Politike

Kuvendi pa konsensus/ PDK-LDK: Mbledhja e Kryesisë është antikushtetuese

Kjo parti i ka konsideruar këto zvarritje si qëllimshme dhe të rrezikshme, të cilat nuk i shërbejnë interesave të vendit, por axhendave partiake.

31 Gusht 2025, 10:16 Nga V.Ç
Kuvendi pa konsensus/ PDK-LDK: Mbledhja e Kryesisë është
Në foto: Kryeparlamentari Dimal Basha

KOSOVË - Kryeparlamentari Dimal Basha pritet të mbajë nesër në orën 13:00 mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, pas dështimit të zgjedhjes së nënkryetarit të pestë të Kuvendit, nga radhët e komunitetit serb.

Por Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kundërshtojnë këtë vendim. Vendimin për të mos marrë pjesë e ka dhënë Kryetarja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami.

“Jo, absolutisht sepse konsiderojmë që çdo gjë që ndodh pas mbylljes arbitrare të seancës, pa konstituimin e Kuvendit, është antikushtetuese. Nuk do të marrim pjesë,” ka shkruar Bajrami.

PDK e ka konsideruar mbledhjen e thirrur të hënën si të pakuptimtë, pasi Kuvendi nuk është konstituuar ende dhe për këtë arsye deklaruan se nuk do të marrin pjesë në të. Kjo parti i ka konsideruar këto zvarritje si qëllimshme dhe të rrezikshme, të cilat nuk i shërbejnë interesave të vendit, por axhendave partiake.

“Zvarritjet e qëllimshme në procesin e themelimit të institucioneve shtetërore të shkaktuara nga VV-ja, janë skajshmërisht të rrezikshme për Kosovën. Sot, Kryetari i Kuvendit shpalli të përfunduar konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pa u zbatuar në tërësi Neni 67 i Kushtetutës së Kosovës. Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kuvendi ende nuk është i konstituuar, sepse nuk është zgjedhur Kryesia e tij në përbërjen e plotë kushtetuese. Në këto rrethana, PDK e konsideron të pakuptimtë ftesën për takim të Kryesisë së Kuvendit që nuk është konstituuar dhe nuk merr pjesë në takime të tilla, të cilat i shërbejnë vetëm agjendave partiake e jo interesit të shtetit”, thuhet në deklaratën e PDK-së.

Pas disa muajsh seancash të dështuara për zgjedhjen e kryeparlamentarit, kriza politike në Kosovë mori fund. Gjatë procesit të votimit, Dimal Basha arriti të sigurojë 73 vota për, 30 kundër dhe tri abstenime. Në votat pro ishin dhe votat nga Partia Demokratike e Kosovës. Zgjedhja e Bashës kryeparlamentar i hap rrugën konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit./Dosja.al

kosovë dimal basha mbledhja e kryesisë pdk ldk

Sondazh

Poll