Shqipëria. 3 herë më afër. Qeverisja e një vendi që ka 17-18 vite pavarësi, krahasuar me një vend që ka 100 e ca vite pavarësi. Ishte tregues jashtëzakonisht domethënës.

Qytetarët e Kosovës votuan të lirë. Zgjodhën kryetarët që deshën, pati komuna në të cilat fituan krejtësisht të pavarur vetëm me emrin dhe personalitetin e tyre, në rivalitet më partitë e mëdha.

Dhe gjithçka u zhvillua në standardet e ligjit, e kundërta e asaj që ndodh me zgjedhjet në Shqipëri, ku narkoshteti dikton çdo gjë. Ku bëhen përpjekje titanike për të legjitimuar farsën elektorale dhe që është përgjegjësia jonë më madhore për t’u ngritur dhe luftuar kundër saj. Mesazhi i Kosovës është një kushtrim për ne.

Unë dua t’i përgëzoj edhe njëherë me gjithë zemër, edhe në emër tuaj dhe në emër të të gjithë atyre që përfaqësojmë, për këtë sukses, i cili është një kushtrim për të gjithë shqiptarët." tha Berisha./Dosja.al

sali berisha kosova zgjedhje

Sondazh

Poll