Aktualitet

I akuzuar për nxitje të përçarjes, Apeli në Kosovë lë në paraburgim zyrtarin serb

Më 20 korrik, Gjykata Themelore në Prishtinë shqiptoi masën e paraburgimit ndaj Popoviç, ndihmësit të drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, i cili dyshohet për veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit.

31 Korrik 2025, 17:13 Nga M.B
I akuzuar për nxitje të përçarjes, Apeli në
Igor Popoviç

KOSOVA- Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e avokatit të Igor Popoviç, duke lënë në fuqi masën e paraburgimit prej një muaji të shqiptuar ndaj zyrtarit serb. Më 20 korrik, Gjykata Themelore në Prishtinë shqiptoi masën e paraburgimit ndaj Popoviç, ndihmësit të drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, i cili dyshohet për veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit.

Sipas vendimit të Apelit, siç raporton Betimi për Drejtësi, shkalla e parë ka vepruar drejt kur e ka caktuar paraburgimin, pasi që, sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se Popoviç ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet. Apeli ka përmendur edhe një video ku Popoviq shihet dhe dëgjohet duke mbajtur një fjalim në rajonin e Rahovecit, përmes së cilës, Gjykata tha se mjaftueshëm krijohet dyshimi i bazuar se ai e ka kryer këtë vepër penale.

Në vendim u tha po ashtu se Popoviç ka shtetësi të Serbisë dhe nëse ai mbrohet në liri do të ishte i pakapshëm nga institucionet e Kosovës për faktin se Serbia nuk bashkëpunon me Kosovën. Popoviç u ndalua më 18 korrik, pasi gjatë shënimit të përvjetorit të vrasjes së serbëve në Rahovec, e kishte quajtur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) “organizatë terroriste”.

Vendimi i Apelit për lënien në paraburgim të Popoviqit vjen disa orë pasi kryediplomati serb, Marko Gjuriç, e ngriti çështjen e arrestimit të tij gjatë një bisede telefonike që zhvilloi me shefin e Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres. Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme të Serbisë, Gjuriç deklaroi se veprime të tilla paraqesin “përpjekje të rrezikshme për të frikësuar komunitetin serb dhe minojnë dialogun”.

Gjuriç po ashtu tha se Serbia pret përfshirje të aktorëve ndërkombëtarë, veçmas të Misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, prania e të cilit, sipas tij, ka rëndësi kyç për mbrojtjen e të drejtave “dhe sigurisë së popullit tonë”. Zyrtarët në Serbi vazhdimisht e kanë dënuar arrestimin e Popoviqit, duke e cilësuar si një “vendim politik” dhe duke kërkuar lirimin e tij.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, e ka paralajmëruar Kosovën për “pasoja të paparashikueshme”, deklaratë kjo që nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është cilësuar si kërcënim. Kurti ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të reagojë “qartë dhe me vendosmëri ndaj kërcënimeve të Vuçiç”, që sipas tij, mund të destabilizojnë të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se vendi nuk do të tolerojë fyerje dhe përdhosje të historisë dhe të luftës së udhëhequr nga UÇK-ja. UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.

Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, nuk janë gjetur ende. Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte. Gjatë konferencës, Kurti tha se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë./ REL

igor popoviç

Sondazh

Poll