Politike

Denoncimi i PD/ Vangjeli: QSUT ndalon analizat, pacientët peng i koncesioneve! Sistemi shëndetësor në kolaps financiar

Ajo shtoi se ky ndalim ka ardhur për shkak të tejkalimit të buxhetit mujor të koncesionarit privat që menaxhon këtë shërbim.

30 Gusht 2025, 12:05 Nga N.F
Denoncimi i PD/ Vangjeli: QSUT ndalon analizat, pacientët peng i
Foto

TIRANË- Zëdhënësja e së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli gjatë fjalës së saj në deklarat për mediat ka folur në lidhje me sistemin shëndetësor. Vangjeli është shprehur se situata në vend është alarmante dhe se skandali më i fundit është ai i ndalimit të analizave laboratorike për pacientët.

Ajo shtoi se ky ndalim ka ardhur për shkak të tejkalimit të buxhetit mujor të koncesionarit privat që menaxhon këtë shërbim. Vangjeli tha se prej kohësh janë raportuar mungesa të theksuara në barna, pajisje, dhe shërbime bazike, ndërkohë që fondet publike vazhdojnë të shpërdorohen në projekte luksoze dhe tendera të dyshimtë.

Zëdhënësja theksoi se PD kërkon me urgjencë të ndërpriten menjëherë praktikat që kufizojnë aksesin e qytetarëve në shërbime shëndetësore për arsye financiare si dhe të mbahet përgjegjësi institucionale dhe ligjore për këtë skandal.

"Sistemi shëndetësor publik ndodhen prej kohësh në një situatë alarmante. Skandali më i fundit publikuar nga gazetari Osman Stafa vjen pikërisht nga Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ (QSUNT), ku një urdhër zyrtar konfirmon ndalimin e analizave laboratorike për pacientët, për shkak të tejkalimit të buxhetit mujor të koncesionarit privat që menaxhon këtë shërbim.

Dokumenti zyrtar, dëshmon qartë se pacientët nuk mund të marrin analiza bazike shëndetësore nëse është arritur ‘tavani financiar’ i përcaktuar në kontratën koncesionare. Sipas emailit të brendshëm të QSUNT-së: ‘Tarifat e shërbimeve të pagueshme të koncesionarit kanë arritur 100% të tavanit buxhetor mujor. […] Prandaj që prej datës 25 Gusht deri 1 Shtator do të ofrohet shërbim laboratorik vetëm për rastet urgjente dhe shumë të rënda.’

Ky precedent i rrezikshëm tregon qartë se në sistemin aktual shëndetësor shqiptar, jeta e pacientëve është kushtëzuar nga kufizime financiare, të imponuara nga kontrata të dyshimta publike-private. Dhe ky nuk është rast i izoluar, por një shembull i qartë i degradimit të sistemit shëndetësor në vend.

Prej kohësh janë raportuar mungesa të theksuara në barna, pajisje, dhe shërbime bazike, ndërkohë që fondet publike vazhdojnë të shpërdorohen në projekte luksoze dhe tendera të dyshimtë.

PD kërkon me urgjencë: Të ndërpriten menjëherë praktikat që kufizojnë aksesin e qytetarëve në shërbime shëndetësore për arsye financiare. Të mbahet përgjegjësi institucionale dhe ligjore për këtë skandal dhe pasojat që mund të ketë për shëndetin e pacientëve.

Të ri-orientohet buxheti publik drejt shëndetësisë dhe mbrojtjes së jetës së qytetarëve, jo drejt projekteve të panevojshme apo klienteliste. Në një shtet normal, shëndetësia është prioritet. Ndërsa në Shqipëri, jeta e qytetarëve po vendoset në rrezik nga një sistem i paaftë, i korruptuar dhe i kapur nga interesat private," tha ajo.

pd sistemi shëndetësor

Sondazh

Poll