Politike

Drafti i Kodit të ri Penal ngjalli shqetësime për lirinë e medias dhe të shprehjes/ Rama: Kush do të bëjë zhurmën e vet mund ta bëjë

Rama shkruan se këto organizata nuk e kanë kuptuar se Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave, nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit.

1 Gusht 2025, 13:07 Nga r.ll
Drafti i Kodit të ri Penal ngjalli shqetësime për lirinë e
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas qëndrimeve të organizatave civile për propozimin e draftit të Kodit të ri Penal. Përmes një postimi në platformën "X", Rama shkruan se këto organizata nuk e kanë kuptuar se Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave, nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit. Sipas tij kjo i është besuar një grupi ekspertësh, nën udhëhehjen e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Profesor Arben Rakipit. 

Rama shton se draftin qeveria e ka marrë dhe po e studion për të nxjerrë më pas qëndrimet e tyre. Për këtë ai thotë se edhe këto shoqata kanë të gjithë kohën për ta studiuar e pastaj ballafaquar draftin e Kodit të Ri Penal me grupin e punës, njësoj siç sipas tij, do të bëjë qeveria e siç duhet të bëjnë të tëra palët e interesuara.

"Ky është një proces demokratik dhe transparent, ku kush do të kontribuojë për një Kod të Ri Penal për Shqipërinë 2030 në BE i ka rrugët e hapura e të gjithë kohën e nevojshme, ndërsa kush do të bëjë zhurmën e vet mund ta bëjë, se demokracia i ka edhe zhurmuesit e vet, po s’mund të thotë dot që s’na pyeti kush.", shprehet kryeministri ndër të tjera. 

Rama thotë se pas procesit të ballafaqimit të grupit të punës me të gjitha palët e interesuara, Ministria e Drejtësisë do ta marrë draftin e rishikuar e do ta konsultojë natyrisht edhe me Komisionin Europian. Ai thekson se pa miratimin e Brukselit drafti nuk shkon dot në parlament

POSTIMI I PLOTË: 

Shoh që disa shoqata gazetarësh na kanë bërë një thirrje urdhëruese për të ndërhyrë urgjentisht në draftin e Kodit të Ri Penal, çka tregon se ata që duhet të informojnë publikun për procesin e saponisur të diskutimit të këtij drafti nuk e kanë kuptuar akoma (edhe pse u tha shumë qartë nga ministri i drejtësisë) se Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave, nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit po ia kanë besuar një grupi ekspertësh të nderuar, nën udhëhehjen e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Profesor Arben Rakipit.

Kështu, hëpërhë qeveria është thjeshtë njëra nga shumë palët në këtë proces dhe e kemi marrë e po e studiojmë draftin, për të ballafaquar më pas qëndrimet tona me ato të grupit të ekspertëve, gjë që ua sugjerojmë edhe shoqatave të alarmuara për lirinë e shtypit, të cilat në këtë fazë, në vend se të alarmohen duhet të ndjehen shumë të lehtësuara e të respektuara, sepse kanë të gjithë kohën e nevojshme për ta studiuar e pastaj ballafaquar draftin e Kodit të Ri Penal me grupin e punës, njësoj siç do të bëjë qeveria e siç duhet të bëjnë të tëra palët e interesuara - sidomos ato brenda sistemit, të cilat në vend se të japin deklarata sa të nxituara aq edhe qesharake për shtyp, bëjnë mirë të ulen me grupin e ekspertëve dhe të ballafaqojnë opinionet e tyre.

Ky është një proces demokratik dhe transparent, ku kush do të kontribuojë për një Kod të Ri Penal për Shqipërinë 2030 në BE i ka rrugët e hapura e të gjithë kohën e nevojshme, ndërsa kush do të bëjë zhurmën e vet mund ta bëjë, se demokracia i ka edhe zhurmuesit e vet, po s’mund të thotë dot që s’na pyeti kush.

Pasi të bëhen të gjitha ballafaqimet e grupit të punës me të gjitha palët e interesuara dhe në pavarësi të plotë nga qeveria, Ministria e Drejtësisë do ta marrë draftin e rishikuar e do ta konsultojë natyrisht edhe me Komisionin Europian, sepse pa vulën e Brukselit drafti nuk shkon dot në parlament! Kështu që miq të shoqatave të shtypit rrini të qetë se nuk ju vjen dot asnjë e keqe nga Kodi i Ri Penal, në Shqipërinë që po shkon në BE dhe jo në BRSS.

Organizatat e Shoqërisë Civile kanë mbajtur sot një deklaratë për mediat ku kanë folur lidhur me draftin e Kodit të ri Penal.  Në nisje të deklaratës ata kanë shprehur shqetësimin në lidhje me ndryshimet e propozuara në draft-Kodin Penal të Shqipërisë, pasi sipas tyre, ato cenojnë seriozisht lirinë e medias dhe të shprehjes në vend.

Më tej shprehen se në veçanti, dispozitat e propozuara në nenet 865 (Shpifja), 863 (Fyerja) dhe 536 (Ndikimi në pavarësinë e gjykatës), përmbajnë elemente shqetësuese të cilat krijojnë paqartësi dhe mundësi për interpretim arbitrar dhe abuziv në zbatimin e tyre ndaj gazetarëve, mediave dhe shoqërisë civile dhe rojtarëve publik në tërësi.

Ata i kanë bërë thirrje urgjente Ministrisë së Drejtesise, Këshillit të Ministrave dhe palëve të interesuara të përfshira në procesin e miratimit të Kodit të ri Penal që: të rishikohen në thelb nenet 865, 863 dhe 536; të sigurohet qartësi dhe specifikim në formulimin e dispozitave penale; të dekriminalizohet shpifja dhe fyerja; të mbrohen në mënyrë të qartë gazetarët dhe punonjësit e medias dhe të ketë angazhime në konsultime kuptimplota me gazetarët, shoqërinë civile dhe ekspertët e lirisë së medias. 

 

drafti i kodit te ri penal edi rama

Sondazh

Poll