Aktualitet

Turizmi, rritje e dobët dhe në maj, pavarësisht shumë eventeve! Ikin më shumë shqiptarët

Një javë më pas, Samiti i Gjashtë i Komunitetit Politik Europian (KPE) u mbajt më 16-17 maj 2025 në Tiranë, duke mbledhur udhëheqës, politikanë e gazetarë nga e gjithë Europa. Maji u mbyll me festivalin e Keinemusik, që tërhoqi shumë të rinj.

24 Qershor 2025, 12:18 Nga M.B
Turizmi, rritje e dobët dhe në maj, pavarësisht shumë
Foto ilustruese

TIRANA- Muaji maj ka qenë shumë i vrullshëm. Në 9-11 maj u zhvillua Giro D’Italia, që solli çiklistë nga e gjithë bota. Një javë më pas, Samiti i Gjashtë i Komunitetit Politik Europian (KPE) u mbajt më 16-17 maj 2025 në Tiranë, duke mbledhur udhëheqës, politikanë e gazetarë nga e gjithë Europa. Maji u mbyll me festivalin e Keinemusik, që tërhoqi shumë të rinj.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, hyrjet e shtetasve të huaj në vend kanë shënuar rritje të dobët. INSTAT raportoi se në vend hynë 987.077 shtetas të huaj. Ky numër është rritur me 1,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Ritmet e rritjes së turistëve janë ngadalësuar ndjeshëm në muajt e parë të këtij viti. Në maj të një viti më parë, në vend kishin hyrë 38% më shumë të huaj.

Për 5 mujorin, në vend kanë hyrë gjithsej 3.4 milionë shtetas të huaj, më një rritje prej 3.9% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. ndërsa janari dhe shkurti nisëm mirë, me rritje përkatësisht 14.5 dhe 7.4%, në mars hynë 2.7% më pak të huaj. Tendenca u përmirësua lehtë në prill (3.15%).

Në 5 mujorin e 2024-n, turizmi pa një rritje të fortë, me 38% më shumë hyrje, por këtë vit duket se ritmet janë ngadalësuar ndjeshëm, duke sinjalizuar për një maturim të këtij sektori.
Pritshmëritë janë për një rritje të sektorit me 10-15% këtë vit, por gjithçka do të varet nga fluksi i turistëve në kulmin e sezonit.

Sipas INSTAT, në Maj 2025, 95% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës. Evropa Jugore zë 72 % të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti Evropian, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 14%.

Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 98 % të rasteve është për qëllime personale, ku dominojnë hyrjet për Pushime, vizitë tek të afërm, etj. Në Maj 2025, ky tregues ka shënuar një rritje me 0,9 %, krahasuar me Maj 2024. Hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime Biznesi dhe profesionale janë rritur me 26,1 %.

Rriten daljet e shqiptarëve jashtë

Ndërsa hyrjet e të huajve në vend janë ngadalësuar, ritmet e daljes së shqiptarëve jashtë janë më të larta. INSTAT raportoi se në muajin Maj 2025, 710.048 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 7,2 %, krahasuar me Maj 2024.

Për 5 mujorin, daljet e shtetasve shqiptarë ishin gati 3.3 milionë, me një zgjerim vjetor prej 8.1%. Shtimi i linjave të fluturimit dhe çmimet e lira të biletave kanë bërë që shumë shtetas shqiptarë të udhëtojnë gjithnjë e më shumë jashtë./ Monitor

turizmi

Sondazh

Poll